Televizioni

Një këshillë që kam gjetur të jetë e dobishme për të pasur një jetë më të qetë është ‘të mos mendosh shumë’. Mendimi i tepërt komplikon edhe gjërat më të thjeshta, shton shqetësimin, frikën, dhe mund të dërgoj deri tek depresioni. Filmi ’45 Years’ ju shtyn të mendoni. Shumë.

Por, nuk është një mendim i panevojshëm, përkundrazi është diçka që do të duhej ta bëni më mirë herët se vonë. Tregimi i këtij filmi të realizuar nga Andrew Haigh bazuar në strorien e shkurtër të David Constantine, rrëfen për një çift që përgatitet të festoj 45 vjetorin e kurorës.

Kate dhe Geoff janë një çift pensionistësh në një fshat të Anglisë, pa fëmijë, që bëjnë një jetë normale, të thjeshtë. Krejt kjo ndryshon kur Geoff nis të flas për të dashurën e tij gjatë kohës së luftës. Kjo bën që Kate të rishqyrtoj martesën e saj, tërë këto vite, jetën e saj, duke dyshuar nëse ka qenë vetëm zgjedhja e dytë, dhe zëvendësim i diçkaje që Geoff nuk ka mundur ta ketë për arsye të ndryshme.

Filmi ndjek këtë periudhë të Kate dhe Geoff, një periudhë tensionuese që shpesh herë shpërthen në më shumë se biseda të nxehta. Është një skenar tepër mirë i shkruar, shoqëruar me një aktrim tepër origjinal të Charlotte Rampling e Tom Courtenay. Për arsye të shumta, sidomos për shkak të temës, Charlotte Rampling arrin të portretizoj karakterin e saj për mrekulli, duke sjell tregimin nga perspektiva e saj me një mishërim që të thith në një ngjarje që po ndodh aty për aty, edhe duke harruar që është vetëm një film, dhe aktrim sipërfaqësor.

’45 Years’ është një film që përcjell një mesazh të rëndësishëm – kemi një jetë dhe duhet të zgjedhim mirë me kë ta kalojmë. E pjesa e dytë e mesazhit është që përkundër të kaluarës, ajo çfarë ka rëndësi është e tashmja, qoftë edhe pas 45 vjetëve të kaluara në kurorë. Nota personale: 5/5

Filma, Televizioni

Herën e fundit kur Matt Damon ishte në hapësirë më çante nervat. Kësaj radhe edhe pse dukej se i vinte sikur dënim, megjithatë isha në anën e tij.

Karakteri i Damon, Mark Watney mbetet i vdekur gjatë një stuhie që prek ekipin e astronautëve në planetin Mars. Pjesa tjetër e ekuipazhit lë trupin e tij në Mars për të marr rrugën e papritur për Tokë. Veçse Watney del të mos jetë i vdekur. Rruga nga Marsi në Tokë merr vite në këtë të ardhme të përshkruar në film që bazohet në librin e Andy Weir. Të mbijetosh me vite të tëra në një planet pa oksigjen derisa të arrij anija tjetër kozmike është absurde. Të kthesh anijen tjetër që të marr vetëm një astronaut duke rrezikuar jetën e pesë të tjerëve është vendim që vë në kundërshtim arsyen me emocionet. Ky vendim do të prek një sërë karakteresh gjatë filmit, por së pari duhet të themelohet kontakti me Watney, që do të ndihmoj në mbijetesën e tij.

Por, Watney nuk bazohet vetëm nga ndihma prej Tokës për të mbijetuar. Duke qenë një botanist, ai provon të bëj të pamundurën – të krijoj ushqim në Mars. Kjo i duhet për të mbijetuar. Sa i ndihmon kjo, aq edhe e mbyt muzika e zhanrit disko.

Në fakt filmi ka disa këngë të mira si kolonë zanore të cilat sa afrohet fundit aq më të mira bëhen. Është një nga anët pozitive të këtij filmi goxha të gjatë, ndoshta edhe të tepruar.

Gabimi i parë që mund të bëni para filmit është të prisni diçka të mahnitshme për sy, sikur ‘Gravity’ apo ‘Interstellar’. Filmi mbetet larg të dyve. Nuk ka shumë të ofroj në aspektin vizual, por përqendrohet në një tregim i cili shtjellohet me sukses duke përfshirë shumë karaktere që komunikojnë me dialogë normal, pa ofruar ndonjë gjë të veçantë.

Tregimi nuk është kushedi sa emocionues. Provon të marr një nivel të lartë emocionesh në pjesë të ndryshme, por ndoshta qasja e karakterit të Damon, vet aktrimi i tij nuk na lë të lidhemi me të. Ndoshta edhe kujtesa e freskët e imja nga puna e tij në ‘Interstellar’ nuk më ka lejuar të ‘ndjej’ problemet e tij.

Kasti përfshin emra si Jeff Daniels, Chiwetel Ejiofor, e Jessica Chastain të cilët kanë një hapësirë më të madhe në skenë. këta dhe të tjetër kryejnë me zell detyrat e tyre, por nuk mund të shoh Kristen Wiig në një rol serioz. Në fakt përfshirja e saj dhe nominimi i filmit si komedi për Globet, më bën të dyshoj se më ka ikur kjo pjesa ‘komike’ e filmit.

Sidoqoftë, ‘The Martian’ mbetet një film mirë i realizuar. Ofron një qasje ndryshe ndaj eksplorimit kozmik dhe qenies së njeriut se a do të jetë në gjendje të sakrifikoj njërin nga ne për të arritur përparim në këtë aspekt të jetës. Nota personale: 4/5

Televizioni

The Big Bang Theory

Ka nis mire, edhe me shikueshmërinë më të madhe tek serialet këtë sezon. Po m’pëlqen që pe shoh Amyn dhe Sheldonin t’ndam pak. Nuk m’kish mungu mi pa kshtu për ni kohë të gjatë. Pak po ma kujton atë fillimin kur jon kon bash ‘nerda’

Life in Pieces

Nuk m’ka pëlqy. Interesant ke që u lidhën n’fund ama shumë klishe, bajate storia. Nuk kthena për episodin e dytë. One and done.

Scorpion

Mirë ia nisi. Sikur sezoni I pare. Gjithë tu nga me zon momentin e fundit. Pat sende interesante. Ajo agjentja bajagi më pëlqej si karakter i ri. Mendoj që ka me zgjat edhe ma shumë se ky sezon.

Blindspot

Pilotin e kom pa shumë kohë ma herët. Në bazë të rezultateve të par të shikueshmërisë zor që mrrin sezonin e dytë. E kjo bonvaki osht ni arsye shtesë me kqyr. S’jom i sigurt që kthena për episodin e dytë.

Gotham

Perfekt episod. Po më pëlqen çka osht kah bohet. Me pa Xhimin si antagonist bajagi interesant ish. Tashti ngjarja po ecën në dy kahje. Bruce po e gjen veten, derisa Xhimi po kapet me ni kallaballëk zuzarësh.

The Muppets

Më pëlqej ma shumë se që e kom prit si episod i parë. Muppets më kujtohen moti kohë, n’90tat kur i jepshin TV e kojshive. E kish atë humorin pak thumbues derisa parqitja e fytyrave të njohura ke veq përparësi.

Fresh Off the Boat

Nuk ke episod i keq. Nona edhe koprracia e saj e dominun episodin. Ke një skenë kur flasin për pushimet për punëtorët. Shumë dyshe e fortë në ekran.

Empire

Shumë, shumë ma mirë se që e kom prit. Chris Rock si kriminel. Masanej loja që i boni Luciusi krejtve, me familjes me karakterit të Chrisit!!! Tepër tepër m’ka pëlqy. Ka arsye pse e ka gjithë atë sukses.

Modern Family

Phili si gjithë. Nja dy-tre screenshot të tij i kam rujt n’pc, sidomos kur thot ‘I know the love in another man’s eyes’, pastaj bisedat me Claire. Tregimi për Jay edhe Gloria nuk ke aq interesant. Mitchell si Van Gogh tepër kull.

The Goldbergs

Interesant. Më pëlqej sidomos fakti që shoqja e Ericas mendojke mirë për Beverlyn! Ama ni problem që osht vrejt ke se Adami kish fillu mu rrit. Kjo tregon që jo shumë kohë i kan mbet këtij seriali. Ama 4-5 sezone i ka sigurisht.

Black-ish

Edhe ma perfekt. Saherë që binjakat janë pjesë e temës kryesore seriali osht xixë.

Heroes Reborn

Jo qysh e kom prit. Edhe shifrat e para nuk janë shumë të mira. Nuk besoj që ka sezon të dytë. Ama send i mirë që osht kthy me mbyll atë tregim që pat mbet kurrqysh i mbyllur.

Scandal

Mirë. Jo shumë mirë. Sa ma pak romancë ndërmjet Fitz dhe Pope aq ma fort. T’kqyrim çka po bohet.

How to Get Away with Murder

Fort intrigues. Tashti po dihet kush osht krimineli. Ama nuk po dihet kah po ecin punët. Çkasmos po bohet.

Last Man Standing

Më vjen mirë që ma n’fund u kapa me këtë serial që e kom kqy ‘binge’ saherë nuk jom kon n’qef. Mendoj që ashtu kqyret edhe ma mirë. Provoi me qenë pak emocional, ama apët mirë ke.

Family Guy

Duhet mu kon diçka që nuk jom kon kurrë për me kesh me këtë serial – high, ose me u knaq me sarkazmin që përdorin karshi përditshmërisë amerikane. Nuk di pse humbi kohë me këta, ama hej 20 minuta n’javët nuk janë aq kohë e madhe.

Brooklyn Nine-Nine

Bill Hader veç për ni episod?! WTF!!!

The Last Man on Earth

Kadal kadale Phil po mbetet vetëm, ashtu qysh duhet mu kon. Nuk jom i sigurt që kisha pas qef me pa Jason Sudeikisin n’secilin episod. Edhe nime çka ke puna e tij?!

Once Upon a Time

Dy sezone kërcim kom bo ktu. S’jom krejt out, ama edhe s’jom krejt in. Frizura e re e Emma Swann – thumbs down!

The Simpsons

Goxha nifar ‘inception’ episod ke. Ama ke send i mirë. Më pëlqej bajagi shumë. Osht zor mu kon objektiv kur vjen puna te Homeri edhe kompania.

Cable

You’re the Worst

Ka nis me mu mërzit. Shumë po përzihen romancat. Ni episod po osht bajagi bizar, tjetri po bohet shumë romantik. Bllah.

