Kolumna televizive për Zëri

Big Brother, Vëllai i madh, Abeja, si të doni quajeni, ky emision po rikthehet dhe përsëri është koha për persona të panjohur të bëhen të pasur , të famshëm, dhe të njohur për publikun duke mos bërë asgjë pozitive. Për ata që më shumë ju interesojnë punët e huaja të kota, ky duket të jetë shou i përkryer. Seriozisht, një grumbull njerëzish, nga shtresa të ndryshme, disa muaj në një shtëpi të mbyllur, mund të jetë një tezë magjistrature apo doktorature për psikolog. Është e vërtetë që ky format ka bërë bujë në fillimin e viteve të këtij mileniumi në mbarë botën, e edhe pse ka ardhur paksa me vonesë tek ne, përsëri ka arritur ti “çmend” shqiptarët. Mendoj që vet premisa e shout është e thjeshtë, e cekët dhe jocilësore. Megjithatë nuk do të jetë emisioni i vetëm me këto veti, por më i shikuari prej tyre? Sigurisht! Kuptohet që shijet janë të ndryshme, dhe nëse populli e dëshiron atëherë shërbeju! Tekefundit janë ata që abonohen me mijëra për të realizuar çerekun financiar më të suksesshëm të Digitalb.

E kur jemi tek formatet e adaptuara, javën e kaluar përfundoi The Voice of Albania me shumë kritika për shpalljen e fitueses. Arsyeja pse nuk kam shikuar këtë program ka qenë kohëzgjatja maratonike që ka ndodhur vetëm me formatin shqiptar. Por, si zakonisht menjëherë fillojnë kontradiktat për shpalljen e fituesit, si pas çdo gare. Ndoshta në finale Rina nuk ishte më e mira, por sinqerisht ishte një performancë e barabartë nga të katërtit. Janë vet shikuesit që kanë vendosur me votat e tyre si në çdo program tjetër. Pajtimet do të lindin gjithnjë e zgjidhja e vetme do të ishte organizimi veç i versionit kosovar e shqiptar, por, përsëri do të dalin kontradikta në bazë të rajoneve më pas! Në përgjithësi The Voice mendoj që ka qenë një ndër formatet më së miri të realizuara.

Në mungesë të formateve të njohura, kanalet kombëtare kosovare janë përqendruar në futboll. Që nga paslufta kanë krijuar një kulturë kosovare televizive ku futbolli dominon. E nisur nga KTV dhe e vazhduar nga RTK, Liga e Kampionëve ka qenë gara futbollistike më e shikuar. Tashti për herë të parë kemi edhe garën e dytë ekipore evropiane, Europa League në KTV. Pak me fat për shkak të eliminimit të skuadrave të mëdha dhe shortit interesant, Europa League do të ketë ndeshje joshëse këtë sezon. E KTV ka edhe armën tjetër me Primera Divisionin spanjoll që ka filluar ta përdor në mënyrë racionale, tri lojë në javë, Reali, Barca dhe derbi i skuadrave tjera. Sigurisht që na mungon Premier Liga angleze dhe Serie A italiane, por ku do të vendoseshin këto gara në kanalet kombëtare. Rrallë ndonjë vend tjetër ka kaq shumë kampionate cilësore në kanalet kombëtare. Le të zbresim te miqtë tanë në Shqipëri. SuperSport, një ortakëri e Top Channel/Digitalb, Klan TV dhe kreut të FSHF-së dominon tregun e shfaqjeve sportive. Për të parë të gjitha ato që ne kosovarët shohim falas, shqiptarët duhet të paguajnë mbi 200 euro në muaj. Një mënyrë e mirë për të gëlltitur para shtesë ka qenë edhe SuperSport Kosova. SSK ka filluar operimin me shkelje të të drejtave autoriale në fillim, para se të mblidhte ajkën e garave sportive. Por, RTK dhe sidomos KTV me kapital privat kanë arritur të mbajnë garat e tyre. Sa do të zgjas kjo mbetet të shihet, por gjithçka është tek marketingu. Në fakt varet nga sa do ti rezistojnë lakmisë dhe presionit nga Ipko/Digitalb. Mos harroni që shqiptarët në Klan TV shohin vetëm përzgjedhjen e gjashtë nga tetë ndeshje të Ligës së Kampionëve, kosovarët të parën.

