Filma

Angry Birds (2016) – Recensim

Të them të drejtën, kam qenë shumë skeptik në konvertimin e kësaj loje në film. Ndoshta për arsye se minutazhi që kam kaluar duke luajtur këtë lojë është më i shkurtër se ai i filmit. Dhe filmi nuk është shumë i gjatë. Kohëzgjatja është tamam, dhe kjo është ndër disa anë pozitive të filmit.

Në anët pozitive do të rreshtoja edhe skenarin. Është i thjeshtë, aspak i komplikuar, i shtjelluar mirë në një shtrirje të përshtatshme, i pa komplikuar. Ndoshta për shkak se kjo ishte puna e parë në karrigen e regjisorit për Clay Kaytis e Fergal Reilly, qëllimi ka qenë të realizohet thjeshtë dhe bukur. Ky qëllim i supozuar është realizuar me sukses.

Shpezët janë të inatosura. Shkojnë në një qendër rehabilitimi. Pastaj vijnë derrkucët, në fillim si miq. Red është skeptik. Skepticizmi i tij del të jetë i qëlluar, por heroizmi i tij mbetet të shihet. Pra, është një tregim i thjeshtë, i kuptueshëm edhe për një fëmijë tre vjeçar.

Zërat e huazuar më kanë pëlqyer. Janë disa emra të këndshëm për mua si Jason Sudeikis, Josh Gad, e Danny McBride. Kasti plotësohet me Bill Hader, Peter Dinklage, Tony Hale, e Maya Rudolph. Një grumbull emrash ku shumica e tyre sjellin bagazhin e SNL.

Pra, ‘Angry Birds’ është një film i animuar i thjeshtë, i realizuar për merak, i përshtatshëm për kohë familjare, pa potencial për t’ju zhgënjyer. Nota personale: 3/5