Kolumna televizive për Zëri

network-logos

Janë 28 seriale të reja që nisin transmetimin këtë sezon në kanalet kombëtare amerikane. Nëse shtojmë edhe serialet që debutojnë në kabllor ky numër arrin në 40.

Por, jo të gjitha janë seriale premtuese dhe që mund të mbijetojnë gjatë në televizionet amerikane. Shikueshmëria, orari i transmetimit, kritikat, e shumë faktorë tjerë ndikojnë në jetëgjatësinë e tyre. Në vazhdim mund të gjeni pesë dramat që më së shumti pritet të bëjnë bujë dhe të dominojnë shikueshmërinë e kritikat gjatë sezonit të ri televiziv

 

Gotham (Fox) – 22 shtator

Karakteri i preferuar nga bota e DC Comics për mua gjithnjë ka qenë Batman. Ky serial nuk sjell vet historinë e Bruce Wayne, por përqendrohet në vendlindjen e tij, Gothamin, në periudhën e para-Batman.

Sigurisht që nuk do të jetë po aq i suksesshëm sa seritë e filmave të Tim Burton e Christopher Nolan, por tematika e serialit do të jetë një shtesë për të gjithë të fansat e botës së Gotham. Do të kemi të gjithë kriminelët, Pinguinin, Xhokerin, Harvey Kent, Hugo Strange, e shumë tjerë. Dhe kundër këtyre detektivin James Gordon pa ndihmën e Bruce Wayne.

Ben McKenzie (mund ta njihni nga drama policore tepër e mirë Southland) vjen në rolin kryesor. Orari i transmetimit është paksa i vështirë kundrejt The Big Bang Theory, The Voice, e Dancing with the Stars, por qyshdoqoftë, ‘Gotham’ është sukses i garantuar.

 

How to Get Away with Murder (ABC) – 25 shtator

Shonda Rhimes sjell edhe një serial të prirë për të qenë i suksesshëm. Dhe kur kemi dikë si Viola Davis në rolin kryesor, atëherë shihet sa perfektë mund të jetë treshja e të enjteve të Shondas në ABC me heroinat Ellen Pompeo, Kerry Washington, e Viola Davis. Do të jetë një kombinim i mirë për të gjithë ata që përcjellin ‘Grey’s Anatomy’ dhe ‘Scandal’.

Tematika e serialit bazohet në një profesoreshë universiteti e cila me studentët e tyre ndërlidhet në një krim të planifikuar, me planin për të ikur pa u zënë. Pra, tematika premton mister që me përzierjen e dramës legale mund të jetë një alternativë e preferuar të enjteve në ora 10 kur përballet me ‘Elementary’ (inferior ndaj super-serisë së BBC-së, ‘Sherlock’) dhe ‘Parenthood’ që definitivisht hyn në sezonin e fundit.

 

Forever (ABC) – 23 shtator

Dr. Henry Morgan është një ekspert autopsie në Nju Jork. Ai ka një aftësi të mbinatyrshme – është i pavdekshëm. Sa herë që ndeshet me vdekjen, ai ringjallet në vende të çuditshme. Sekreti i tij është i ndarë me një rreth shumë të ngushtë njerëzish, por kjo është afër përshkallëzimit.

Është tematikë interesante dhe pilot episodi ka qenë mirë i realizuar. Ndihmë të madhe tematikës mund ti ofroj aftësia e karakterit kryesor të udhëtoj nëpër periudha të ndryshme historike, gjë që mësuam nga episodi i parë. Por, shkon në program në orarin që nuk ka mbijetuar asnjë serial viteve të fundit, të martave në ora 10 në ABC. Ka përballë dramën shumë të preferuar për mua ‘Person of Interest’, dhe ‘Chicago Fire’. Gjasat e vogla për të mbijetuar një kohë të gjatë. Ioan Gruffudd (Mr. Fantastic nga ‘Fantastic Four’) vjen në rolin kryesor.

 

The Flash (CW) – (7 tetor)

Një nga karakteret më të përfolura të DC Comics vjen në CW. Dhe tani aty ka mikun nga universi i tij, karakterin e Arrow. Botët e këtyre dy karaktereve ndërlidhen qysh në pilot episod, dhe është një çast vërtetë emocional për fansat e këtij universi.

