Filma

warzWorld War Z (2013)

IMDB Linku: http://www.imdb.com/title/tt0816711/

Premiera e shfaqjes: 21 qershor 2013

Kohëzgjatja: 116 minuta

Rejtingu: +13 për shkak të sekuencave me zombi, dhunës, dhe imazhëve shqetësues

Zhanri: Aksion, Fanta-Shkencë, Dramë, Triler, Horror

Regjia: Marc Forster

Skenari: Damon Lindelof, Drew Goddard, J. Michael Straczynski, Matthew Michael Carnahan, Max Brooks

Aktrojnë: Brad Pitt, Mireille Enos, David Morse, James Badge Dale

Shtëpia filmike: Paramount Pictures

Punëtori i Kombeve të Bashkuara, Gerri Llejn kundërvë botën në një racë kundër kohës për të ndalur pandeminë e mumieve që po mbikalon armatat dhe qeveritë, si dhe po rrezikon vet njerëzimin.

 

 

 

Projekti filmik i bazuar në librin e Max Brooks, ‘World War Z’ ka nisur qysh para gjashtë viteve për tu shfaqur në kinema vetëm këtë verë. Ekipi realizues, përfshirë skenaristët është ndryshuar disa herë gjatë filmimit, ka pasur devijime në buxhet e shumë çka. Megjithatë në fund kur erdhi para ekraneve të mëdha, filmi arriti të përmbush pritjet.

Është një film ‘blockbuster’ i përshtatshëm për stinën e verës.

Sjell aksion dhe tension qysh nga minutat e para të filmit për tu ‘qetësuar’ në pjesën e tretë të filmit. Ngjarja nis në Filadelfia të Pensilvanisë, ku Gerry Lane është një ish-punonjës i OKB-së që tani ka vendosur të kaloj më shumë kohë me familjen e tij. Krejt papritmas shfaqet një pandemi globale që shkakton kryengritje të ‘të pavdekurve’ apo zombive. Lane dhe familja e tij arrijnë të strehohen në një luftanije në brigjet lindore të SHBA-ve. Lane, karakteri që portretizohet nga Pitt, më pas del në një rrugëtim global për të gjetur pasojat dhe kurën e këtij virusi.

‘World War Z’ gërsheton shumë filma që arrijnë të japin vetëm nga një element të asaj që gjejmë në këtë film. Mund të marrim diçka nga ‘I Am Legend’, ‘Resident Evil’, e edhe ‘Zero Dark Thirty’. Tani merrni elementet pozitive nga këta filma, e edhe disa tjerë horror si ’28 Days Later’, dhe bashkoni në një film, dhe quajeni ‘World War Z’. Nuk është një hit-film që do të ju lë të kërkoni më shumë, mirëpo nëse shfaqet vazhdimi, pasi vet filmi është planifikuar si një franshizë, atëherë besoj që do të dëshironit ta shihnit. Fundi lë pak hapësirë për vazhdime, por as nuk mbyll të gjitha rrugët.

Tregimi shtjellohet shumë mirë. Më pëlqeu fakti se si karakteri i Brad Pitt, Gerry Lane, arrin të bashkoj pikat e ndryshme gjatë tërë filmit dhe eventualisht të gjej një ilaç. Është skena në kulmin e një ndërtesë kur Lane vërteton pikën e parë të teorisë, që ka zanafillën qysh në skenën e parë tensionuese të filmit. Shtjellimi i ngjarjes gjatë tërë 2 orëve nuk lë hapësirë për tu kotur. Pjesa e parë e filmit që përshkruan ‘aventurën’ e Pitt dhe familjes së tij në qytet, dhe pjesa e dytë që përfshinë Pitt dhe udhëtimin e tij në Kore të Jugut dhe Izrael në kërkim të ilaçit ofrojnë mjaftë adrenalinë dhe aksion. Tensioni është në nivelin më të përshtatshëm të mundur. E tërë kësaj i ndihmon një dizajn i shkëlqyeshëm i zërit. Disa skena kanë heshtje totale, heshtje e cila ‘eskalon’ falë tingujve jashtëzakonisht të kënaqshëm dhe të përshtatshëm për filmin. Për mendimin tim ‘sound design’ i këtij filmi është elementi më i shkëlqyeshëm në mesin e shumë elementeve tjera. E një element tjetër është edhe 3D efektet. Janë disa skena të shkëlqyeshme që mrekullohen falë teknologjisë 3D.

Filmi ka rejting +13, pra është i përshtatshëm për shikim familjar, duke ju ikur filmave horror që zakonisht janë +18. Personalisht nuk i pëlqej horroret, por sasia e horrorit që shfaqet në ‘World War Z’ më ka pëlqyer. Shumica e skenave kur ‘të pavdekurit’ janë në aksion nuk shfaqin gjak, e çdo viktimë e tyre në çastet e fundit mbetet larg kamerës. Nuk ka material eksplicit të filmave me zombi dhe horror, gjë që e bën të përshtatshëm për rejting +13.

Marc Foster nuk dëshpëron, e ngjashëm edhe skuadra e skenaristëve bën punë të mirë. Brad Pitt bën punë të shkëlqyeshme, edhe pse nuk më kujtohet ta kem parë në rol si kryefamiljar. Në fakt pjesa e familjes nuk ka shumë peshë, por e kuptoj pse ka pjesë në film. Në përgjithësi është një film ‘blockbuster’ i shkëlqyeshëm për ditë vere. Njëri nga filmat ‘apokaliptik’ më të mirë që kam parë viteve të fundit, e padyshim filmi më i mirë apokaliptik i këtij viti. Film fooort i mirë. Nota personale +++.

 

Luan Morina

Kritik filmi

 

Filma

Wreck-It-Ralph-central-station

Për fëmijët e të ’90-tave, ky film është diçka që duhet të shohin medoemos. Të gjithë ne që mbajmë në mend Nintendo 64, Terminator, GameBoy etj, Ralf Shkatërruesi është një lundrim mbi pjesën më të këndshme të kujtesës sonë.

Nuk janë heronjtë tanë, ndoshta mungojnë për shkak të të drejtave autoriale, por edhe këta heronj artificial të krijuar për këtë film arrijnë të zaptojnë vëmendjen tonë për ata 100 minuta kohë. Tregimi, ashtu siç shihet edhe nga vet titulli, përqendrohet rreth karakterit të Ralfit. Ai është mërzitur duke prishur gjëra dhe duke qenë karakteri negativ në lojën e Feliks Riparuesit. Injorimi i ka ardhur në maje të hundës dhe kërkon të jetë pjesë e festave, por, nga ai kërkohet të fitoj një medalje. Këtë s’do të mund ta bëj në lojën e Feliks Riparuesit, prandaj vendos të kaloj nëpër konzollat tjera gjithnjë në kërkim të medaljes. Fati e shpien tek medalja dhe më pas në një lojë ëmbëlsirash ku takon Vanelopen, një defekt-gliç loje, që do ti vjedh medaljen dhe të ndryshoj fatin jo vetëm të këtyre dy karaktereve.

