Filma

Captain America: Civil War (2016) – Recensim

Në fjalët e Skënderbeut – bashkimi bën fuqinë! 😛

Mbledhja e yjeve e bën të suksesshëm, të mirë vazhdimin e Captain America. Në fakt, Steve Rogers mund të jetë i kënaqur që ka arritur të mbledh kaq shumë miq, dhe armiq, në film sikur asnjë hero tjetër. Pa brenga mund ta quajmë ‘Avengers: Civil War’. Por, ngjarja është e përqendruar më shumë në tregimin e Captain America, prandaj nuk teprohet me paradën e krejt yjeve të Marvel, të cilët duket se kanë pasur një sfilatë për të krijuar zhurmë që do të mund tu rezultonte me filma personal të tyre. Epo, së paku mund të dalin më të mirë se Ant-Man. Po, edhe ai është këtu, si i madh e si i vogël.

Thor mungon për shkak të shakasë Shekspiriane?!

Ushtari i dimrit kthehet në skenë duke bindur Kapitenin që një grup ka nevojë për ndihmën e tij. Kjo bindje krijon ndasi ndërmjet Kapitenit dhe Hekurnjerit. Kësaj i ndihmon edhe një aksident që përfshin super-heronj të planit dytësor, dhe si pasojë karakteri i Robert Downey Jr., krijon anën e cila vendos të mos përfshihet në aktivitete, së paku për momentin. Të tjerët kalojnë me Kapitenin. Dhe kështu nisin e mbarojnë gjërat që arrijnë kulminacionin në aeroport ku kemi duele të bukura ndërmjet dy palëve, super-heronj të cilët duket se kanë vendosur të dalin një pasdite në stërvitje për të testuar aftësitë e tyre, ngjashëm siç bëjnë shqiptarët me motoçikleta e vetura, jo medoemos në aeroporte, por edhe në lagjen lokale.

Skenari ka kuptim. Mirë është i përpunuar! Por, regjia është edhe më e këndshme, me një nuancë shtesë bukurie! Tregimi ka disa kthesa të panevojshme, mendoj, të cilat i japin disa minuta vonesë. Filmi do të mund të ishte i përkryer edhe pa to. Së paku nuk mësojmë historinë e Spajdermenit, atë historinë që krejt e dimë.

Aktrimi është i mirë, në nivel. Ata që jemi mësuar ti shohim nuk na dëshpërojnë asnjë pikë. Ata që vijnë për herë të parë në këtë film janë në formë, në krye të detyrës. Secilit mund ti japësh një film nëse mbledh karaktere ndihmëse kështu, edhe Vizionit.

Katërshe

Film i mirë. I kënaqshëm, i mbush kërkesat dhe pritjet për fansat e universit të Marvelit. Nota personale: 4/5