Filma

Birdman (2014) – Recensim

Alejandro Gonzalez Inarritu sjell në ekranin e madh hakmarrjen e Michael Keaton ndaj botës së filmit. Shumë thjesht, ‘Birdman’ mund ta përkufizojmë si procesi i rilindjes së Keaton, rikthimit triumfal dhe plot dhe plot mllef në skenën që e ka injoruar për dy dekada.

‘Birdman’ sjell historinë e një aktori që provon të gjej veten përsëri, tani me një shfaqje teatrale. Riggan (Keaton) ka qenë i njohur më parë për franshizën e filmave ‘Birdman’, franshizë komerciale që pos famës momentale dhe përfitimeve ekonomike, gjithnjë e ka refuzuar ti jap epitetin e një aktori të vlerësuar artistikisht. Për ata që e dinë historinë e Keaton dhe ‘Batmanin’, ky përshkrim përputhet me biografinë e Michael Keaton, i cili që nga ‘Batman’ gjithnjë ka qenë i humbur, diku larg dritave të skenës.

Aktrimi i Michael Keaton është i përkryer. Meriton vlerësimet më të larta, dhe vërtetë arrin të shpaguaj tërë këtë pritje. Megjithatë, është një kast i hatashëm. Edward Norton në rolin dytësor vjen me një aktrim që të lë pa fjalë. Shërben si katalizator i ngjarjes së shtjelluar në film duke kontribuar vazhdimisht në çdo skenë. Ai nxit një varg reaksionesh që nuk kanë të ndalur deri tek rishfaqja e tij në skenë. Norton, vjen shumë i thjeshtë, i ‘pangjyrosur’, i hapur, që mishërohet me karakterin e tij, i cili gjithashtu është një aktor pa dorëza. Rol të mirë ka edhe Emma Stone, e cila ka disa dialogje vërtetë mirë të përgatitura nga skenaristët, dialogje që i sjell në jetë me një aktrim të bukur, aktrim që nuk do të binte në sy pa kontributin e Norton dhe Keaton.

Më vjen mirë që pash Naomi Watts pak më afër origjinalitetit pas ‘rusi-zimit’ tek ‘St. Vincent’. Andrea Riseborough ka një rol mesatar, me aktrim solid, por ai që mbetet në hije është Zach Galifianakis. Angazhimi i tij në skenë është sikur një pushim, ‘time-out’ nga ngjarja. Gjithnjë shfaqet kur diçka me rëndësi ka përfunduar, dhe tani është koha për tu përballur me konsekuencat. Sidoqoftë, në përgjithësi është një kast me aktrim të mahnitshëm që e bën ‘Birdman’ filmin më të mirë të vitit 2014.

Por, aktrimi nuk është asgjë kur e krahasojmë me realizimin teknik të Alejandro Gonzalez Inarritu. Filmi është realizuar me një incizim në lëvizje, që të çon mallin e një tregimi të pandërprerë, të përfunduar për dy orë. Editimi është i përkryer duke e bërë faktin e fjalisë së mëparshme edhe më të besueshëm. Inarritu vetëm sa tregon zotësinë e tij në realizimin alternativ të filmave, duke sjell një metodë që pak përdoret sot, por që në këtë rast vjen e realizuar në mënyrë madhështore.

I ndihmuar dhe nga 3 veta tjera në skenar, Inarritu sjell tregimin për Riggan dhe betejën e vazhdueshme me egon e tij në mënyrë të përkryer. Gërshetimi ndërmjet reales dhe imagjinares është i pavërejtur. Kjo zgjat gjatë tërë filmit duke e lënë shikuesin vet të përcaktohet se në cilën botë është Riggan.

‘Birdman’ është padyshim filmi më i mirë i vitit 2014. Sjell një alternativë magjepsëse që na shpien në një botë që krahasuar me prodhimet e viteve të fundit mund të konsiderohet inovative, edhe pse është përdorur më parë. Skenari, regjia, aktrimi, gjithçka është e përkryer tek ky film. Nota personale: 5/5