Është një tregim i përpiluar në mënyrë të shkëlqyeshme nga skenaristët që të zhyt në një botë imagjinare për të gjithë neve që kemi kaluar fëmijërinë duke fantazuar për botën e karaktereve, dhe kohë pas kohe në frikë se jemi pranë çmendinës. Kjo lojë na bën reale këtë çmendinë, duke u dhënë jetë karaktereve të ndryshme të cilat janë një pasqyrë e të gjitha atyre që kemi në jetë, pos mundësisë për të ndryshuar ‘kode’!

Zhvillimi i tregimit është shumë i mirë duke lëvizur me një tempo që përshtatet me të gjitha pjesët e tregimit. Zhvendosja e Ralfit në lojën e ëmbëlsirave është aty ku nis filmi të bëhet më interesant. Deri në këtë pjesë kemi si një ndërtim për ngjarjen kryesore, ngjashëm edhe nuk ka ndonjë aktivitet ngazëllues. Futja e tij në këtë botë është përplot aksion dhe ‘mbjellje’ argëtimi. Këtu takojmë karakterin e Sarah Silverman, Vanelopen, e cila në fillim duket si diçka indinjuese por me kalimin e kohës do të shndërrohet në njërin nga karakteret më të preferuara të filmit. Ajo është e ‘izoluar’ nga ngjarja që ndodh në lojën e ëmbëlsirave, dhe mundësia e vetme për tu kthyer në lojë është të fitojë garën automobilistike për të cilën ka shfrytëzuar medaljen e Ralfit. Ndërtimi i një automobili për të është pjesa më interesante, më komike e filmit, sipas mendimit tim. Është diçka që ofron të qeshura më së shumti nga tërë filmi që del të jetë komedi e bukur, por jo diçka që do të ju çmend së qeshuri. Mund tu ngjajë në filmat e Tinker Bell por më pak ‘vajzërore’.

Tashti kur jemi tek zërat nuk mund të gjej ndonjë ankim. John C. Reilly nuk ka ndonjë përvojë, por e kryen për mrekulli rolin e tij. Përshtatet me karakterin në mënyrë të përkryer, si të gjithë aktorët e tjerë. Zëri i karakteri të Mbretit Kendi portretizuar nga Alan Tudyk ishte i njohur personalisht për mua falë filmave Ice Age, ngjashëm si për fansat e serive të animuara me superheronjë Young Justin e Batman: Brave and the Bold. Më ka impresionuar Sarah Silvermann, ngjashëm si e mrekullueshmja Jane Lynch dhe Ed O’Neill.

Në përgjithësi, Wreck-it Ralp është një film i animuar, inovativ, ndryshe nga ato komeditë e rëndomta të cilat kanë shumë të qeshura, por storie të zakonshme, që kryesisht përfshijnë kafshë. Këtu kemi një tregim shumë mirë të shtjelluar, jo të kotë, me mjaft ndryshime të papritura, dhe mbi të gjitha një rrugëtim për parajsë për nostalgjikët e videolojërave të viteve ‘90ta.

Luan Morina
Kritik për TV&Film

Filma

Zero Dark Thirty (2012)Mark Boal dhe Kathryn Bigelow janë bashkuar për të sjell edhe një realizim të shkëlqyeshëm filmik që përfshinë forcat amerikane. Kësaj radhe të kritikuar dhe injoruar nga shumica e analistëve të kinemasë, dyshja ka dështuar të fitoj shpërblime përkatëse përkundër një pune të mrekullueshme që kanë bërë.

Për mendimin tim, Zero Dark Thirty nuk është hiq më pak cilësor se sa The Hurt Locker. Për më tepër filmi del të jetë më interesant, sidomos pjesa e fundit, edhe pse ka pjesë kur bëhet paksa i mërzitshëm. I bazuar në një ngjarje të vërtetë, filmi portretizon rrugëtimin e një agjenteje të CIA-s në gjah për terroristin më të madh të dekadës së kaluar, Osama Bin Ladenit. Filmi është i përqendruar tek karakteri i portretizuar nga Jessica Chastain, e cila arrin të kap disa skena fascinuese duke dhënë maksimumin nga aftësitë e saj prej aktoreje që po zapton ekranet e mëdha vit pas viti.

Ajo arrin të portretizoj një karakter imagjinar për të e për të cilin thotë se kurrë nuk e ka takuar, në mënyrë të përsosur. Kemi një grua të fuqishme, të vendosur, me qëllime të qarta, si dhe me një dozë të madhe hakmarrëse sidomos në pjesën e dytë të ngjarjeve. E tradhtuar, dhe me ndjenjën e fajtores për humbjen e kolegëve, pjesa e dytë sjell në pah një karakter shumë më të fortë dhe më të ‘çmendur’. Është skena kur ajo është i vetmi karakter femër në një mbledhje të CIA-s kur ‘u humb rrugën’ të gjithë të pranishmëve. Është edhe skena kur bisedon me të burgosurin, si dhe ajo skena kur kërkon ndihmë ushtarake nga një operativ tjetër në organizatë. Aktrimi i saj është i shkëlqyeshëm dhe meriton vlerësimet më të larta. Nuk është hera e parë që shkëlqen këtë vit, pas rolit më dytësor në Lawless, si dhe vjen pas roleve fantastike vitin e kaluar në The Tree of Life e The Help, për të cilin rol ishte nominuar edhe për Oskar.

Nuk ka shumë aktorë me hapësirë të madhe në rolet tjera, por mund të konsideroj se është një kast i shkëlqyeshëm i aktorëve në rolet dytësore, duke nisur nga operativët tjerë, deri tek pjesëtarët e skuadrës Navy Seals Six.

Kur jemi tek regjia, Bigelow nuk dëshpëron aspak edhe në këtë film. Kemi të njëjtën teknikë që kemi parë edhe tek The Hurt Locker. Ajo arrin të realizoj këtë film në mënyrë të shkëlqyeshme. Shpërndarja e tregimit është shumë e mirë. Më pëlqen fakti që aksioni i skuadrës për kapjen e Bin Ladenit është i përpiktë me aksionin që ka ndodhur në jetën reale, së paku ajo pjesa pas aterrimit të helikopterëve. Kështu kam dëgjuar të thotë si mysafire e Stephen Colbert, nuk di sa përkon me realitetin kjo, por, nuk dyshoj që Bigelow të ketë bishtnuar të vërtetën, përkundër asaj që nuk i përshtatet qejfeve të pushtetit amerikan.

Edhe skenat që shpien deri tek ndërtimi i skenës finale janë ndarë në kohë shumë të mirë, vazhdimisht duke u zgjatur skenat. Nuk mungon as ajo kapja e skenave nga këndet e duhura, sidomos tek njëri nga eksplodimet kryesore në film. Eksplodime janë disa në film, të gjitha të kapura pos në mënyrë vizuale, edhe me një zërim të përkryer. E di që ka shumë postproduksion këtu, në krahasim me zërimin origjinal, por sidoqoftë është një punë që vlen të lavdërohet.

Ajo çfarë më pëlqen më së shumti është skena e fundit, e mbylljes. Nuk mund të paramendoj fund më të mirë që kam parë në filmat e vitit 2012, së paku jo në mesin e atyre të nominuar për Oskar. Le ti kujtoj edhe një herë fundet! Jo, definitivisht nuk ka fund më të mirë. Është një ndër skenat më të përkryera të mundshëm, është aty ku duhet të përfundonte filmi, skena që veçse shton përsosmërinë e stories, pa tejkaluar në kotësi dhe tepricën politike që do të vinte më pas.

