Filma

The Birdcage (1996) – Recensim

A e dini çfarë është më komike se sa Robin Williams të jetë vetvetja? Robin Williams si gay!

Komedienët e mirë dinë të transformojnë veten në shumë karaktere të ndryshme, dhe një nga ta është Robin Williams. Për aftësitë e tija sigurisht që keni mësuar më parë, por një film që ndoshta nuk e keni parë, nga ata që më pak fliten, është ‘The Birdcage’.

Tek ky film, Robin Williams dhe Nathan Lane janë një çift homoseksual, pronarë të një kabareje homoseksualësh në Majami. Karakteri i Robinit është ai që drejton kabarenë, derisa ai i Nathan Lane është i një ‘mbretëreshe’ skene. Filmi nis me karakterin e Lane i cili nuk po ndihet mirë dhe nuk mund të bëj shfaqjen sonte. Albert quhet karakteri i Nathan Lane, Armand i Williams. Këta dy kanë një shërbëtor i portretizuar në mënyrë fantastike nga Hank Azaria. Në fakt është ndoshta karakteri më i pëlqyer nga unë në këtë film, me plotë skena komike. Në fakt, çdo skenë ku është prezent Azaria është komike deri në kulm.

Por, jo krejt është komedi në këtë film. I biri i Armandit, të cilin e ka me gruan e ndarë, Katherine (Christine Baranski), është fejuar me një vajzë të një senatori konservativ, i cili është për mbrojtjen e vlerave morale, rrjedhimisht kundër homoseksualëve. Nuk është ndonjë pjesë pikëlluese, por tema në thellësi, është adaptimi i Armandit dhe Albertit për tu shndërruar në një çift tradicional, ashtu që tu hynë në qejf senatorit dhe gruas së tij. Senatori është Gene Hackman, derisa gruaja e tij është Dianne Wiest. Pra, është një punë e mençur në kasting. E përkryer. Karakteri i Calista Flockhart është e dashura e karakterit të Dan Futterman. Pra, e bija e konservativëve, dhe i biri i homoseksualëve. Këta dy mbesin në plan të dytë, larg frontit të një luftë eventuale, front i cili hapet vetëm në pjesën e tretë të filmit.

E filmi si film, është i realizuar shumë mirë. E përmenda që kastingu ka qenë i përkryer, por mos të harrojmë as regjinë e Mike Nichols, i mësuar pak a shumë me filma dramedi. Skenari është i mirë, por asgjë nuk e tejkalon aktrimin e shkëlqyeshëm nga i gjithë ansambli, sidomos treshja Armand, Albert, e Agador. Nota personale: 4/5