Meqë të dy karakteret janë në të njëjtin kanal, nuk përjashtohen ndërlidhje të kohëpaskohshme që do të ishte një bonus për të gjithë.

Bota e The Flash duket më pak e errët se sa Arrow, ka një nuancë më të ngjyrosur dhe më të lumtur. Nuk ka mistere dhe dihet kush është miku e kush armiku.

Pa marrë parasysh orarin e transmetimit (të martave në 8 kundrejt NCIS dhe The Voice) ky serial është i garantuar për sukses, nëse trashëgon sado pak nga ‘Arrow.

State of Affairs (NBC) – 17 nëntor

Katherine Heigl rikthehet në televizion. Ajo do të jetë në rolin kryesor në dramën ‘State of Affairs’, si analstie e CIA-s e cila është e ngarkuar me përmbledhjen e informatave të sigurisë për presidentin. Ky triler politik, me ngjyrime spiunazhi ka një sukses të garantuar pasi që transmetohet në pushimin e ‘The Blacklist’ dhe pas ‘The Voice’.

Seriali ngjan të jetë sikur një lloj Olivia Pope, por kësaj radhe në role më të ndryshme. Besoj që do të jetë shumë më mirë se filmat që ka realizuar Heigl pas largimit nga ‘Grey’s’, si ‘Killers’, ‘One for the Money’, etj.

 

Alternativat…

Ia vlen të përmendim edhe ‘Constantine’ që për shijen time është shumë i errët, por s’dyshoj që do të ketë shikueshmëri të madhe tek ata që ju pëlqejnë tema si demonët, ekzorcizmi e të ngjashme.

Gjithashtu alternativë e mirë është ‘Agent Carter’. Edhe një karakter i Marvel vjen në televizion, dhe kësaj radhe në vend të ‘Marvel’s Agents of S.H.I.E.L.D.’ që ka vuajtur në joshjen e shikueshmërisë të favorshme gjatë sezoni të kaluar. Pos Hayle Atwell në rolin e Peggy Carter, ka edhe emra të njohur për neve si Chad Michael Murray (One Tree Hill), e Enver Gjokaj (Dollhouse). Ky serial nis në janar.

Luan Morina
Kritik për TV&Film

Kolumna televizive për Zëri

Nuk është hera e parë që televizionet tona dështojnë në transmetimin e ndeshjeve sportive nga vendi i ngjarjes.

Të krenuar që kanë investuar mijëra euro të buxhetit të Kosovës-para të taksapaguesve, në transmetimin e kampionatit evropian në futboll, RTK provoi të shkoj edhe një hap më tutje duke u përpjekur të sjell atmosferën origjinale nga Varshava në televizorët tanë.

Dështoi!

Audioja-zëri i komentuesve vinte shumë më herët se sa videoja. Kjo ka ndodhur edhe më parë në transmetimet e ndeshjeve finale të Ligës së Kampionëve në RTK. Ndoshta problemi mund të qëndroj tek ofruesi i pamjeve pasi ndoshta në një mënyrë mund të jenë të ndara sinjalet dhe burimet që transmetojnë audion nga ato që transmetojnë videon, por bërja e disa testeve para transmetimit të drejtpërdrejtë nuk do të ishte diçka e tepërt. Së paku do të kursente nervat e shikuesve dhe do të shmangte përdorimin e butonit MUTE.

Nuk është vetëm RTK me këso problemesh. Akoma e mbaj mend golin e Patos ndaj Interit qysh në fillim të ndeshjes, kur Shakohoxha na tregonte që kishte gol derisa ne arritëm ta shohim shumë sekonda më pas në SuperSport. Nuk di a kanë sanuar këto probleme, por e di që kanë ekzistuar edhe tek ata.

Derisa Euro 2012 sigurisht është suksesi më i madh i RTK-së viteve të fundit dhe nëse do të ekzistonte ndonjë matës audience do të sillte rekorde shikueshmëri për këtë kanal, ata nuk po harrojnë edhe ta ‘mjelin’ në maksimum këtë. E kuptoj dhe mendoj që është mjaft e qëlluar prania e disa njohësve të futbollit në studio, por mendimet ‘eksperte’ të disa emrave që nuk kanë kurrfarë relacioni me futboll na lënë pa fjalë. Nuk di nëse kanë synuar të ofrojnë një dozë komedie për neve, por s’dyshoj që po keni ndjenja të tilla kur po dëgjoni ato.