Punë e mrekullueshme e Bigelow dhe Boal, por akoma më fascinuese ishte performanca e të mrekullueshmes Jessica Chastain. Film që nuk bën ta lëni pa e shikuar, sidomos nëse jeni fansa të zhanrit të filmave luftë, biografi, e dramë. Për fansat e ‘The Hurt Locker’ është diçka që duhet të shihet PATJETËR!

Luan Morina
Kritik për TV&Film

Filma

oscars 2013Edhe një herë Akademia Amerikane e Filmit do të ketë punë të zgjedh ndërmjet krenarisë dhe patriotizmit pasi një e treta e filmave të nominuar kanë të bëjnë me historinë e SHBA-ve në periudha të ndryshme.

Lincoln flet për presidentin më me zë pas Uashingtonit në historinë e amerikanëve. Realizuar nga Steven Spielberg dhe me Daniel Day-Lewis e Sally Field në rolet kryesore, filmi përthur një treshe legjendare të emrave të kinemasë. Spielberg si zakonisht sjell më të mirën e aftësive të tija, mision në të cilin rol shumë të madh luan edhe Daniel Day-Lewis i famshëm.

Derisa Lincoln flet për njërën nga betejat e hershme më të mëdha të SHBA-ve, Zero Dark Thirty, flet për betejën e fundit të këtij shteti. Kathryn Bigelow dhe Marc Boal bashkohen në një projekt të ri që prek historinë e freskët të Amerikës, por kësaj radhe jo në atë masë sa për të mposhtur ‘mrekullitë’ tri-dimensionale të James Cameron. Filmi ka hasur në kritika të mëdha negative nga spektri i gjerë për arsye të torturës të shfaqur në film, e cila gjoja në fakt nuk ka ekzistuar. Kjo i ka kushtuar Bigelow me mos nominim për regji, derisa filmi, skenari, dhe Jessica Chastain me njërin ndër rolet më të mira në karrierën e saj do të jetë konkurrente e fortë në kategorinë për aktoren në rol kryesor.

Derisa Lincoln është shfaqur para Senatit, Zero Dark Thirty ka pasur vetëm komente negative nga ky trup legjislativ.

I treti që prek historinë e SHBA-ve është filmi Argo nga Ben Affleck. Ky vjen me një adaptim pothuajse perfekt të njërës nga ngjarjet më të mëdha në histori të CIA-s. Shpëtimi i të ngujuarve amerikan në ambasadën kanadeze, paraqitet shkëlqyeshëm nga Affleck, i cili nuk ka pasur nevojë për emra të mëdhenj që të shndrisin në aktrim, duke i dhënë rëndësi skenarit dhe filmit. Injorimi i Affleck nuk është befasi dhe e papritur nga Akademia.

Tregimi i një të ngujuari në një anije me një tigër, që vjen si projekt filmik nën përkujdesjen e Ang Lee, ka mahnitur shumë shikues duke mohuar deklarimin që ‘nevojitet aksion i vazhdueshëm për argëtimin maksimal në 3D’. Ngjashëm si tek Argo, Life of Pi hedh në plan të parë regjinë, skenarin dhe adaptimin fantastik të kësaj aventure.

Amour është filmi më prekës dhe filmi i parë në gjuhë jo-angleze në vitet e huaja që nominohet edhe për filmin më të mirë edhe për filmin më të mirë të huaj. Dy aktorët e moshuar, Jean-Louis Trintignant dhe Emmanuelle Riva, pasqyrojnë në mënyrë të përkryer aftësitë e Michael Hanekes i cili mahnit edhe një herë me veprën e tij artistike. Një regji dhe një skenar fantastik nga austriaku.

Punën e mahnitshme pas kamerave tek filmat e nominuar për Oskar këtë vit e vazhdon ‘i çmenduri’ Quentin Tarantino. Ai vazhdon serinë e hakmarrjeve me tregimin për Xhangon në filmin ‘Django Unchained’. Një skenar dhe regji perfekte e ndihmuar nga aktrimi i të njëjtit nivel nga Christoph Waltz, Leonard DiCaprio, Jamie Foxx, Samuel L. Jackson, e edhe Kerry Washington. Filmi me shumë gjak dhe hakmarrje, bash për qejfi të Tarantinos.

E keni parë Volverinën të këndoj, apo edhe Robin Hudin e Maksimusin (Gladiator)? Atëherë këtë mundësi do ta keni tek mjuzikëlli i njohur Les Miserables që sjell një aktrim fenomenal të Hugh Jackman, Russell Crowe, dhe të mahnitshmes Anne Hathaway. Portretizimi i veprës së Viktor Hygos nuk do të ishte të realizohej në asnjë mënyrë më të mirë, nga askush tjetër. Paralajmëron një rikthim të mjuzikëllave në skenë. Tom Hooper shfaq talentin e tij edhe kësaj radhe.

Projekti i pavarur, pa ndihmën e shtëpive të mëdha filmike, Beasts of the Southern Wild pa kurrfarë dyshimi është filmi më i lezetshëm i vitit. Tregimi për një komunitet të ngujuar në rrethinën e Nju Orlins pas stuhisë Katrina, tregon botën e mahnitshme dhe të trilluar të Hashpapit, karakteri që portretizohet në mënyrën më të mirë të mundshme nga vogëlushja Quvenzhane Wallis. Për mendimin tim, filmi i dytë më i mirë i vitit.

E më i miri, prej të nominuarve, pa dyshim është Silver Linings Playbook. Është i vetmi film që sjell në nivel të shkëlqyeshëm bashke dyzimin e punës së aktorëve dhe ekipit pas kamerave. David O. Russell, kthen në film për mrekulli librin e Matthew Quick. Tregimi i sendërtuar jashtëzakonisht mirë shfaqet para kamerave me aktrimin e përkryer të tërë kastit të këtij filmi të udhëhequr nga i mrekullueshmi Robert De Niro. Bradley Cooper ka rolin e karrierës, derisa Jennifer Lawrence tashmë nuk sheh mbrapa me nominimin e saj të dytë në tri vitet e fundit. Jackie Weaver arrin të ‘skenën’ për atë pak kohë që ka, pa harruar edhe Chris Tucker e Anupam Kher.

Filma të shkëlqyeshëm, që përfshijnë një gamë të gjerë zhanresh, regjie, skenari, e aktrimi. Përzgjedhje e shkëlqyeshme edhe pse ka pasur hapësirë edhe për një film shtesë që lehtë mund të zaptohej nga Skyfall – filmi më i mirë ndonjëherë për Agjentin 007, dhe filmi The Dark Knight Rises, kryeveprës së Christopher Nolanit dhe njërin nga filmat më të mirë të realizuar ndonjëherë për superheronjë.

Derisa Silver Linings Playbook është filmi më i mirë i vitit për mendimin tim, ky nder për mendimin tim tek regjia i takon Michael Hanekes, skenari origjinal Quentin Tarantinos, skenari i adaptuar David O. Russell. Aktori më i mirë meriton Bradley Cooper, aktorja më e mirë Quvenzhane Wallis, aktori më i mirë dytësor Christopher Waltz, dhe aktorja më e mirë dytësore Anne Hathaway.