Luan Morina
Botuar në gazetën Zëri me 18 shkurt 2012, e shtunë

Televizioni

After one of the best episodes since Charlie Sheen left we’re back to the basic TAHM with Ashton Kutcher. Come on! We’re tired of reusing Allan’s disasters and unlucky situations every now and again. Yeah, I think they’re concentrating too much on Allan, exceptionally in this episode. We’re tired of seeing how miserable his life is and how he struggles of being a good and honorable person. Now in this episode we’re witness how he hits the lowest point of live by trying to pawn stuff and that accident in the pawn shop was… well it was too much! Anyway there were some funny scenes in the episode like Walden’s opinion on his company, Allan getting a “phone number” in the pawn shop, and Jake ending up in an interesting place. And every time a rewind to watch an old episode with Charlie Sheen I become more nostalgic.

Televizioni

Para se të kaloj në renditjen time të Top 10 emisioneve në kanalet kosovare për të dytin vit radhazi, së pari dëshiroj të bëj një përmbledhje të votimit në uebfaqen Telekomanda dhe faqen zyrtare në Facebook të Telekomandas. Kështu në të dyja rastet emisioni më i mirë ka dalur Kafeneja Jonë. Seriali i CMB Online ka fituar 31 vota, para Interaktiv dhe Milioneri që kanë patur nga 8, ndërsa Oxygen ka patur 7 vota. Rubikon është renditur në pozitën e pestë, nga 68 vota sa janë dhënë në këtë pyetje në Facebook. Fitues të ngjashëm ka patur edhe në uebfaqen e Telekomandas, ku Kafeneja Jonë ka marrë mbi 40% të votave, para Rubikon dhe Oxygen me 16%, ndërsa në pozitën e katërt dhe të pestë janë renditur Milioneri dhe BinBir Gece. Votat, edhe pse jo shumë në numër janë akoma në anën e djathtë të uebfaqes.

Tani të kaloj tek renditja sipas mendimit tim personal duke mos u bazuar në sondazh, renditje të cilën e kam bërë para sondazhit dhe që paraqet, edhe njëherë përsëris, vetëm mendimin tim personal.

 

10. BonBon (RTV 21)

RTV21 përsëri ka vetëm një program në Top 10. Por, për ndryshim nga viti i kaluar, BonBon meriton një vend në Top10 dhe nuk është vendosur vetëm për të “nderuar” RTV21. BonBon është i vetmi program televiziv origjinal pasdite në kanalet tona, kur edhe do të duhej të kishte më shumë programe të tilla. Ofron informata të freskëta, mysafirë në studio, dhe tema interesante, sidomos për shtëpiaket dhe shtëpiakët, të cilët në kushtet tona të papunësisë janë goxha shumë.

 

9. Matinee (KTV)

Ngjashëm si BonBon vetëm pse transmetohet më herët gjatë ditës ishte edhe Matinee. Gjatë sezonit të kaluar ka qenë ndër emisionet më të rregullta që kam shikuar në mëngjes (puna ime zakonishte fillonte në 10). Ka patur mysafirë shumë me vend, të duhur, për të gjitha temat të cilat kanë patur një shpërndarje të sinkronizuar. Ka prekur tema mjaft të rëndësishme dhe me interesim për shikuesit duke ofruar informata të bollshme, përfshirë edhe opinionet e shikuesve me anë të telefonatave. E kur jemi tek opinionet mos të harrojmë rubrikën Hajt Pak që ka qenë dhe vazhdon të jetë tani për shumë vite njëri nga TV segmentet më të pëlqyera nga shikuesit. Pra edhe një mirënjohje për Hajt Pak që së bashku me Matinee-n vendosen në pozitën e nëntë këtë sezon televiziv.

