Filma

Billy Lynn’s Long Halftime Walk (2016) – Recensim

Pritjet kanë qenë të mëdha për këtë film në daljen e detajeve të para, si për çdo film që trajton luftën amerikane në Lindjen e Afërt. Filmi është i bazuar në romanin e Ben Fountain dhe vjen nga një skenarist fillestar në këtë zeje, Jean-Christophe Castelli. Regjia është e Ang Lee i cili i kthehet punës për herë të parë që nga ‘Life of Pi.’

Bëhet fjalë për një ushtar amerikan, Billy Lynn, një 19 vjeçar i cili me skuadrën e tij të luftë janë kthyer në një turne në vendlindjen e tyre pas kthimit nga froni. Turneu është i mbushur me entuziazëm për tu konsideruar heronj – famë, vajza, para, film. Por, pa kaluar shumë kohë, nisin të shfaqen pikëpamjet e vendasve të cilat janë goxha në kundërshtim me ato që kanë të pranishmit në fronin e luftës.

Para se të kthehen në fron, shtyrë nga motra e tij, e cila ka qenë arsyeja kryesore pse Billy ka vendosur të shkoj në luftë, ky nis të konsideron kërkimin për tretman psikik për shkak të gjitha atyre që ka kaluar atje. Kjo shihet edhe si një mënyrë për të ikur nga ndërrimi i radhës. Dhe për të vendosur se çfarë të bëj, ai ka tri orë kohë derisa kryhet ndeshja. Në mes të pjesëve, skuadra do të dal në fushë për te qenë pjesë e shfaqjes.

Si në këtë pjesë, ashtu edhe për gjatë gjithë filmit, kemi tentimin e dështuar për të sjell pasojat që u kanë mbetur këtyre ushtarëve. Gjithashtu, tregimi për ngjarjet në fron nis të shtjellohet shumë vonë dhe është jashtëzakonisht i cekët. Në tërësi skenari është i cekët, edhe pse me qëllim të mirë. Nuk e di si shtjellohet ngjarja në libër, por në film dështon në masë të madhe. Qëllimi është aty – lufta nuk është ashtu siç u shërbehet opinionit të gjerë.

Aktrimi është i mirë. Kemi Steve Martin me më së shumti përvojë dhe një kapje të mirë të karakterit që portretizon. Aty është edhe Vin Diesel në rol të përshtatshëm, e impresionon edhe Kristen Stewart (e çuditshme, e di!). Makenzie Leigh e Joe Alwyn janë pak të njohur në kinematografi, sidomos ky i fundit që debuton në film, por ia dalin të bëjnë atë që kërkohet nga ta.

Në përgjithësi filmi mbetet një ide e mirë, keq e shtjelluar, që nuk dëshpëron, ama shihet qartazi që është larg qëllimit. Nota personale: 3/5