Megjithatë favorit për të fituar dhe fituesit eventual, gjithnjë sipas mendimit tim janë: filmi më i mirë – Argo; regjia më e mirë – Steven Spielberg; skenari më i mirë origjinal – Quentin Tarantino (Django Unchained); skenari më i mirë i adaptuar – Tony Kushner (Lincoln); aktori më i mirë – Daniel Day-Lewis; aktorja më e mirë – Jennifer Lawrence; aktori më i mirë në rol dytësor – Christoph Waltz; dhe aktorja më e mirë në rol dytësor – Anne Hathaway.

Pa marrë parasysh fituesit që zgjedhën, s’do të thotë që juve do të DUHET tu pëlqejnë ata. Shija e juaj, vlerësimi juaj, nuk guxon të ndikohet as nga Oskarët, as nga BAFTA-t, as nga SAG-at, apo Globet e Arta. Është e shenjtë dhe origjinale, prandaj vazhdoni të shikoni filmat që ju pëlqejnë. Kritikat dhe shpërblimet janë për tu dhënë një udhërrëfyes se çfarë është e mirë, dhe ndoshta nuk e keni parë akoma.

Luan Morina
Kritik për TV&Film

Filma

Silver Linings Playbook (2012)

vlcsnap-2013-02-13-12h06m07s157IMDB Rejtingu: 8.3
Premiera e shfaqjes: 21 nëntor 2012
Kohëzgjatja: 122 minuta
Rejtingu: +18 për shkak të gjuhës dhe përmbajtjes për të rritur
Zhanri: Dramë, Komedi
Regjia: David O. Russell
Skenari: David O. Russell, Matthew Quick
Aktrojnë: Bradley Cooper, Chris Tucker, Jacki Weaver, Jennifer Lawrence, Julia Stiles, Robert De Niro
Shtëpia filmike: The Weinstein Company

Pas një periudhe në një institut mendor, ish-mësuesi Pat Solitano zhvendoset tek prindërit e tij dhe provon të riparoj lidhjen me ish-gruan e tij. Gjërat komplikohen edhe më shumë kur Pat takon Tifanin, një vajzë misterioze me probleme të saja.

Aktrimi më perfekt që kemi parë këtë vit, pa dyshim. E di, është e padrejtë, dhe shpeshherë e gabuar të absolutizohen gjërat, por, fjalinë e mësipërme e përkrah fakti për nominimin e emrave në të katër kategoritë e aktrimit.

Derisa me punën e Robert De Niros, jemi mësuar moti kohë duke mos harruar as performancat për Oskar në Godfather dhe Raging Bull. Edhe pse nuk mund të krahasohen veprat e tij të lartpërmendura, performanca e tij në Silver Linings Playbook i afrohet më të mirave të viteve të fundit. Ai arrin të mbërthej në mënyrë të shkëlqyer karakterin e një babai të dhënë pas basteve, një fans i obsesionuar, një kryefamiljar i prekur nga kriza ekonomike në vitet e fundit të karrierës së tij prej punëtori, dhe një njeri burrë me probleme minore psikike. Të gjitha këto veti i gjejmë në karakterin e De Niros, Pat Senior. Skena e kacafytjes me të birin, dhe skena e përgatitjes për të dielën futbollistike (pa dashur të prish filmin me skena tjera) janë ndër skenat më interesante gjatë tërë filmit. Në të dyjat kemi një De Niro në formën e një aktori të madh. Pat Senior për tetë muajt e kaluar ka pasur të birin e tij të vogël, Pat Xhunior në qendër rehabilituese psikike.

Xhunior – i portretizuar nga Bradley Cooper, ka shkalluar kur ka gjetur gruan e tij në një lidhje jashtëmartesore. Problemet e tij psikike tani duket të jenë zhdukur, dhe Pat vendos të rikthej veten në formë fizike në tentim për të ringjallur martesën. Ai është zhvendosur në shtëpinë e prindërve dhe nis fazën e rilindjes duke lexuar libra gjimnazi dhe ushtrime vrapimi.

Duke nisur nga skena e ankesës për shkrimet e Heminguejit, kacafytja me prindin, bisedat me psikologun, dhe skenat tjera në pjesën e fundit të filmit, Bradley Cooper, në mënyrë të përkryer portretizon karakterin e tij jashtëzakonisht kompleks. Performanca e tij është e një niveli krejt tjetër nga ato komeditë jo aq artistike që jemi mësuar ta shohim më parë. Mund të themi se Bradley Cooper është ‘rritur’ në këtë film. Ka pasur karaktere të tilla edhe viteve të kaluara, për më tepër disa edhe kanë fituar Oskar, megjithatë nuk do të guxoja ta krahasoja me ato performanca. Por, edhe nuk do ta në nënçmoja. Cooper në mënyrë të përkryer portretzion Pat Xhuniorin. Nuk ka skenë ku nuk shkëlqen që nga pamjet e para në qendrën rehabilituese, kohën e rikuperimit fizik, bisedat me psikologun, si dhe në fazën e fundit. Cooper arrin me mjeshtri të pasqyroj karakterin e tij tek të cili shfaqet shpresë që për të gjithë të tjerët është tashmë e vdekur, vendosmërinë për tu kthyer vetvetes së vjetër, dhe vuajtjet me problemet që ka. Emocionet që kapin gamën më maksimale tek një karakter pasqyrohen shkëlqyeshëm. Në përgjithësi është një performancë që meriton Oskar.

Derisa Bradley Cooper për herë të parë e shohim në një film ‘serioz’, për Jennifer Lawrence nuk mund të thuhet e njëjta gjë. Aktrimi i saj në ‘Winter’s Bone’, duke pasur parasysh karrierën e saj paraprake që nuk e dallonte shumë nga një ‘amatore’ dhe moshën e saj, ishte i mahnitshëm. Nëse bëjmë një krahasim mes atij filmi dhe ‘Silver Linings Playbook’ e vërejmë një aktore më të pjekur, me më përvojë, më artistike, dhe më afër Oskarit. Lawrence është njëra nga aktoret më të kërkuara. Pasi ka siguruar një të ardhme të pasur falë filmave ‘Hunger Games’ ajo po vazhdon të jetë pjesë e filmave të orientuar më shumë nga arti se sa komercializmi. Personalisht do të dëshiroja ta shihja shumë më shpesh atë në filma si ‘Silver Linings Playbook. Ajo luan karakterin e Tifanisë, një vajzë e re me probleme psikike pas vdekjes së bashkëshortit në një aksident. Tashmë është zhvendosur në një shtëpi të ndërtuar për shije të saj, në oborrin e prindërve dhe ngjashëm si Pat Xhunior provon të kthej jetën në kahun e duhur.

Skena në kafene, vrapimet, dhe skenat kah fundi i filmit janë ato kur Lawrence shpërthen me karakterin e saj. Ajo arrin të mishërojë emocionet e karakterit të saj me aq përpikëri sa të afron edhe më shumë me filmin. Nuk është vetëm ajo që arrin të bëj këtë nga kasti në këtë film, por mund të them se e bën më së miri këtë.