Sidoqoftë, Euro 2012 do të mbaroj këtë të diele. RTK nuk ka njoftuar asgjë për Lojërat Olimpike, por ato nuk do të arrijnë një shikueshmëri më të lartë se futbolli. Blerja ekskluzive e të drejtave për Euro 2012 ishte një mesazh i qartë që televizionet kombëtare mund të konkurrojnë me platformat private. Nuk e dimë se sa futboll do të shohim në vjeshtë, por shpresojmë që ai më cilësori të jetë pa pagesë.

E nëse RTK akoma mund të konkurroj me platformat më të pasura televizive, nuk mund të themi të njëjtën gjë për RTV21 dhe KTV. RTV21 kurrë nuk ka ofruar ndonjë alternativë televizive gjatë verës. Kemi pasur aventurat e Lukasit dhe Zhades, Mbretin e Lopëve, Mehmetat dhe tani Sulltanin. Në anën tjetër KTV sillte Wimbledon-in, kampionatet evropiane e botërore në basketboll, e filma e seriale të cilësisë më të lartë.

Derisa ky sezon televiziv ishte më i gjatë se zakonisht – shenja e parë që diçka nuk është në rregull, ishin edhe titujt e filmave të cilët nuk ngjanin në ata që zakonisht shfaqen KTV. Goditja e tretë ishte rikthimi i 3 Gjermanëve të Trashë pas shtatë viteve. Seriali do të zëvendësojë Rubikonin, pra do të shfaqet tri herë në javë, ndoshta nga dy episode në mbrëmje. Janë gjithsej 70 episode që do të duhej të mbulonin tërë verën. Pra, asgjë e re dhe inovative në KTV, pos riciklim i programeve të vjetra. Dëshpërim total nga KTV!

Ah, mos të harroj – do të shfaqin edhe episode të Lales dhe dokumentarë të BBC-së pa ndonjë orar të caktuar.

Derisa në vendet tjera gjatë verës pushojnë edhe serialet turke, tek ne janë në shpejtësinë maksimale. Sulltani, e Lale do të vazhdojnë të na ‘freskojnë’ edhe gjatë kësaj vere, pa prishur ‘rehatinë’ e shikuesve.

Luan Morina

Kritik për TV&Film

Botuar në gazetën Zëri

Kolumna televizive për Zëri

Si zakonisht UEFA u jep të drejtat televizive kanaleve kombëtare, në shumicën e rasteve atyre publike, për të transmetuar kampionatin evropian. Arsyeja kryesore për këtë është që shikuesit të mos mbeten pa parë kombëtaren e tyre, apo më saktë të paguajnë për të parë kombëtaren e tyre. Ne nuk kemi fatin të kemi kombëtaren tonë, së paku jo edhe në këtë kampionat.

Megjithatë RTK arrin të ofroj të gjitha të ndeshjet për shikuesit tanë pa pagesë. Në rrjetin tokësor, kabllor, në internet e telefoni mobile, RTK ka të gjitha të drejtat për EURO 2012 dhe asnjë kanal tjetër nuk guxon të transmetoj këto ndeshje në territorin e Kosovës. Por, kjo nuk po respektohet në nivelin e duhur. Kemi dhjetëra reklama nëpër televizionet tona, ndoshta edhe në vet RTK, që reklamojnë se shfaqin ndeshjet në cilësinë e lartë, HD, apo edhe 3D. Herën e fundit që kam shikuar, RTK nuk jep asnjë ndeshje në ndonjërën nga teknologjitë e lartpërmendura. Në fakt, RTK akoma transmeton në formatin 4/3, por më duket se kanë bërë një përparim, ose vet sinjali është ashtu që ngushton formatin 16/9 duke përshtatur atë me shumicën e aparateve televizive në Kosovë.