 

8. BinBir Gece (KTV)

Seriali më modern turk që kemi parë në ekranet tona deri më sot. Është një fenomen botëror, nuk është diçka që ka “dhez” vetëm tek ne, por i gjithë Ballkani dhe bota arabe (Lindja e Afërt dhe Afrika Veriore) kanë qenë të pasionuar nga ky serial. Në rregull, seriali s’është një fenomen i tillë tek ne, thjesht mendoj që askush s’mund të tejkalojë Aci Hayat tek audienca kosovare, por tema që shtjellohet, mënyra e realizimit, në përgjithësi i tërë seriali ofron një shije të re, më moderne më perëndimore dhe pasqyron në mënyrë më konkrete realitetin e sotëm turk. Më shumë përqëndrohet në problemet jetësore të përditshme, intrigat që do të përfshinin çdo familje të zakonshme turke, duke mishëruar trashëgimin dhe modernizimin e shoqërisë. Nuk kemi aksione të superheronjëve të ‘80tave siç ndodhte tek Aci Hayat, apo aktorë jo shumë të provuar si tek serialet pasardhëse. Është e kundërta e asaj që ndodh tek Ezel dhe Kurtlar Vadisi. Për mendimin tim, edhe pse nuk e përcjell vazhdimisht, gjëja më e mirë turke në televizionet tona, pas reklamave të PandasJ.

 

7. Taxi Show (KTV)

Oh, sa më pëlqen ky emision. Dy arsye: i thjeshtë dhe jo i shtrenjtë për t’u realizuar. Është aq i thjeshtë sa kjo e bën edhe më të shkëlqyeshëm. Koncepti është i thjeshtë, paskript, një mini-reality show, me shumë më pak para krahasuar me të tjerat, jo më shumë se 200 euro për pasagjerët, dy vetura dhe disa kilometra rrugë, të gjitha këto për një javë dhe një emision 30 minutësh. E ndër të tjera kanë edhe një moderator shumë të sjellshëm, shumë miqësor me udhëtarët që vetëm sa e bën këtë emision më të shikueshëm. Nuk ka më lirë dhe më mirë. Pa marrë parasysh anën financiare, unë konsideroj emisionin si një sukses i jashtëzakonshëm për KTV-në, por termini i transmetimit mund të jetë më i mirë, megjithatë ndoshta në këtë kohë do të mbledhtë shikueshmërinë maksimale duke patur parasysh programacionin që ofrojnë kanalet tjera në të njëjtën kohë. Pozita e shtatë këtë vit për Taxi Show.

 

6. Jeta në Kosovë (RTK)

Vazhdon të trajtoj tema të rëndësishme për publikun kosovar, por këtë vit mendoj që ka patur një rrëshqitje sa i përket shikueshmërisë. Nuk kam parë shumicën e emisioneve, por, kam zgjedhur disa nga më të rëndësishmet që janë transmetuar. Si për ironi mendoj që majën dhe fundin ka prekur me dy mysafir serb. Së pari intervistuesi i Vuk Draskovic ishte pa njohuri të mjaftueshme të gjuhës që e bënte një “fitore” të mysafirit, dhe një intervistim që të bënte nervoz sa shkonte koha. Jo-profesionalizëm nga ana e Jeta Xharras, jo-përgatitje e duhur, dhe mbi të gjitha përzgjedhje e gabuar. Ai gazetari, që nuk po më kujtohet emri për momentin, është shumë i zoti, ka bërë intervista dhe debate të shkëlqyeshme, por jo në gjuhën serbe. E në anën tjetër ishte intervista me përfaqësuesin serb në bisedimet Kosovë-Serbi. Tani ishte Jeta Xharra dhe fliste anglisht, dhe ishte një bisedë shumë e mirë, e frytshme, dhe mjaft informative. Sigurisht që ka pasur edhe intervista e debate tjera gjatë tërë vitit, shumë mirë të realizueshme, por edhe një dështim për JNK ishte votimi në debatet parazgjedhore, i cili pa fajin e tyre filloi të keqpërdorej nga persona të caktuar. Sidoqoftë nëse krahasoj me vitin e kaluar mund të them që JNK pati një rënie në krahasim me emisionet tjera.