E nominuar për Oskar është edhe Jackie Weaver që luan rolin e Dolores Solitanos. Nëse e krahasojmë me tri karakteret e lartpërmendura nuk mbetet mbrapa për kah hapësira e dhënë, në fakt paraqitet në çdo skenë ku është De Niro. Por, performanca e saj është disi më e rezervuar, më e mbyllur, edhe pse ka momentet e saja, qysh në fillim të filmit. Akoma nuk kam parë aktrimin e saj në ‘Animal Kingdom’ që i kishte sjell nominimin e parë për Oskar, por jam i njohur me veprën e saj në The Five-Year Engagement, një film jo aq i njohur, por mjaft i këndshëm. Ngjashëm si treshja e mësipërme ajo arrin të portretizoj karakterin për merak – një nënë e butë që kërkon të balancojë familjen e saj tashmë me probleme të konsiderueshme.

Role dytësore, hiç më pak të shkëlqyeshme kanë edhe Chris Tucker, Anupam Kher, Julia Stiles, e John Ortiz. Tucker sjell atë humorin e tij duke mos prishur dramën që ndjek filmin gjatë pjesës më të madhe. Ai luan karakterin e Denit, mikut të Pat nga klinika. Stiles luan rolin e Veronikas motrës së Tifanisë, dhe ka një skenë në fillim që vë në pah aftësitë e saja në aktrim.

E tani të kalojmë tek njeriu pas kamerave. David O. Russell bën njërën nga punët më të mira në karrierën e tij. Fansat e filmit ‘The Fighter’ që solli Oskar për Melissa Leon, dhe Christian Bale në njërën nga performancat më të mirë në karrierën e tij, e njohin për regjinë e atij projekti të shkëlqyeshëm. Tek ‘Silver Linings Playbook’, ai kalon disa nivele më lartë. Skenari është i adaptuar nga libri me të njëjtin emër, përshtatur për film nga Russell, që bën edhe regjinë e filmit. Tashti për skenarin nuk dëshiroj të flas shumë pasi nuk kam lexuar romanin e Matthew Quick, por, lirisht mund të them se Russell ka realizuar filmin në mënyrë më të përkryer të mundshme. Regjia është e realizuar me një shije që përshtatet me temën që trajtohet. Ka shumë kënde që fokusohen në vetëm një karakter, sidomos bisedat e Pat Xhunior me psikologun, dhe më pas me Tifaninë. Janë ato skena të ambientit të jashtëm që karakterizojnë e zbukurojnë këtë film, duke e bërë edhe më të veçantë nga shumica e filmave të nominuar. Realizimi i disa skenave tepër emocionale, përshkrimi dhe kapja e tyre, afrojnë shikuesin emocionalisht me karakteret. Ka momente, diku kah fundi ku për një moment filmi merr një drejtim vet-shkatërrues, diçka që ndryshon ritmin nga mesatar në të dy anët tjera, diçka që përsëri Russell arrin ta përshkruaj për merak. Por, ajo çfarë bën më së miri Russell është që vë aktorët në pozitat që i bëjnë të shkëlqejnë, dhe kjo është pikërisht ajo çfarë bëjnë ata.

Në përgjithësi një punë e shkëlqyeshme si pas ashtu edhe para kamerave. Film me temë emocionale, e përgatitur për mrekulli nga David O. Russell, dhe me aktrim fantastik të të gjithë kastit.

Luan Morina
Kritik për TV&Film

Filma

vlcsnap-2013-02-14-22h49m16s152

Life of Pie (2012)

IMDB Rejtingu: 7.7
Premiera e shfaqjes: 21 nëntor 2012
Kohëzgjatja: 127 minuta
Rejtingu: +12 për shkak të përmbajtjeve tematike emocionale dhe sekuencave frikësuese
Zhanri: Dramë, Aventurë
Regjia: Ang Lee
Skenari: David Magee, Yan Martel (romani)
Aktrojnë: Suraj Sharma, Irrfan Khan, Adil Hussain, Tabu
Shtëpia filmike: Twentieth Century Fox

Një djalë i ri përfundon në një rrugëtim të aventurës dhe zbulimit pasi mbijeton një fatkeqësi detare. Derisa është në këtë rrugëtim, ai formon një lidhje të papritur me një mbijetues tjetër që në fakt është një tigër trishtues.

Tregimi fantastik i Yann Martel për jetën e një djaloshi që ngujohet në oqeanin Paqësor për më shumë se 200 ditë në një varkë me tigrin e tij, nuk besoj që ka mundur të portretizohet më mirë.

Nuk kam pasur kënaqësinë të lexoj librin (dikush duhet të humb kohë me filma!), por atë që bën Ang Lee, nuk do të mund të realizohej në mënyrë më të përsosur. S’dyshoj që versionin 3D ofron një eksperiencë edhe më të hatashme, por ky version nuk funksionon për mua dhe shumë kënd që nuk është i interesuar për një palë syze shtesë.

Gjithë filmi përshkruhet nga fjalët e Paj i cili sipas banorëve lokal ka një storie që të bën të besosh në Zotin. Tregimi nis që në fëmijërinë e tij kur Paj i cili është emëruar sipas një pishine në Francë, qeshet nga bashkëmoshatarët e tij. Ai vendos të bëj më ‘interesant’ emrin e tij duke provuar të gjej një korrelacion më pozitiv. E ku ka më impresive se sa të shkruash numrin e plotë të Pi-së – konstantes matematikore për diametrin e rrethit!

Pasi heq tabunë për emrin e tij, ai filloj të eksplorojë jetën duke filluar të marr një nga një religjionet më të mëdha. Interesante është skena kur bën lutjet para ushqimit duke përzier të gjitha lutjet e feve që ndjek, një subjekt qeshjeje nga pjesëtarët e tjerë të familjes, jo aq të dhënë pas fesë. Me kalimin e kohës, babai i tij konverton një pjesë bregdetare të frekuentuar në një kopsht zoologjik, një biznes i suksesshëm për një kohë të limituar. Ky biznes rrjedhë të jetë një mësim jete për Paj – ‘kafshët nuk kanë ndjenja, dhe krejt që shohim në syrin e tyre është reflektimi i ndjenjave tona’!

Si për ironi, Paj do të eksplorojë akoma më shumë këtë fakt kur mbetet i ngujuar në një varkë shpëtimi me një tigër, shimpanze, zebër, dhe hienë. Kjo vjen si pasojë e shkatërrimit të anijes në Oqeanin Paqësor kur familja e tij po eksportonte kafshët për në Kanada. Me kurajën e tij për të sprovuar gjërat më të mahnitshme në jetë, Paj do të dal të shijoj stuhinë detare, një sfidë ndaj Zotit sipas vëllait të tij të madh. Kjo ‘sfidë’ rezulton të jetë shpëtuese për të, pasi arrin të mbetet në varkën ku do të kaloj 227 ditët më të mundimshme të jetës.

Pjesa më e madhe e filmit do të koncentrohet në jetën e tij në varkë dhe luftën me natyrën e egër të gjallesave për mbijetesë. Mund të duket një tregim/film i kotë, por, Ang Lee ka bërë punë të shkëlqyeshme sa duke inkuadruar ngjarje që zgjojnë interesim sa duke e zhvendosur temën disa vite më pas në dhomën e Paj të rritur i cili i tregon storien e tij.