Ato objekte që transmetojnë HD apo 3D marrin sinjalin nga ndonjë kanal tjetër dhe për një shumë të caktuar ua ofrojnë shikuesve që dëshirojnë të shijojnë teknologjinë e fundit. Me këtë RTK humb disa shikues, e për rrjedhojë edhe vet reklamuesi humb disa blerës potencial. Nuk mjafton vetëm mos transmetimi i ndeshjeve në SuperSport/Ipko, të cilët përsëri duket se provuan të fitojnë nga kosovarët, pa paguar ndonjë taksë për këtë. Është e zakonshme që SuperSport të drejtat për Shqipëri i shfrytëzon edhe për Kosovë, apo më thjesht paguan 1 për 2.

Dy gjëra irritojnë shikuesit kosovar. E para, reklamat e SuperSport se do të transmetonin EURO2012, dhe tani kanë një blackout total në kabllor. Nuk është hera e parë që Digitalb dëshpëron abonentët e saj. Ju kujtohet 2006ta, kur abonentët e Digitalb arritën të shohin vetëm Premier League, duke mbetur pa Bundesliga dhe Ligue 1 kur u bashkuan pronarët e Digitalb dhe Sat+ për të krijuar SuperSport?! Nuk është diçka e re për të cilën reklamohet dhe nuk e merrni. Tashti ndoshta mund të funksiononte ligji për mbrojtjen e konsumatorit, kuptohet nëse ju kanë premtuar se mund të shihni EURO2012!

E dyta është transmetimi jo në nivel i ndeshjeve në RTK. Pos që dikush dëshiron të shoh futboll në ekran të madh me më shumë detaje që RTK nuk e ofron, dikush duhet edhe të përdor “MUTE”-n për të shikuar i qetë ndeshjen. Statistikat mund të jenë gabim, por edhe gabimet kanë kufi. Por, disa komentime që shpesh marrin ngjyrosje banale janë të tepërta. Shpesh kemi komente që nuk kanë lidhje me ndeshjen që zhvillohet e që shpeshherë kalojnë në fjalë jo të mira për ndonjërën skuadër apo lojtar specifik. Pa marrë parasysh gabimet e lojtarëve apo skuadrave nuk është me vend që komentatori i ndeshjes, që zakonisht duhet të mbajt paanësi në këto ngjarje të nënçmoj/ofendoj ndonjërën skuadër apo individ që ka me mijëra tifoz e shikues të cilët në mënyrë indirekte kontribuojnë në pagën e atij komentatori, sidomos në rastin e RTK-së që pagat disafish më të mëdha se mesatarja qytetarit të thjeshtë i merr nga xhepat edhe ashtu të zbrazur të qytetarit. Me një fjalë komentatorët e ndeshjeve nuk po lënë hapësirë për analistët e angazhuar nga RTK për këtë kampionat, disa prej të cilëve vërtetë japin mendime shumë të mira.

Mendoj që RTK duhet të shfrytëzoj këtë mundësi të përkryer për të fituar shikuesin. E dimë që teknologjia mund të jetë diçka e lidhur me kushte eksternale, por komentatorët mund të zgjedhin fjalët që përdorin. Askush nuk i do ofenduesit dhe mendjemëdhenjtë të shesin mend në televizion publik!

Luan Morina

Kritik për TV&Film

Botuar në gazetën Zëri

Kolumna televizive për Zëri

Nuk di për çfarë arsye, por sezoni televiziv në kanalet tona zakonisht fillon në fund të shtatorit për të përfunduar kah mesi i qershorit. Ky ngjan më shumë në një stil turk sesa amerikan në ndarjen e sezoneve televizive. Sidoqoftë, vetëm RTK çdoherë në dy vjet është e detyruar të përfundojë sezonin televiziv në fund të majit, kjo për shkak të kampionateve evropiane apo botërore në futboll.

Ajo çfarë shfaqet në televizion tani e tutje nuk besoj që mund të ndryshojë shumë ndjenjat e shikuesve për skemën programore, kështu që le ta bëjmë një rishikim të këtij sezoni televiziv në tri kanalet tona kombëtare.

