TV Reviews

Black Sails – Sezoni 4 (me spoilera)

Sezoni i tretë ishte kryer për merak. Tamam kishte përgatitur një sezon të katërt magjepsës. Edhe nuk dëshpëroi aspak.

Së pari, si seri në përgjithësi, katër sezonet kanë qenë të realizuara për merak. Diçka që ka provuar të lidhet me historinë reale, për piratët dhe një periudhë të tyre të lavdëruar ka qenë ide e mirë për televizion. Realizimi për një televizion me parapagim kabllor e ka lehtësuar të zhvishet nga të gjitha censurat eventuale. Tridhjetetetë episode kanë qenë tamam për të përfunduar këtë tregim mbresëlënës.

E kur jemi te përfundimi… SPOILERAAAAAA :O

E para dhe më e rëndësishmja është që secili karakter ka marr një përfundim në njëfarë mënyre. Nuk ka pasur injorime me rëndësi, tashti jo gjithkush duhet të mbijetojë deri në fund. Vdekja e Eleanor në fillim më ka shty të mendoj për një likuidim total të piratëve ndoshta, diçka shumë ‘George Martin-iane’. Mendoj që vdekja e saj edhe e Vane, kanë mjaftuar për krejt serinë.

Mbijetesa e Anne Bony ka shpëlarë borxhin për vrasjen e Eleanor disi. Karakteri i Anne ka qenë ndoshta më i zorshmi për të mbijetuar këtë sezon, por edhe më meritori. Personalisht ka qëndruar aty në krye bashkë me Flint. E kur jemi tek Flint, përfundimi i tregimit të tij ka qenë më i përkryeri ndoshta. Para fundit, dialogu me John Silver në episodin final ka qenë ndër pjesët më të mira të krejt serisë. Ka qenë në përgjithësi një finale qysh i ka hije serisë. Sigurisht që të gjithë s’mund të jenë të kënaqur ndoshta me fundin e karaktereve, por personalisht më ka mjaftuar një përfundim i tillë, përfshirë edhe fundin e Billy Bones. E fundi, në fakt fillimi i Rackham në fund na lë hapësirë për vazhdimin e tregimit.

Vazhdimi s’do të vijë në ekran. Jo për momentin, por së paku mund të jetoj në imagjinatën tonë, nëse dëshirojmë të ngacmojmë vetveten. Sidoqoftë, ‘Black Sails’ ka qenë një seri ndryshe nga të tjerat, e realizuar në mënyrë të shkëlqyeshme, e kryer tamam në kohë, në mënyrën e përkryer. Nota personale për sezonin: 5/5