TV Reviews

Black Mirror 4 – Recensim me spoilera

Me gjasë Charlie Booker është lodhur. Pasi ka heq dorë nga programet festive të serive të tija të zakonshme ‘fshirëse’, ka vendosur të marr edhe një qasje tjetër në sezonin e katërt të ‘Black Mirror’. Tani na jep shpresë për mposhtjen e teknologjisë ndaj të cilës si racë njerëzore kemi rënë në disavantazh në tri seritë e kaluara.

Kjo është arsyeja kryesore pse personalisht jam pak i zhgënjyer me këtë seri pasi prisja një seri me shembuj të rinj si teknologjia do të na shkatërroj. Sigurisht edhe shumica do të jenë të zhgënjyer nga kjo, por megjithatë mendoj se është një qasje interesante që nuk guxon të vazhdoj me serinë e pestë eventuale kurdo që mund të shfaqet.

Në të gjashtë episodet kemi diçka të veçantë, dhe ky synim lë mbrapa cilësinë e disa episodeve të cilat për një pjesë të audiencës mund të jenë të favorshme. Bile edhe më të favorshme se për shembull Hang the DJ apo USS Callister. Kjo vetëm sa krijon një balancë ndaj shijeve ku secila kënaqet në një mënyrë me së paku një episod nga kjo seri e katërt.

E kur jemi tek episodet, personalisht do të provoj ti radhis nga më pak e pëlqyera deri tek më e mira e këtij sezoni. Kjo listë për mua nis me

Metalhead

Në atë që ngjan më shumë në një videolojë, dhe më e shkurtra nga kjo seri e katërt, kemi një ngjarje të përdorur goxha shpesh nëpër filma e seriale fantastiko-shkencore. Skenari mbetet i vobektë, dhe me numrin pesë në renditje, e vetmja shpresë që të mban deri në fund është pritja eventuale që fundi mund të jetë më ndryshe se katër episodet tjera. Ka një regji dhe fotografi të bukur, ama nuk mjafton për ta larguar nga pozita e fundit në këtë seri të katërt. Nota personale: 4/5

Arkangel

Edhe këtu kemi një ngjarje të trajtuar më parë, larg universit të ‘Black Mirror’. Dhe në fakt tek ky episod menjëherë nisim të vërejmë që diçka nuk është në ‘rregull’. Episodi fund e krye është pro-teknologjisë dhe në një mënyrë na sjell pasojat çfarë do të mund të ishin nëse do të privonim fëmijët e të rinjtë nga teknologjia, përfshirë edhe pornografinë! Këtu pak kalohen kufijtë, dhe kjo e vendos atë në pozitën e pestë. Nota personale: 4/5

USS Callister

Derisa shqyrtoja se cila nga dy episodet vijuese ishin më të mira, mu kujtua përfundimi jo aq o kthjellët për USS Callister. Cristin Millioti po gjen hapësirë nëpër ekranet tona më shumë se krejt ansambli i HIMYM! Ajo është e shkëlqyeshme në këtë episod, përkrah dy emrave tashmë të sofistikuar në televizion, Jesse Plemons dhe Jimmi Simpsons. Nga të gjithë aktorët, mendoj që ky episod ka pasur emrat e njëherë edhe aktrimin më të mirë. Ka zhvillim interesant dhe një përfundim jo të qartë karshi teknologjisë. Por, udhëtimi është mirë i lustruar. Nota personale: 5/5

Crocodile

Skenari është fantastik. Mund ta shpjegonim me teorinë e xhemperit të gjysheve, nga mbështjellja e topave të ‘vunicës’ deri tek kapja vegëz për vegëz të xhemperit. Aksidenti fillestar është një brumë i mirë për të nisur atë që lidhet me skenarin që të mahnit. Është më vulgari nga të gjithë, që të sjell atë aromën e serive tjera, por ka edhe një fund briliant. Nota personale: 5/5

Black Museum

Fund edhe më të mirë se ‘krokodili’. Shërben si një përmbledhje e botës së ‘Black Mirror’ duke u ndërlidhur edhe me episodet të sezoneve të kaluara të cilat kanë hapësirë në pjesët dytësore të muzeut. Si një episod që ngërthen në vete tri tregime të ndërlidhura jo aq haptazi, por që ndërtojnë fundin e mahnitshëm, ka gjithçka që mund të presësh nga ‘Black Museum’. Është një rikthim në të kaluarën, një shenjë shpresëdhënëse për sezonin e pestë, eventual. Nota personale: 5/5

Hang the DJ

Nuk e prisja një fund të këtillë, pozitiv. Nuk ka si të bëj më shumë marketing për një aplikacion takimesh se sa ky episod. Ama, shpresa për një fund më ndryshe gjatë episodit jepte një lëkundje kah njerëzimi në krahasim me teknologjinë. Në fund edhe është një lloj triumfi i njerëzimit, por me teknologjinë. Edhe pse mund të jetë absurd, prapë mbetet një episod me ngjyra, aktrim, e përfundim të shkëlqyeshëm. Është një episod ndoshta ndër më kundërthënësit. Varësisht nga audienca, mund të jetë më i miri i sezonit dhe më i keqi. Për mua, më i miri. Nota personale: 5/5