RTV21 ka skemën më të kotë prej të gjithave deri tani. E hëna është e mbushur me Kabare ose film artistik, derisa katër netët tjera të javës së punës vjen seriali Sulltani. Tepër e kotë! E shtuna sjell film, derisa e diela Thirrja e Artë. Lajmet e orës 22:00 po e shndërrojnë RTV21 në një kanal spanjoll që sjell programe prime-time afër orës 23:00.

Pos nja dy-tri emisioneve debatuese që kanë mbijetuar dhe Unë jam top-model, një version inferior nga ato origjinalet, vetëm emisionin për sportin 2me1 që sjell program cilësor. Vjeshta duhet të sjellë një RTV21 krejt ndryshe dhe me një skemë më interesante. Përgjegjësitë e programit në këtë televizion duhet t’i përvishen punës dhe të ngjyrosin skemën me më shumë programe tjera edhe në qoftë se do të thoshte sjellje të serialeve turke.

KTV ka një skemë ndoshta pak më të mirë se RTV21. Ka një hapësirë prej më shumë se 3 orësh për të ofruar prime-time, 2 prej të cilave pjesën më të madhe të javës shfrytëzohen nga Rubikon dhe Lale. Ajo çfarë po shkon dëm te KTV është ora 22:00 gjatë javës. Asnjë ditë nuk ka program cilësor, pos me ndoshta me përjashtim të Cosmos të premten. Programet tjera që transmetohen në këtë kohë s’janë të dobëta por më shumë do të përshtateshin pasdite ose fundjavave.

E gjatë fundjavave liga spanjolle ka dëmtuar në masë të madhe skemën e KTV-së duke i pamundësuar program origjinal dhe të rregullt. Rrallë herë janë dy ndeshje interesante brenda javës që ia vlen të transmetohen. Gjithashtu edhe Sporti në KTV në orën 19:30 ka një orar të zgjeruar më shumë se që nevojitet. Seriale të huaja, komedi dhe për të rinj, dhe ndonjë reality-show (jo më America’s Next Top Model) janë ato që i nevojiten KTV-së në vjeshtë.

RTK është kanali me më së shumti vrima në skemën programore. Kreu i ri i këtij televizioni ka shumë punë për të bërë. Në fakt kanali përngjan më shumë në një televizion informativ sesa të përgjithshëm. Pa Ligën e Kampionëve, që nuk është e sigurt se kthehet sezonin e ardhshëm, e marta edhe e mërkura është e vdekur në këtë kanal. E hëna funksionon akoma me Kafeneja Jonë që po shfaq shenjat e para të plakjes dhe Milioneri konstant.

E enjtja është e rezervuar për Jeta në Kosovë, derisa është mëkat që Oxygen fillon vonë pas orës 22:00 Edhe në RTK fundjava është e dobët, derisa e diela na tregon më së miri se sa informativ është ky kanal me Target dhe Drejtësia në Kosovë. RTK duhet të jetë më e hareshme të sjellë programe më argëtuese, diçka të huazuar që kushton më pak dhe është më cilësore se ato që sollën në vjeshtën e kaluar.

Në përgjithësi një sezon solid kosovar që mund ta përkufizojmë me seriale turke, futboll, dhe debate, debate, debate, debate….

Ka ardhur koha që televizioni të jetë vërtet një katërkëndësh që do të na bëjë të qeshim dhe të ndjehemi mirë…

Luan Morina
Kritik për TV&Film

Botuar në gazetën Zëri

Kolumna televizive për Zëri

Facebook, Twitter, së fundmi edhe Google+ edhe pse nuk ka arritur në nivelin e dy të parave janë bërë pjesë e pandashme e jetës tonë, sidomos asaj që quhet “gjeneratë e internetit”. Kjo demografi e popullsisë më së shumti gjendet në grupin më komercial të shikuesve, 18-49 vjeç. Televizionet tona për tu bërë më joshëse, për të siguruar më shumë shikues duhet patjetër të lidhen me këta shikues potencial. Fatkeqësisht, as në Kosovë e as në Shqipëri nuk ka kurrfarë mjeti që mat shikueshmërinë e kanaleve rregullisht. Nganjëherë realizohen sondazhe që ose paguhen nga ndokush për një qëllim të caktuar, ose nuk arrijnë të bëjnë një shpërndarje të barabartë të respodentëve për të pasqyruar rezultate sa më të përafërta. Kjo është arsyeja pse secili kanal dhe program del me deklarata bombastike se është “kanali numër”, “emisioni më i shikuar” e të ngjashme.

