Filma

August Osage County – Recensim

August-Osage-County-ReviewKur vendosim dy diva të kinematografisë me një skenar të shkëlqyeshëm kemi si rezultat kemi një film si ‘August Osage County’. Performanca e Meryl Streep dhe Julia Roberts, pa përjashtuar kastin dytësor me emra tjerë të njohur, na jep një dramë familjare të mrekullueshme.

Tema, ngjashëm si filmi është paksa e zymtë. Karakteri i Meryl Streep, Violeta, është një nënë e tri bijave e sëmurë me kancer goje dhe jeton në shtëpi e vetme me bashkëshortin. Bashkëshorti i saj është Beverly, Sam Sheppard. Ky ka pak hapësirë në film, pasi herët bën vetëvrasje që unifikon familjen e gjerë e që nis një seri skandalesh familjare.

Barbara – Julia Roberts, është e bija e madhe e familjes me një karakter të pashoq pos me të ëmën. Të dyja janë alfa-ujkonja kokëforta dhe bindëse. Karen (Juliette Lewis) dhe Ivy (Julianne Nicholson) janë motrat më të vogla të Barbaras. Barbara është e martuar, së paku ashtu supozohet me Billin (Ewan McGregor) me të cilin ka një bijë tinejxhere, Jean (Abigail Breslin). Karen tashmë është fejuar me Steve (Dermot Mulroney), ndërkohë Ivy ka një të dashur, më në fund.

Motra e Violetës është Mattie, e mahnitshmja Margo Martindale. Ajo është e martuar me Charlien (Chris Cooper) dhe kanë një bir, Charlie Jr. (Benedict Cumberbatch). Dhe Johnna (Misty Upham) është shërbëtorja/kujdestarja e Violetës, me prejardhje indo-amerikane.

Kjo e fundit shpesh bie pre e ngacmime raciste të vet Violetës. Karakteri i Meryl Streep është ai që i jep shije këtë filmi. Është një karakter pa dorëza, që nën ndikimin e medikamenteve nuk kursen asgjë, nuk mban asgjë brenda për të ofenduar të madh e të vogël në këtë film. I vetmi karakter që kundërshton atë, është Barbara. Kacafytjet, deri tek ato verbale, bëjnë këtë film më të mrekullueshëm. Harmonia e Streep me Roberts, si dy karaktere të njëjta, por gjithnjë në kundërshtim njëra me tjetrën është e mahnitshme përgjatë tërë filmit. Sigurisht edhe kasti dytësor ‘investon’ me aktrimin e tyre të përkryer, secili karakter në vete, por pothuajse shumica mbetet nën hijen e dyshes Streep – Roberts. Që të dyja meritojnë lëvdata më të mëdha, e edhe nominimi për Oskar është më se i drejtë për to.

Skenari? Skenari gjithnjë shkon duke u thelluar, dhe duke u bërë sa interesant, aq edhe pak i ‘pështirë’ ta quaj. Por, më ka pëlqyer. Më ka pëlqyer qysh zhvillohet e tërë ngjarja, dhe sidomos pika ku përfundon. Është realizim i mirë kur marrim parasysh përvojën e regjisorit John Wells (disa episode të ‘ER’ dhe ‘Shameless’ si dhe filmi ‘The Company Men’) dhe skenaristit Tracy Letts (‘Killer Joe’). Aktrimi dominon, megjithatë personalisht edhe skenari e regjia më janë dukur interesant.

Ndër skenat më të veçanta është darka pas varrimit të Beverlyt. Është një darkë ku shumëçka del në pah, ndërkohë atmosfera dhe emocionet lëvizin lart e poshtë me disa skena sa komike, sa tragjike. Është ndër pjesët më të mira, jo vetëm në këtë film, por edhe gjatë këtij viti nëpër filma. Më ka pëlqyer tejmase duke qenë sikur pika kulmore e filmit, për të lëvizur më pas kah fundi i tregimit me një tempo më të shpejtë, ngjashëm me atë se si kishte arritur deri tek ajo darkë.

Nota personale: 9/10