 

5. Oxygen (RTK)

Një program i shkëlqyeshëm i cili u shkatërrua falë politikave jo aq me vend të programimit të RTK-së. Të premteve ishte absolutisht zgjedhja e parë, para gjithçka tjetër që kishte në TV, Albanians Got Talent, VIP Shpija, apo edhe ndonjë filmi. Por, me kalimin në të dielën pasdite, personalisht unë dhe shumë familje që njoh, kanë humbur “lidhjen” dhe me këtë edhe shikueshmërinë. Personalisht për mua ky orar nuk funksionon, ka futboll shumë më cilësor se të premteve, dhe gjithashtu më pas është e hëna e cila kërkon shumë për t’u përgatitur për ata pak veta që punojmë në këtë shtet. Në rregull, e kuptoj që RTK ka dashur të ringjall pasditet e fundjavës, dhe ka provuar të ngjaj më shumë në emisionet shqiptare të së dielave, por megjithatë emisioni origjinal i Oxygen s’funksionon, repriza ndoshta, por episodet origjinale s’do të funksiononin. E sa i përket vet emisionit ka qenë në nivel. Ndoshta më mungon pak Sinani, por Jehona duket të jetë bashkëmoderatorja më e mirë që ka patur Besimi deri më tani. Ka mënyrën e tij të satirës që prek tema të rëndësishme me mysafirë të rëndësishëm duke mos humbur atë balancën e nevojshme.

 

4. Interaktiv (KTV)

Interaktiv është pjekur këtë vit. Xhemajl Rexha është shndërruar në një personalitet kryesor në redaksinë e lajmeve në KTV, dhe më kujtohet shumë mirë hera e parë që e pata parë në TV, në janar të vitit 2006 në vdekjen e ish-presidentit Rugova, raportonte nga selia e tij në Velani. Tashti është figura kryesore dhe e fundit që shumica e kosovarëve shohin para se të bëjnë gjumë. Me të vërtetë ai ka kaluar Interaktivin në një shkallë më të lartë, ka bërë një emision që ka filluar të lë kosovarët pa gjumë. Të jem i sinqertë, Interaktiv ka qenë më pak i pranishëm në televizorin tim këtë vit, por edhe ato edicione që kam shikuar më kanë ofruar “siguri” që ky është njëri ndër emisionet më të shikuara në TV-të kosovare. Në krahasim me vitin e kaluar rrëshqet për dy pozita, por në fakt përparon në cilësi dhe kjo rrëshqitje është pasojë e përparimit të madh që kanë shënuar emisionet që gjenden më lartë. Interaktiv është këtu për të mbetur një kohë të gjatë, dhe për të mbajtur orën e fundit të ditës në KTV ndër më të shikuarat gjatë tërë ditës, që nga kohët e Allo Allo’s.

 

3. Milioneri (RTK)

Vit pas viti Milioneri vazhdon të përmirësohet dhe të kaloj në njërin ndër programet më të shikuara në trojet tona. Grand Media ka zhvilluar formatin nga një version testues në një lider në regjionin tonë, sidomos këtë vit me ardhjen e Agron Llakajt. Edhe vitin e kaluar kam lavdëruar Fehmi Feratin që ka sjell ndryshime rrënjësore në moderimin e emisionit në krahasim ne paraardhësin e tij. Por, megjithë punën e shkëlqyeshme të Fehmiut, Agron Llakaj e ka ngjitur Milionerin në një shkallë edhe më të lartë. E kam përmendur kontributin e tij tek përmbledhja e programeve më të mira në kanalet shqiptare duke theksuar që “shton atë shijen e komedisë dhe është shumë më miqësor dhe më i lirë në udhëheqjen e emisionit, kemi një publik më aktiv që bën edhe garuesin të ndjehet më i qetë dhe më i lirë në karrige që s’besoj se është aq e “freskët”. E mira e Llakajt është që kuptohet shumë mirë edhe nga kosovarët të cilët flasim një gjuhë pak më ndryshe, pasi edhe ai flet shqip pa provuar të shtoj terma “italo-evropian” për të pasqyruar kinse “inteligjencën” e një moderatori, siç bëjnë shumica e moderatorëve të tjerë. Për më tepër, në një emision edhe vet ai u ishte kundërvu këtyre “banalizimeve” të gjuhës shqipe. Sidoqoftë, për momentin është moderatori më i mirë që mund ta shihni në ekranet tona shqipfolëse.