Një mënyrë e re e matjes së audiencës janë bërë “Pëlqimet” në Facebook. Disa programe kanë me mijëra persona që i pëlqejnë ato, e disa të tjera nuk kanë as faqe në Facebook, apo llogari në Twitter. Për më tepër më shumë se gjysma nuk kanë as llogari kontaktuese të postës elektronike, e disa përgjigjen vetëm nëse ka ndonjë të interesuar për reklamim.

Ka llogari në rrjetet shoqërore të televizioneve apo programeve, e edhe të platformave kabllore që janë hapur sa për sy e faqe dhe nuk ofrojnë kurrfarë informate të dobishme për vizitorët. Së fundmi është bërë zakon që të hapen edhe uebfaqet, edhe pse shumica e televizioneve lokale, dhe programeve të veçanta preferojnë një faqe në Facebook për shkak të kostos më të ultë dhe mundësisë më të madhe për të kontaktuar me shikuesit e tyre.

Sa po funksionojnë këto?! Të them aspak s’do të gabohesha. Të nisemi nga kanalet tona kombëtare. RTK, RTV21, dhe KTV kanë uebfaqe të tyre të cilat më shumë ngjajnë në portale informative duke ofruar lajme për një ngjarje politike se sa për një program të tyre. RTV21 ofron informata për skemë programore për një javë, edhe pse shpesh ndryshon vetëm data pasi skema mbetet e njëjtë pa u rifreskuar. RTK nuk ka skemë në dispozicion tashmë disa muaj, derisa KTV shfaq skemën programore për vetëm një ditë. E nëse kalojmë tek informatat për programet e veçanta apo episodet e radhës të emisioneve, ato i kemi në minimum apo nuk ekzistojnë fare. Të nisemi nga RTK e cila siç duket kurrë nuk ka ndryshuar këto informata pasi akoma ekzistojnë të dhënat për serialet që janë shfaqur para 5-6 viteve. RTV21 kohë pas kohe ofron video promo të programeve në kanalin e tyre në YouTube, derisa Kohavision ofron vetëm informata themelore. Megjithatë nëse shohim video-bibliotekën në internet, KTV qëndron shumë para kanaleve tjera. Ka arkivin më të pasur që mundëson të shihni emisione për disa muaj. Kanalet tjera ofrojnë vetëm episodet e fundit siç është rasti i RTK-së. Problemi tjetër është që shumica e programeve ofrohen në cilësinë minimale, që edhe mua personalisht do të më përshtatej, por ekzistojnë alternativat, e para me YouTube që ofron mundësinë për shikuesin të zgjedh formatin. Për më tepër është edhe një mënyrë e mirë për të siguruar të hyra, edhe pse mund të jenë në sasi të ultë.

Nuk di pse frikësohen nga publikimi i emisioneve të tyre në YouTube, Dailymotion, apo edhe Vimeo. Përkundrazi duhet të zgjedhin secilën mënyrë që do të bënte të shihej emisioni i tyre edhe më shumë. Kopjimi nuk mund të ndalet, ata që dëshirojnë ta shohin do ta bëjnë këtë. Por, një gjë e kanë më të vështirë ta bëjnë. Të largojnë reklamat që shfaqen brenda programit…

(vazhdon të dielën e ardhshme)

Luan Morina

Kritik për TV&Film

Botuar me 6 maj 2012 në gazetën Zëri

Kolumna televizive për Zëri

Të shtunën e kaluar në RTK nisi një format i ri televiziv “Kemi punë për ju”. I shumë promovuar nga RTK vazhdimisht tashmë disa javë, emisioni kishte arritur një para-zhurmë adekuate duke ngritur edhe pritjet nga ky program në një nivel të lartë. Është e vërtetë që promovimi i programeve në kanalet tona është në minimum, gjë që shkakton edhe vetëm pak njohuri për programet tona që për rrjedhojë nuk sjellin edhe shumë shikues.