Black Jesus

M’pëlqej që nisën mi thumbu organizimet religjioze financiare, diçka që John Oliver ka bo para disa javëve. Osht interesant koncepti edhe për to nuk besoj që kom me braktis nojhere.

South Park

Episodi i parë ka qenë ma i mirë. Po m’shkon nerva drejtori i ri i shkollës. Ama n’fund mirë u bo.

Ray Donovan

Finale për merak. Duhet me bo ni review ma t’gjatë për kta

British

Doctor Who

Edhe pse shikueshmërinë e vogël, dy episodet e para m’kanë knaq. Tepër tepër t’mira kanë qenë.

Downton Abbey

Sendet po bohen interesant. Mr. Bates shumë romantik u kallzu n’atë skenën kur i thotë grus ‘we are one, you shouldn’t cry alone’ e senne. Interesant mbet edhe puna e Edith, jeta e t’cilës nisi mu rrënu n’dy segmente. Gati se.

Televizioni

Është koha, në fakt ka kaluar pak më herët këtë vit, për të zgjedhur më të mirët. Ti vendosësh 50 emisione dhe të gjitha të japësh një vlerësim, sado i shkurtër që është, nuk është lehtë. Por, më rëndë është të shikosh rreth 100 formate televizive dhe të zgjedhësh 50 më të mirat.

Këtë sezon ka pasur prurje të mira në televizion. Formate të reja, bukur të realizuara. Por, ka pasur edhe emisione që kanë nisur të plaken. Këtyre emisioneve sikur iu ka humbur vullneti për të vazhduar, për të inovuar.

Ka pasur edhe emisione ‘banale’ për kah kualiteti, emisione të cilat nuk kanë vend në Top50, por emisione që më kanë bërë të vjellja.

Shpresoj që televizionet tona do të bëjnë përzgjedhje më të mençura dhe të ofrojnë cilësi e jo sasi për shikuesit vitin e ardhshëm, sidomos RTV21 dhe RTK (që furnizohet nga taksat tona) të heqin disa emisione të pështira. KTV e Klan Kosova janë më cilësoret për kah ofrimi i përmbajtjes programore. Rrokum TV ka shfaqur ‘shenja jete’, por ka shumë gjëra për të bërë. Vetëm HD nuk mjafton.

Kanalet lokale mbesin në nivelin amator, disa prej tyre duke shfaqur edhe filma e programe ilegale. Mbetem me shpresë që sezonin e ardhshëm të gjej diçka të hajrit për të përmendur nga to.

Mbi 700 orë të kaluara përballë televizionit gjatë sezonit të kaluar, duke provuar formate të ndryshme, duke bërë krahasime jo vetëm të brendshme, por edhe me televizionet rajonale e më larg, më bëjnë të mbetem akoma pranë qëndrimit që jemi larg televizioneve cilësore. Kemi përdorur si mentor vendet e gabuara.

Nejse, kjo listë është e përbërë prej mendimit tim, qejfit tim si njeri që kqyr shumë televizor. Shpreh mendimin individual, për herë të pestë.

Luan Morina

50 – AS (RTK)

RTK kur vjen tek sporti është dëshpëruese. Krejt faji është tek Europa League që zhvendoset në kanalet kabllore të këtij televizioni, e jo krejt kanë kabllor.

Formati i AS është vjetruar, nuk ka sjell shumë risi, e gjithashtu me potenciali që ka ky televizion ka qenë zhgënjyes.

49 – Liga e Kampionëve (RTK)

Do e shfrytëzoja këtë pjesë vetëm për tu ankuar në komentim katastrofal të Skyfterit. Arbeni më duket më serioz, por si thonë ‘një mollë e prishur, e prish krejt gajben’. RTK është zhgënjyese kur jemi te sporit. Skyfteri është i padurueshëm për mua.

Mëkat që RTK nuk ka konkurrencë në blerjen e të drejtave të Ligës së Kampionëve.

48 – Çelësi (RTV21)

Është ide interesante. Eliza është e zonja në profesionin e saj dhe njohuritë e saja janë thesar edhe për shikuesit. Nevojitet një emision i tillë, por jo në atë orar. Të dielat në mbrëmje mund të shfrytëzohen për programe më argëtuese.

47 – Subvencion (RTK)

Emisionet ekonomike janë bërë me bollëk kohëve të fundit. Subvencion nuk gëzon më atë monopolin që kishte para disa viteve. Ndoshta edhe kjo ka bërë që personalisht të mos jetë përzgjedhja ime e parë. Akoma ka cilësi, por mungon inovacioni.

46 – Fort (Rrokum TV)

Po më pëlqejnë idetë për formatet e reja në Rrokum TV. Fort është program i mirë, debatues. Fidani bën punë të mirë, dhe duke marr parasysh jetëgjatësinë e emisionit, mund të presim ditë edhe më të mira për këtë emision.

45 – Standardi ynë (RTV21)

RTV21 News është projekt që shumë lehtë mund të jetësohet. Ka mjaft programe informative në RTV21 bazë, e njëri ndër ta është edhe ‘Standardi Ynë’. Është program i mirë ekonomik që arrin të mbijetoj përgjatë tërë këtyre viteve.

Realizohet për merak, nuk ka kufizime vetëm në studio siç ndodh me disa programe tjera. Tema mirë të përzgjedhura, mysafirë edhe më të mirë.

44 – Nëpër Film (KTV)

Ide e mirë. Ka mundur të jetë edhe më mirë. Shumë më mirë. Sidoqoftë, emisionet për film janë të domosdoshme, për secilin kanal. Fatkeqësisht KTV ka heq dorë nga filmat, ka zhgënjyer sidomos për një kanal që sjelltë ‘filmat më të mirë të shekullit’ para disa viteve.

43 – 2 me 1 (RTV 21)

Ka qenë programi më i mirë sportiv deri këtë vit. Tani, kam frikë se bie më poshtë. Agimi bën punë të mirë, ka mysafirë mirë të zgjedhur. Por, sikur të kishin më shumë gjëra për të diskutuar si rrjedhojë edhe më shumë ngjarje sportive do të kishte qenë edhe më mirë.

42 – Multimedia (RTK)

Emisioni i duhur. Ka gjëra të mira, por ka qenë më i mirë më parë. Ka potencial, por nganjëherë si çdo kund edhe këtu duhen inovacione, risi.

41 – Zyrja për gjithçka (RTK)

Nuk di çfarë ndjej për këtë serial. Provon të jetë një grumbull skeçesh, që do të na bënin të qeshnim. Por, jo shpeshherë qeshi. Në fakt rrallë e shikoj. Ka ndryshuar formatin, orarin e shfaqjesh shpeshherë.

Akoma qëndron pran idesë që zhvendosja e ‘Kafenesë…’ në ‘Çajtore…’ në katundin e Avniut do të ishte shumë më e mirë, dhe më e shikuar.

40 – O sa mirë (Klan Kosova)

Kurrë nuk kam arritur të joshem nga ky serial. E vetmja arsye është kolona e të qeshurave. Nuk jam fans i përgjithshëm i kësaj dukurie, ama kur teprohet, teprohet, dhe teprimi nuk është kërkund si këtu. Nëse duhet të qeshim në bazë të qeshurave të regjistruara, intelekti ynë do të duhej të ishte idiot. Ka të qeshura, ama shumë më pak se ato që lëshojnë në episode. Ndoshta pa të qeshurat e regjistruara do ta shikoja, edhe do të kënaqesha. Në këtë mënyrë s’jam i interesuar. Vendos në Top50 për shkak të popullaritetit që ka, ama jo për shijen time.

39 – N’Rrjet (KTV)

Pak a shumë më kujton ‘Riciklimin’. Por, është më ndryshe, më i zgjeruar, më i mirë. Ka potencial të kthehet në një hit emision sikur të elaborohej më shumë në idenë, dhe të thyente guacën aktuale.

38 – 35mm (RTV21)

Televizioneve tona iu nevojiten filma dhe programe për filma. ‘35mm’ është një risi e mirë që vjen këtë sezon. Ka një skuadër të mirë producentësh, derisa si format realizohet për merak.

Është një emision që mund të zhvillohet edhe më tej, dhe që duhet të ketë një vend të sigurt në skemën e RTV21.

37 – Automan (KTV)

Formati i ri po më pëlqen. Është pak i gjatë, i ekzagjeruar, por interesant. Kanë një ‘studio’ të mirë, mysafirë të këndshëm, duke u bërë një garë ngazëlluese, shpeshherë.

Automan-in shumë lehtë, pa rezerva, do ta quaja edhe Top Gear-i kosovar.

36 – Familja ime (Klan Kosova)

Emision shumë i duhur me orar të përkryer. Debate të mira, për tema të nevojshme për tu trajtuar. Ka mysafirë të përzier që e bën edhe më interesant emisionin.

35 – Bujku (RTK)

Programi për fshatin dhe bujqësinë e blegtorinë për vite të tëra sundon shikueshmërinë të dielave në Britani të Madhe. Bujku nuk është afër, por është një emision që i nevojitet televizioneve tona. Ndoshta emisione në studio, debate e të ngjashme do të ndihmonin edhe më shumë këtë emision.

34 – Me Agim Kasapollin (Rrokum TV)

Agim Kasapolli është dojeni i gazetarisë sportive në territorin tonë. Është kënaqësi ta shohësh akoma në zejen e tij të preferuar. Rrokum TV bën mirë që e mban në gjirin e tij, derisa cilësia e programit nuk vihet në mëdyshje. Kasapolli ka aftësi të mëdha në realizimin e bisedave, derisa njohuritë e tija mbi pedagogjinë sportive nuk mbesin kurrë në plan të dytë.

33 – Oggy and the Cockroaches & Let’s Go Pocoyo (KTV)

Dy nga ‘crtanat’ e preferuar të mi janë shfaq këtë sezon n’KTV. Vetëm ‘Sandokani’ që ka qenë më i mirë. Më pëlqen fakti që KTV i ka kushtuar më shumë rëndësi më të vegjëlve. Ka edhe më shumë hapësirë për ta, por me rëndësi është që përzgjedhja po bëhet me mend. Vetëm sikur edhe të rikthehenin Sandokanin.

32 – Click (RTV21)

Leart Hoxha më kujton ‘Ukshinin’ e ‘3 Gjermanëve të trashë’. Duket se nuk ka punë që nuk mund të bëj. Pa keqkuptime, më pëlqen ‘universaliteti’ që ka, dhe për befasi më ka impresionuar me udhëheqjen e debateve politike në RTV21. Kjo e hedh në pah faktin që politika është më e rëndësishme se sporti derisa njerëz si Learti lënë sportin për politikë.