 

2. Rubikon (KTV)

Rubikoni këtë vit ka shënuar një “revolucion”. Pos që është shtuar numri i transmetimeve, 3 herë e ndonjëherë edhe 4 herë në javë, brenda emisionit ka filluar një mini-seri, ose spin-off, sido që ta quaj mendoj për Rubikon Pa Kravatë. Dhe t’u them të drejtën ka hasur në shikueshmëri të lartë, ndoshta pos emisionit të parë të kësaj serie emisionesh, të tjerat kanë qenë jashtëzakonisht interesante, të perceptuara për shikuesit, sidomos ajo me komedienët dhe këngëtarët. E mos të flasim më për politikanët. E din ata sa vështirë është të qëndrosh dhe të përgjigjesh para Adriatikut. Më së miri këtë e di kryeministri ynë i cili nuk guxoi asnjëherë këtë vit të përballej me të, pasi vitin e kaluar nuk i ndihmonin as përgjigjet e parapërgatitura më herët dhe shpesh i përziheshin në ata krahë letrash që kishte marrë me veti. Nejse, ka patur biseda jashtëzakonisht interesante, por edhe me mysafir të bezdisshëm si Edita Tahiri, që të shkatërronte nervat me përgjigje aspak të lidhura me pyetjet dhe sjelljen e saj arrogante në disa raste. Pikërisht këtu del në pah profesionalizmi i pashoq i Adriatik Kelmendit, i cili nuk ka nevojë të ngrit zërin, apo të ndërhyj në fjalë që të kthej bisedën në binarë, ashtu siç bëjnë disa të tjerë. Qetësi, kulturë, mirësjellje, të gjitha këto japin një moderator briliant, një Larry King kosovar.

Dy ngjarje që do të mbesin në kujtesën time do të jenë nga Rubikon pa kravatë. Hera e parë ka qenë pyetja për “sakrificën” e Genta Ismajlit, dhe e dyta ka qenë përgjigja në “vajtimin” e Fehmi Feratit për kushtet e vështira në RTK, pas largimit nga KTV. Ndoshta nuk quhet Larry King, por për momentin ka më shumë shikues se ai dhe pasardhësi i tij, Piers Morgan, në mënyrë proporcionale me numrin e shikuesve potencial.

 

1. Kafeneja Jonë (RTK)

Seriali Kafeneja Jonë mbetet në pozitën e parë edhe këtë vit. Është i pazëvendësueshëm të hënave, por duhet të përmend që skenari kohëve të fundit ka filluar të lëviz në drejtim jo të duhur. Urrej ta them, por ndoshta ky serial ka filluar të plaket dhe duket se skenarist kanë mungesë idesh ose bllokadë shkrimtarësh (shumë mirë e di çka është kjo!), por sidoqoftë është një gjëja më e mirë që krijohet për televizionet tona. Është një emision familjar që do të shihni të gjithë familja dhe vjen në ditën më të mërzitshme të javës, e hëna që fillon javën e punës. Nëse filloj të përmbledh në mënyrë kronologjike të gjitha ato që ndodhën sezonin e kaluar do të më duhet shumë kohë dhe rreshta dhe nerva të juaja për të lexuar në fund, dhe për këtë do të zgjedh më të mirat dhe ato më pak të mira. Ndër të mirat do të konsideroja restaurimin e objektit, dhe më në fund këtë vit kemi mysafirë të vërtetë në kafene, rikthimi i Sarandës pas mungesës në pjesën e dytë të sezonit të kaluar, karakteri i Avniut ka qenë më komik këtë vit shkaku i marrëdhënieve të tija me nënën e Naimit, si dhe shumë mysafirë në këtë sezone përfshirë edhe Ulrike Lunachek, e cila mori propozim martese në emision, që është deri diku diçka e jashtëzakonshme. Ajo çfarë nuk më pëlqeu definitivisht është storia për Shqiponjin i cili për një vit është zhvilluar shumë vite, ka shkuar në çerdhe, ka filluar të ec, të flas, është bërë gjigant, e edhe është “rehatuar”. Me këtë tempo vitin e ardhshëm kismet do ta martojnë dhe kushedi, del ndonjë nip për Bekimin!

 

*Ja vlen të përmenden edhe shumë emisione tjera, por do t’i përshkruaj vetëm shkurt:

Lagjja e re serial solid me shumë aktor interesant dhe që premton “karrierë” të gjatë në TV. personalisht e kam shikuar më shumë se Familja Moderne, por një gjë që më ka dëshpëruar dhe e kam përmendur edhe më herët ka qenë kastingu që ka vendosur nënë e bijë pothuajse të një moshe.

