Milan

Kosova

Nëse shikoni politikanët në pushtet, llogaritë e tyre në rrjetet shoqërore, e shihni si promovojnë tregime nënçmuese për opozitën. Derisa nuk japin përgjigje për problemet aktuale, ministra e zëvendësministra bllokojnë kosovarë, vetëm pse flasin të vërtetën, ose kërkojnë përgjigje në këto pyetje. Nuk besoj se Berlusconi ka mësuar nga këta, përkundrazi, mendoj që shumica e këtyre kanë ndjekur politika të Berlusconit e njerëzve të tjerë që kanë shkatërruar publiken. Berlusconi nuk ka kursyer as privaten.

Skenari rinor – pjesa 2

Di Marzio konfirmon që Berlusconi do Brocchin për trajner. Qëllimi është që të ketë një Milan sa më italian dhe të angazhohet të rinjtë. I njëjti mision ka qenë me Inzaghin. Në periudhën e tij kishim kapiten legjenda si Muntari, dhe lojtarë standard si Essien. Asnjë i ri nga akademia nuk kishte nisur ndeshje atë sezon. Tashmë kemi provuar këtë skenar dhe ka dështuar. Tmerrësisht!

Galliani kërkon Lippin, por do të provoj të shtyjë një bashkëpunim ndërmjet Lippit dhe Brocchit. I dyti ka një taktikë tipike italiane, defensive pa shumë kreativitet, edhe pse është më i mirë se gjithkush që ka pasur Italia para e pas tij. Por, dikush që nuk arrin të ruaj punën as në ligën kineze, si mund të jetë i denjë për Milanin?!

Sinisha

Mihajlovic nuk është trajneri më i mirë në botë. Por, së paku ka guxim, e kjo është shprehur më së miri me angazhimin e Donnarumës. As Ancelotti nuk do të kishte ndërmarr një hap të këtillë, sot e një mijë vjet. Ai ka pasur frikë të angazhoj të rinjtë, dhe për atë Kalaci hante gola nga 40 metra në Ligën e Kampionëve. I është frikësuar ndryshimeve.

Sinisha nisi me Calabrinë e Elyn, nisi me Milanin e të ardhmes. Vazhdoi deri nisën kritikat publike të Berlusconit dhe presioni medial. Ai është një njeri pa punë. Nuk ka shanse të vazhdoj pas qershorit. Është punë e kryer.

Tragjedia më e madhe është nuk është faji vetëm tek ai. Është i shkëlqyeshëm në menaxhimin e lojtarëve. Por, kur s’ke çka të menaxhosh, nuk mund të hysh vet të luash. Jam i sigurt se Sakic me këtë moshë që ka do të angazhohej në mbrojtje më shumë se tre qendërmbrojtësat e dytë që i kemi, e edhe Mihajlovic do të vraponte më shumë se Menez e Balotelli së bashku.

Problemi

Lojtarët janë problemi. Strategjia e blerjeve është problemi. Janë probleme më të mëdha se trajneri i cili ka bërë maksimumin nga ky ekip që ashiqare është duke u kontrolluar nga Raiola. Ekip i mbushur me lojtarë që bash në fjalët e Albertinit nuk janë të denjë për këtë Milan, e Sacchi s’do të kishte lënë as të mblidhnin topat. Thënie e të vërtetës edhe 11 fitore nga 22 ndeshje i kishin kushtuar me punë Seedorfit.

As Sacchi, as Ferguson, as Guardiola, as Emery, askush s’do të mund të bënte më shumë se kaq me këtë Milan. Pos Fiorentinës, të katër ekipet që renditen para neve në tabelë janë më të mira se ne. Kanë lojtarë më të mirë, kanë menaxhim më të mirë, nuk blejnë vetëm lojtarë me kontratë të skaduar, apo sulmuesin e tretë të Juventusit për 12 milionë, ose një lojtarë që nuk zë vend në Romë për 20 milionë.

Politika

Berlusconi po bë të njëjtën politikë si kosovarët në pushtet. E dimë që ekipi është i keq, e dimë që duhet të investohen paratë, e dimë që duhen njerëz më të rinj në menaxhimin e transferimeve dhe politikave teknike të klubit (jo vetëm ato financiare), ama ja po e largojmë trajnerin edhe këtë vit se krejt fajet i ka ai.

Largimi i Mihajlovicit nuk është fundi i botës. Por, largimi i trajnerëve është bërë si përgjigje ndaj krejt këtyre problemeve tjera, të cilat shukaten me largimin e trajnerit. Largohet Allegri, largohet Seedorf, largohet Inzaghi, largohet Mihajlovic,, dhe pos emrave të trajnerit asgjë nuk ndryshon. Asgjë!

Është politikë e plakur, politikë ballkanike, politikë e dështuar!

Sport

*(botuar më 11 janar 2013 për Shqipmedia)*

Askush më mirë se kosovarët nuk është i mësuar me ‘hajgaret’ e organizatës më të madhe të futbollit. FIFA shumë herë ka luajtur topa duke (mos)lejuar kosovarët të marrin pjesë në garat ndërkombëtare. Skandale të shumta janë heshtur sidomos tek racizmi dhe trukimet e ndeshjeve, duke u mbyllur pa ndonjë zhurmë të madhe. Në anën tjetër skandalet që kanë prekur konkurrentët e Blatterit janë ekzagjeruar nga marionetat e kësaj organizate – Bin Hamam dhe Warner.

Ngjashëm ndodh edhe me skandalin e fundit ku dhjetëra futbollistë, trajnerë, e gazetarë kanë deklaruar zyrtarisht që votat e tyre janë ‘ndryshuar’ nga FIFA në favor të Lionel Messit. Për shumë kë lojtari më i mirë i të gjitha kohërave, ka arritur edhe një rekord duke u bërë i vetmi lojtar në histori të futbollit që merr katër Topa të artë. Ky është çmim që viteve të fundit France Football e jep në bashkëpunim me FIFA-n. Lirisht mund të them që nga fillimi i këtij bashkëpunimi, kredibiliteti i France Football ka rënë më shumë se kur shpërblente panda, tani të parin e UEFA-s, Michel Platinin – një ‘armik’ tjetër i shqiptarëve.

Nuk ka pasur dyshime për fitoren e Messit këtë vit. Arsyeja e vetme rekordin i golave të shënuar në vit kalendarik.