Nga “Kemi punë për ju” prisja diçka inovative, të freskët, dhe joshëse në ekranet tona. Por, ndodhi krejt e kundërta. Pos që nuk kishte fare inovacion, formati i programit pos që dukej i kopjuar qartazi, nuk ishte realizuar në mënyrë të duhur duke e bërë më kompleks kuptimin dhe zhvillimin e emisionit e që në fakt ishte tepër i thjeshtë. Nuk di a ju kujtohet, por para disa viteve, të dielave kemi pasur mundësinë të shohim emisionin The Apprentice në RTV21 (ishin ato kohë kur RTV21 ofronte program cilësor)! Ju që e keni parë The Apprentice, dhe akoma e shikoni pasi ekziston versioni i personazheve VIP në SHBA, dhe versioni normal në Mbretëri të Bashkuar dhe disa vende tjera., mund tu referoheni këtyre versioneve për të gjetur ngjashmëritë e The Apprentice me “Kemi punë për ju”. Themeli, baza e emisionit është e njëjtë, por për të shmangur ngjashmëritë dhe ndonjë padi eventuale, që nuk besoj se do të ndodhte, në “Kemi punë për ju” kanë bërë gjërat më të koklavitura si numri i anëtarëve të jurisë, detyrat e paqarta, etj.

Shihet qartë se nga ka lindur ideja për “Kemi punë për ju” dhe sa i dobët ka qenë vizioni i producentit ekzekutiv. Kemi një juri prej 3 vetave plus 2 mentorëve të grupit, ku nuk dihet kush është shefi që po merr punëtorin dhe çfarë punë bëjnë tjerët. Garuesit mesa pashë ishin të gjithë në punë dhe tani luftojnë për një pozitë më të mirë, që bie ndesh me promon e emisionit ku thuhej se do të punësonin veta. Prisja më shumë student dhe të papunë të ishin pjesë e garës! E vet studioja ku realizohet pjesa kryesore e emisionit duket të jetë e përgatitur në një nivel nën amatorizmin. Sikur të kishin kërkuar licencë për të adaptuar versionin edhe nëse do të mund të paguanin, s’do të mund të kalonin aspektin teknik nëse do të kërkohej. Do të ishte turp për The Apprentice origjinal.

E në anën tjetër me pak punë dhe me pak inovacion, ide, kanë mundur të realizonin një format të shkëlqyeshëm, që s’do të pasqyronte The Apprentice në një pasqyrë të pluhurosur. Kur të bëni ndonjë format bëjeni siç duhet, edhe nëse vendosni ta kopjoni.

Nuk është vetëm “Kemi punë për ju” që kopjohet. Më herët kemi pasur “Shpija e Kosovës” që gjithashtu ishte kopje e shëmtuar e Big Brother.

Në fakt është Big Brother Albania që mund të krahasohet me versionet simotra të shteteve tjera. Edhe pse nuk jam fans i këtyre formateve, duhet të pranoj që punën që po e bëjnë stafi i Top Channel në përgatitjen e këtij formati është e shkëlqyeshme.

Top Channel dhe Klan TV së fundmi kanë adaptuar versionet e The Voice dhe X Factor. Derisa po arrijnë të adaptojnë për mrekulli pjesën teknike, sidomos tek The Voice, po dështojnë në resurset njerëzore. The Voice ka mundur të kishte prezantues më të denjë, derisa tek X Factor do të mund të ndryshonim 90% të jurisë së bashku me Alketa Vejsiun.

Ndoshta këto versione që na sjellin mund të joshin publikun e gjerë, por nëse keni parë versionet e huaja atëherë do të vëreni sa inferiore janë disa nga adaptimet e formateve të huaja, X Factor dhe Albanian’s Got Talent. Ngjashëm mund të mashtrojnë një pjesë të publikut se kinse keni krijuar ide dhe formate të reja, por disa nga ne do ta vërejnë se sa kopje të shëmtuara janë ato.

