Filma

Ant-Man and the Wasp (2018) – Recensim

Ndoshta për shkak të madhësisë lihet mënjanë, por Milingoni, kësaj radhe me Grenzën, janë ndër karakteret më të nënvlerësuara në botën e MCU. E kushedi, ndoshta edhe do të dalin shpëtimtarë pranverën e ardhshme tek ‘Avengers: Endgame.’

Personalisht, është nga karakteret më interesante, më misterioze, dhe më të pëlqyera. E kur kësaj i shtojmë edhe atë dozën e komedisë (cilësore për dallim me shumicën e karaktereve tjera simotra), atëherë del një produkt i mirë kinematografik. Oh, mos të harrojë edhe atë pjesën e fizikës e cila tek ky vazhdim zë një hapësirë të konsiderueshme.

Filmi, që nga fillimi deri në fund është një lojë ndjekje ndërmjet fronteve të ndryshme në film, që nga Scotti, e deri tek Dr. Billi! Është një skenar i mirë i cili përkundër të gjitha këtyre fronteve nuk del të jetë i komplikuar, i përzier së tepërmi.

Scotti tashti në burg shtëpiak, detyrohet të bashkohet me Hope dhe Dr. Hank në misionin e tyre personal për të gjetur diçka të çmuar nga e kaluara këtyre dyve të fundit. Në këtë mision aktivizohet edhe Hope në rolin e grenzës. Përfundimi, ajo pjesa e zakonshme e MCU pas mbylljes le edhe më shumë për të dëshiruar nga ai mision!

Aktrimi i Paul Rudd e Evangeline Lilly është i mirë, përkrah Michael Douglas e Michael Pena. Por, për shkak të natyrës së filmit, gjithçka mbetet në sfond të regjisë së Peyton Reed, dhe pjesës teknike e cila tek ky film mbizotëron më shumë në krahasim me aktrimin, në dallim prej filmave tjerë të MCU-së.

Më ka pëlqyer mënyra e realizimit, tregimi, dialogu përfshirë linjat komike, e më së shumti idetë e tyre sado absurde në lidhje me fizikën! Të gjitha këto bëjnë një film të mirë të super-heronjve, një margaritar të MCU, i cili së paku për mendimin tim, lihet në plan të dytë. Nota personale: 4/5

Filma

The Predator (2018) – Recensim

Shane Black – njeriu që ka shkruar skenarin për serinë e filmave Lethal Weapon, Iron Man 3’, e The Nice Guys, e sprovon veten pak edhe me The Predator. Filmi nuk ka pasur aq shumë popullaritet, e llafe të mira si tek shikuesit si tek esnafët e filmave, sidomos në dallim me Venom. Të dy filmat pak a shumë janë të ngjashëm, pos që The Predator ka në vete… t’i them substancë. Oh, edhe skena komike, të cilat kohë pas kohe na shtendosin nga një aventurë horrori.

Pahiri, një fëmijë vë në shkrehë gjahtarët më të tmerrshëm të universit të kthehen në Tokë, për t’u përballur me njëri-tjetrin. Ju kujton pak Transformersat me Shia LaBeouf? E keni parë Shian më frikë ndokund? S’do ta shihni as këtu.

Pastaj shfaqen një grup i ish-ushtarëve dhe shkencëtarëve të cilët luftojnë për të mirën dhe të keqen. Në mesin e krejt këtyre është Olivia Munn. Edhe Jacob Tremblay. Për pjesën komike aty është Keegan-Michael Key, për aksion Boyd Holbrook. Për shkencëtarin e keq, Sterling K. Brown! (fansat e This Is Us preferohet mos ta shikojnë këtë film!

Të gjithë të lartpërmendurit përfshihen në luftën ndërmjet përbindëshave, në të dy taborët e këtij dueli. Nëpër gjithë këtë luftë ka çaste komike, dialog komik, dhe shumë aksion. Megjithatë, skenari s’do të kënaq as ata që vijnë për aksion e as ata që vijnë për komedi. Aq ma pak ata që dëshirojnë horror ose frikë nga ky film.

