TV Reviews

Atlanta – Sezoni 2 (me spoilera?!)

‘Community’ është një ndër komeditë më të nënçmuara! Ka pasur karaktere secila me botë në vete, dhe padyshim njëra ndër botët më mira ka qenë ajo e ‘Troj dhe Abed në mëngjes’. Për dallim nga Abed, Troj ka vazhduar të eksplorojë zanatet e reja duke u shndërruar në një artist të ‘çmendur’ me zanatin e skenaristit, aktorit, e këngëtarit.

Njëra nga episodet më të ‘çmendura’ në TV kohëve të fundit është episodi ‘Barbershop’ i sezonit të dytë të ‘Atlanta’. Fundi i këtij episodi mjafton për të shpjeguar krejt ekzistencën e njerëzimit! Dhe jo, nuk jam duke bërë shaka, aq ma pak zmadhuar rëndësinë e këtij episodi, respektivisht rëndësinë e berberit! Pse?

Veç një paragraf do të mundohem t’ia dedikoj këtij episodi, ndonëse për çdonjërin episod ka mundësi të shkruhen recensime veçmas. Alfred dëshiron të bëj një prerje flokësh, por, punët që i dalin berberit e dërgojnë atë në një aventurë nga më të çuditshmet në të cilën përjeton gjëra sa një jetë! Ndoshta mund të mos ndërlidheni direkt me profesionin e berberit, por, jo vetëm në filma, berberi ka funksionuar në rolin e ‘psikologut’ për myshteriun e tij. Dhe gjersa i dinë të gjitha për jetët e myshterinjve të tij, pak veta lodhen të merren me jetën e tij. Në një mënyrë, Alfred përjeton një ditë në jetën e berberit të tij, kuptohet që nuk është një ditë normale, porse e mbushur me skena e ngjarje të komedisë të denjë për këtë serial.

Nuk është sezon që mund të definohet me vetëm një episod. Menjëherë pas ‘Barbershop’ kemi një ‘adaptim televiziv’ të ‘Get Out’ me episodin ‘Teddy Perkins’. Darius është ai karakteri i tretë që i jep dozën më të madhe të komedisë serialit, i cili qëllim primar nuk e ka komedinë. Është jeta e Earnit që mbushet me ngjarje që më së paku atij i duken komike. Shembull i mirë është edhe ‘Helen’ me krejt gjermanët e Val. Ky sezon sjell karaktere që kanë krokodil në shtëpi, shkon nëpër konvikte, nëpër pyll, në ‘ahengje’ të çuditshme, e gjithçka nga të papriturat që mund të priten në ‘Atlanta’. E tashti në Evropë për sezonin e tretë?!

Një komedi nga më të veçantat, krejt ndryshe nga të tjerat. Ky sezon vetëm sa shkon e bëhet më mirë se i pari. Shpresoj të jetë i treti në këtë ritëm. Nota personale e sezonit: 5/5