Filma

Allied (2016) – Recensim

Zonja dhe zotëri Smith është kthyer. Vetëm se tani Brad Pitt ka gjetur dikë më të mirë, më të talentuar shumë herë se sa Angelina Jolie. Përkundër kësaj, ‘Allied’ mbetet larg cilësisë për filma Oskarë, por shumë më serioz se filmi për Smithët, me të cilin nuk ka nevojë të krahasohet në fakt.

Filmi provon të nis me një nostalgji për Kasablankën e Luftës së Dytë Botërore, ku dy spiunë një kanadez dhe një frënge e Rezistencës nisen në një mision fatal. Disa vite më vonë ata bashkohen në Londër, për më shumë se një mision, por si gjithmonë, jeta është valë pas vale, herë lartë herë poshtë.

Të dy aktorët në rolet kryesore, edhe Brad Pitt edhe Marion Cotillard tashmë shumë herë kanë dëshmuar aftësitë e tyre në aktrim. Edhe harmonia e tyre skenike nuk është poshtë nivelit të talentit të tyre, por diçka mungon. Ka një hapësirë që mund të ndjehet në film. Brad Pitt është dëshmuar viteve të fundit me filma që kanë të bëjnë me këtë periudhë, derisa edhe Cotillard ka pasur rrugëtime mbrapa në kohë, edhe atë goxha të suksesshme. Karakteret dytësore nuk janë që e prishin filmin, por jo vetëm aktrimi, diçka mungon edhe pas kamerave.

Dhe çudia më e madhe është kur regjia është bërë nga Robert Zemeckis, i cili gjithmonë ka pasur një prekje shumë të mirë në regji. Por, si shumica e filmave të tij, ky film mbetet një nivel nën të shkëlqyeshmit. Në skenar vjen Steven Knight i njohur për kryevepra si ‘Locke’ dhe filma tjerë një nivel më poshtë. Aty mbetet edhe ky film fatkeqësisht. Ka pjesë ku ngjarjet lëvizin më shpejtë se që duhet, dhe ka skena ku lëvizin shumë më ngadalë se që duhet. Filmi provon të kap shumë ngjarje me kohë të kufizuar, por që megjithatë do të duhej të ishte më se e mjaftueshme.

Filmi ‘Allied’ mbetet ide e mirë, por i konvertuar në produkt të fundit me një sukses që dëshpëron. I ka të gjithë përbërësit e nevojshëm, por ngjashëm si në skenë ku mungon harmonia e dy karaktereve kryesore ndërmjet veti, ashtu edhe projekti në tërësi duket se ka mungesë të kësaj harmonie. Nota personale: 3/5