Filma

Call Me by Your Name (2017) – Recensim

Fytyrë feminine me fare asnjë qime mjekër, i dhënë pas muzikës dhe librave, me një stil veshjeje të veçantë, shumë ‘chic’, e që në vitet 80ta do të thoshte të vishje pantallona të shkurtra, këpuca pa lidhëse e edhe pa thembër, dhe syze për të reflektuar diellin e nxehtë të Lombardisë në ato ditë pranvere. Kështu është stereotipi i homoseksualëve meshkuj në shumicën e veprave kinematografike në të cilat shfaqen. Tek femrat, kemi femra me flokë të shkurtra, një qëndrim të ashpër, dhe një veshje më pak feminine.

Mendoj se në vete kjo mban një lloj racizmi, pasi nëse shihni më shumë filma se që duhet, atëherë mund të shohim edhe njerëz të tjerë me këtë orientim, por me shije dhe interesa të ndryshme për jetën. Dhe ky lloj portretizimi derisa kalon në një farsë për të fituar çmime të ndryshme kinematografike në emër të rritjes së vetëdijesimit për këto orientime, ka një efekt kundër-produktiv si tek vet grupi në fjalë, si tek pjesa tjetër që e konsiderojmë politike dhënien e Oskarit ‘Moonlight’.

‘Call Me by Your Name’ është film i regjisorit italian Luca Guadagnino me skenarin e përgatitur nga James Ivory, bazuar në romanin e Andre Aciman. Pos nëse jeni shumë i dhënë pas filmave, mënyrë tjetër të keni dëgjuar për këta emra nuk ka. Por, sigurisht keni dëgjuar për Arnie Hammer, ‘Supermenin’ e fundit.

Arnie Hammer vjen në rolin e Oliverit, i cili është asistent i zotëri Perlman, një arkeolog i bazuar në Italinë veriore. Oliver vjen si asistent hulumtues për të kaluar verën, e ndërkohë krijon shoqëri të mirë edhe me Elion, të birin e Perlman-ëve, një shtatëmbëdhjetë vjeçar në hulumtim të jetës dhe vetvetes. Timothee Chalamet portretizon rolin e Elios, e këtë keni mundur ta shihni në sezonin e dytë të Homelandit, në rolin e të birit të nënpresidentit William Walden.

Tema në film rrëfehet nga sytë e Elios më së shumti, dhe si protagonist kryesor bën një punë shumë të mirë në aktrim, Chalamet. Edhe harmonia skenike me Hammerin është e të njëjtit nivel. Por, problemi kryesor mbetet tek skenari të cilit i mungon qartësia edhe drejt fundit. Është sikur një rrugë qorre, pa ditur qëllimin që dëshiron ta shtjellon, edhe pse besoj që kjo është bërë në tentim për të pasqyruar pasigurinë e karakterit kryesor.

E kjo pasiguri provon të zgjidhet me njërin nga muhabetet më të mira baba-bir në film së paku dekadën e fundit. Është pjesa më e mirë e filmit, dhe mund të perceptohet nga cilido këndvështrim, apo edhe orientim. Pra, nuk është film vetëm për homoseksualë, ashtu siç mund të perceptohet sidomos tek ne. Është film, sidomos një bisedë që mund të adaptohet për të gjitha grupet e shoqërisë. Por, nuk është filmi më i mirë i vitit.

Thashë, skenari ka vrima, mangësi; regjia nuk është asgjë e veçantë, e vetëm aktrimi, dhe një muhabet që i japin vlerë këtij filmi. Nota personale: 4/5