Në rregull. Që kur regjistrohen rekordet e një viti kalendarik në futboll? Nëse do të ishim në Finlandë, Islandë, e Ishujt Faro, atëherë mund të zgjidhnim lojtarët që kanë shënuar më së shumti gola brenda vitit. Gjithashtu sporte si tenisi, golfi, e sporte tjera kanë renditjet e tyre vjetore. Megjithatë trillimi i statistikave për të shpërblyer të ‘preferuarin’ e disa është turp për organizatën më të madhe të futbollit.

Nuk ka dyshim që Messi është prej më të mirëve në futboll, por le të jemi të sinqertë, viti 2012 nuk ka qenë viti më i mirë për të, e gjithashtu ka pasur lojtarë më të mirë e të trofeshëm se ai.

Në mesin e tre të fundit titullin duhej ti takonte Cristiano Ronaldos. Nuk ka pasur një mesfushë si të Barcelonës për të shpirë Realin drejt titullit. Ka dërguar Portugalinë me një trajner ‘mendjemadh’ deri në gjysmëfinale të Euro 2012. Ka shënuar çdo herë kundër rivalëve katalunas, diçka që bënte vetëm i madhi Ronaldinho kur duartrokitej midis Santiago Bernabeus, e jo të ‘godiste’ topin drejt shikuesve pa kurrfarë nevojë. Kjo e fundit le të lidhet me ‘karakterin’ e lojtarëve, pasi disa ‘ekspertë’ thonë se Ronaldo nuk ka karakter futbollisti. Nëse kërkojmë karakter të marrim Di Canion i cili ka bërë njërin nga gjestet më të mëdha të fair-play dhe disa vite më vonë ka përshëndetur tifozët si nazistë.

Anash futbollistit më të mirë, sipas FIFA-s futbolli po luajtka vetëm në Spanjë. Vetëm shikojeni 11shen e parë. Pos sulmit që meriton të jetë i paprekur, pjesa tjetër është hajgare! Mungonte vetëm Victor Valdes në portë për të bërë këtë 11she perfekte dhe me lënien e Casillas në rezervë nuk dyshoj që në fund të 2013tës do të kemi Valdesin si portjerin më të mirë në botës sipas standardeve të FIFA-s.

Për qershinë mbi tortë, përkujdeset IFFHS (organizatë statistikore e licencuar nga FIFA) që vendos ligën e Spanjës lart në pozitën e parë para Brazilit dhe Italisë! Anglia është e katërta para Gjermanisë, dy liga që lirisht mund të këmbenin pozitat 1 dhe 2 ndërmjet veti.

Ju mund të vazhdoni ti besoni FIFA-s dhe gjykimeve të ‘ekspertëve’ për të shpërlarë trurin tuaj. Unë besimin në ta e kam humbur qysh në vitin 2010, kur një futbollistë si Wesley Sneijder nuk ishte as në mesin e 3 më të mirëve e lëre më i miri.

Dëshmitar më të mirë se sytë tuaj dhe gjykues më të drejtë se mendja juaj nuk ka.

Milan

 

Toka…

Të kthehemi në Tokë! Nuk jemi kërkah. Badihava Galliani deklaron që jemi për Evropë. Nuk jemi të përbërë për Evropë. Ndoshta jemi në letër, por lëndimi i ekipit që nga largimi i Shevchenkos nuk është sanuar kurrë. Ibra ka qenë veç një arnë që na ka sjell Scudetto.

Milani që nga koha e Ancelottit nuk është i mirë në tri fronet – kryesia, shtabi teknik, lojtarët. Asnjëra nga këto nuk është në nivelin e duhur. Janë të shkëputura me njëra tjetrën si repartet në fushën e gjelbër.

Sinisha…

Kam pritur që Sinisha mund të bashkoj këto reparte, të lidh. Nuk ka ndodhur. Ka mungesë komunikimi ndërmjet tyre. Nuk ka lidhje. Le ta fajësojmë mungesën e Pirlos. Jo që ka bërë diçka të veçantë, por me të dhe Seedorfin, me Kakan që kanë ardhur të marrin topin që në mbrojtje, ka ekzistuar komunikimi. Nuk ka pasur individualizëm në kryerjen e detyrave.

Në aspektin taktik, Mihajlovic ka dështuar. Pos në mos arritjen e themelimit të një loje të qëndrueshme, një formacioni stabil, Mihajlovic ka dështuar edhe në aktivizimin e emrave të duhur në fushë. E di që nuk kemi shumë emra e lojtarë të hajrit, por jemi më të mirë se Carpi, Verona, e Crotone.

Por, Sinisha ka bërë gjëra të mrekullueshme me menaxhimin e ekipit jashtë fushe. Inkuadrimi i Calabrias, Elyt në fillim të sezonit, dhe mbi të gjitha vendosja e Donnarummas mes shtyllave s’do ti kishte bërër askush. Paraardhësit e tij shisnin talentet që vet kishin rritur.

Ama, kjo s’mjafton. Nevojitet dikush që ta mësoj për taktikë. Dikush ma i mirë se Nenad Sakiçi i Vojvodinës.

De Jongu…

Vetëm mbipopullimi i tepërt i mesfushës së Manchesterit ka shmangur De Jongun nga kalimi tek Van Gaal. Keqmenaxhimi i situatës gjatë verës na ka kushtuar në mosblerjen e lojtarëve të duhur. Alex, De Jong, Montolivo, Cerci nuk meritojnë të startojnë në këtë Milan.

Alex nuk ofron siguri në mbrojtje, në pjesën më të madhe të rasteve është jashtë pozicionit duke detyruar të tjerët të mbulojnë atë. Kjo detyron shkapërderdhjen e mesfushës e cila me Montolivon e De Jongun nuk është e aftë të mbuloj të dyja anët e fushës. Asnjëri nuk janë mesfushë box2box, si Flamini. Po, Flamini do të na kishte kryer punë më mirë se të dy, ama… Poli është deri diku, ama…

Cerci është dështim. Nuk blihet kurrë një lojtar që ka vetëm një sezon në karrierën e tij. Nuk blihet një lojtar si Torresi, të cilin duhet ta heqësh e mbetesh me Cercin për 12 muaj më tepër se do të mbetje me Torresin.

Brocchi…

Sinisha do të largohet nëse nuk fiton dy ndeshjet e ardhshme. Katër pikë kanë humbur, por kurrë s’kemi qenë për titull. As për Champions pas formës së Fiorentinës e Napolit. Për Europa League duhet të ëndërrojmë.

Brocchi do të zëvendësoj Sinishën! Çka ka Brocchi. Diçka më pak se Inzaghi sigurisht. Pippo së paku kishte fituar kampionatin e të rinjve me Primaveran.

