Filma

20th Century Women (2016) – Recensim

Annette Benning e Greta Gerwig veçse mund ti konsiderojmë si ikona të feminizmit për punën që kanë bërë në filmat që trajtojnë këtë ngjarje. Sidomos Bening. Elle Fanning duket si një fëmijë i lazdruar që ka nisur të ndjej veten. Disi në bashkëpunim me karakterin e Gerwig ato nisin një lloj revolucioni bizar feminist në tavolinën e ushqimit. Dhe ky është momenti tjetër ku për karakterin e Bening – Dorothean, ato kalojnë kufirin e feminizmit.

Në frymën e feminizmit të tepruar konsideron se është rritur i biri i saj, Dorothea. Ajo ka rritur të birin si nënë e vetme me ndihmën e miqve kohë pas kohe. Në mesin e miqve kanë qenë edhe karakteret e Gerwig e Fanning, Abbie e Julie. Që të dyja derisa kalojnë nëpër sfidat e veta, si shumica e femrave të shekullit XX, ndihmojnë Jamien të njoh më mirë botën e femrës. Kjo njohje del të jetë një thikë, ndoshta edhe me dy tehe për të birin e Dorotheas. Derisa ai kupton më mirë botën e femrave, vet nuk është i kuptueshëm për botën e meshkujve.

Është një skenar shumë bukur i shtjelluar. Sjell një situatë jo shumë familjare për djemtë, por edhe të mirat dhe pasojat që mund të ketë ai. Por, tregimi nuk vjen nga sytë e tij. Që të gjitha karakteret, përfshirë edhe atë të Billy Crudup kanë diçka për të thënë, për botën, shoqërinë, dhe ndikimin që kanë në jetët e tyre. Janë sfida jo vetëm të shekullit XX. Janë sfida që vazhdojnë dhe pa ide filozofike si të përballen me to, cilido nga këto karaktere.

Këtij skenari të bukur, i shoqërohet edhe aktrimi i mirë i të gjitha karaktereve kryesore. Si rrjedhojë kemi një film të mirë, dhe ndoshta i detyrueshëm për tu parë nga të dyja gjinitë. Nota personale: 4/5