‘Click’ mbetet një format interesant, realizohet debat i mirë.

31 – Express KTV (KTV)

Emisioni simbol i KTV-së. Ka një ekip të shkëlqyeshme, bëjnë punë shumë të mirë, por për shkak të arsyeve të shumta, kryesisht teknike nuk më bie ta përcjell vazhdimisht. Por, ka potencial, ofron informata të rëndësishme, cilësore.

30 – Karadayi (RTV21)

‘Tashti Mahiri do të pushoj më. S’do të shpërndaj boksa e shqelme’ ishte komenti i një miku tek Maniakët e Filmave. Edhe pse në mënyrë ndoshta pak ironike, popullariteti i ‘Karadayi’ është e pamundshëm të përsëritet për një kohë të gjatë duke pasur parasysh cilësinë e serialeve dhe formateve aktuale turke në televizionet e tyre.

Edhe pse personalisht nuk e kam përcjell rregullisht, mendoj që ka qenë seriali më i mirë turk në televizionet tona pas ‘Ezel’. Por, akoma mendoj që pesë net në javë seriale turke janë tepër.

29 – Pa skenar (RTK)

Më pëlqen tejmase puna e zonjës Antigona. Ka një mision të madh, bujar me emisionin e saj, e ai është konservimi i historisë më të mirë kulturore që ka populli ynë. Në ‘Pa Skenar’ shpeshherë sjell disa nga emrat më të njohur, të parët në sferat kulturore, revolucionarët e gjysmëshekullit të kaluar.

Edhe realizimi i emisionit është i shkëlqyeshëm. Bisedat shpesh prekin tema që zgjojnë krahas interesit edhe nostalgji, duke pajisur shikuesin edhe me njohuri që i japin një konotacion shumë më pozitiv periudhës së kaluar.

28 – 038 (KTV)

Mbetet kualitative që kur është vendosur një herë në javë. Ka më pak tema për të diskutuar, tema që kanë më shumë hapësirë për tu diskutuar që edhe e bën emisionin më cilësor. Si një jo-banor i Prishtinës nuk është diçka që duhet ta shikoja, por më pëlqen mënyra e realizimit.

27 – Pro X (KTV)

Ana Rrustemi ka bërë një punë të mirë. Të mençur. Duket se e urren të zakonshmen dhe dëshiron të shkoj më thellë, tek prapaskenat e jetës së të njohurve. Pro X sjell rrëfime interesante, intriguese. Shpeshherë të kënaqin. Ide e mirë, meriton çdo lëvdatë, ngjashëm si realizimi.

26 – Arkivi (RTK)

“Nostalgjia është një ndjenjë e fortë; mund të shfaqet fuqishëm nga gjithçka” – thotë njëri nga regjisorët e mi të preferuar, Terrence Malick.

Edhe ‘Arkivi’ sjell të kaluarën për ta gjykuar nga pikëpamjet dhe situata aktuale. Më pëlqejnë temat që diskutohen, kanë një studio të bukur, dhe formati realizohet me biseda interesante, të cilat mund edhe të menaxhohen më mirë. Por, është një emision tepër i mirë.

25 – Çka ka me hongër (RTV21)

Më pëlqen karizma e moderatorit. Është shumë i qetë, i hapët, dhe përgatit gjëra të thjeshta. Thjeshtësia e bën të mirë, por jo edhe më të mirin emision kulinar. Megjithatë është ndër projektet më të mira të RTV21.

24 – Pun pun (KTV)

Visar Arifaj është karizmatik. Ngjashëm si krejt ‘Trembelat’. Kjo është dëshmuar edhe me PF-në. Zotësia e tyre kreative është vërejtur edhe tek përgatitja grafike e emisionit. Ka qenë një ndër prurjet më të mira këtë sezon në TV. Ka qenë interesante, inovative, e kënaqshme për tu shikuar.

Ndoshta do ta rendisja më lart sikur në mesin e finalistëve të ishin emra tjerë, e jo njerëz që kopjojnë idetë e tjerëve. Sidoqoftë shpresoj të ketë sezon të dytë, pasi botës televizive i nevojiten emisione të këtilla.

23 – Cosmo (KTV)

Shumë mundime ka pasur ‘Cosmo’ nëpër vite. Shpeshherë ka qenë në pushim, i është ndryshuar vendi i transmetimit, por akoma mbijeton. Trajton disa tema të veçanta, me një ton pak pikëllues, por janë tema që na nevojiten. Ka orar të mirë tani, realizimi kurrë nuk ka qenë në mëdyshje për kah cilësia. Më pëlqen puna që bëjnë skuadra e këtij emisioni.

22 – Info Magazine (Klan Kosova)

Magazinë informative ndryshe nga formati i lajmeve. Çdo pasdite. Po, faleminderit. Është një program i realizuar për merak. Kushtrimi bën punë të shkëlqyeshme si moderator, e shpesh edhe si një ndarës drejtësie ndërmjet dy mysafirëve. Aftësitë e tija në menaxhim bisedash nuk duan koment. Përvoja e bën të veten, tani duke e vendosur këtë emision në një nivel shumë të lartë se para disa viteve.

21 – Ngjyra Ngjyra (KTV)

Një ndër gjërat më të mira që ka bërë këtë sezon televiziv KTV ka qenë shtimi i programit të fëmijëve. Shumica e titujve më kanë pëlqyer shumë, por asgjë nuk e tejkalon ‘Ngjyra, Ngjyra’. Vet qëllimi i emisionit përshtatet me mendimin tim, dhe të shumicës besoj, se na nevojiten programe edukative për fëmijë.

Edon Bërveniku ofron një thesar njohurish për temat që trajtohen në çdo episod. Me një oratori të mrekullueshme, ai arrin për pak minuta të rrumbullakoj temën që flitet duke mos lënë anash asgjë prej detajeve thelbësore. Formati i emisionit është i lezetshëm, sidomos pyetjet dhe punëdoret e fëmijëve.

I uroj jetë të gjatë këtij emisioni dhe një falënderim KTV-së dhe Riversal Studios që kanë sjell një projekt të këtillë për më të vegjlit. Patjetër se e meritojnë Top20shin.

20 – Urban Pop-Box (Klan Kosova)

Më pëlqen ideja. Më pëlqen formati. Më pëlqen orari. Më pëlqen DJ. Por, mbi të gjitha më pëlqen muzika. Është emisioni perfekt për të ndjek Ora 7. Me këtë dyshe, Klan Kosova duhet të mbizotëroj shikueshmërinë e paradites.

Është një bashkëpunim i përkryer.

19 – Rendez Vous (RTV21)

Korab Lecaj është ndër autorët më të mirë në RTV21. Aftësitë e tija vërehen më së miri tek ‘Rendez Vous’ që është një emision debatues kulturor për lakmi. Debatet që realizohen aty janë të një niveli, kalibri të lartë maturie, duke mos rrëshqitur asnjëherë nën normalen, kjo kryesisht falë moderimit të përsosur të Korabit.

Ka një orar të mirë transmetimi, tani me studio edhe më të mirë, dhe mysafirë të zgjedhur me vëmendje. Ndër emisionet më të mira të RTV21. Në fakt më i miri sipas kësaj liste.

18 – Telekino (RTK)

Emisioni i pari i filmit vazhdon të mbetet më i miri. Telekino mbetet ai i vjetri me format të kalitur, me tema të përzgjedhura për qejf, dhe mysafirë të duhur.

Neve si shikues na ofron informatat e duhura për botën e filmit, gjithçka që na nevojitet. Sikur edhe RTK të ishte në të njëjtin nivel me filma sikur është cilësia e Telekinos.

17 – Ora e pasdites (Klan Kosova)

Sjell tema të zgjedhura mirë. Nuk është program i destinuar kryekëput për gjininë time, kryesisht, por, megjithatë kohë pas kohe trajtojnë tema interesante. Së bashku me Info-Magazine shkojnë për merak, si një makinë e lubrifikuar mirë për pasditen në Klan Kosova.

16 – Drejtësia në Kosovë (RTK)

Programi sekondar i JnK-së që seriozisht rrezikon primarin. Që nga fillimi më ka pëlqyer ideja dhe formati. I vetmi program investigativ guximtar në televizionet tona që fatkeqësisht nuk e ka jehonën që do të duhej ta kishte.

Respekt për skuadrën që realizon këtë program. Meritoj çdo lëvdatë.

15 – Me Shukin (KTV)

Shuki gjithë ka qenë kontrovers. Kthimi i tij në televizion nuk ka mundur të sjell një karakter të ri. Vetëm sa ka përshkallëzuar vulgaritetin e tij në krahasim me përditshmërinë televizive. Por, më pëlqen stili i tij, edhe pse jo rrallëherë e tepron me banalitet. Futet në ring pa dorëza, dhe të njëjtën duhet ta presin mysafirët e tij.

Pos bisedës që mund të merr kahun më të papritur, ‘Shuki n’terren’ është edhe më interesant. Studioja për qejf. Shpresoj të mbetet për një kohë të gjatë, por sa më pak emisione aq më i freskët do të mbetet.

14 – Ekonomia me Erëzën (Klan Kosova)

Erëza Vela Berisha ka qenë prurja më e mirë sezonin e kaluar në TV. Sezoni i parë më ka magjepsur për formatin dhe cilësinë në të cilën ka ardhur. Mund të them lirshëm, pa pikë dyshimi që ‘Ekonomia me Erëzën’ është programi më i mirë për ekonominë në televizionet kosovare të pasluftës. Biroli e ka pasur një program të mirë, por jo shumë jetëgjatë.

Programi pos temave shumë mirë të zgjedhura sjell edhe një mysafirë shumë profesionistë dhe të përshtatshëm me temat që diskutohet. Kjo mundëson një muhabet shumë të frytshëm për shikuesin.

Ky program edhe dëshmon që realizimi i emisioneve me kompani të treta producente, jashtë vet televizioneve është një veprim shumë i duhur për botën televizive.

13 – NBA n’Kujtesa (Kujtesa)

Gara më e mirë që transmetohet në Kujtesa. Padyshim. Për një popull që e do basketbollin kaq shumë, mungesa e NBA-së në televizionet tona ka qenë ‘krim’. Tani Kujtesa ka ofertën më të mirë të basketbollit me NBA e Euroligën. Sjellin ndeshjet kryesore të javës, komentimi në të shumtën e rasteve është i shkëlqyeshëm. Në përgjithësi oferta sportive është e kënaqshme krahasuar me çmimin.

