Journal

“Ju të bardhët gjithnjë duke u ngutur. Duke shikuar në të ardhmen, harroni të jetoni të tashmen.”

Një udhëtim mbushur me shumë ngjarje raciste nga këndvështrimi i sotëm, na jep një thënie goxha të thellë për të humburit në kohë, rreth botës për tetëdhjetë ditë. Janë ata që provojnë të shohin një hap para, të jenë të parapërgatitur për çdo lëvizje të kohës, derisa shndërrojnë jetën në një lojë shahu.

Është një lojë shahu i shpejtë, i cili kërkon të marrësh vendime të shpejta, deri 10 minuta në total për një lojtar. Gjithnjë të mendosh për të ardhmen, të hedhësh strategjinë, të imagjinosh lëvizjet, rezultatet. Gjithnjë për të mposhtur rivalin aktual, rivalin e ardhshëm, pasuesin e kështu me radhë. Deri në pafundësi. Edhe pse ‘mjeshtër i madh’ e kampion bote! Shahu shndërrohet në një sëmundje dhe përfundon si Bobi Fisher.

Një hap tutje. Gjithmonë. Ashtu që të sigurojmë të ardhmen. Pasuesen. Ditët më të mira.

E si për ironi nuk e dimë se çfarë janë ditët e sotme. Ashiqare jo të mira, pasi që gjithnjë jemi në kërkim të diçkaje më të madhe, më të mirë, më të bukur. Diçka utopike. Sepse nëse ndalojmë së kërkuari atë, të tjerët do të na zënë karrigen, do të na marrin pjesën më të madhe të tortës. Do të jenë më të mirë se ne. Më të lumtur.

Nxitojmë edhe në vozitje, edhe në ushqim, edhe në ecje. Edhe në jetë. Nxitojmë. Dhe duke nxituar humbim të shijojmë ato pak çaste lumturie që kemi. Ajo copë torte, ai tingull zogjsh në rrugë, ajo rrugë sado e shkurtër që është.

Nxitojmë dhe harrojmë të shijojmë dalëngadalë atë shije të tullumbit në tomël-oriz që rezulton me një ovedrozë sherbeti. Ai sherbet që refuzohet stoikisht nga përzierja e qumështit me oriz, i cili sikur i zbut mprehtësinë e ëmbëlsisë që ka.

Nxitojmë dhe harrojmë atë ecje të qetë në mëngjesin e hershëm kur mund të shijosh edhe me gjuhë ajrin e freskët të mëngjesit. Harrojmë cicërimat e zogjve tej mjegullës së stinës e cila kanë lëmuar me lagështi qysh në terr fushëzat me bari që na rrethojnë anash kalldrëmes që na shpie në punë.

Nxitojmë të kthehemi sa më shpejtë në shtëpi, duke vozitur e tejkaluar çdo njërin, ashtu mbushur me stres. Harrojmë të relaksohemi, të shkojmë edhe nën mesataren, derisa në një natë pa dritë gjëkundi, dëgjon një muzikë të lehtë që të bën të shijosh atë rrugëtim.

Për disa minuta që kursejmë nga nxitimi në këto procese dhe shumë tjera, ne humbim disa nga gjërat më të mira të jetës. Jetojmë për të konservuar, rezervuar, pa arritur të shijojmë gjërat minimale të cilat e kënaqin gjithsecilin në mënyrën e tij.

Dhe drejt kujt po nxitojmë?

Drejt suksesit? Drejt vdekjes?

Kjo e fundit nuk na ikën. Por, deri aty ka shumë gjëra për të shijuar. Dhe këto gjëra po na humbin para syve, para duarve, duke menduar një hap tutje. Duke planifikuar të ardhmen utopike.

 

p.s. dy filmat e përmendur në fillim janë ‘Around the World in Eighty Days’ (jo-versioni me Jackie Chan, dhe Pawn Sacrifice me Tobey Maguire)

Journal

Shëndeti mendor ka shumë ngjashmëri. Dallimi ndërmjet depresionit edhe ankthit mund të duket i ngushtë, e dikush ndoshta mund t’ua shpjegoj edhe më mirë. Me Continue Reading

Journal

Ah, kjo fjalë aq e frikshme për shumicën, dhe aq e guximshme për një pjesë tjetër. ‘Qofshin-largëtit’ që jetojnë brenda neve! Brenda një pakice prej neve!

Jemi popull bujar. Bashkë-ndjejmë dhimbjen me të tjerët. Të gjitha llojet e dhimbjeve, pos Continue Reading

Journal

Msimin e radhës e kisha nis me dy thënie prej karaktereve ma t’dashura për mu n’televizion, filma, e libra. Ama s’po i përmendi se i kom tepru tu i riciklu ato dy thënie të tyne. S’po e përmendi as msusin kryesor ndoshta t’ktij msimi. Si zakonisht, si egoist, ma t’mirat pi ruj për veti. Ama qe pe ndaj këtë msim me juve. Continue Reading