Ai arrin të pasqyroj efekte mahnitëse edhe nëse shihen në teknologjinë 2D. Megjithatë, ai prish atë nocionin kinse ‘3D duhet të jetë diçka plotë aksion’ edhe pse filmi ka shumë pak nga ky i fundit. Ka shumë skena që të lënë pa frymë, e mbi të gjitha është këndi se si kapen ato nga këndvështrimi i Ang Lee.

Lee kthehet me njërën nga veprat më të mira të jetës së tij. Nuk kam nevojë të kthehem mbrapa me filmat tjerë të tij, pasi Life of Pi, mjafton për të qenë kryevepra e tij.

Aktrimi nuk ka shumë ‘ndikim’ në këtë film. Mund të them se të gjithë aktorët që portretizojnë Paj në moshë të ndryshme bëjnë punën e tyre shkëlqyeshëm, përfshirë edhe Suraj Sharma që ka hapësirën më të madhe – periudhën e ngujimit në varkë. Kam frikë se në disa skena nuk kemi pasur lëvizje origjinale të tigrit, por lëvizje me ndihmën e CGI. Nuk jam i sigurt, ndoshta është vetëm mendja ime, por, do të dëshiroja të isha gabim në këtë pikëpamje.

Sidoqoftë, është një film i këndshëm aventurë, për të gjitha grupmoshat, duke premtuar një argëtim interesant familjar. Është një ndër pak filmat që arrijnë të jenë edhe sukses komercial edhe artistik. Oskar për efekte speciale s’do të kishte film më meritor këtë vit.

Luan Morina
Kritik për TV&Film

Filma

vlcsnap-2013-02-19-14h06m12s240Django Unchained (2012)

IMDB Rejtingu: 8.8
Premiera e shfaqjes: 28 dhjetor 2012
Kohëzgjatja: 141 minuta
Rejtingu: +18 për shkak të dhunës
Zhanri: Dramë, Uestern
Regjia: Quentin Tarantino
Skenari: Quentin Tarantino
Aktrojnë: Jamie Foxx, Don Johnson, Leonardo DiCaprio, Kerry Washington, Samuel L. Jackson
Shtëpia filmike: The Weinstein Company

Me ndihmën e mentorit të tij, një skllav i kthyer në gjahtar pasurish vendos të shpëtoj gruan e tij nga një pronar plantacioni në Mississippi.

Mund të unifikosh filmat uestern të Clint Eastwood, ‘shpagetat’ e Bud Spencer, dhe romancën e ‘Gone with the Wind; ose mund të shikosh diçka që ka mundur ta bëj vetëm mendja e rrokullisur e Quentin Tarantinos. Ti thuash gjeni filmi mund të jetë nënçmim për njërin nga personalitetet më të çmendura në kinematografinë moderne. Quentin Tarantino vjen me një film tjetër hakmarrës pas Inglorious Basterds, me dallimin e vetëm se gjithçka është edhe më e përkryer se tri vite më parë. E më e mira e të gjithë kësaj është që ky ‘trip’ i Tarantinos është trilogji, që do të thotë se na pret edhe një kryevepër e tij në të ardhmen e afërt. Diçka për partizanët nëse besohen thashethemet e para.

Skenari i Django Unchained është më i miri i të gjithë filmave të vitit të kaluar, për këtë nuk kam dyshim. Tarantino ka shkruar një projekt madhështor, të cilin e ka perfeksionuar duke realizuar edhe regjinë e filmit. Jo vetëm dramë dhe uestern, por ka shumë edhe komedi që vjen vetëm si rezultat i punës së mrekullueshme në skenarin e filmit. Ka disa momente që të bëjnë të qeshësh me zhvillimin e ngjarjeve, edhe pse ndoshta nuk janë synuar të vlerësohen si komedi, por këtë më mirë ta vlerësojmë si një bonus për të gjithë ata që vendosin të shohin këtë film.

Njëra ndër skenat më të mrekullueshme që vë në pah edhe një herë aftësitë ‘mbinjerëzore’ të Tarantinos është tek minutat e 20ta kur kemi një kënd të kapur shkëlqyeshëm, me kamerën që lëviz fokusin brenda dhe jashtë në mënyrë statike me ndryshimin e skenave. Ka disa detaje që thjesht nuk janë të nevojshme, por kur bien në sy bëjnë më madhështor filmin.

E filmi madhështor nuk do të ishte pa kontributin e një kasti të mrekullueshëm të aktorëve. Christoph Waltz kthehet nën direktivat e Quentin Tarantinos për të ofruar njërin nga aktrimet më të mira të viteve të fundit. Karakteri i tij i Dr. Shulc më shumë ngjan si një rol kryesor, por pa marrë parasysh këtë ai është një nga karakteret më të krisura në filmat e vitit të kaluar, dhe nuk ka njeri që do të portretizonte këtë karakter më mirë se Christoph Waltz.

Dr. Shulc është ‘gjahtar’ kriminelësh, në të cilin mision angazhon edhe Xhangon, një skllav zezak i cili njeh disa nga viktimat e radhës. Ai do të thyej tabutë duke e vendosur Xhangon si një jo-të bardhë të barabartë në nivel shoqëror me të tjerët, si dhe do ta ndihmoj në zanatin e ri, për të kontribuar në fund në lirimin e gruas së tij e cila ngjashëm si Dr. Shulc ka prejardhje gjermane.

Në pika të shkurtra është tema e filmit e cila evoluon në disa nën-tregime jashtëzakonisht interesante dhe të përgatitura mirë para se të arrijnë tek tema kryesore e cila shfaqet në pjesën e dytë të filmit. Në këtë pjesë dle në pah karakteri i Leonardo Di Kaprios, Kallvin Kendi që njëherë është edhe pronari i gruas së Xhangos.

Leonardo DiCaprio shfaq njërën nga performancat më të mira si pronar i plantacionit të pambukut dhe i gruas së Xhangos. Në fakt pjesa e dytë e filmit, pothuajse në përgjithësi i takon atij. Nuk kam pritur të jetë aq i mrekullueshëm në atë aksent të ‘amerikanishtes’ së pastër, diçka që më ka mahnitur në maksimum. Por, jo vetëm gjuha, performanca e tij tek loja e bilardos, dhe darkës në shtëpinë e tij është prej më të mirave në film dhe ndoshta edhe të vitit të kaluar. Ka qenë jashtëzakonisht i shkëlqyeshëm. Mëkat që nuk është nominuar për Oskar, diçka që më bën të dyshoj në antipatinë eventuale të Akademisë ndaj tij.

Jamie Foxx ka rolin kryesor në film. Jemi mësuar me performanca të tij të shkëlqyeshme më parë, dhe as këtu nuk dështon në asnjë moment. ‘Kap skenën në dorë’ vonë në film, por mjafton që të kurorëzojë atë performancën disi të rezervuar të pjesës më të madhe të filmit, me një fund të shkëlqyeshëm. Edhe Kerry Washington ka pak hapësirë, hapësirë për të cilën shfaq një aktrim shumë të mirë. E çfarë të them për Samuel L. Jackson. Si një shërbëtorë besnik dhe më i mençur se pronari i tij, karakteri i Jackson shërben për ‘devijimin’ e stories, diçka që aktrohet për merak nga Samuel L. Jackson.