Galliani ka kthyer atë filozofinë e tij – nuk vjen kush nëse nuk largohet kush. E dini kush do të ishte mirë të largohet? Shikuesit. Tashmë veç kanë filluar. Jo nga të ftohtit, por nga plasja e zemrës. Unë përtoj të harxhoj 90 minuta kohë në dhomën e nxehtë, pranë televizorit, duke mos harxhuar asgjë pos 1 eurove në fara të kungullit. Habitem si njerëzit paguajnë bileta për tu mërdhirë fizikisht e për të plasur psiqikisht me lojën e Milanit.

Sport

  1. Leicester City – Chelsea (e hënë, ora 9)

Pas ndarjes nga Kathy, Chandler ka probleme të vazhdoj jetën. Për të kaluar ish-të dashurën i nevojiten tri faza. E treta është të ëndërroj për vajza tjera. Dhe derisa ëndërron për tri shoqet dhe vajzat tjera nga striptizi në ëndërr i hyn Joshua për t’ia prishur fantazinë e tij më të çmendur.

Sikur ëndrra e Chandlerit, edhe forma e Leicester Cityt duhet të përfundoj këtë muaj. Vërtetë gjenden në krye të renditjes, dhe loja e tyre më kënaq si asnjë ekip tjetër në Premier League këtë sezon, ama të bëhemi real – nuk munden të mbeten as në zonën e Championsit. Sidomos nëse Liverpool arrin të këndellet para Chelseat.

E Chelsea ndoshta mund të kthej faqen tani që problemet kanë dal në pah – raporti i Joses me disa lojtarë, përfshirë Diego Costan. Kur dihet problemi, lehtë gjendet zgjidhja. Në Evropë, dhe vetëm tri javë larg afatit të janarit, Mourinho duket se do të mbijetoj këtë periudhë. Fitorja ndaj Leicesterit do të siguronte këtë mbijetesë. Humbja, do të na bënte të kënaqemi edhe disa ditë me befasinë më të mirë në futbollin evropian këtë sezon – çuditë e Ranierit me dyshen Vardy – Mahrez.

  1. Leverkusen – Monchengladbach (e shtunë, ora 6e30)

Shkarkimi i Favres kam besuar se ka qenë gabim. Ka bërë gjëra të mrekullueshme me Borussinë dhe kam besuar se mund të bëj më shumë. Kam qenë gabim. Dhjetë javë më parë, Borussia ishte e fundit. Tash është e treta, ka mposhtur Bayernin, dhe ka treguar dhëmbët edhe në Champions. Me pak fat do të vazhdonin në Europa League.

Çfarë do të ndodhte sikur të kishin Andre Schubert trajner nga fillimi i sezonit?

Çfarë do të ndodhte sikur Leverkusen të kishte trajner më të mirë?

Sigurisht do të ishin më të suksesshëm. Roger Schmidt nuk është trajner për një ekip kaq të talentuar sikur Leverkusen. Kanë ekip, kanë lojtarë, kanë gjithçka për të qenë më lart se ku janë dhe për të mos humbur pikë nga ekipe sikur më inferiore BATE, Augsburg, e Roma.

Të dyja ekipet luajnë futboll të hapur, tipik gjerman, dhe që të dyja janë mësuar të kenë ndeshje me shumë gola. Një të tillë pres edhe të shtunën.

  1. PSG – Lyon (e diel, ora 9)

Këtë ndeshje nuk do ta llogarisja si të denjë për tu shikuar para të martës. Nëse shohim përbërjen e ekipit të Aulas dhe renditjen e tyre në tabelë, atëherë Lyon mbetet një ekip që po poshtërohet këtë sezon në Francë, ngjashëm si Monaco e Marseille. Këto derbit klasik janë derbi vetëm në letër.

PSG me Blanc po dominon këtë ligë. Do të dominonte edhe me Halilhodzicin apo Tiganan. Por, një trajner më cilësor do të dërgonte ata një nivel më lart në garat evropiane. Ndeshja kundër Lyonit mund të jetë sa për sy e faqe, por, për hatër të historisë mund të ofroj pak paqartësi.

  1. Juventus – Fiorentina (e diel, ora 15n9)

Juventus dhe Inter luajnë ngjashëm – lojë të mbyllur duke u bazuar në mbrojtje për të shënuar një, eventualisht dy gola. Ndodh që ekipi kundërshtar të dëshpërohet psiqikisht me mbrojtjen e tyre dhe të lëshoj më shumë gola.

Fiorentina nuk e ka pasur këtë problem me Interin. Mbetet të shohim se si do të veprojnë kundër skuadrës së Allegrit. Sousa ka nisur të bëj rotacione të shumta në formacion. Europa League, tani edhe Coppa Italia mund tu paraqesin problem – kanë tri ndeshje për shtatë ditë. Ngjashëm si Juventus, por torinezët kanë ekip më të gjerë, më shumë mbulesa për çdo pozicion. Më në fund diçka interesante nga Serie A, e cila shumë lehtë sezonin e ardhshëm mund të kthej pozitën e katërt për në Champions.

  1. Napoli – Roma (e diel, ora 6)

Pres të jetë ndoshta loja më e mirë e javës. Të dyjat luajnë futboll të hapur, megjithëse Roma do të bënte punë shumë më të mirë pa Garcian. Kanë shpëtuar, në fakt i ka shpëtuar De Sanctis kundër BATE-s.

Napoli luan hapur dhe sulmon. Nuk vetpërmbahet. Sarri ka bërë revolucion dhe pa pikë dyshimi është më i mirë se çdo trajner që ka pasur Napoli deri tashti, përfshirë edhe të mbivlerësuar Benitez. Kanë një përbërje të mrekullueshme si ekip. Edhe Roma nuk mbetet mbrapa, por kanë Garcian. Për dallim nga ekipet italiane, asnjëra nuk interesohet të mbrohet. Besoj që na presin shumë gola. Së paku këtë e dëshiroj.

Sport

  1. Lazio – Juventus (e premte, ora 15n9)

Një pyetje duhet të shkoj në mendjen e fansave të Serie A tani e tutje – kush do të ndal Juventusin? Me aktivizimin e Dybalas, kthimin në formë të Moratas, dhe adaptimin e lojës pa yjet kryesore të mesfushës, skuadra e Allegrit është vështirë të ndalet tani e tutje. Për dallim nga pjesa tjetër e kreut, Juventus zakonisht nuk lejon befasi kundër skuadrave inferiore.