12 – Komiteti (RTK)

Thjeshtësia e bën këtë emision ai çfarë është e për mendimin tim është një ndër emisionet debatuese politike më të mira. Duket sikur po diskutohet brenda një qelie dhe afërsia e intervistuesve me mysafirin është fizikisht shumë intime. Kjo e bën edhe më të afërt bisedën për neve si shikues.

11 – Rrokum Rroll (Rrokum TV)

Emisioni i dytë më i mirë debutues këtë sezon në televizionet tona. Më i miri në Rrokum TV. Në rast se ky televizion dëshiron të fitoj licencë tokësore, i nevojiten emisione të këtilla, emisione që e fusin në televizionet serioze duke e bërë më shumë se televizion lokal.

Rrokum Rroll ka një format të mirë, me moderator të shkëlqyeshëm që arrin të gjej balancën brenda 30 minutave si në interaksion me shikuesit ngjashëm edhe me mysafirët. Fidan Jupolli ka një karizmë të veçantë si autor i emisionit, që e bën këtë emision të denjë për Top12.

10 – Jeta në Kosovë (RTK)

Ka vite që JnK nuk arrin të rehatohet me orarin që i ofrojnë në RTK. E marta do të ishte e përkryer pasi nuk ka futboll e gjësende tjera për ta devijuar orarin.

Jeta Xharra pos që ka talentin e saj në menaxhimin e debateve, ka arritur të mbledh edhe një skuadër të fuqishme përreth vetes. Hulumtimet, raportet nga terreni, të gjitha shërbejnë si ‘paralojë’ për debatin. Programi më i mirë debatues në RTK. I vetmi që i duhet këtij televizioni.

9 – Vikendi (RTK)

Blerim Peci dhe puna e tij më ka pëlqyer qysh nga ‘Show Meselation’. Ka arritur të mbaj nivelin e aftësive të tija në skenar dhe tek Vikendi më pëlqejnë disa pjesë të emisionit, mbi të gjitha ‘udhëtimi në kohë’.

Fakti që kjo pjesë mbetet akoma gjëja më e fuqishme është pak frikësuese për të ardhmen e emisionit. Është programi më i mirë në RTK pa dyshim, dhe ka edhe 2 sezone të mira në vete me këtë tempo, ama pak risi nuk do ti bënin zarar askujt.

8 – Sports Show (Klan Kosova&Kujtesa)

Arbër Loxha nuk është vetëm në mesin e komentatorëve më të mirë, mos të them edhe më i miri në Kosovë. Por, thjesht mund të them që është më i miri kur vjen në pyetje analiza sportive. Njohuritë e tija janë oksigjen për sportdashësit kosovar. Më vjen mirë që ka kaluar edhe në këtë fushë pos komentimit.

Afër ka një skuadër djemsh nga Kujtesa që kanë aftësi të mira si në komentim, ashtu edhe në analizë. Mënyra e moderimit nga Klan Kosova mund të jetë më e mirë, por nuk është që po lëndon cilësinë e emisionit. Por, mund të jetë edhe më i mirë.

Televizioneve kosovare i është nevojitur një program si ‘Sports Show’ për të shqelmuar formatin e vjetruar ku në vend të debateve kemi vetëm intervista një me një.

7 – Oxygen (KTV)

Të realizosh 40 emisione në vit dhe të jenë të gjitha të cilësisë së lartë është e pamundur. E njëjta gjë vlen edhe për mysafirët.

Besim Dina ka një të mirë që di të adaptohet me mysafirin përballë. E di nivelin e lirisë së të shprehurit, limitet e bisedës, dhe në bazë të distancës ndërmjet këtyre limiteve arrin të bëj një muhabet të mirë.

Ata që e kanë parë emisionin me Adriatik Kelmendin kanë arritur të shohin aftësitë e tij të pacenuara. Gjithashtu kanë arritur të shohin një fytyrë tjetër të Adriatikut i cili vlen të përmendet si njëri ndër moderatorët më të mirë në historinë e televizioneve kosovare. Pos që ka arritur të hedh në pah aftësitë e Besimit si moderator, Adriatiku edhe ka ngjitur më lart ‘Oxygen’-in këtë vit.

6 – Ora 7 (Klan Kosova)

Nuk më nevojitet serioziteti i tepërt qysh në mëngjes. Keka ofron qëndrimin e duhur për të uruar një ditë të mbarë. Është i hapur, i thjeshtë, i gëzueshëm, dhe qasja e tij ndaj informatave qofshin të mira apo të këqija pasqyron edhe qasjen time si shikues.

Studioja është e hapur, e thjeshtë, sikur të jenë duke luajtur. Dua të them nuk ka aspak formalitet, gjë që e bën emisionin më të mirë të mëngjesit në programet shqiptare. Për mua është kafeja e cila u nevojitet shumë vetave. Jo mua që shikoj këtë emision.

5 – Te Linda (KTV)

Mbetet emisioni më i mirë kulinar i realizuar në televizionet tona mbarëkombëtare. Thjeshtësia e emisionit e bën atë çfarë është. Ka receta të lehta, të pakomplikuara që e afron me shikuesin. Realizohen në kushte normale, të pakomplikuara, edhe një afrim me shikuesin.

Prezantuesja është ‘mikpritëse’ për shikuesin, e e njëjta vlen edhe për shikuesit. Në sondazhin e realizuar para disa javëve bindshëm ka fituar në kategorinë e kuzhinës. Më vjen mirë që nuk jam i vetëm në vlerësimin që kam për këtë emision.

4 – Puls (KTV)

Pulsi këtë vit ka dal në plan të parë. Mefa ka bërë disa emisione me tema të ‘guximshme’, emisione që kanë bërë bujë. Kësisoj tema na duhen të trajtohen më shumë. Kur shoh evoluimin e emisionit, dhe vet Mefës, ndër vite, shoh një ngritje graduale dhe shumë të sigurt, një konvertim i aftësive autoriale në diçka të shkëlqyeshme.

Emisioni me ngritjen më të madhe këtë sezon. Çdo lëvdatë për punën që bëjnë.

3 – Rubikon (KTV)

Të bësh tri emisione për javë, rreth 35 javë minimum në vit, nuk është pak. Nuk është e lehtë. Nganjëherë edhe duket e tepërt. Prandaj është e pamundur që çdo emision të jetë i shkëlqyeshëm. Por, shumica janë. E nga këto shumicën do të vlerësoja bisedat 1në1. Adriatiku është shumë i zoti në kësisoj intervista, dhe mendoj që është arma më e fortë e emisionit. Debatet janë të mira, por nganjëherë na mbesin në gjysmë. Nganjëherë ekziston ndjenja se nja 3 veta janë vetëm për të mbushur numër aty (Shpend Kursani vetëm do të kishte qenë i mjaftueshëm).

Dy herë në javë nuk do të ishte humbje. Përkundrazi ndoshta do të ishte edhe sukses dhe cilësi totale. Sidoqoftë, mbetet emisioni debatues më i mirë, në përgjithësi ndër emisionet më së miri të realizuara. E denjë për Top 5 – në çdo edicion.

2 – Çka ka shpija (RTK)

Naser Rafuna është njëri nga komedienët më të mirë të këtij shekulli (deri më tani kuptohet) në vendin tonë. Që nga paraqitja e tij e parë në televizion si Ganiu, pastaj Melja, e deri te Xheku, ka arritur të mishëroj karakteret që janë kthyer në hit për popullsinë e gjerë.

Në fakt, episodi i parë më është dukur zhgënjyes për shkak të transformimit të zërit të tij. Falë Zotit kam shikuar episodin e dytë, dhe që nga atëherë nuk kam humbur asgjë. Ka një grup të mirë ndihmës që nga Gresa, Ademi, e Lezja. Edhe fëmijët janë karaktere të mira. Ka skenar të mirë, më pëlqen kur dalin në eksterier, kur thyejnë murin e katërt, etj.

Mbi të gjitha më pëlqen realizimi dhe formati duke kaluar shpeshherë në thumbim ndaj vet shoqërisë. E meriton të debutoj në këtë pozitë.

1 – Interaktiv (KTV)

Emisioni më i mirë në televizionet tona.

Gjejeni një emision më mirë të realizuar, më të pëlqyeshëm, me të suksesshëm. Ka gjithçka, shpesh teprohet, shpesh më zë gjumi, shpesh vonohem për tu zgjuar herët. Është mënyra e përkryer për të përmbyllur ditën. Xhema dhe shoqëria bëjnë punën më së miri në televizionet tona.

Televizioni

 

Duhet të pranojmë që episodi i parë na gjen të habitur dhe na dërgon në një ambient jo-familjar për neve si shikues. Nuk është Saul, por është Mitch McGill, i vetëm në këtë botë plotë njerëzish të panjohur. Ashtu edhe do të mbetet, si Jimmy deri në fund të këtij sezoni. Krejt kjo vjen pas minutave bardhë e zi që shërbejnë si hyrje dhe na dërgojnë në jetën e Saulit pas ngjarjeve në ‘Breaking Bad’.

Por, sezoni më shumë zhvillohet në ngjarjet para BB dhe kalitjen e karakterit të Saul Goodman. Kemi një vështrim mbi historinë e familjes së Saul, një vështrim mbi karakterin e tij të butë, karakterin human që me kalimin e kohës sikur ai edhe ne e mësojmë që ndoshta nuk është edhe arma e duhur për të mbijetuar në një botë të atillë.

Jo vetëm Saul, ky sezon na ofron edhe karaktere tjera si Tuco e Mike. Edhe pse Tuco ka vetëm një episod me hapësirë të madhe, ai e dominon atë episod me paraqitjen e tij. Është ndjenjë interesante, e mirë ti shohësh përsëri këto karaktere në ekran.

Mike ka hapësirë më të madhe, dhe që nga momenti i parë në skenë të bën ta duash si karaktere, të ringjall atë dashurinë që kemi ndjerë ndaj tij tek BrBad. Janë dy-tri episode që e vendosin tregimin e Mike në plan të parë, por episod si ‘Five-O’ është vështirë të gjejmë në këtë sezon, dhe këtë vit në total. Ngjarja në këtë episod depërton thellë në tregim dhe karakterin që deri atëherë e kemi njohur si të ‘gurtë’ të Mike.

Qyshdoqoftë, ky sezon premton një vazhdim të tregimit të Gilligan, që përkundër mungesës së dyshes kryesore, dëshmon se një tregim mirë i shkruar mund të mbijetoj. Ndoshta ka edhe shumë kohë para se të kemi Saulin e vjetër, por nuk jemi për ngut. Nota personale për sezonin e parë është 5/5.

