Filma

The Big Sick (2017) – Recensim

Secili në familjet tona e ka një teze Naxhije, Nermine, Nizafete, Nevrije, apo edhe Nerimane, e cila veç me informatat e trungut familjar arrin ti bëj bashkë dy veta për një jetë të lumtur të gjatë e bashkëshortore! Së paku kështu mendon!

Me një kulturë të dominuar nga, deshëm apo s’deshëm, nga e kaluara e ngujuar dhe me një nuancë nga Orienti, ende jemi të prirë për tu ‘ndreq’ nga tjetërkush! Ngjashëm është edhe Kumaili tek ‘The Big Sick’, apo siç mund ta njohim të gjithë si Dineshi, i njohur si ‘nana e vakive’ tek ‘Silicon Valley’.

Ai është një pakistanez që provon të bëj një karrierë si aktor, komedien. Gjatë kësaj, ai takon një vajzë të quajtur Emily. Dallimet e mëdha kulturore dhe racore mund të jenë problem për familjen e tij, por jo për të dhe sidomos prindërit e Emilys. Këta të fundit vijnë në tregim kur një sëmundje e papritur godet Emilyn. Nuk është një sëmundje e zakonshme për filma, është një infektim që e lë të pavetëdijshme, në koma atë.

Dhe për një pjesë të madhe të filmit kemi tri karaktere kryesore në temë – Kumailin, Beth dhe Terry. Nëna e Emily vjen në jetë nga Holly Hunter, e i ati nga Ray Romano. Edhe pse nuk janë të një kalibri kundërshtues si prindërit e Kumail, edhe ata të Emilyt kanë rezervat e tyre ndaj Kumailit.

Kjo shpie tek një komunikim dhe marrëdhënie të çuditshme ndërmjet secilit Bethit, e Terryt, veç e veç ndaj Kumailit. Dhe këtu shkëlqen skenari me dialogë jo të natyrshëm që zhvillohen ndërmjet tyre duke u konvertuar edhe në monologë të mrekullueshëm të ekzekutuar nga Ray Romano e sidomos Holly Hunter.

Është një film që dominohet nga skenari, rrëfimi, e mbi të gjitha aktrimi në veçanti i Romanos dhe Hunterit, për të cilin goxha ndihmë si karakter pasiv ofron Kumain Nanjiani.

Nuk di çfarë të them për fundin, por është një nga filmat më të lezetshëm të vitit. Thashë që skenari, me dialogët dhe monologët, shërben për të realizuar një film goxha bukur të ndërthurur, që tenton edhe të thyej tabutë e një pjese të popullsisë globale, veçanërisht rinisë tani të shkëputur nga e kaluara radikale.

Është një dramë, e përzier me komedi, kryesisht me shaka keq të planifikuara në kohë. Nota personale: 5/5