Në anën tjetër Lazio është skuadër e çuditshme. Kanë pronar të çuditshëm, trajner të çuditshëm me vendime edhe më të çuditshme. Sigurisht nuk janë dikush që mund të ndal Juventusin. Por, të shohim a do të fitoj Juventusi aq lehtë sonte.

  1. Wolfsburg – Dortmund (e shtunë, ora 6e30)

Gjithnjë e kam përmendur që lufta kryesore në Bundesligë do të jetë për tri pozitat e dyta. Dortmund është rehatuar në krye por ka bërë lëshime javëve të fundit, sidomos kundër Hamburgut. Wolfsburg ka gjetur veten për merak pas De Bruyne, por edhe tek këta lodhja ka nisur të shfaqet kur nevojitet më së paku.

Rëndësia e ndeshjes me Dortmund nuk është aspak e barabartë me rëndësinë e ndeshjes kundër Manchester United. Mund të presim një Wolfsburg që nuk do të lëshohet i tëri në sulm, duke provuar të mbaj rezerva për mesjavë. Falë Manchesterit, Dortmund mund ta ketë më të lehtë të mposhtë ‘ujqit’.

  1. Monchengladbach – Bayern (e shtunë, ora 3e30)

Është intriguese të shohim Bayernin kundër ekipeve si Monchengladbach. Mungesa e ‘thellësisës’ në pozicione ka nisur të jap shenjat e para, sidomos javën e kaluar kundër Hoffenheim. Skuadra e Xhakës ka një punë jo të lehtë edhe në mesjavë, dhe ngjashëm si Wolfsburg mund të shfaqet me angazhim të rezervuar në fushë.

E Bayerni është interesant të shohim se me çfarë formacioni do të shfaqet në fushë, çfarë eksperimentesh do të bëj Guardiola, dhe sa me sa do të fitojnë.

  1. Manchester Utd – West Ham (e shtunë, ora 4)

Ndoshta vitin e ri United do ta pres me trajner tjetër! Këtë do ta vendos Wolfsburgu. Loja e mërzitshme e Van Gaalit nuk është për fansat e United. Anglezët dëshirojnë futboll të mirë më shumë se tituj e sukses. Van Gaal nuk është i prirë të ofroj as njërën as tjetrën.

Bilic ka shkaktuar kokë-dhembje për të gjithë trajnerët e skuadrave të mëdha. Ka dështuar të bëj këtë me skuadra të barabarta me West Ham. Duket sikur kanë zbuluar strategjinë e Bilicit dhe tani e kanë më të lehtë ta përballojnë. Mezi pres të shoh qëndrimin që do të marr kroati kundër një skuadre që pëlqen të mbrohet për pjesën më të madhe të ndeshjes.

  1. Valencia – Barcelona (e shtunë, ora 8e30)

Moyes ishte i tmerrshëm. Nejse, Sociedad nuk është si Valencia. Por, kjo veçse shton presionin mbi Nevillët. Nuno Espirintu Santu kishte dështuar të kompozoj ekipin që kishte sjell aq shumë lojtarë të shtrenjtë. Tani të pozicionuar në pjesën e gabuar të renditjes, dhe në rrezik për tu eliminuar nga Champions nga një skuadër si Gent, Valencia duhej të ndryshonte diçka. Por, me pa përvojën e Gary Neville si trajner, nuk pres ndryshim të menjëhershëm. Aq më pak kundër Barcelonës.

Skuadra e Enriques si zakonisht shkon në drejtim të kundërt me motin. Sa më shumë që ftohet moti, aq më shumë nxehet Barcelona. Mjerë ata që iu dalin para këta muaj. Mjerë Valencia e Neville!

Sport

  1. Manchester City – Liverpool (e shtunë, 6e30)

Më shumë rivalitet do të kishim në një repart spitali me lojtarët e këtyre dy ekipeve se sa në fushë. Kompany, Nasri, Silva, Aguero, Zabaleta, Bony, Milner, Sturridge, Henderson, Sakho, Ings, dhe të tjerë mungojnë për shkak të lëndimeve. Ky fakt sa dëmton aq edhe bën më interesante këtë ndeshje, duke sprovuar aftësitë e dy teknikëve jo pak të suksesshëm.

Do të mbetet në sfond të ‘el clasicos’, mirëpo duhet të zë vend në laptopin apo telefonin tuaj. Nuk duhet të humbet assesi.

  1. Juventus – Milan (e shtunë, 8e45)

Dy teknikë që kanë veshur këpucë më të mëdha se që mund ti bartin, dy Charlie Chaplina, prej të cilëve njëri do të mbetet, e edhe tjetri duhet të mbetet pa punë. Por, së paku Mihajlovic luan lojë, pretendon të luaj lojë të hapur dhe sulmues. Allegri, si çdo italian mbrohet. Ky edhe është fajtor për mosadaptimin e gjithë atyre transferimeve të reja tek Juventusi.

Milani ka mungesa, sidomos në mesfushë. Ekipi nuk është adaptuar, akoma. Ngjashëm edhe Juventusi. Është çudi të shohim këtë duel të mos jetë vendimtar për pozitën e kreut në Serie A. Do të ishte mëkat po të mos tregonin lojë të hapur që do të na kujtonte Serie A nga kohët më të mira.

  1. Schalke – Bayern (e shtunë, 6e30)

Schalke nuk është mirë. Nuk kanë fituar që një muaj. Nuk do të fitojnë as të shtunën. Por, kanë talente dhe bëjnë lojë të mirë, të hapur. Ndaj Bayernit kjo do të jetë e pamundur. Herën e fundit Bayerni bënte hajgare me Stuttgartin. Robben është rikthyer për të bërë bavarezët edhe më shkatërrues.

Sa sa do të fitoj Bayerni, dhe kush do të shënoj më shumë gola, Muller apo Lewandowski janë dy pyetje më serioze se sa kush do të fitoj këtë ndeshje.

  1. Real Madrid – Barcelona (e shtunë, 6e15)

A do të luaj Messi apo jo? – kjo është pyetja me të cilën merren jo vetëm fansat e Barcës. Në fakt, fansat e Barcës duhet të jenë më së paku të brengosur nga kjo çështje. Suarez dhe Neymar kanë funksionuar për mrekulli si me Messin si pa të. Ndoshta më e udhës ishte të brengoseshin për mungesën eventuale të Rakitic. Mesfusha nuk është sikur sulmi e rregulluar.