Televizioni

non-stopSë fundmi, me ‘Taken 2’ më saktësisht, disi cilësia e filmave me Liam Neeson në rolin kryesor merrte një ngjyrim të njohur si batutat me Chuck Norrisin. I vetëm karakteri i tij luftonte një ushtri të tërë, pa përjashtuar edhe një tufë të ujqve të egër.

Vet premisa e filmit ‘Non-Stop’ të bën të dyshosh që edhe ky film nuk do të ndryshoj shumë nga ata tjerët që përmenda. Por, nëse mendoni kështu siç mendova edhe unë, do të gaboheni. Pra, karakteri i Liam Neeson është një agjent i cili fluturon në udhëtime të ndryshme me qëllim që të ofroj sigurinë dhe të parandalojë ndonjë rrëmbim eventual të aeroplanëve.

Rasti i tij i fundit duket të jetë një rrëmbim më i komplikuar se zakonisht. Një kriminel që e kontakton vetëm me telefon dhe duket se ka sy brenda aeroplanit i bën shantazh atij duke kthyer të gjithë si jashtë edhe brenda aeroplanit të besojnë se vet karakteri i Neeson është rrëmbyesi i aeroplanit.

Kjo është vetëm pjesa e parë interesante e skenarit të filmit, që më ka befasuar për të mirë duke tejkaluar pritet e mija fillestar. Skenari bëhet më i shkëlqyeshëm në pjesën e dytë me lloj-lloj rrotullimesh. Misteri nis nga fillimi i filmit dhe të bën të dyshosh në secilën fytyrë që kap kamera, deri në fund. Kjo e bën filmin të shkëlqyeshëm – misteri dhe dyshimi në secilin, përfshirë edhe vet karakterin e Neeson.

E Neeson së fundmi është mësuar të bëj kësisoj filma aksion. Edhe nuk është se dështon në këtë zeje, përkundrazi vetëm sa e përsos dita e ditës. Por, përsëri disi të merr malli për të parë në karaktere si Oskar Schindler. Megjithatë Neeson është më shumë aktor për filma aksion se sa filma më artistik.

Impresionues është edhe kasti i filmit. Pos Neeson kemi edhe Julianne Moore, e Lupita Nyongo, të dyja të nominuara për Oskar, me Moore që ka një përvojë të hatashme dhe gjithashtu edhe një rol më të madh në film edhe pse jo statujën e Oskarit. Interesant është edhe aktrimi i Michelle Dockery dhe Corey Stroll, të cilët ishte përvojë e mirë ti shihje jashtë karaktereve që jemi mësuar ti shohim në serialet ‘Downton Abbey’ dhe ‘House of Cards’ respektivisht. Ngjashëm edhe Scott McNary që vjen nga ‘Halt & Catch Fire’, dhe Nate Parker që nuk ka aq përvojë në ekranin e vogël.

Në përgjithësi film më i mirë se që kam pritur. I realizuar shumë mirë, me skenar interesant që të mban interesimin deri në fund. Nota personale 4/5.

Televizioni

Po të veja bast jetën time në parashikimin e fituesve të Oskarëve dhe Emmy-ve, edhe po të isha mace do të isha asimiluar deri më tani.

Por, fatmirësisht nuk jemi njeri që beson në filozofinë e bastit dhe akoma jemi gjallë që vit pas viti të bëjmë kësisoj parashikime dhe të ankohemi në ‘ekspertët’ e akademisë së filmit dhe televizionit. Këtë vit, pak më ndryshe pas çdo kategorie kam renditur favoriti tim dhe fituesin që besoj se ka gjasat më të mëdha të marr me vete Emmy-n me vete.

Dhe për fund, atë që e përsëris në çdo parashikim – pa marrë parasysh fituesin, ai serial që ju pëlqen juve, ai është më i miri për juve. Ndjehuni krenar për ato që i shikoni, që ju pëlqejnë. Llojllojshmëria e shijeve është ajo që i jep bukuri njerëzimit.

 

KOMEDI

Edhe këtë vit tek kategoria e komedive dominojnë komeditë single-camera. Një fitore plotësisht e merituar e ‘The Big Bang Theory’ do të ishte një fitore edhe për komeditë multi-camera, por, s’do të ndodh. Prej komedive tjera vetëm ‘Modern Family’ që të bën të qeshësh. Dhe unë komeditë i shikoj të qesh, jo të buzëqesh, nënqesh apo të bëj atë ‘qeshjen e brendshme’ serioze. Jo që janë seriale që nuk meritojnë Emmy, por asnjëra nga këto tjerat pos ‘Modern Family’ nuk meriton Emmy para ‘The Big Bang Theory’. Por, esnafët e Akademisë së Televizionit janë njerëz ‘serioz’.

Për arsyet që i përmenda më lart, Melissa McCarthy, Jim Parson, Allison Janney, e Ty Burrell janë favoritët e mi nëpër kategoritë kryesore të aktrimit. Por, pos Parsons, të tjerët nuk kanë shanse të mëdha për Emmy.

 

Komedia më e mirë

Favoriti im – “The Big Bang Theory”

Fiton – “Modern Family”

 

Aktorja më e mirë në komedi

Favoritja ime – Melissa McCarthy, “Mike & Molly”

Fiton – Amy Poehler, “Parks and Recreation”

 

Aktori më i mirë në komedi

Favoriti im dhe fiton – Jim Parsons, “The Big Bang Theory”

 

Aktorja më e mirë dytësore në komedi

Favoritja ime – Allison Janney, “Mom”

Fiton – Anna Chlumsky, “Veep”

 

Aktori më i mirë dytësor në komedi

Favoriti im – Ty Burrell, “Modern Family”

Fiton – më shumë gjasa Tony Hale, “Veep”, kategori e hapur

 

 

DRAMË

‘True Detective’ është fituesi i kësaj kategorie për mua. Ka qenë seriali më i mirë, së bashku me ‘Fargo’ që kanë debutuar këtë vit. Gjithçka është perfekte tek seriali, duke nisur nga aktrimi i Matthew McConaughey e Woody Harrelson, deri tek tregimi i mahnitshëm i Nic Pizzolatto. ‘Breaking Bad’ është seriali që ju pëlqen të gjithëve. Por, ka fituar Emmy edhe më parë, prandaj s’do të ndiheshin keq esnafët të votonin edhe për ‘True Detective’. Ngjashëm s’do të ndjeheshin keq të linin ‘Mad Men’ të fitonte sezonin e ardhshëm për finalen e serialit.

‘House of Cards’ në të tri kategoritë kryesore është i denjë për fitues. Por, s’do të fitoj, edhe pse më së afërmi për Emmy do të ishte Robin Wright që këtë sezon ka pasur një rol që ka rënë më shumë në pah. Edhe Kerry Washington nuk do ishte befasi të fitonte, por, edhe një fitore e Claire Danes do të ishte bajate. ‘Homeland’ ka pasur një sezon ‘meh’, dhe pos Mandy Patinkin, të tjerët nuk do të veçoheshin për mendimin tim nga ky serial.

Tek aktori më i mirë në dramë do të shkoja me Harrelson para McConaughey, pasi ka më shumë paralele në karakterin e tij me sfera të ndryshme, derisa McConaughey është detektivi me një të kaluar të mistershme. Harrelson ka një Emmy për Komedi me komedinë më të mirë të gjitha kohërave për mendimin tim ‘Cheers’. Por, meriton të vlerësohet edhe për dramë. Ngjashëm sa meriton edhe McConaughey.

Hamm duhet të pres finalen, Cranston ka fituar më parë, Spacey e meriton por ‘True Detective’, derisa Daniels e ka fituar vjet.

Në rolet dytësore Christina Hendricks dhe Jon Voight e meritojnë të vlerësohet për sezonet e shkëlqyeshme në serialet e tyre vitin e kaluar. Sidomos Voight ka qenë i mrekullueshëm tek ‘Ray Donovan’.

 

Drama më e mirë

Favoriti im – “True Detective”

Fiton – “Breaking Bad”

 

Aktorja më e mirë në dramë

Favoritja ime – Robin Wright, “House of Cards”

Fiton – Claire Danes, “Homeland”

 

Aktori më i mirë në dramë

Favoriti im – Woody Harrelson, “True Detective”

Fiton – Bryan Cranston, “Breaking Bad”

 

Aktorja më e mirë dytësore në dramë

Favoriti im – Christina Hendricks, “Mad Men”

Fiton – Anna Gunn, “Breaking Bad”

 

Aktori më i mirë dytësor në dramë

Favoriti im – Mandy Patinkin, “Homeland”

Fiton – Aaron Paul, “Breaking Bad”

 

MINISERI/FILM PËR TV

Sikur vitin e kaluar edhe këtu pres të dominoj filmi që trajton homoseksualitetin si temë. Vitin e kaluar ishte ‘Behind the Candalabra’ me Michael Douglas e Matt Damon që fitoi kategoritë kryesore në ministri/film për TV. Por, ‘Fargo’ ka qenë një ndër dy serialet më të mira të reja këtë sezon. Edhe pse është antologji, nuk besoj se sezonet vijuese do të mund ti afrohen cilësisë së këtij sezoni. Billy Bob Thornton është i mahnitshëm në të gjithë episodet, derisa ka një kast përkrahës që ka bërë punë të shkëlqyeshme. Nuk mund të lë pas as regjinë e sidomos skenarin, që të dyja në nivelin superior të televizionit.

‘Sherlock: His Last Vow’ ka pasur një sezon shumë të mirë, dhe që do të mbetet në kujtesë për një kohë të gjatë, deri në sezonin e ri, që përsëri do të vonohet së tepërmi. Harmonia e Cumberbatch dhe Freeman në skenë është e mrekullueshme, e ngjashëm nuk mbetet mbrapa as skenari.

Por, ‘The Normal Heart’ që nuk i afrohet në asnjë aspekt asnjërës nga dy miniseritë që përmenda do të mbledh shumicën e Emmy-ve. Pa meritë, kuptohet.

