Filma

Bad Moms (2016) – Recensim

Xheki e viteve ‘70ta është rritur, është pjekur, e është  bërë nënë. Nënë e keqe ndoshta, por megjithatë nënë! Së paku në këtë film nën-mesatar.

Dhe kur e shohim që filmi ‘Bad Moms’ është përgatitur nga Jon Lucas e Scott Moore – emra të cilët kanë bërë ‘Netët e luanëve’!!! (The Hangover) Edhe ky film si të tre ‘Hangoverët’ dhe gjithçka tjetër që kanë bërë këta dy, vazhdon të mbetet një komedi e thjeshtë që le shumë zbrazëti gjatë gjithë kohës. Tregimi është për tri nëna të këqija, të udhëhequra nga karakteri i Ejmit (Mila Kunis). Ajo është e martuar, punon për një kompani me shumicën punëtorë të rinj, ka burrin përtac, dhe kujdeset për të dy fëmijët. Pra, është në qosh të çmendurisë. Dhe një ditë çmendet!

Dëbon burrin nga shtëpia, lë punën, dhe argëtohet. Në këtë mision i ndihmojnë dy shoqet e saja polare – Karla (Kathryn Hahn) e cila vetëm se është e ‘çliruar’ nga të qenurit nënë e mirë, dhe Kiki (Kristen Bell) e cila akoma është nënë e kujdesshme. Misioni kryesor i Ejmit dhe shoqeve është të largojnë Gvendolinën nga udhëheqja e këshillit të prindërve të shkollës. Për këtë tregojnë se si nuk është turp të jesh nënë jo-perfekte, si mund të argëtohesh edhe pse je me fëmijë e punë, e krejt këto klishet palidhje.

Filmi bëhet aq bajat në çaste, kur gjithçka është e përkryer, dhe e keqe për karakteret në fjalë, sa që e kalon edhe kufirin e ‘limonadës’! Fajin nuk e ka veç skenari, po krejt ideja, projekti. Dhe kur kujtojmë që do të vijë edhe pjesa e dytë e këtij filmi, dhe atë jo më larg se këtë dimër!

‘Nënat e këqija’ është një film i keq. Ka emra të njohur në kast, pos atyre tri që përmenda janë edhe Christina Applegate, e Jada Pinkett Smith, por as për këto, as për gjë tjetër s’ia vlen të humbisni kohë. Seriozisht! Nota personale: 1/5