Reali do të vuaj me Benitezin. Do të vuajnë si fansat si lojtarët të cilët janë mësuar të luajnë lojë të hapur dhe të sulmojnë. Ngjashëm edhe fansat janë mësuar të shohin kësisoj loje. Benitez nuk ofron një lojë të tillë. Ai është sikur një pensionist të ketë marr timonin e një Mercedesi e të lëviz në 50she për shkaqe ‘sigurie.’

  1. Panathinaikos – Olympiakos (e shtunë, 6e30)

Edhe këtë vit lufta për titullin në Greqi është çështje e mbyllur. Olympiakosi është i pakapshëm. Ashtu do të mbetet deri në fund, por rivaliteti ndërmjet këtyre dy ekipeve është për tu marr lakmi. Ka atë nuancën ballkanike ku futbolli është më shumë se një ndeshje, ku nuk mungon urrejtja. Koha e papërshtatshme si për të gjitha ndeshjet edhe këtë do e lë në sfond, por vlen të theksohet si një derbi nga më të mëdhenjtë në Ballkan.

Sport

Show TV turk, CTSport çek, RTS1 serb, BHT1 boshnjak, RTE2 irlandez, Een belg, RAI1 italian, BBC Two e Uellsit, SBS6 holandez, DajTo sllovak, RSI/RTS/SRF 2 zviceran, Telecinco spanjollle, ITV anglez, TF1 francez, ARD Das Erste gjerman, BBC Two e Irlandës së Veriut, TVP1 polak, dhe RUV 2 islandez janë kanale që kanë transmetuar ndeshjet e kombëtareve të tyre sot, e premte 13 nëntor.

Një gjë e përbashkët e këtyre kanaleve është se mund të pranohen me antena të thjeshta dhe pa asnjë kusht parapagese në vendet e tyre përkatëse. Pos ndeshjes ndërmjet Bosnjë e Hercegovinës dhe Irlandës, që të gjitha kanë qenë ndeshje miqësore. Që të gjitha janë transmetuar në kanale kombëtare pa pagesë. Edhe ndeshjet kualifikuese të Ruandës, Angolës, dhe Komorosit janë transmetuar në kanalet kombëtare pa pagesë. Por, jo ndeshja e Kosovës.

Fajtori është i ditur – FFK e Fadil Vokrrit dhe bashkëpunëtorëve të tij që provojnë të përfitojnë materialisht në shpinë të patriotizmit dhe ndjenjave të një populli të izoluar qe sa vite nga arena ndërkombëtare. Derisa federatat tjera arrijnë të shpërthejnë izolimin, FFK-ja mbetet peng e mafisë së futbollit evropian, mafisë e cila ka nisur të bie nga froni duke nisur nga miku dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Armando Dukës, Michel Platini.

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, por pa përjashtuar as shtetet e rajonit, kanë rregullore ku përcaktohen ngjarjet sportive me rëndësi të lartë për publikun e gjerë që DUHET të transmetohen në kanale që mund të shikohen nga të gjithë në tërë territorin. Kosova nuk e ka as këtë. Kryesisht nga fakti që KPM-ja që nga fillimi ka qenë e korruptuar dhe marionetë e njerëzve të pushtetit që kanë vendosur njerëz të rangut të tretë të shërbimeve të tyre në krye të këtij komisioni.

Anglia, Gjermania, Franca, Italia, Austria, Zvicra, e sidomos Belgjika në mesin e shumë vendeve tjera kanë të përcaktuar me rregullore që të gjitha ndeshjet e kombëtares, qofshin miqësore apo zyrtare janë të OBLIGUARA të transmetohen në kanale kombëtare pa pagesë.

Sipas konfirmimit nga RTSH, FFK-ja as nuk ka ftuar në tender kanale kombëtare të pakoduara. Ka stërshitur bileta, e ka bërë çmos që të përfitoj materialisht nga kjo ndeshje ‘vëllazërore’. Për Dukën e FSHF-në është ditur se çfarë malli janë (hulumtoni pak për bizneset private të Dukës) – më trego me kë je mik, të tregoj se kush je (Platini i Dukës akuzohet për korrupsion). Por, kam pasur shpresa se FFK-ja është më e mirë. Mesa duket janë mësuar nga më të zotët e krimit futbolllistik.

Është mohim i të drejtës njerëzore të kufizosh një popull nga shikimi i kombëtares në futboll. E drejtë që i garantohet çdo vendi të civilizuar evropian, e nga shembujt e mësipërm edhe atyre amerikan. E drejtë që nuk garantohet në Kosovën e përpirë nga korrupsioni dhe grykë pangopurit.

Sport

Cerci

Jo, nuk jam gati të pranoj që Cerci dhe Alex janë duke kryer punë të mirë. Përkundrazi. Cerci, më kujton Pirlon (Maradonën) e viteve të fundit. Niset në krah, dhe kthehet kah qendra për të gjetur pozitë për të gjuajtur. Kurrë nuk ia del. Edhe fëmijët i dinë sekretet e tij. Nejse stilin e tij, se një gjë që e dinë të gjithë nuk mund të jetë sekret.

Alexi nuk më kujton Pirlon. As Favallin. Favalli ka qenë më i shkathët. Alexi më kujton traktorët e vjetër të cilët mëzi marrin hovin dhe rrezikun më të madh e kanë në një teposhtëz ku nuk mund të ndalen kurrsesi.

E loja e Milanit nuk është loja e pastër, e kënaqshme për sy. Nuk është si një zinxhir biçiklete i lyer mirë i paprekur nga shiu. Është sikur ai të cilin e ka harruar pronari në shi tërë verën, dhe sa herë që provon të ndryshosh shpejtësinë nisin kërcitjet që të kujtojnë tranzicionin e Milanit.

Bomba

Kësaj loje jo bindëse i shtohet bomba. Dhe bomba në këtë rast është sikur një shtëpi kartash. Sa më lart ta ngritësh aq më shumë rrezikon të rrëzohet më furishëm.

Bomba e njohur si Gianni Donnarumma tani është duke ndërtuar katin e tretë. Dhe sa më lart hipën aq më fort bie. Kështu pritet të ndodh edhe me Giannin. Është sikur një bombë që do të plas një ditë – ndoshta të dielën. Si një bombë e vendosur në pendë që mund të marr një qytet të tërë po shpërtheu.

Më mirë të çmontohet me kohë. Më mirë të kthehet Diego Lopezi.

Sheva

Sheva e ka pasur për qejfi Lazion. U mundova të gjej, por nuk ia dola – listën e golave të shënuar kundër ekipeve. Por, ne fansat e kemi të pamundur të harrojmë afinitetin e Shevës kundër Lazios. Pas tij nuk kemi pasur ndonjë sulmues të tillë. Ndoshta Ibra do të mund të bëhej. Ndoshta!