 

 

Miniseriali më i mirë

Favoriti im dhe fituesi-

“Fargo”

 

Filmi më i mirë për TV –

Favoriti im – “Sherlock: His Last Vow”

Fiton – “The Normal Heart”

 

Aktorja më e mirë në miniseri/film për TV

Favoritja ime – Kristen Wiig, “The Spoils of Babylon”

Fiton – dikush prej AHS

Jessica Lange, “American Horror Story: Coven” ose

Sarah Paulson, “American Horror Story: Coven”

 

Aktori më i mirë në miniseri/film për TV

Favoriti im – Billy Bob Thornton, “Fargo”

Fiton – Mark Ruffalo, “The Normal Heart”

 

Aktorja më e mirë dytësore në miniseri/film për TV

Favoritja ime – Allison Tolman, “Fargo”

Fiton – dikush prej AHS

Frances Conroy, “American Horror Story: Coven”

Kathy Bates, “American Horror Story: Coven”

Angela Bassett, “American Horror Story: Coven”

 

Aktori më i mirë në miniseri/Film për TV

Favoriti im – Martin Freeman, “Sherlock: His Last Vow”

Fiton – Jim Parsons, “The Normal Heart”

 

VARIETETE

Në kategorinë e serialeve varietetesh, ‘The Colber Report’ do të duhej të përsëriste suksesin e vitit të kaluar. Ka shumë arsye pse të fitoj ky program, që edhe për mendimin tim është më i përkryeri i këtij zhanri në televizion. E para arsye është pensionimi i karakterit të Stephen Colbert. Kalimi i tij në ‘The Late Show’ do të na sjell një Colbert më serioz dhe jo aq konservativ në mënyrë sarkastike sa është në emisionin aktual.

‘The Daily Show’ meriton çdo lëvdatë, por Jon Stewart ka mbushur raftin me Emmyt dhe hë fitoi, hë humbi nuk do të bënte ndryshim. ‘Last Week Tonight’ me John Oliver është shou që ka nisur me këmbë të mbarë këtë sezon. Për shkak të kufizimeve kohore nuk është në mesin e të nominuarve, por, për sezonin e ardhshëm qysh tani do e bëja favorit.

Do të më mungoj edhe ‘The Late Late Show’ me Craig Ferguson, i cili do të lë këtë shou në fund të vitit. Për mua do të mbetet njëri nga më të veçantit, më të mirët që kurrë nuk është shërbyer për talentin e tij në këtë zhanër të televizioni.

 

Shou varietet – Favorit im dhe fituesi

“The Colbert Report”

Televizioni

Gjithnjë është vështirë të zgjedh më të mirët e sezonit televiziv, por ky vit ishte pak më me telashe. Vendosa të mos përfshijë serialet e huaja, të cilat këtë vit ishin më të shumta në numër, por megjithatë cilësia mungonte, sidomos komeditë dhe serialet për tinejxherë.

Pra, kam përfshirë vetëm programet që prodhojnë vet kanalet me përjashtim të ngjarjeve sportive që transmetojnë, e të cilat sigurisht nuk janë prodhim i kanalit, por një vendim i drejtë apo i gabuar për të sjell atë ngjarje.

Sasia e programeve është e bollshme, cilësia është shumë e pakënaqshme. Do të mund ta bëja edhe vetëm Top5 e Top10, apo sikur një vit edhe Top50, por disa programe nuk ja vlen as të përmenden.

Si zakonisht lista shpreh mendimin tim personal, dhe është rezultat i më shumë se 500 orë të kaluara para televizionit me programe vendore.

Është edicioni i pestë i kësaj përzgjedhjeje. Më shumë për renditjet e viteve të kaluara mund të gjeni tek Telekomanda.com

Për çfarëdo komenti në lidhje me listën, mospajtimeve, pakënaqësive e sendeve tjera mund të gjeni mënyrën të kontaktoni në morinaluan.com

Luan Morina
Kritik për TV&Film

Lista e më të mirëve në kanalet tona këtë sezon televiziv është si në vijim:

Top 20 – Kosovë

20.  1st Minute (First Channel)

Të jem i sinqertë First Channel nuk ka shumë programe që më pëlqejnë. E di që jo të gjithë mendojnë si unë, dhe respektoj mendimin e tyre. 1st Minute e gjen veten në Top20 për vetëm një arsye. Ajo është debati ndërmjet Valon Malokut dhe Fisnik Ismailit. Debati kishte pasur një periudhë ‘parapërgatitore’ me kundërthëniet e tyre në Facebook, që mund të ketë krijuar një audiencë të mirë, ndoshta disa që e kanë shikuar edhe për të vetmen herë sikur unë.

19.  Stinë dashurie (RTK)

Dukej si projekt interesant. Ishte episod i parë i mirë, më pëlqeu. Por, nuk më tërhoqi të kthehem për më shumë episode. Tregim normal, dramë me ngjyra telenovele vetëm se e lokalizuar deri në një masë. Të gjithë ato xhirime jashtë vendit mendoj që kanë qenë të panevojshme. Nuk di që shumë veta e kanë përmendur për të mirë. Megjithatë është mirë të nxiten prodhimet vendore, por, me tema më të hareshme që na shmangin nga këto ‘njolla’ të historisë dhe shoqërisë sonë. Për këtë arsye komeditë kanë shkëlqyer, derisa dramat e kanë pasur një sezon dhe në arkiv.

18.  Ora 7 (Klan Kosova)

Akoma mbetet programi më i mirë i mëngjesit. I vetmi në këtë listë. Keka bën punë të mirë në rolin e moderatorit, diçka që nuk gjenden as tek ‘Sot’ i mbipopulluar me gjininë e kundërt, e as tek dy programet e mëngjesit në kanalet tjera kombëtare. Gjithnjë është zgjedhja e parë e imja për programin e mëngjesit.

17.  Telekino (RTK)

Vazhdon të mbetet programi më i mirë për film edhe më tutje. KTV ka pasur një tentim të bëj diçka të ngjashme, por mund të them lirisht se kanë dështuar. Telekino vazhdon të mbetet guida kryesore nëse dëshironi të merrni lajmet e fundit për filmin. Gjithashtu së fundmi janë popullarizuar edhe Maniakat n’Facebook.

16.  Pulsi (KTV)

Kalimi i Pulsit nga një program ekskluziv për shëndetësinë në një program debati me shtrirje më të gjerë ka qenë një vendim i mençur për mendimin tim. Mefail Bajqinovci është adaptuar lehtë nga intervistat 1me1 në debate, dhe po bën punë të mirë. Ideja më e mirë do të ishte që programi të mbetet i përqendruar në fushën e përafërt me shëndetësinë, të diskutoj edhe për tema shoqërore, pasi ka mjaft çka të diskutohet për këtë.

15.  Zona e Debatit (Klan Kosova)

Shumë më e mirë se Zona B. Baton Haxhiu është njëri ndër moderatorët më arrogant dhe të njëanshëm që do ti gjejmë në televizion. Është vetëm mendimi im, por ka njerëz që pajtohen me këtë mendim. Vetëm pse ke në dorë kameramanin dhe regjisorin, nuk mund të kyçësh e ç’kyçësh këdo kurdo, e të ofendosh e nënçmosh dikë në televizion siç ndodhi rasti me njërin nga kandidatët për kryetarë të Mitrovicës.

Por, ata që e vendosin në këtë vend janë moderatorët dhe mysafirët që përkundër të gjitha që përmenda më lart, akoma vazhdojnë të jenë mysafirë dhe panelistë shumë interesant.

14.  NBA në Kujtesa (K-Sport)

Që nga kur Kujtesa vendosi të bënte pakon e sportit, platforma ka arritur të sjell disa nga ngjarjet më të mira sportive në Kosovë. Dhe krejt kjo me një çmim jashtëzakonisht të favorshëm për ambientin tonë. La Liga pati njërin nga sezonet më fantastike, dhe kjo vetëm sa pritet të bëhet edhe më interesant vitin e ardhshëm. Ngjashëm ishte edhe me Ligue 1 dhe Euroligën.

Por, ajo që shkëlqeu këtë vit ishte NBA. Si një fans i sporteve amerikane në përgjithësi, dhe NBA në veçanti ka qenë një kënaqësi që Kujtesa ka sjell për të gjithë kosovarët këtë ngjarje. Ishte një sezon fantastik, dhe shpresoj që Kujtesa të sjell edhe më shumë këso lloj ngjarjesh.

13.  Njerëzit dhe kujtimet flasin (KTV)

Është programi më i mirë që ka të bëj me historinë e luftës. Nuk ka nevojë për muzikë folklorike në sfond, për thurje të vargjeve poetiko-patriotike nga persona që ndoshta nuk kanë lidhje fizike me atë për të cilën flasin. E kam llafin për shumë ‘dokumentar’ që vijnë në RTK kohë pas kohe, edhe në prime-time.

Ky program sjell përvojën tmerruese të njerëzve që kanë parë me sytë e tyre të bëmat e luftës së fundit. Është program ‘i rëndë’ për zemër dhe tru, por, është program jashtëzakonisht i realizuar mirë.

12.  Imazh (RTK)

Imazh ka kaluar një sezon të përzier të them. Disa herë ka lëvizur nga skema, ka shtuar disa rubrika, lojëra që nuk më kanë pëlqyer.  Është mirë i realizuar, por, po lëvizën në kahun e kundërt. Ka shumë talent dhe aftësi për të bërë më mirë.

11.  Liga e Kampionëve (RTK)

Ka shumë pak gjëra në RTK për të cilat mund të flasim fjalë të mira. Ndër këto është departamenti i sportit. Si i vetmi kanal kombëtar që transmeton sport, RTK e ka dhënë provimin. Sjell dy garat më të mira në futboll, të gjitha ngjarjet e mëdha të kombëtareve, si dhe përvojën e skuadrave tona në skenën ndërkombëtare. Cilësia e garave është e mahnitshme, por komentimi mund të jetë shumë shumë më i mirë. Nuk mjafton vetëm Arben Berisha.

10.  O Sa Mirë (T Plus – Ipko)

Seriali i preferuar për shumë veta. E di që shumë flasin, e shikojnë dhe e duan këtë serial. Unë nuk jam në mesin e tyre. Ka shumëçka që nuk shkon me serialin. Ambienti i njëjtë, riciklimi i skenave komike, dhe mbi të gjitha të qeshurat artificiale tepër të shpeshta. Në asnjë serial nuk mund të qeshim për gjysmën e kohës së serialit që transmetohet. Tentimi i skenaristëve për të bërë çdo skenë komike, e duke vënë të qeshura artificiale në çdonjërën prej tyre më ka bërë që të mos përcjell këtë serial. Personalisht s’mund të duroj këto gjëra. Kasti i aktorëve është impresiv, ngjashëm si tek ‘Stinë dashurie’ por realizimi nuk është në nivel.

9.    Info Magazine (Klan Kosova)

Shumë më i mirë se Zonat e Batonit. Magazinë që prek temat e ditës dhe është një nga alternativat më të mira për të nisur mbrëmjen gjatë sezonit të dimrit. Shpesh janë debate me dy mysafirë 1me1 dhe moderatorin që dalin të jenë shumë të frytshme. Më pëlqen, sidomos në sezonin e dimrit.

