Filma

The Beguiled (2017) – Recensim

Në kohën e Luftës Civile, një ushtar Unioni e gjen veten të plagosur mbrapa linjës së armikut. Në tentim për të mbijetuar, ai kërkon strehë tek një shkollë vajzash në Virxhinia. Gjatë kohës së rikuperimit, shumë kufi nisen të shkelen, përfshirë edhe atë të mirëbesimit. Dhe këtu nis të marr kahun dhe ritmin krejt ndryshe ecuria e filmit.

I bazuar në një novelë tashmë të realizuar si film gati gjysmë shekulli më parë, filmi vjen me regjinë e Sophia Coppolas. Dhe ajo e ka një prekje të veçantë në realizimin e filmave, ngjashëm si i ati i saj. Janë filma të qetë, të lehtë, që disi kalojnë pa bërë shumë potere. E kanë atë bukurinë në thjeshtësinë e tyre, dhe përkundër një teme ndoshta pak më të rëndë në krahasim me produktet e saja më të hershme, ajo arrin të ruaj atë qasjen e saj të veçantë që ka.

Aktrimi nuk mbetet mbrapa. Sidomos në disa prej skenave në çerekun e fundit të filmit kur situata kalon në një hekurudhë të pjerrët. Si i vetmi aktor mashkull në film, Colin Farrell arrin të ndaj qasjen e tij ndaj të tri karaktereve kryesore femër në film, ashtu siç zhvillon karakteri i tij në film. Është një sfidë e veçantë pjesa e fundit për Farrellin.

Në të njëjtin volum edhe treshja e aktoreve, të tria në dekada të ndryshme, arrijnë të sjellin shumëllojshmërinë e kërkuar në film. Nuk mund të veçojmë as njërën nga tjetra sa i përket paraqitjes përkundër përvojës filmike që kanë. Nicole Kidman, Kristen Dunst, e Elle Fanning, të tria japin një paraqitje të mirë, duke mbetur në nivel me Farrellin.

Në fund, ‘The Beguiled’ mbetet një film i mirë, patjetër për tu parë nga fansat e punës së Sophia Coppolas. Jo për tu përjashtuar edhe nga klasa e gjerë e filmdashëve, dhe në veçanti të pasionuarit për historinë e Amerikës. Nota personale: 3/5