Botuar me 22 prill 2012 në gazetën Zëri

Kolumna televizive për Zëri

Big Brother, Vëllai i madh, Abeja, si të doni quajeni, ky emision po rikthehet dhe përsëri është koha për persona të panjohur të bëhen të pasur , të famshëm, dhe të njohur për publikun duke mos bërë asgjë pozitive. Për ata që më shumë ju interesojnë punët e huaja të kota, ky duket të jetë shou i përkryer. Seriozisht, një grumbull njerëzish, nga shtresa të ndryshme, disa muaj në një shtëpi të mbyllur, mund të jetë një tezë magjistrature apo doktorature për psikolog. Është e vërtetë që ky format ka bërë bujë në fillimin e viteve të këtij mileniumi në mbarë botën, e edhe pse ka ardhur paksa me vonesë tek ne, përsëri ka arritur ti “çmend” shqiptarët. Mendoj që vet premisa e shout është e thjeshtë, e cekët dhe jocilësore. Megjithatë nuk do të jetë emisioni i vetëm me këto veti, por më i shikuari prej tyre? Sigurisht! Kuptohet që shijet janë të ndryshme, dhe nëse populli e dëshiron atëherë shërbeju! Tekefundit janë ata që abonohen me mijëra për të realizuar çerekun financiar më të suksesshëm të Digitalb.

E kur jemi tek formatet e adaptuara, javën e kaluar përfundoi The Voice of Albania me shumë kritika për shpalljen e fitueses. Arsyeja pse nuk kam shikuar këtë program ka qenë kohëzgjatja maratonike që ka ndodhur vetëm me formatin shqiptar. Por, si zakonisht menjëherë fillojnë kontradiktat për shpalljen e fituesit, si pas çdo gare. Ndoshta në finale Rina nuk ishte më e mira, por sinqerisht ishte një performancë e barabartë nga të katërtit. Janë vet shikuesit që kanë vendosur me votat e tyre si në çdo program tjetër. Pajtimet do të lindin gjithnjë e zgjidhja e vetme do të ishte organizimi veç i versionit kosovar e shqiptar, por, përsëri do të dalin kontradikta në bazë të rajoneve më pas! Në përgjithësi The Voice mendoj që ka qenë një ndër formatet më së miri të realizuara.

Në mungesë të formateve të njohura, kanalet kombëtare kosovare janë përqendruar në futboll. Që nga paslufta kanë krijuar një kulturë kosovare televizive ku futbolli dominon. E nisur nga KTV dhe e vazhduar nga RTK, Liga e Kampionëve ka qenë gara futbollistike më e shikuar. Tashti për herë të parë kemi edhe garën e dytë ekipore evropiane, Europa League në KTV. Pak me fat për shkak të eliminimit të skuadrave të mëdha dhe shortit interesant, Europa League do të ketë ndeshje joshëse këtë sezon. E KTV ka edhe armën tjetër me Primera Divisionin spanjoll që ka filluar ta përdor në mënyrë racionale, tri lojë në javë, Reali, Barca dhe derbi i skuadrave tjera. Sigurisht që na mungon Premier Liga angleze dhe Serie A italiane, por ku do të vendoseshin këto gara në kanalet kombëtare. Rrallë ndonjë vend tjetër ka kaq shumë kampionate cilësore në kanalet kombëtare. Le të zbresim te miqtë tanë në Shqipëri. SuperSport, një ortakëri e Top Channel/Digitalb, Klan TV dhe kreut të FSHF-së dominon tregun e shfaqjeve sportive. Për të parë të gjitha ato që ne kosovarët shohim falas, shqiptarët duhet të paguajnë mbi 200 euro në muaj. Një mënyrë e mirë për të gëlltitur para shtesë ka qenë edhe SuperSport Kosova. SSK ka filluar operimin me shkelje të të drejtave autoriale në fillim, para se të mblidhte ajkën e garave sportive. Por, RTK dhe sidomos KTV me kapital privat kanë arritur të mbajnë garat e tyre. Sa do të zgjas kjo mbetet të shihet, por gjithçka është tek marketingu. Në fakt varet nga sa do ti rezistojnë lakmisë dhe presionit nga Ipko/Digitalb. Mos harroni që shqiptarët në Klan TV shohin vetëm përzgjedhjen e gjashtë nga tetë ndeshje të Ligës së Kampionëve, kosovarët të parën.

Luan Morina
Botuar në gazetën Zëri me 18 shkurt 2012, e shtunë