Lazio ka pesë fitore në pesë ndeshje në Olimpico. Nuk kanë një sulm të mirë sa kanë repartet tjera. Por, si zakonisht, ndeshjet janë të tonat për ti humbur. Një pikë në Olimpico për mendimin tim do të ishte sukses. Fitorja nuk është në plan, por, pse ta përjashtojmë. Gianni Donnarumma – Milan vs Chievo

Milan

Zori

Ekziston një film me këtë emër. Nuk e kam pa, dhe as nuk do ta shoh. Veç shihja titullin!

Me zor kemi fituar kundër Sassuolos. Jo që nuk e kemi merituar, jo që e kanë merituar ata, por ne është dashur të fitojmë më lehtë. Me një lojtar më shumë në fushë dhe të fitojmë vetëm në fund është çmenduri.

Ajo çfarë po më pengon tek Mihajlovicin, në mesin e pak gjërave është hezitimi për të bërë ndryshime në kohën e duhur. Ky hezitim na ka kushtuar me dy pikë të humbura në Torino, jo gabimi i Diego Lopezit. Edhe të dielën Luiz Adriano është dashur të angazhohej më herët. Të mos futeshim në zor. Me rëndësi që fituam tre pikë.

Gianni

Donnarumma mund të ketë talent. Mund të ketë të ardhme të ndritur. Por, për momentin vetëm është duke u shfrytëzuar si karrem kokëfortësie i Mihajlovicit. Nuk besoj se Gianni është ndonjë super-talenti edhe pse me Locatellin e Cutronet vlerësohen si e ardhmja e Milanit, mos të harroj edhe Calabrian. Ama si 16 vjeçar të mbroj portën e njërës nga skuadrat që pretendon të jetë në krye të Italisë duket pak e çuditshme. Casillas kishte mbrojtur si 19 vjeçar në finale të Ligës së Kampionëve. Por, ai është Casillas dhe ka qenë tre vjet më i pjekur.

Diego Lopez ka shpëtuar Milanin sezonin e kaluar. Por, kjo nuk ka asnjë pikë rëndësie tek Sinisa me sa duket. Dhe ashtu duhet të jetë. Respektimi për të tjerët na ka bërë të jemi këtu ku jemi sot. Si dhe padituria e Ancelottit për tranzicion.

Vendimet e çuditshme të Sinishës vazhdojnë me angazhimin e Cercit dhe Alexit përsëri. Dhe duket se do të jenë edhe kundër Chievos në formacion. Nëse diçka do ti kushtoj Mihajlovicit me punë, atëherë është kokëfortësia. Kjo i kishte kushtuar tek Serbia, por aty kishte pasur të drejtë që nuk kishte dëgjuar qejfet e agjentëve. Tek ne mund të jetë gabim. Cerci startues?! Ani Alexi???!!!!

Paloschi

Meggiorini ka nis sezonin për merak tek Chievo. Mosprezenca e tij eventuale kundër Milanit mund të jetë një fat për neve.

Paloschi dhe Birsa, ish-milanistët po kalojnë sezon të shkëlqyeshëm. Sikur Meggiorini edhe ata e kanë nisur mirë, por Chievo nuk është ajo e fillimit të shtatorit. Duhet të mos kemi probleme, sidomos nëse nuk gjuajnë shpesh në portë. Ndoshta Birsa mund të shënoj nga goditja e lirë!

Dëshiroj të përmend një fakt të përgjithshëm këtu, tek lojtarët që shkëlqejnë në ekipe tjera, si Paloschi e Birsa këtë rast. Ekipi nga ekipi ndryshon, dhe nuk duhet të na mbetet hatri se edhe tek ne ndoshta do të kishin shpërthyer dikur.

Taiwo e i madhi Bakaye Traore kanë qenë standard në Bursaspor. Tabare Viudez gjithashtu në një ekip turk. Constant gjuan goditjet e lira në Trabzonspor. Ama asnjëri s’do të kishte pasur sukses tek ne.

Milan

Shkau

Nuk aq është shqetësuese urrejtja etnike ndaj serbëve, sa është shqetësuese që programi drejtshkrimor nuk e vlerëson si gabim titullin e këtij paragrafi.

Urrejtja për Sinisa Mihajlovicin tek fansat shqiptarë të Milanit është e dukur nga aeroplani. E pritshme. Akoma pa u vendosur si trajner, shumica kanë qenë kundër, duke pritur emra si Sarri, Montella, e edhe Klopp. Kundërshtimi ndaj tij ka qenë i thjeshtë – nacionaliteti i tij. Është gërmuar çdo kënd i internetit për të gjetur diçka negative, ofenduese të tij ndaj shqiptarëve. Pastaj është gjurmuar të gjendet diçka që ka folur si interist ndaj Milanit. Nejse, por(dh)talet tona nuk kanë punë tjera. Edhe ashtu shumicën e lajmeve i kopjojnë nga njëra tjetra.

Tashti, dy muaj pas nisjes së kampionatit, skeptikët kanë arsye për të ‘festuar’ mos-suksesin e Milanit. Ata të cilët në korrik dëshmonin se Sinisha nuk është i duhuri vetëm duke u arsyetuar në kombësinë e tij, pa dhënë asnjë arsye profesioniste si për zejen e trajnerit ashtu edhe të një lojtari, tani na japin dëshmi për arsyet e dështimit, hedhin trajektore me një amator prej trajneri që udhëhiqte Milanin një sezon më parë, dhe mbi të gjitha kapen në paratë e harxhuara.

Milani nuk është ashtu siç kemi pritur. Por, nuk më së paku fajtor është ‘shkau’!

 

Vera

Janë vetëm shtatë skuadra që kanë shpenzuar më shumë se Milani këtë verë. Milani nuk ka investuar kështu që nga sezoni 2001-2002 kur kishte sjell yje të shumta në skuadër, përfshirë edhe Cristian Zenonin!

90 milionë të shpenzuara për tre sulmues, një mbrojtës, dhe dy mesfushorë. Të gjithë të mbipaguar, sidomos për verat e Milanit. 30 milionë janë siguruar nga shitja e lojtarëve, me një minus prej rreth 60 milionë eurove.