8.    Drejtësia në Kosovë (RTK)

Emisioni që është spin-off i JnK-së ka bërë shumë gjëra të shkëlqyeshme viteve të fundit sa është në transmetim. Kontributi i tyre në këtë shoqëri nuk ka munguar as sezonin e kaluar televiziv. Emisioni vazhdon të prek tema të duhura, është i realizuar për mrekulli dhe padyshim që meriton vend në mesin e emisioneve më të mira në televizionet tona. Më pëlqen mjaft shumë, por ngjashëm si JnK preferoj ta shikoj në ueb.

7.    Oxygen (KTV)

Kalimi i Oxygen në KTV, i ka dhënë më shumë hapësirë kohore Besim Dinës. Por, të premten në mbrëmje unë s’do ti kaloj gati tri orë me vetëm një program televiziv. Ndeshja e futbollit zgjat 105 minuta, dhe nëse ti e tejkalon kohën që ka një ndeshje futbolli për një program televiziv atëherë teprohet. Më pëlqejnë debatet, shumica janë interesante, por stili i komedisë nuk është për qejfin tim. Kuptohet kjo i pëlqen një shumice, dhe e respektojmë këtë. Por, pjesa për lojën shpërblyese do të mund të ishte e ndarë veçmas dhe të transmetohet një ditë tjetër.

6.    Jeta në Kosovë (RTK-RTV21)

Personalisht nuk kam mundur të shikoj asnjë debat parazgjedhor. Në fakt, nuk kam dashur. Por, e di që shumica kanë lavdëruar punën e Jeta Xharrës gjatë kësaj periudhe. Unë s’do të ishte e drejtë të vlerësoja diçka që nuk kam parë, por kam shikuar disa debate të JnK këtë sezon, shumicën në ueb. Jeta Xharra është ajo e vjetra dhe po bën një punë të shkëlqyeshme.

5.    Fehi’s Show (RTV21)

Komedieni më i mirë në televizionet tona për mendimin tim. Si një fans i ‘late-talk show’ amerikane, mund të them që nuk i afrohet askush më shumë se Fehi’s Show për kah cilësia. Është program qesharak, ka rubrika të mira, por sikur të kishte më shumë emisione do të ishte më mirë.

4.    Vikendi (RTK)

Dyshja e njërit ndër shout më të mirë të pasluftës – Meselation, Blerim Peci dhe Fehmi Ferati janë në Top 5. Edhe një herë Vikendi është para. Vazhdon të jetë emision argëtues, ka skena të mira, rubrika komike, por ka pasur kufizime të shumta në kohë këtë sezon. Realizohet për mrekulli dhe është ndër të paktë shou që ja vlen të shikohet. Shpresoj që përkushtimi mos të bie, pasi sezoni i parë mendoj që ka qenë më i mirë se ky i fundit.

3.    Te Linda (KTV)

KTV gjithnjë ka kontribuar në sjelljen e emisioneve të gatimit. Por, asnjëri nuk mund të kaloj ‘Te Linda’. Është emisioni më i mirë për gatimin që vjen në KTV, duke pasur parasysh edhe Nigellan e Jamien që kanë qenë transmetuar më parë. Te Linda ofron receta të thjeshta, të përshtatshme për ne në krahasim me ato që përmenda më lartë.

2.    Rubikon (KTV)

Adriatiku vazhdon të jetë lideri i debatave në emisionet tona. Si në debate si në intervista 1në1, falë përvojës që ka akumuluar tërë këto vite, Adriatiku ofron Rubikonin të përkryer si një emision debati. Nuk është lehtë të jesh kundrejt ti në debat e lëre më në intervista 1në1. Pyetjet e bëra janë gjithnjë sipas rendit të caktuar, të ndërlidhura me temën dhe me një kohështrirje që nuk të lë të kërkosh më shumë në fund.

Debatet nuk i sheh të eskalojnë nga tema dhe karakteri, nuk ka ngritje të zërash, nuk ka fytyra të ngrisura, e lëre më fjalë banale. Thjesht është lakmi dhe shembull për të tjerët.

Më pëlqen të shikoj kurdo që kam kohë të lirë dhe nuk kam asnjë dyshim që është më i mirë se të gjithë emisionet që përmenda më lart.

  1. Interkativ (KTV)

Pas Rubikon, Interaktiv është emisioni i dytë nga KTV që fiton titullin e ‘kampionit’. Sa për një sezon fantastik, sa për cilësinë e akumuluar në të gjithë këto vite të transmetimit. Dhe çdo vit më duhet të përmend urrejtjen që kam pasur ndaj këtij programi kur zëvendësoi komeditë gjysmë-orëshe që sillte KTV para gjumit gjatë viteve tona të adoleshencës.

Por, tani ajo mbetet vetëm një kujtim i mirë, dhe një kohë e papërdorur në maksimum nga KTV siç ndodhi tani me Interaktiv. Më mirë nuk ka ku të shkoj. Xhema me kolegë po bën punë të mrekullueshme. Intervistat janë të shkëlqyeshme, panelistët e rregullt të mahnitshëm, e krejt kjo e bën njërin nga emisionet më të mira të shfaqura ndonjëherë në televizionet tona.

Interaktiv këtë vit ngjitet më së larti në podiumin e programeve më të mira kosovare.

 

 

Top 20 Shqipëri

20.  Vizioni i pasdites (Vizion Plus)

Vizioni i pasdites ka mbetur i vetmi emision që ia vlen të shihet në këtë pjesë të ditës. Pasdite në Top Channel nuk më ka pëlqyer kurrë me Lamën, derisa edhe më dobët i realizuar është Takimi i Pasdites me Magjistarin. Sigurisht që nuk jam audienca kryesore për këto emisione, mirëpo nëse më duhet të zgjedh nga këto tria, atëherë zgjedh Vizioni i Pasdites.

19.  Kënga ime (Klan TV)

Shumë më mirë i realizuar se sa ‘The X-Factor’. Ndoshta ndihmon faktin që nuk kemi Alketën për të na shurdhuar me mbidozën e emocioneve që vijnë në shprehje në çdo moment që lëshohet mikrofoni i saj. Për nostalgjikët e Këngëve të shekullit, muzikës së mirëfilltë shqipe, është një emision që deri disi na mbulon atë mungesën që kemi për këtë lloj muzike.

18.  Amerikani i parë në lajme (Agon Channel)

Talent shou i realizuar në mënyrë shumë të mirë nga Agon Channel. Ka një juri të mirë, konkurrentë të denjë, dhe realizimi teknik është në nivelin e kënaqshëm. Juria është e mirëfilltë, profesionale, ngjashëm me moderatorët. Sezoni i parë i mirë për ‘Amerikani i parë në lajme’.

17.  Dita e shtatë (Agon Channel)

Kush do të shpenzonte një të diele të plotë për të shikuar vetëm një emision. Njëqind herë do të zgjidhja një ‘maratonë seriali’, apo transmetime sportive përpara ‘E diel’, ‘E diela shqiptare’ e ‘Dita e shtatë’. Mos harrova ndonjë?! Megjithatë, nëse ngjashëm si tek programet e pasdites, edhe këtu duhet të zgjedh njërën, atëherë padyshim që do të shkoj me ‘Dita e shtatë’. Sjell një atmosferë ndryshe, jo të çoroditur, të thjeshtë, dhe me përmbajtje më thelbësore.

16.  Agonland (Agon Channel)

Agonland është vetëm një emision shtesë në grumbullin e emisioneve të ngjashme që sjellin televizionet tona. Megjithatë arrin të jetë emision më ndryshe për botën e shoubizit. Gjëja kryesore që e bën special është koha që kalohet jashtë studiove të zakonshme, enterierit, duke u përqendruar më shumë në eksterier. Përmbajtja kurrë nuk mungon, e edhe stafi gjithnjë në krye të detyrës.

15.  Select (Top Channel)

Pak ndryshime kanë ndodhur në Select gjatë të gjithë këto sezoneve televizive. Megjithatë më pëlqen realizimi i emisionit. Vazhdon të jetë një realizim i mirë, interesant, dhe si gjithnjë shkëlqen si në realizimin teknik, ashtu edhe në përgatitjen e stafit. Gjithnjë i ndihmon dhe ndihmohet nga Top Fest duke bërë një korrelacion të shkëlqyeshëm ndërmjet tyre.

14.  Next (Vizion Plus)

Impresiv është zhvillimi i Next gjatë këtyre viteve të transmetimit. Është një realizim i shkëlqyeshëm dhe destinacioni kryesor për adoleshentët dhe interesat e tyre. Realizohet më mirë se emisionet konkurrente dhe gjithnjë sjell risi.

13.  Të parët (Agon Channel)

Emisioni i preferuar i mëngjesit. Është emision ‘për tokë’, i realizuar mirë, thjeshtë dhe shkëlqyeshëm. Na largon nga ‘bajatet’ që nuk ndryshojnë tashmë disa vite në emisione konkurrente. Moderatorët janë të mirë, realizim teknik po, sjellin tema interesante çdo mëngjes, dhe nuk teprohet.

12.  A Show (Agon Channel)

Aftësitë e Adi Krastës si autor emisionesh kurrë nuk kanë qenë në dyshim. Si gjithnjë ai vazhdon të jetë shembull i përkryer i një moderatori modern. Bisedat e tij me mysafirët, intervistat gjithnjë janë të shkëlqyeshme, të qeta, të kënaqshme për tu ndjekur. Pa marrë parasysh se kush është mysafiri, biseda gjithnjë është në nivelin e duhur.

11.  Zonë e ndaluar (Vizion Plus)

Është një formë e dokumentarit javor që kurrë nuk lë mungesë temash për të shtjelluar. Është një ndër programet më të mira në Vizion Plus, dhe me një orar tepër mirë të përcaktuar. Andi Bushati është më meritori që kemi një emision kaq mirë të përgatitur.

10.  Opinion (Klan TV)

Është dekada e dytë e Blendit në televizion. Sidoqoftë, gjithë ai numër i emisioneve gjatë një jave tepron dhe na bën bajate deri në një masë Opinionin. E kuptoj që i njëjti shikues nuk mund të shikoj të gjithë episodet në një javë, pasi thjeshtë të gjitha nuk janë tema që i interesojnë, por, rreziku është kur asnjë nga temat e javës, mysafirët, debatet nuk del të jetë interesante. Ekspozimi i tepërt mund të sjell edhe humbjen e shikueshmërisë. Nëse jo atë, atëherë humb interesimi.