Asgjë special, i lehtë për t’u absorbuar! Një notë më shumë se që duhet e merr për shkak të asaj pjese komike që e përmenda. Nota personale: 3/5

Filma

Venom (2018) – Recensim

Në fillim mendoja se fakti që isha mësuar ta shihja Tom Hardy në role më negative (nisur nga The Dark Knight Returns), dhe Riz Ahmedin në role më pozitive (The Night Of), ishte fajtore pse nuk mund të gjeja një interesim për të parë këtë film. Ndoshta edhe fakti që kisha parë ‘The Predator’ disa javë më parë! Por, shumë thjesht, ishte paaftësia për të ofruar diçka që do të lidhte shikuesin me tregimin. Së paku neve që kërkojmë diçka më shumë në tregim, jo vetëm kapje dhe ngrënie të njerëzve, shumica të pafajshëm.

E mira e filmit është që nuk i bën dy orë, dhe s’do të mund t’i bënte. Problemi është tek lopët shterpë të cilat vazhdojnë të milen duke provuar të japin një kuptim edhe tek karakteret më dytësore dhe me histori më minimale që kanë në MCU. Shifrat flasin për një sukses tjetër, dhe një vazhdim që do të vjen, ndoshta pas tri viteve.

Aktrimi i Tom Hardyt e Riz Ahmed, ndonëse në role të çuditshme për mua, ishte i mirë. Michelle Williams duket se vjen aty vetëm për të mbushur kuotën e femrave, dhe për një pjesë të cilën do e shihni pak pas gjysmës së filmit!

Skenari është i dobët, tepër i dobët. Tregimi është i këputur, dhe provon të zgjatet e tëhollohet sa më s’ka. Të kujton një çamçakëz të cilin e zgjat e zgjat, e zgjat për të mbetur pa shije në fund, pasi e ke ndarë me gjysmën e klasës gjatë pushimit ndërmjet Dituri Natyre e Edukatë Muzikore! Njëjtë edhe MCU me këto karaktere të cilat po mbushin arkat, ende!

Nuk është më i mirë se ‘The Predator,’ i cili siç e kam përmendur edhe tek recensimi i tij, ka substancë më shumë se ‘Venom’. E vetmja gjë e mirë tek ‘Venom’ është kënga e Eminemit. Paçi fat ta hiqni nga mendja tashti. Kam dëgjuar se çamçakëzi (sakëzi ma shqip) ndihmojnë! Varësisht prej komunës që jetoni, ndoshta e kanë hap rrugën deri tek supermarketi i parë. Më shumë ia vlen të ecni në këtë lloq deri tek marketi se sa të shikoni këtë film. Nota personale: 2/5

Filma

A Quiet Place (2018) – Recensim

Është bërë shumë bujë përdebutimin regjisorial të Bradley Cooper. Por, nëse do të debutosh për mrekullinë rolin e regjisorit, shikoni John Krasinskin. Xhim Halpert e bën atë që nukdo e prisnim – një vepër mjeshtërore me prekjen e tij në skenar, regji, menaxhim, e edhe aktrim.

‘A Quiet Place’ është filmi më i mirë i anashkaluar i vitit 2018. Që nga çasti i parë, deri në fund, lë shikuesin të mbërthyer për ekrani dhe me një tren emocionesh që kalojnë nëpër forma e shkallë të ndryshme gjersa të mishërojnë me karakteret nga e para deri tek e fundit! Është një kryevepër artistike që të shtynë të marrësh frymë me kujdes, ngadalë, dhe qetë, duke tentuar të mos bësh atë që nuk guxojnë të bëjnë Abbottët në film – zë!

Në një botë post-apokaliptike, përbindësh të cilët ‘shohin’ zërin, rrezikojnë racën njerëzore, përfshirë edhe Abbottët – një familje e ngujuar në një vend të izoluar. As ai izolim nuk i mbron nga këto krijesa të lemerisura, të cilat na shfaqen qysh në fillim të filmit. Nga aty e dimë armikun dhe nga kush duhet të frikësohemi, edhe ne si bashkudhëtarë të karaktereve në skenë.