Herën e fundit që Milani kishte shpenzuar më shumë se inkasuar ka qenë vera e vitit 2011 kur kishin shpenzuar 19 milionë më shumë se që kishin shitur. Verat pas saj i kanë sjell klubit 31+39+8 milionë euro të hyra. Në vitin 2010, +58 milionë ka qenë bilanci nga shitjet. 135 milionë ka qenë bilanci në katër nga gjashtë verat e kaluara. Nëse i shtojmë edhe këto dy vera ku kemi shpenzuar, atëherë përsëri skuadra mbetet në bilanc pozitiv me 56 milionë euro më shumë të inkasuara se të shpenzuara në tregjet e verës.

Në futbollin modern, ky nuk është bilanc i një skuadre që fiton tituj.

Juventus ka shpenzuar 130 milionë euro këtë verë. Është në minus 54 milionë euro, dhe gjendet një pikë mbrapa Milanit në renditje.

Chelsea ka shpenzuar 82 milionë euro, me një bilanc negativ prej 59 milionë eurove. Renditjet e 11ta me 10 pikë larg kreut në PL.

Valencia ka shpenzuar 141 milionë euro me një bilanc negativ prej 91 milionë eurove. Gjendet gjashtë pikë larg kreut në La Liga.

Allegri, Mourinho, e Nuno Espiritu Sanchez, nuk janë të rrezikuar të dëbohen nga skuadra.

 

Një verë në kohë…

Në verën e vitit 2012, Milani kishte vendosur të përforconte mesfushën pas largimit të Seedorfit. Për këtë kishin angazhuar Riccardo Montolivon me një kontratë 4 vjeçare me 4 milionë euro neto në vit, si dhe premtimin për shiritin e kapitenit. Pos tij kishte ardhur edhe Ali Sulley Muntari si transferim i lirë nga Inter, në metodën alla-Amantino Mancini.

Galliani kishte vendosur të investonte edhe në talente të reja. Kishte sjell yllin e skuadrës franceze Nancy, Bakaye Traoren. Për të mbuluar krahun e majtë pas Maldinit, Serginhos, e Jankulovskit, kishte vendosur të huazonte yllin e Guinës (jo-ekuatoriale), dhjetëshen e sotme të Trabzonsporit, legjendarin Kevin Constant(-one siç e quante Mauro Suma në komentimet e tij). Kishte huazuar edhe talentin e Barcelonës pas një viti të dështuar në Romë, Bojan Krkic.

Atë verë, Juventus kishte nënshkruar me një lojtarë të lirë francez, Paul Pogba!

Verën e radhës, një verë pasi kishin blerë Pazzinin për 7.5 milionë + Cassanon, Milani kishte shpenzuar 12 milionë euro në sulmuesin e tretë të Juventusit, Alessandro Matri. Kishte ardhur edhe Valter Birsa dhe MIkael Silvestre.

Juventus kishte marr falas Llorenten, si dhe gjysmën e kartonit të Domenico Berardit për një të tretën e çmimit të Matrit. Që nga atëherë Berardi në dy sezonet e radhës kishte shënuar 31 gola për Sassuolon (gati çerekun kundër Milanit). Matri ka shënuar 14 gola (vetëm 1 për Milanin).

Po atë verë Christian Eriksen kishte kaluar për 12 milionë në Tottenahm, Lazio për 1.8 milionë kishte marr gjysmën tjetër të Antonio Candrevas, Juventus kishte marr Tevezin për 9 milionë, dhe Zazan për 3.5 milionë. Pra, me paratë e Matrit, Juventus kishte siguruar 3 sulmues. Ndërkohë Milani kishte blerë gjysmën e mbetur të Kevin Constant!

Një verë më vonë… lëre krejt.

 

Para shkaut

Unai Emery, Carlo Ancelotti, Jurgen Klopp, kanë qenë emra ëndrrash të lidhur me Milanin gjatë verës së kaluar. Të tre kanë refuzuar, sidomos Carletto. Të tre kanë pasur arsye të tyre, për të refuzuar. Tani Emery stërvit skuadrën që ka fituar dy Europa League të fundit me një fond lojtarësh pak më të mirë se Milani. Klopp mori Liverpoolin, derisa Carlo vendosi të pushojë.

Sarri, Montella, Mazzari, e Mihajlovic ishin ndër emrat më të lidhur me pankinën e Milanit, emrat më real. Që të gjithë të lidhur me pankinën e Napolit. Mihajlovic, përkundër historisë kishte zgjedhur Milanin duke besuar në projektin e ekipit dhe paratë e Mr. Bee. Kishte kërkuar Romagnolin për në mbrojtje. E mori, kishte kërkuar edhe një mesfushorë, deri në ditën 29 gushtit. Nuk e mori. Erdhi Kucka.

 

Shkau (edhe një herë)

Iu desh të provonte De Jongun, e Montolivon në pozitën e mesfushorit qendror. Vendosi të bënte revolucion në mbrojtje me Ely dhe Romagnoli duke heq nga planet Alexin dhe Mexesin. Vendosi Calabrian dhe De Sciglion në krahë. Stabilizoi sulmin me Luiz Adrianon e Baccan të cilët në dy lojërat e para treguan bashkëpunim të shkëlqyeshëm përkundër kohës.

Si çdo skuadër e re që i duhet kohë, sidomos pas ndryshimeve të stafit dhe lojtarëve, edhe Milani kishte nevojë për kohë. Dhe gjithçka ishte në rregull para se të shfaqeshin kritikët, sidomos këta në trojet tona etnike.

 

Torino (si nëntitull)

Gjithashtu edhe rezultatet e tmerrshme me Napolin e Genoan ndikuan në ndryshimet në formacion. Erdhën Cerci dhe Alex. Duke provuar të bëj diçka më ndryshe, Mihajlovic angazhoi Cercin dhe Alexin. Të dy ishin dështim total. Angazhimi i Alexit ishte për shkak të vonesës në rikuperim të Mexes, dhe ardhjes së vonshme nga Amerika Jugore e Zapatas (njeriut përgjegjës për disfatën ndaj Napolit). Për të njëjtën arsye Bacca u angazhua më vonë.

Gabimi i vetëm i Mihajlovicit, ndoshta edhe në të gjitha ndeshjet e gjertanishme është mos nxjerrja e Cercit me kohë pas shënimit të golit, dhe mbajtja e të vdekurit MoRtolivos deri në fund. Gjuajtja e lirë e Alexit kishte inatosur edhe serbin.

Skuadra ashiqare po ka problem me përgatitje psikike. Gabime fillestare, lojë panike, dhe një Diego Lopez larg nga viti i kaluar. Fajet nuk janë të Mihajlovici. Jo për mendimin tim. Nuk është krejt i pafajshëm, ama çka fituam me ndërrim trajnerësh.