Aktrimi ka qenë në përgjithësi i përkryer. Por, gjithnjë nën hijen e punës së mrekullueshme të Quentin Tarantinos. Vetëm mendja e tij mund të ofroj kësisoj kryevepra artistike. Gjithashtu vetëm mendja e tij mund të krijoj skena aq të përgjakshme!

Luan Morina
Kritik për TV&Film

Filma

vlcsnap-2013-02-19-11h04m10s67 Amour (2012)
IMDB Rejtingu: 8.1
Premiera e shfaqjes: 21 dhjetor 2012
Kohëzgjatja: 127 minuta
Rejtingu: +13 për shkak të materialit tematik dhe akteve shqetësuese, dhe gjuhës
Zhanri: Dramë
Regjia: Michael Haneke
Skenari: Michael Haneke
Aktrojnë: Jean-Louis Trintignant, Emmanuelle Riva, Isabelle Huppert, Alexandre Tharaud
Shtëpia filmike: Sony Pictures Classics

Xhorxhi dhe Ana janë në vitet e 80ta të jetës së tyre. Ata janë mësues të kultivuar, të pensionuar të muzikës. E bija e tyre, e cila gjithashtu është muzikante, jeton jashtë vendit me familjen e saj. Një ditë, Ana pëson një sulm. Dashuria e çiftit sprovohet si pasojë e këtij aksidenti.

Mjafton vetëm hyrja prej gjashtë minutave që të shihni se jeni të ftuar në një mjeshtëri të radhës nga Michael Haneke. Qysh në skenën e parë pas intros, shohim kamerën statike nga një kënd tepër special. Është një skenë ‘e vdekur’ pa asnjë lëvizje dhe vetëm me dialogun ndërmjet dy pleqve. Kjo ngrit emocionin dhe pritjen për të parë karakteret në vepër përsëri, diçka që të shtyn të koncentrohesh shumë më herët se sa në filmat tjerë.

Por, akoma pa arritur tek kjo skenë, kemi kamerën e vendosur në podium, që pa na lejuar as një pamje të asaj se çfarë po shohin turma e mbledhur në atë teatro, fanitet me duartrokitje duke kaluar tek skena tjetër në autobus. Nuk është e nevojshme të vendosësh karakteret kryesore në mes të pamjes, prandaj nëse nuk keni njohuri për temën e filmit, do të jeni pa kurrfarë dije në skenën e parë, duke u munduar të gjeni misterin për karakteret që mund t’u duken disa çifte tjera më ‘joshëse’.

Gjithë këto ndodhin në më pak se shtatë minuta. Kapja e skenave, lëvizja e kamerave duke kapur pamjet perfekte, artistikisht më intime, ndryshimi i këndeve, të gjitha këto të unifikuara japin një film të realizuar në një ambient të mbyllur në nivelin më të lartë që mund të ofroj një regjisor. Krejt këto pa përmendur temën e filmit.

Tema ka të bëj me një çift në moshë, të vetmuar, mësues të pensionuar muzike. Një ditë Ana pëson sulm duke mbetur e paralizuar në njërën pjesë të trupit. Nga këtu e tutje filmi tregon rrugëtimin, jetën e tyre në moshën e shtyrë edhe përballjet me problemet që vijnë në të ‘80tat.

Emmanuelle Riva është e nominuar për Oskar në kategorinë e aktores më të mirë. Ajo është aktorja më e vjetër që është nominuar në këtë kategori, derisa tashmë është shpërblyer me BAFTA. Aktrimi i saj është në nivelin më të lartë të mundshëm. Ajo mishëron karakterin e saj në mënyrë të përkryer duke i dhënë një shkëndijë shtesë kësaj mjeshtërie të Hanekes. Janë disa skena që e bëjnë të shkëlqejnë, shumica e tyre pas paralizimit të saj.

Por, nuk dua ta lë mbrapa as punën e Jean-Louis Trintignant. Ai luan rolin e Zhorzhit, burrit të Anës i cili përkujdeset për të në ditët e saja të fundit. Ai ka më shumë hapësirë, më shumë lëvizje dhe më shumë skena që e bëjnë të shkëlqejnë. Harmonia e tyre e bën filmin perfekt. Nuk besoj se do të kishte asnjë mënyrë tjetër, asnjë aktorë tjetër që mund ta pasqyronte këtë storie më mirë se sa Trintignant dhe Riva. E kur gjithë kësaj i shtojmë moshën e aktorëve dhe përvojën e tyre pothuajse anonime, atëherë bindemi që punën që kanë bërë në Amour befason të gjithë duke tejkaluar ndoshta edhe pritjet e Hanekes.

E ky i fundit meriton edhe Oskarin për këtë film. Kolltukët e gjelbër kanë një kontribut të madh në realizimin e këtij filmi. Shumë dialogë, shumë ngjarje të shkëlqyeshme ndodhin në këtë pjesë të ambientit të mbyllur. Është njëra nga pamjet më të përkryera që mund të shihni në film, pamja që e keni ngjitur me këtë artikull. Është pjesë e një vepre mjeshtërore jo vetëm vitin e kaluar, por në histori të kinematografisë evropiane. Film goxha depresiv për dikë, por edhe një film i realizuar mrekullueshëm pa dyshim.

Luan Morina
Kritik për TV&Film

Filma

movies_argo_still_13 Argo (2012)
IMDB Rejtingu: 7.3
Premiera e shfaqjes: 12 tetor 2012
Kohëzgjatja: 120 minuta
Rejtingu: +18 për shkak të gjuhës dhe imazheve dhune
Zhanri: Dramë, Triler
Regjia: Ben Affleck
Skenari: Chris Terrio, Joshuah Bearman
Aktrojnë: Ben Affleck, Bryan Cranston, John Goodman, Alan Arkin
Shtëpia filmike: GK Films

Derisa revolucioni iranian ka arritur pikën e valimit një specialist i infiltruar i CIA-s përpilon një plan të rrezikshëm për të liruar gjashtë amerikan të cilët kanë gjetur strehë në shtëpinë e ambasadorit kanadez.

Kam një ndjenjë që Akademia ka një antipati ndaj Ben Affleck. Po mundohet aq shumë dhe nuk po arrij të bind se është një artist cilësor që meriton merita dhe vlerësime të larta, të cilat si për ironi i pranon nga shumë esnafë tjerë pos anëtarëve të Akademisë Amerikane të Filmit.

Ose, teoria ime tjetër është që me ‘Good Will Hunting’ ka krijuar një standard aq të lartë për vete dhe Matt Damon, sa që pothuajse është e pamundur të arrihet, së paku jo në të ardhmen e afërt. Tani, a është ‘Argo’ më i mirë se ‘Good Will Hunting’? S’do të bëja një paralelizëm të tillë, së pari për shkak intervalit kohor jo shumë të lidhur, dhe për vlerësimet e larta që kam për ‘Good Will Hunting’. Për më tepër ‘Argo’ ndoshta nuk është më i mirë as se ‘The Town’, së paku jo për kah aktrimi. Affleck tek filmi i vitit 2010 bën një punë shumë më të mirë në aktrim, dhe në përgjithësi edhe si regjisor, por injorohet nga Oskarët.