Skenari e regjia është e nivelit superior! Përvoja minimale e Krasinskit me dy filma të papërmendur, nuk vihet në pah. Gjithçka të kujton punën e një pensionisti në këto profesione, ndonëse është vetëm fillimi. Është një projekt i suksesshëm edhe financiarisht edhe artistikisht. Përkrah KRasinskit, në rolin kryesor vjen bashkëshortja e tij, Emily Blunt. Një super-dyshe të cilët në ekran portretizojnë atë që janë në jetë reale. Dhe nëse harmonia në jetën jashtë ekranit është sikur kjo, lumët ta!

‘A Quiet Place,’ mund të jetë filmi më i mirë i vitit të cilit nuk e keni parë! Për mua, njëri ndër filmat më të mirë të vitit. Mezi pres vazhdimin e dytë në vitin 2020. Nota personale: 5/5

Filma

Deadpool 2 (2018) – Recensim

Kur të duhet të shikosh më shumë se 110 filma të vitit aktual çdo vit, dhe kur gati 15% e tyre kanë të bëjnë me super-heronj, atëherë trajektorja e ngjashme të cilën marrin shumica të bëhet bajate. Dhe fjalia e epërme është përdorur vetëm si një arsyetim për nota dhe kritika jo aq pozitive për filmat me super-heronj, dhe asgjë tjetër! Arsyetim të këtillë për ‘Deadpool 2’ s’do të ketë!

‘Deadpool 2’ nis me Continue Reading

Filma

Revenge (2018) – Recensim

Një ‘filozofi’ të thjeshtë kam kur vjen puna tek ‘realiteti’ i filmave. Tashti, varësisht prej zhanrit, shikuesi zgjedh se çfarë do të shikojë dhe çfarë pret nga filmi në fjalë. Filma si ‘Revenge’, sfidojnë pak kufijtë e ngjarjes që duket të jetë reale. Nejse, sfidojnë goxha në masë, por nuk është se po premtohet që do të mbahet një zhanër që nis në fillim.

Kam parë shumë Continue Reading

Filma

Isle of Dogs (2018) – Recensim

Filmat e Wes Anderson kanë një stil në vete, dhe nuk të duhet shumë kohë të vëresh lëvizjen horizontale të karaktereve që të kujton botën dy-dimenzionale televizive, ndoshta edhe në kohën e ‘badum-badum’-it (La Linea) të Osvaldo Cavandolit.

Të mbash një stil personal të film-bërjes, si në Continue Reading

Filma

A Star Is Born (2018) – Recensim

Nëse pas mësuesit/mësueses së parë, në listën e mësimdhënësve tuaj të jetës nuk vendoset emri i David Attenboroughs, besomëni që çdo titull, sukses, apo notë që keni marrë ka një * sikur ai të cilin ia kanë lënë vendit tonë të vogël. Njëra ndër luftërat më të mëdha të këtij edukatori të njerëzimit është ajo kundër plastikës. Dhe plastika rrezikon të shpërblehet me Continue Reading

Filma

Searching (2018) – Recensim

Shikuesit e ‘Modern Family’ munden të kujtojnë njërën ndër episodet më inovative në TV, e cila njëkohësisht ishte edhe një reklamë e shkëlqyeshme për Apple, kur Claire merret me të gjithë anëtarët tjerë të familjes së madhe me anë të produkteve të Apple!

Për dallim prej atij episodi, këtu Continue Reading

Filma

Black Panther (2018) – Recensim

Kur të rriteni (lexo: plakeni) dhe koha për të parë filma iu pakësohet (ose iu nevojitet të shihni së paku 110-120 filma të rinj çdo vit për ‘punë’) atëherë nisni e kategorizoni se cilët filma ia vlejnë të marrin kohën tuaj, ato 2-3 orë të lira në fundjavë! E me kalimin Continue Reading