 

Allegria – 3

Shkrimi i tretë ‘Allegria’. I pari kishte qenë lavdërim për Allegrin, i dyti kritikë negative. Tani radha për shfajësim.

Allegri luan lojë defanzive. Nuk më pëlqen kjo lojë. Ama më pëlqejnë titujt. Allegri pos kësaj, i ka vetëm edhe tri gjëra negative për mua – humbja nga Tottenhami, mospërsëritja e titullit me një ekip të denjë për titull, dhe marrja e Matrit.

Kam qenë për largimin e tij. Dhe me ardhjen e Seedorfit gjërat u përmirësuan.

Por, është e pamundur të bindem që nuk ka pasur komplot kundër Seedorfit që u shkarkua për katër muaj duke fituar gjysmën e ndeshjeve – 11 fitore me një mesatare prej 1.59 pikëve për ndeshje. Një seri e tillë vitin e kaluar do të siguronte vendin e gjashtë dhe Europa League. Inzaghi fitoi 8 pikë më pak. Mbi të gjitha loja e Inzaghit ishte edhe më e tmerrshme se statistikat e tij.

Për momentin jemi duke paguar tre trajnerë. Me largimin e Mihajlovicit dhe ardhjen e tjerëve do të jenë katër trajnerë.

 

Pas shkaut

Kush është në treg që do të mund të vinte në vend të Mihajlovicit?

Përmendet Montella, Mazzari. Brochi me Lippin është alternativa më e mirë. Por, mbi të gjitha është ardhja e Tassotit, muzës së Gallianit. Ancelotti nuk beson në projektin e Gallianit.

Si mund të besohet në një projekt të bazuar mbi lojtarë të lirë, dhe riciklim mbeturinash si Boateng e Emanuelson. S’do të ishte ide e keqe të kthenim edhe Vikash Dhorasoo. 42 vjeçari do të linte punën e drejtorit sportiv në skuadrën L’Entelle për Milanin. Së paku goditjet e lira do të gjuante më mirë se Alex.

 

Cagliari

Milani është një skuadër mesatare, mos të them nën-mesatare. Këtë e kanë bërë gjithë ato vera me strategjinë e Gallianit për të mos paguar në transferim, por për të premtuar pagë të madhe dhe përkushtim disa vjeçar. Mesbahun, Constantin, Traoren, Birsan (i cili po luan për mësysh), Antoninin, nuk i kemi sjell ne. Ata i ka marr vet Galliani.

Ai vet ka shitur talente si Cristante, Matsour, Aubameyang etj ndër vite. Më mirë të themi ka falur. Ka angazhuar njerëz që kanë luajtur me Boneran, Muntarin, Essienin, duke shtypur talentet e primaverës.

Calabria këtë vit është i fundit pas De Sciglios që dalin nga akademia. Me huazime në Lega Pro C2 nuk fitohet përvojë. Ngjashëm si nuk fitohet përvojë për startuesin e Carpit të ngroh karrigen e Reinas këtë sezon.

Milanin Galliani e ka vendosur në këtë pozitë si të Cagliarit.

Një Seedorf ka shkuar mirë, e ka larguar me komplot të pistë.

Dy talente i kemi pasur, i ka dhënë falas.

Ka angazhuar dhe vazhdon të angazhoj bërllog të skuadrave tjera duke pritur në mrekullia.

Dhe mbi të gjitha e ka humbur magjinë që e ka pasur dikur. Qysh me ardhjen e Emersonit dhe Amorosos është ditur kahja e Milanit.

Ndërrimi i trajnerëve nuk po bën punë.

Mihajlovic nuk është një Klopp, Pep, apo Unai. Por, është ndër alternativat më të mira që mund të kemi për momentin. Këta tre nuk janë të interesuar të stërvitin një Cagliari, Palermo, apo Frosinone. Nuk janë të interesuar të vijnë në një ambient që të kujton racizmin e fillim-viteve 90ta në Milanello.

Tani është një shovinizëm se na duhen sa më shumë italianë që të mos jemi si Interi. Si ata që janë 6 pikë para nesh, dhe që kanë arritur të bindin synimet tona të shkojnë për shuma edhe më të vogla se që kemi ofruar ne.

Mihajlovic nuk është i pafajshëm krejtësisht, sidomos për formacionin ndaj Torinos. Edhe kjo arsyetohet sepse po provon të gjej mënyra si të funksionoj kjo skuadër. (btw. Cerci aka. Martin Luther King Jr – sipas fjalëve të tij, është bërllog që ka ardhur për një bërllog të cilin na duhej ta paguanim më shumë, dhe kërkush nuk na e kishte sjell).

Por, fajin po e dinë të gjithë, edhe Curva Sud. Është njeriu që beson se kravata e verdhë i sjell fat, diçka që nuk ika sjell asnjë trajner i huaj nisur nga Tabarez, Terim, Seedorf (ka sjell ma shumë se shumica e tjerëve), e as Mihajlovic. Për këtë arsye, Mihajlovic sado të arrij sukses, do të shkarkohet, mos në fund të sezonit.

Do të angazhojmë Brocchin i cili as si lojtar e as si trajner nuk ka qenë i dëshmuar. Ose do të marrim Tassotin dhe të kthejmë idhullin e tij, yllin e Villarrealit në tribuna, lartmadhërinë e tij, Daniele Bonera!

E ju fansa që po urreni Mihajlovicin veç për shkak të nacionalitetit të tij, jeni sikur ata anti-milanista të prekur nga ekstremizmi fetar që thonë se Milani duhet urryer për shkak të stemës. Ka edhe të ashtuquajtur fansa që ju pengon kjo. Por, dashuria për ekip është e çiltër dhe e paprekshme. Ju sugjeroj të provoni të bëheni me Anderlechtin pasi kanë trajner shqiptar. Gjithashtu kanë edhe një talent në Praet, i cili nuk do të kishte mbijetuar në Milan për 2 sezone, ngjashëm si Sapponara.

 

Para kombëtareve

Kombëtaret kthehen fundjavën e dytë të nëntorit. Deri atëherë Milani pret Sassuolon, Chievon, i udhëton Lazios, dhe pret Atalantën. 10 pikë do të ishin të mrekullueshme. Edhe me 8 pikë do të duhej të kënaqeshim.

Ndeshja për Berlusconi me Interin mund të jetë si provë e mirë.  8 pikë larg kreut, 5 pikë larg pozitës së tretë me 30 ndeshje në dorë nuk është keq.

As loja me Torinon nuk ka qenë e keqe, sa ka qenë rezultati. Shihni edhe njëherë përmbledhjen.