Filma

300: Rise of an Empire (2014) – Recensim

300_Rise_of_an_Empire_41360‘300’ ka qenë një film relativisht inovativ në disa aspekte kur kishte debutuar në vitin 2007. Pos realizimit teknik që sillte në lëvizje të ngadalësuar – slow motion, me të gjithë ato duele me shpata, solo-aksionet e 300 spartanëve, plot gjak, dhe një prapaskenë të errët ngjyrë gruri; edhe skenari ka qenë mirë i përpiluar.

‘300: Rise of an Empire’ dështon në të gjitha këto aspekte. Kjo më shumë për faktin se dëshiron të jetë një kopje indigo e filmit ‘300’. Pjesa e parë e filmit është e mbushur me solo-aksione që si risi sjellin vetëm më shumë gjak, shpata, dhe det. Prapaskena është më e zymtë me një ngjyrë më të hirtë. E ndërkohë edhe skenari nuk është aq interesant. Në fakt skenari duket i pakuptimtë deri në pjesën e dytë të filmit, pasi nuk dihet ndërlidhja me filmin paraardhës. Aty kemi një shpjegim, një ndërlidhje që nuk na bën të ndjejmë ndonjë simpati ndaj karakterit të Themistoklis.

Derisa tek ‘300’ kemi pasur Leonidasin që disi e kemi përkrahur në misionin e tij, këtu në fillim na servohet Themistoklisi si karakter pozitiv, një Leonidas tjetër, e vetëm më vonë për të kuptuar se nuk është aspak afër liderit të 300 spartanëve. Në anën tjetër Eva Green sjell Artemisan, një karakter që duhet të jetë antagonist, por me tregimin e historisë së saj, lë një qëndrim më të butë ndaj saj, krejt ndryshe nga ajo që shikuesi mund të ndjente ndaj Kserksit në ‘300’.

Lena Headey kthehet me rolin e mbretëreshës dhe është e vetmja nyje e dobishme me filmin paraardhës përkrah disa ‘retro-inserteve’ që shfaqen kohë pas kohe. E dikur edhe ajo futet në aksion, gjë e realizuar në mënyrë të pakuptimtë, pasi në atë skenë vetëm ajo është duke luftuar, derisa burrat tjerë rrinë mbrapa të ngrirë në vështrim.

Në përgjithësi, bota nuk ka pasur nevojë për një ‘300sh’ tjetër. Filmi vetëm sa të prish kujtimet e mira për filmin ‘300’ dhe nuk i afrohet aspak filmit paraardhës. Zakonisht vazhdimet rrallëherë tejkalojnë filmin e parë, por ‘300: Rise of an Empire’ kalon në një shkallë shumë të ultë se vazhdimet e zakonta.

Ndoshta mungon regjia e Zack Snyder, ndoshta mungojnë 300 spartanët, por më së shumti që ka munguar është tregimi me të cilin edhe nuk kanë mundur të sjellin edhe një epikë tjetër.

Film i cekët për kah skenari, i realizuar me një cilësi mesatare, jo shumë efekte të mira vizuale, me një kast jo kushedi sa të mirë. Nota personale 1/5 pasi nuk sjell asgjë të përafërt për kah cilësia me filmin ‘300’.