Filma

12 Years a Slave (2013) – Recensim

12_years_a_slave_featuredSkllavëria vazhdon të mbetet temë prekës dhe inspiruese për shtjellim në filmat artistik. Sa herë që kemi një film të tillë padyshim që bënë bujë, sidomos kur është i realizuar në mënyrë të shkëlqyeshme. Ngjashëm ndodh edhe me ’12 Years a Slave’ të Steve McQuinn. Një film i realizuar për mrekulli, por, me një temë dhe tregim jashtëzakonisht prekës, sidomos kur mësojmë që bazohet në ngjarje të vërtetë.

Historia e Solomon Northrup, një zezak i lirë në Amerikën e shekullit XIX vjen e portretizuar në ekranin e kinemajës në mënyrë të përkryer. Filmi është i realizuar për mrekulli, dhe përkundër asaj që nuk kam pasur rastin të lexoj këtë vepër, nuk mendoj që filmi ka mundur të lë anash ndonjë detaj të madh. Pra, Solomon është një zezak i lirë i cili ftohet në një takim biznesi për tu kidnapuar dhe shitur si skllav më pas. Që nga këtu nis tregimi i tij i dhimbshëm dhe plotë vuajtjeje.

Chiwetel Ejiofor bën një aktrim të përsosur duke mbërthyer karakterin e tij si është më së miri. Emocionet e tij duken aq origjinale sa të kujton më shumë një dokumentar të vërtetë dhe jo një aktrim filmi. Duken sikur ato vijnë nga zemra, nga brendia që pasqyron një mishërim të vërtetë me karakterin e tij. Ngjashëm e kemi edhe Lupita Nyongo’ në karakterin e saj dytësor që dominon në pjesën e dytë të filmit. Solomoni ndryshon dy pronar nga shitja, dhe për ironi që të dy janë karaktere të portretizuar nga aktor britanik, Benedict Cumberbacht dhe Michael Fassbender. Derisa ‘Sherlock’ ka një hapësirë më të shkurtër dhe më të vogël në film, Fassbender dominon si karakter dytësor duke ofruar performancën e karrierës së tij. Ai është një skllavopronar në marrëdhënie jo të mira me gruan e tij, i dashuruar në skllaven e tij, dhe i pashpirt ndaj skllevërve të tjerë.

Është një skenë që dominon filmin, është skena kur Fassbender detyrohet të dënoj Nyongo’n me anë të Ejiofor. Kjo është skena emocionalisht më e rënda në film, dhe ajo çfarë e bën këtë film të madh. Nuk do futem në detaje më tepër, për të mos prishur me ndonjë detaj tepër, megjithatë kjo skenë nuk është e vetmja në film, që ofron një shfryrje me skenën e Solomonit dhe karkaterit të Paul Danos. Duke kujtuar ‘Prisoners’ këtu, nuk di a ka ndonjë film të vitit të kaluar që thjesht nuk dëshirojmë të mbysin karakteret që portretizon Dano. Kemi skenën e shitjes së Solomonit dhe disa nga skllevërit tjerë, si dhe dy-tri skenat e fundit që sigurisht do të ishin ‘prishës’ të ‘fshehtësive’ të filmit. Mos të harroj të përmend edhe aktrimin e Paul Giamattit e Brad Pitt që përkundër karaktereve paralele kanë pjesë të vogla që i zotërojnë për mësysh.

Steve McQuin si regjisor dhe John Ridley si skenarist kryejnë detyrën për mrekulli. Tema është e shtjelluar qetë dhe lehtë, përplot emocione. Nuk kemi momente të kota, por janë jashtëzakonisht emocionale dhe dikujt mund ti duken të rënda. Jo vetëm për shkak të pamjeve, por edhe për shkak të elementeve, filmi definitivisht është për rejting +18 dhe atë për ata me ‘zemër të fortë’.

Njëri ndër filmat më së miri të realizuar vitin e kaluar, por nuk mund të them që është filmi më i mirë i vitit, pasi nuk ofron kënaqësi siç ofrojnë disa filma tjerë. Gjithçka është perfektë, por, tema është e rëndë për të qenë filmi më i mirë.

Nota personale: 9/10

Luan Morina

Kritik filmi