Filma

American Hustle (2013) – Recensim

Christian Bale;Amy Adams;Bradley Cooper

Filmi që bazohet në ngjarje të vërtetë, por, qysh në fillim e lë të qartë që filmi është me skenar origjinal, edhe një herë hedh në pah aftësinë e David O. Russell për të aktivizuar dhe shfrytëzuar në maksimum të gjithë aktorët duke e bërë edhe një film ansambli madhështor.

Ajo çfarë më pëlqeu pos ‘njoftimit fillestar’ që ‘diçka nga kjo ka ndodhur’ ishte edhe regjia e shkëlqyeshme e David O. Russell. Ngjashëm si tek ‘Silver Linings Playbook’ vitin e kaluar, Russell vazhdon të kap në kornizë fytyrën e karakterit nga një kënd dhe largësi që e bën vet shikuesin të ndjehet më afër me karakterin. Këtë afërsi e shton edhe dialogu i përkryer që përsëri lidhet me vet punën e Russell, si skenarist tani. Që nga ‘The Fighter’ e këndej Russell ka shkëlqyer në të dyja këto zeje, edhe si regjisor edhe si skenarist. Ngadalë ka arritur të krijoj qasjen, stilin e tij të veçantë që po përsos filmat e tij për shikuesin e thjeshtë.

Kasti i aktorëve me të cilët punon Russell në këtë film është prej më të mirëve që ekzistojnë sot. E menaxhimi i tyre është i nivelit më të lartë, pasi vet ai arrin të nxjerr maksimumin nga talenti i tërë kastit. E tërë pesëshja kryesore jep një paraqitje të mahnitshme, secili në mënyrën e tij. Kemi disa skena të Amy Adams, nga një mashtruese, xheloze, kriminele, deri tek një vajzë zemërthyer. Derisa karakteri i saj ka një rol më të dëmtuar, në anën tjetër kemi karakterin e Lawrence, si një sadiste që do të bëj të sajën, njëkohësisht duke u treguar edhe mendjelehtë. Që të dyja shkëlqejnë, kanë momentet e tyre, ngjashëm si Bale, Cooper, e edhe Renner, edhe pse ky i fundit ka më pak hapësirë në film. Aktrimi i tyre duket të jetë në limitet e maksimumit, gjithnjë nxitur nga menaxhimi i Russell.

E kur jemi tek aktrimi, talenti i kastit është i mahnitshëm. Ndryshimet në vet dukjen e aktorëve, sidomos ndryshimi tek Christian Bale është i mrekullueshëm. Bale ka pësuar ndryshimin më të madh për këtë film, edhe në peshë, derisa përsosmërisht portretizon karakterin e tij, një biznesmen që merret me punë të korruptuara. Njëkohësisht ai është edhe njeri shumë familjar, me karakter të qetë dhe bindës që vërehet në zërin e tij të ultë gjatë pjesës më të madhe të filmit. Është një karakter me plan dhe gjakftohtë, i gatshëm për të pasur gjithçka që planifikon, në çfarëdo mënyre qoftë. Së bashku me karakterin e Amy Adams, ata themelojnë një organizatë investuese, duke i dhënë jetë biznesit (mashtrimeve) të tyre. E Amy Adamsin kurrë nuk e kemi parë kaq sensuale, të butë, të lëndueshme, dhe dinake. Njëra ndër performancat më të mira në karrierën e saj duke dominuar karakteret e gjinisë së bukur gjatë tërë filmit, me një harmoni të përkryer me të gjithë karakteret tjera si Bale, Cooper, e edhe skena me Jennifer Lawrence që është njëra ndër më të mira në film. Arsyeja pse është ndër më të mirat është edhe kontributi i të mahnitshmes Jennifer Lawrence. Kjo aktore është e gatshme të vjedh çdo minutë që i ofrohet në film. Karakteri i saj nuk është po aq i mençur, i butë, e i qetë sa ai i Adams. Është një nënë e ndarë që kërkon medoemos ti ruaj të birit të saj një baba që ka gjetur në Bale, gjithnjë duke dominuar jetën e tij. Një shtëpiake tipike, porse dinake, dhe ndaj vetvetes. Skena me Adams, skena e parë në film, kur këndon me këngën e Beattles – një skenë ku e humb veten si kurrë më parë, dhe skena e saj e fundit janë ndër shumë momentet fantastike në film. Është absolutisht e mahnitshme.

Ndërkohë të kthehem tek Bradley Cooper. Kemi një moment në film ku pas fjalisë së karakterit të Adams që ofendon karakterin e Bale në dobi të Cooper, kur ky i fundit ngulit shikimin tek Adams, me të dy duke lënë Bale në injorancë totale me kamerën që fokusohet tek shikimi i habitur i Cooper. Është një skenë kryevepër si në regji si në aktrim. Cooper së bashku me Bale e Adams janë ndër karakteret më kryesore me një pjesë të filmin e rrëfyer nga pikëpamja e këtyre treve. Kah fundi karakteri i tij vihet në sprovë, derisa harmonia e tij me Louis CK del të jetë edhe më joshëse se sa me Adams e Bale.

Louis CK e Jeremy Renner mbesin pak si në prapaskenë në mesin e tërë këtij kasti të mahnitshëm që ofron aktrim të përsosur, por, megjithatë shkëlqejnë edhe ata në momentet e tyre.

Për të zgjedhur skenat më të mira të filmit është puna goxha e vështirë, prandaj as nuk do të lodhem të bëj një gjë të tillë. I tërë filmi është i përkryer, i realizuar për mrekulli nga pjesa prapa kamerave, i farkëtuar edhe më shkëlqyeshëm nga kasti.

Për shijen time, filmi më i mirë i vitit 2013.

Nota personale: 10/10

Luan Morina

Kritik filmi