Filma

Battle of the Sexes (2017) – Recensim

Nga ajo që mund të ishte një histori e këndshme barazie ndërmjet gjinive, me nja 30 minuta më pak, ‘Battle of the Sexes’, kalon në një film që e tepron me jetën personale të Billie Jean King, në tentim përshtatjeje për filmat që do të konsideroheshin e shpërbleheshin me Oskar.

Deri para pak kohe, diferenca ndërmjet shpërblimeve në tenis ndërmjet turneve të meshkujve dhe femrave ka qenë tepër e madhe. Së fundmi ka një ngushtim, ama ende vërehet në shumë turne. E mos të flasim për sportet tjera ku një lojtar mesatar merr totalin e pagesave të ekipeve çerekfinaliste në Ligën e Kampionëve të femrave.

Për Billie Jean King ndoshta keni dëgjuar, ngjashëm si për Margaret Court. Me nismën e të parës, tenistet largohen nga federata amerikane e tenisit për të organizuar turne të pavarura në SHBA. Kështu lind WTA, që edhe sot është aktive.

Në luftën e sekseve, Bobby Riggs, një ish-tenist tani në të pesëdhjetat provon të përfitoj publicitet duke kërkuar një përballje direkte me BJK-në. Kjo refuzon, dhe Riggs vendos të sfidoj Court-in e cila do të merrte numrin një në botë. Skenari çmonton këtë tregim duke shtuar panevojë jetën personale të Billie Jean King e cila zbulon preferencat e saja seksuale gjatë këtij rrugëtimi. Për të baraspeshuar këtë, skenari provon të hedh dritë edhe mbi jetën private dhe problemet e Riggs me kumarin.

Kjo nuk baraspeshohet për mendimin tim duke lënë në sfond total bashkëshortin e Billie Jean në film. Pa këto devijime në skenar do të kishim një film nja 30 minuta më të shkurtër dhe të përqendruar në rivalitetin në fjalë. Por, dëshira për tu përshtatur me ‘nevojat’ e Akademisë ka marr më të mirë nga ekuipazhi pas kamerave të cilët kanë nevojë për publicitet.

Aktrimi i Steve Carrell është fenomenal, por nuk arrin ‘The Big Short’ e ‘Foxcatcher’. Emma Stone është e njëjta Emma, por larg ‘La La Land’. Aktrimi nuk dëshpëron. Nejse, karakteri i Andrea Risenborough është shpërqendrim i panevojshëm.

Ka mundur të jetë shumë film më i mirë, ka pasur potencial. Ka huq me të madhe. Zhgënjim total. Nota personale: 2/5