9.    Exclusive (Top Channel)

Ish-kampioni këtë vit është në pozitën e tetë. Jo që ka rënie në cilësi, përkundrazi ka pasur disa nga emisionet më të mira në ekzistencën e tij, por kam vendosur të lë më lart emisionet më ‘argëtuese’. Exclusive kurrë nuk më dëshpëron. Temat, kohëzgjatja, termini, realizimi, gjithçka është e përkryer.

8.    Top Story (Top Channel)

Top Story është më lart se Opionin për herë të parë. Vazhdon të mban një nivel të lartë të realizimit. Mysafirët, temat, dhe më kryesorja, transmetimi një herë në javë e bëjnë Top Story, emisionin e debatit më të përzgjedhur. Sokol Balla ka bërë një punë të shkëlqyeshme tërë këto vite, duke mos manipuluar më shumë se që duhej me formatin, dhe si rrjedhojë kemi një ‘Top Story’ perfekt. Padyshim emisionin më i mirë i debatit në ekranet shqiptare.

7.    MasterChef Albania (Top Channel)

Si çdo herë, realizimi teknik i formateve ndërkombëtare që adaptohen nga Top Channel është i realizuar në nivelin më të lartë të mundshëm. Kjo nuk mungon as tek MasterChef Albania. Por, ka shumë gjëra që nuk shkojnë, dhe shpresoj të përmirësohen në sezonin e dytë. Së pari, sfidat për konkurrentët janë jo shumë të denja për kuzhinierë profesionist. Pastaj, juria provon të shtiret si e fortë, si një Gordon Ramsay, por, duket se kjo është vetëm sipërfaqësore. Gjithashtu çdo episod zgjat më shumë se që duhet, më shumë se versionet tjera ndërkombëtare.

6.    Portokalli (Top Channel)

Shumë gjëra kanë ndryshuar tek Portokalli gjithë këto sezone. Nuk është Portokallia e viteve të lavdit, por, megjithatë vazhdon të mbetet aty kah kreu. Akoma është në Top 10, pasi ka skeçe, elemente vërtetë interesante. E pastaj janë ajo pjesa e kotë, dëshpëruese, zhgënjyese, që i humb edhe emrin e mirë që ka fituar tërë këto sezone.

5.    Al Pazar (Vizion Plus)

Agron Llakaj po bën punë të mirë tek Al Pazar. Më pëlqen puna e tij. Gjithmonë më ka pëlqyer, dhe nuk ndjehem aspak i zhgënjyer as me episodet më pak interesante të Al Pazar. Mysafirë të mirë, skeçe të shkëlqyeshme, kast shumë mirë i përzgjedhur. Al Pazar është ndër emisionet më të mira të Vizion Plus.

4.    Ça Thu (Agon Channel)

Saimir Kodra dhe Gentian Zeneli kanë bërë një dyshe të shkëlqyeshme në TV. Ishte koha e fundit që të ndahet dyshja e Fiks Fare pasi gati vetëm kishte nisur të plakej prezenca e tyre në Fiks Fare. Saimiri dhe Gentiani kanë një harmoni të shkëlqyeshme në Ça Thu. Kjo i jep shije emisionit dhe e bën të kënaqshëm për të shikuar. Kanë përfituar më së shumti nga ‘mosha televizive’ e Fiks Fare, të cilën ka disa vite që nuk e përcjell pos për ‘mostër’ të kësaj liste.

3.    Apartamenti 2XL (Vizion Plus)

Një shkapërderdhje e formës ‘Portokalli’ ka goditur këtë sezon 2XL. Por, për dallim nga ‘Portokalli’ formati e bën 2XL më pak të lëndueshëm ndaj dezertimeve. Megjithatë mungesa e Ermalit e Gentianit është më se e qartë, por angazhimi me kohë i Albanos, e Cubit të cilët tani janë në mesin e ‘veteranëve’ me trungun e vetëm Julianin kanë bërë që ikja e tyre mos të lë edhe aq shumë hapësirë të pambuluar. Gjithashtu largimi jo i menjëhershëm i të dyve ka ‘ndihmuar’ programin.

Sidoqoftë, me apo pa ata dy, 2XL vazhdon të mbetet një ndër programet më të mira shqiptare.

2. The Voice (Top Channel)

Padyshim formati më së miri i adaptuar. Realizimi teknik, siç e përmenda më lartë, nga Top Channel është i mahnitshëm. Juria me Sidritin, Eltonin e edhe Almën është gjithnjë në nivelin më të mirë. Largimi i Miriamit ka lënduar formatin. Aurela nuk është ndër artistet më të preferuar nga unë, prandaj nuk mund të them se ka mbuluar hapësirën e lënë nga Miriam. Presioni për të zëvendësuar atë, para përvojës së saj ka qenë i dukshëm qartazi. Gjithashtu do të ishte edhe më mirë sikur të kemi edhe një moderator më pak ‘energjetik’, më të qetë. Por…

1.    6 Ditë pa Ermalin (T Plus)

Edhe pozita e kampionit i takon njeriut më komik në televizion, Ermal Mamaqit. ‘6 Ditë pa Ermalin’ është programi më i mirë në televizionet shqiptare sezonin e kaluar. Ka një format të përkryer, i realizuar për mrekulli. Ermali prek temat e javës me një pikëpamje të tij të veçantë, që është ndër mënyrat më komike që mund të bëj çfarëdo personalitet televiziv. Audienca në studio, mysafirët, realizimi teknik, janë për mrekulli. Çdo herë kur është larguar nga projektet aktuale kam pasur frikë se kurrë s’mund të jetë më i suksesshëm se që ishte në momentin. Është hera e dytë që demantohem. Nuk do të them që ky është kulmi për të. Por, për momentin është kulmi i programeve televizive në botën e televizionit në Shqipëri.

Televizioni

Që nga tentimi i Stanisit për të marrë Kingslanding nuk më kujtohet që kemi pas episod beteje në ‘Game of Thrones’. Beteja e murit, ndërmjet Rojtarëve të Natës dhe Egërsirave të veriut solli një betejë në stilin e ‘Zotit të unazave’ me shumë qenie monstruoze, një infiltrim i armiqve që na bën të dyshojmë për fituesin, një komandat frikacak, etj. Ka shumë paralele që mund të hedhim ndërmjet LOTR dhe GoT, por nuk dua të hy në polemika me fansat e vetëm njërës nga këto, derisa ata që si unë i duan të dyja në mënyrat e veta, do të kuptojnë se çfarë dëshirojmë të themi, nëse i hedhin një freskim memories nga LOTR: The Return of the King.

Ishte një episod që në përgjithësi pothuajse u përqendrua tek Xhon Snou, me Sem si temë dytësore ndërlidhëse.

Pos që patëm një betejë të hatashme, përplot aksion, dyluftime, dhe murin e madh. Ishte episodi ku Xhon Snou doli në vijën e parë, dhe ngjashëm si vitin e kaluar mbetet karakteri kryesor në veri. Rojtarët e Natës ishin afër shpartallimit pas një dështimi strategjik dhe komandimeve të gabuara. Por, Snou shpëtoi ditën, për të vendosur të flijohet në fund. Se çfarë do të ndodh me të do të shohim në finalen, më të madhen që premtojnë producentët në këto katër sezonet.

Finalja e gjen Tormundin të zaptuar, derisa Igriten të vdekur. Shpresoj të mos jetë episod i përqendruar vetëm në veri, dhe i mbushur me betejë. Mjaftoi beteja e javës së kaluar, e edhe na teproi.

Na duhen disa përgjigje për Tirionin, Arjan, Sansan si dhe për Xhon Snoun. Ishte një sezon, ndoshta më i miri deri tashti. Dhe ka vetëm një kahje tash e tutje. Të bëhet edhe më interesant edhe më i mirë në sezonet në vijim.

‘Game of Thrones’ është ndër serialet më të mira të bëra ndonjëherë. Kjo s’do diskutim.

Televizioni

Kanë kaluar javë nga fundi i kësaj episode dhe ende e kam të vështirë të shkruaj diçka të denjë.

Megjithatë do të nis me Sansën dhe Bejlishin. E bija më e madhe e Starkëve duket se ka përfituar goxha shumë nga martesa e saj me Xhofrin. Planifikim dhe strategji e mençur, një trillim i shkëlqyeshëm që do ti përfitojë kohë pranë dinakut më të mëdha në shtatë mbretëritë dhe mikut të saj të vetëm për momentin. Do të mbetet të shohim çfarë do të ndodh pas bashkimit me Arjan.

E shumëkush ka diskutuar çfarë ishte ajo e qeshur tmerruese e Arjas kur mësoi që e tezja ishte e vdekur. Mendoj që nuk kishte të bënte fare me tezen e saj, sa kishte të bënte me kujdestarin e saj i cili përkundër tërë këtij mundimi do të mbetet pa shpërblimin e tij të shumëpritur.

Një fund jo i mirë edhe për Sër Xhorah. Ishte çudi se si merrnin lajmet në KingsLandin për veprimet e Kalisit. Tani e dimë se si. Dhe është me anë të mënyrës që më së paku e prisnim. Interesante do të jetë se si do të lëvizin proceset përtej detit tani me largimin e Xhorah. Kushedi a do të shohim më karakterin e tij.

Dhe pjesa kryesore e serialit që dënoi një tjetër karakter favorit, ndërkohë një tjetër u shpërblye përkundër të gjitha gjërave që i bëri Thionit. Ramsaj Snou tani ka baba.

E Oberini kaloi të gjitha fazat para se të vritet. Qëndroi për një kohë në hije. Pati pak minuta në skenë kah fillimi duke thumbuar karakteret negative të serialit. Doli në skenën e parë duke mbrojtur karakterin favorit. Dhe kur të gjithë prisnim triumfin e tij, ai shtypet në mënyrën më mizore që kemi parë në ‘Game of Thrones’ deri tashti.

Oberini do të na mungoj, por jemi mësuar me këso gjërash nga George. Edhe pse vitin e kaluar pata premtuar se do të marr me rezervë gjithçka që ka të bëjë me këtë serial, kish harruar këtë premtim ndaj vetvetes dhe u kapa ‘në ofsajd’.

Skena si kjo më detyrojnë të mos lexoj librat. Sa të dhimbshme, këto skena janë ato që i japin shije serialit. Gjithkush mund të vdes, edhe atëherë kur më së paku e pret, edhe pse për Oberinin kjo ishte më se e dukshme.

Në fund të fundit ‘Game of Thrones’ vazhdon dhe ne do ta shikojmë edhe më tutje.