Filma

Baby Driver (2017) – Recensim

Njerëzit që i frikësohen vetmisë, mungesës së të tjerëve do të mund ti klasifikonim si ekstrovertë, edhe pse nuk është definicion i drejtë! Por, si do ti quanit njerëzit që i frikësohenqetësisë absolute, heshtjes? Zërave të brendshëm, zhurmës shurdhuese të një kanali që ka përfunduar programin në ish-RSFJ? Anksioz? As ky nuk është definicion i saktë! Por, le ti quajmë këta të fundit B-A-B-Y! Sa për këtë recensim!

Ata e thirrin, ai përgjigjet!

Kjo është puna e Baby-t, i cili disi është i ngujuar me Doc-un të cilin e shërben si vozitës arratisjeje nga skenat e krimit. Baby jeton me të atin kujdestar, shurdhmemec, i cili është edhe audienca e tij e vetme në ekzebicionimin e pasionit të tij – këngën. E puna që Baby e bën më së miri – vozitja e shpejtë. Këto janë dy anët më të mira të filmit – muzika dhe vozitja e Babyt.

Vozitja e shpejtë është ajo që i nevojitet Doc-ut, portretizuar nga Kevin Spacey, i cili është ai që mbledh turmën hajdute për të kryer aktet e tyre, turmën që kurrë nuk është e njëjta për të shmangur mësyshin. I vetmi që nuk ndryshon është Baby i cili vjen nga Ansel Elgort. Është një ansambël aktorësh i përbërë nga ikona të aktrimit si Kevin Spacey; emra me bagazh si në TV ashtu edhe në film me Jon Hamm e Jamie Foxx; dhe yje në ngritje me Ansel Egort e Lily James.

Lily James është Debora e cila punon në një lokal ushqimesh, dhe e cila shndërrohet në interesim romantik të Babyt me shijen e ngjashme që kanë në muzikë. Baby duhet të dëgjoj vazhdimisht muzikë për shkak të një incidenti në të kaluarën, dhe ka një koleksion që neve si shikues na lë mbresa gjatë gjithë kohës së filmit, duke u dhënë shije edhe udhëtimeve të cilat jo medoemos janë të shpejta sa janë të mençura!

Është një skenar që nuk zgjerohet pa nevojë, mbetet i përqendruar në qëllimin e filmit, i ngushtuar në karakteret në fjalë, pa dal shumë në jetën tjetër larg temës. Sjell disa veprime, aksione të papritura dhe tunduese, që i japin adrenalinën e duhur tregimit. Ngjashëm edhe regjia që gjithashtu vjen nga Edgar Wright është në nivel të lartë. Të gjitha këto gërshetohen me aktrimin, dhe sigurisht muzikën për të sjell një kryevepër të papritur filmike. Ndër filmat më të mirë të vitit padyshim. Nota personale:  5/5