Tani ky recension po bëhet pak kohë para shpërblimeve Oskar, kështu që mund të hasim në shumë përmendje në lidhje me këtë ngjarje. I nominuar për skenarin më të mirë të adaptuar dhe filmin më të mirë, ‘Argo’ arrin në një mënyrë relativisht të mirë të pasqyrojë njërën nga aksionet më intriguese në histori të inteligjencës amerikane. Në aspektin artistik filmi ka një realizim shumë të mirë. Storia nuk është e shkëputur shumë, nuk ka ndasi ndërmjet ngjarjeve, por, që nuk arrin ta bëj të veçantë është ngazëllimi. Janë së paku dy situata kur ‘kinse’ në çastet e fundit ndodh ngjarja e pritur, herë pozitive herë negative. Kjo po që rrit emocionet tek shikuesi, dhe ndoshta edhe e bën filmin më të bukur, më pak të kotë, por, personalisht mendoj që është paksa e tepruar, sidomos tek skena vendimtare që nuk dua ta publikoj për shkak të ndonjë ‘prishjeje’(spoileri). Emocionet tek ajo skenë ngritën në maksimum duke të detyruar të dyshosh rrjedhën e filmit, por kjo do të ndodh vetëm nëse nuk keni njohuri për temën e filmit.

E tema e filmit përqendrohet tek një agjent i CIA-s. Toni Mendez ka një plan për të evakuuar një grup punonjësish të ambasadës amerikane në Teheran të cilët i kanë ikur pengmarrjes duke u ngujuar në ambasadën kanadeze. Për shkak se SHBA-të përkrahin ish-presidentin i cili është larguar për atje pas Revolucionit Islamik, iranianët nuk do të lëshojnë dhjetëra punonjës të zënë gjatë marrjes në dorë të ambasadë amerikane.

Tashti regjia e skenari nuk janë për tu nënçmuar. Affleck ka arritur të krijoj një realitet që nuk të shtyn të dyshosh në epokën të cilën përshkruhet në film, as në detajet më të vogla. Janë disa skena të kapura për mrekulli, disa kënde të mira, dhe disa lëvizje të kamerës interesante – do të veçoja një skenë kur Mendez ecën nëpër selinë e CIA-s.

Aktrimi nuk është diçka i veçantë. Affleck bën një punë të mirë, por jo të shkëlqyeshme. Alan Arkin është i nominuar për Oskar, dhe për hisen e tij në kohën që ka arrin të jap maksimumin dhe asgjë më pak se që do të pritej nga ai. Më ka pëlqyer edhe aktrimi i John Goodman, njëri ndër aktorët që më ka hasur të shoh në disa role të ndryshme minimale por me shfaqje shumë të mira së fundmi (Flight, Trouble with the Curve, Extremely Loud and Incredibly Close, The Artist). Kushedi ndoshta do të më shtyjë të nis të përcjell serialin Roseanne. Edhe Bryan Cranston ka një rol dytësor, jo që bie shumë në pah, por bën një punë të mirë.

Në përgjithësi film i mirë. Punë e shkëlqyeshme e Affleck, si regjisor. Filmi më i mirë i vitit? S’jam aq i sigurt. Në fakt, do të thosha JO! Ka filma më të mirë.

Luan Morina
Kritik për TV&Film

Filma

thats-my-boy-main That’s My Boy (2012)

IMDB Rejtingu: 3.8

Premiera e shfaqjes: 15 qershor 2012

Kohëzgjatja: 114 minuta

Rejtingu: +18 për shkak të përmbajtjeve për të rritur, gjuhës, nudizmit, dhe narkotikëve

Zhanri: Komedi

Regjia: Sean Anders, John Morris

Skenari: David Caspe, David Wain, Ken Marino,

Aktrojnë: Adam Sandler, Andy Samberg, James Caan, Leighton Meester, Milo Ventimiglia, Will Forte

Shtëpia filmike: Sony Pictures

Derisa ishte tinejxher, Doni ishte bërë babai i një biri, Todit, dhe e kishte rritur atë si një baba i vetëm deri në ditëlindjen e 18të të tij. Tani, pasi nuk janë parë për disa vite, bota e Todit rrënohet kur shfaqet Doni vetëm pak ditë para martesës së Todit.

Kur përmendet Adam Sandler kemi dy opinione – ose e doni ose e urreni. Asnjë përgjigje pos këtyre dyjave nuk është pasqyrim i vërtetë i mendimit tuaj. Unë preferoj të renditem tek pjesa e parë, tek ata që i pëlqejnë filmat e Adam Sandlerit dhe punën e tij. Stili i tij është i veçantë dhe ngjashëm si Eddie Murphy, nuk përton të luaj 3-4 role në një film. Megjithatë një rast i tillë nuk ndodh në këtë film.

Doni ka bërë atë që shumë tinejxherë kanë ëndërruar të bëjnë me mësuesen e tyre më të bukur! Tani ai është baba i mitur derisa mësuesja do të shkoj në burg. Kjo e bën Donin yll televiziv dhe nuk e di fundin e milionëve. Viktima më e madhe këtu është i biri i tij, Todi, i cili gjithnjë ka jetuar në hije të kësaj ndodhie dhe më në fund është afër rehatisë. E gjithë kjo do të përfundojë me rishfaqjen në skenë të Donit.

E di është skenar ‘i marrë’, por, nëse dëshirojmë të bëjmë ‘analizën’ e filmave të Sandlerit (diçka që kurrë nuk duhet ta bëjmë), mund të konkludojmë se filmi thumbon yjet e televizioneve reality që fitojnë famën për gjërat më budallaqe që ekzistojnë – a duhet të ju kujtoj emrat?! Tregimi zhvillohet siç është më së miri, me një shtrirje të gjerë, duke mos lënë pa u shpjeguar asgjë, derisa gjithçka realizohet në mënyrë solide, pa ndonjë ‘filozofi’ të madhe.

Pos Adam Sandlerit që tashmë e ka një stil aktrimi tashmë të formësuar, ka edhe një kast të mirë aktorësh. Është mirë të shohësh Andy Samberg jashtë ambientit komfor të SNL. Besoj që do të ketë një karrierë të mirë filmike, ngjashëm si Leighton Meester e cila më në fund do të ‘diplomojë’ nga Gossip Girl. Ka edhe emra të njohur si James Caan e Will Forte të cilët nuk kanë ndonjë punë të madhe në këtë film.

Ajo çfarë është më e rëndësishme në filmat e Sandlerit janë skenat komike, të cilat edhe këtu janë me bollëk. Nuk është njëri ndër filmat më komik, por, atëherë cili është i përkryer. Si zakonisht disa skena komike më shumë ju shtyjnë të luhatni kokën në shenjë çuditjeje se sa të qeshni.

Komedi e stilit të Sandlerit. Nuk është filmi i parë i këtij aktori që do të duhej ta shihnit, por nuk do të jetë as i fundit. Sandler vazhdon të mos dëshpëroj tifozët e tij përkundër disa lemzave viteve të fundit…

Luan Morina
Kritik për TV&Film