Drejtësia në Kosovë – ka filluar furishëm, interesant me disa aksione të policisë, tema mjaft të rëndësishme, por orari i transmetimit ka shkatërruar këtë emision, së paku për mua. Të lutem kush dëshiron të shoh politikë të dielën në ora 9 në mbrëmje! RTK duhet të rregulloj punën e programimit.

2me1 – ka mbetur programi sportiv më kualitativ në transmetim. Debate me mysafirë profesionist, të rëndësishëm, dhe mjaft tema interesante. Në krahasim me dy emisionet e ngjashme tjera, është një nivel më lartë.

Filmat në KTV filmat që kemi parë në KTV, shumë veta nuk i kanë parë akoma në kanalet kombëtare, duke filluar nga shqiptarët. KTV ka sjell kryeveprat e kinematografisë, sidomos gjatë verës, të premtave, dhe gjatë festave të fundvitit. Të lumtë KTV.

Koha për muzikë e KTV-së duhet ti them të lumtë edhe për koncertet e superyjeve botërore të muzikës. Ka qenë një orar i papërshtatshëm (kundër serialit Kafeneja Jonë) por, nganjëherë edhe më ka detyruar të DVR (incizojë) Kafeneja… për disa nga këngëtarët e mi favorit. Ndër koncertet që më kanë pëlqyer tejmase ka qenë Eminem, Shakira, U2, dhe nëse s’gaboj Beyonce. Më ka munguar koncerti i mrekullueshëm i Robbie Williams në Knebworth, dhe nëse dikush nga KTV lexon këtë (që ka pak gjasa të ndodh) ju lutem mos harroni Robbie Williams për sezonin e ardhshëm.

Futbolli – një falënderim në emër të të gjithë kosovarëve shkon edhe për RTK edhe për KTV, që kanë sjell ndeshjet më të mira të Ligës së Kampionëve dhe kampionatit spanjoll, La Liga. Mos të harrojmë që në Shqipëri nuk kanë mundur të shijojnë as gjysmën e ndeshjeve që ne kemi shijuar gratis, e e njëjta gjë ka ndodhur edhe në shumicën e vendeve të Ballkanit dhe Evropës.

 

Në fund shpresoj që sezonin e ardhshëm të kem emisione edhe më të mira dhe kënaqësi më të mëdha për të gjithë teleshikuesit kosovar. Mos harroni televizioni është mjeti kryesor i argëtimit për shumicën dërrmuese kosovare dhe televizionet kanë një “përgjegjësi” për të ofruar cilësi dhe emisione moderne, që së paku ato të na afrojnë me Evropën.

Luan Morina

 

Autori është themelues i uebfaqes Telekomanda.com – uebfaqja e parë në shqip dedikuar botës së televizionit dhe kolumnist i rregullt për televizion dhe filma në Shqipmedia.com

*Opinionet dhe renditja e lartshënuar paraqesin qëndrimet personale të pavarura të autorit.

Televizioni

Të nis nga e premta si zakonisht. Ka patur kohë të gjatë që kur kam qenë i ngjitur për një kanal të vetëm për 2 orë duke shikuar vetëm një film. Ishte Shakespeare in Love të premten në KTV që mbizotëroi përzgjedhjen time për prime-time në TV. Ajo çfarë mendoj se mungonte ishin reklamat. Vetëm një bllok marketingu nëse nuk gaboj për dy orë film është shumë pak. E di që shumë veta mendojnë që marketingu nuk është i preferuar nga shikuesit mirëpo na nevojitet që të lëvizim pak, për disa çaste. Edhe në kinema zakonisht ka pushime dhe marketing. Sido që të jetë KTV po transmeton filmat më të mirë që mund të transmetoj një kanal kombëtar shqip, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri e Maqedoni. Më pas në KTV ka qenë nëse nuk gaboj Cosmo. RTK ka shfaqur emisionin In&Out, ndërsa në kanalet shqiptare ka qenë e premta e zakonshme, që mua nuk më lë shumë përshtypje. Dua të ndalem tek RTK duke u ndërlidhur me të dielën pasdite. Oxygen do të dominonte të premten sikur të mbetej aty, por të dielën akoma nuk po arrin të rehatojë shikuesit dhe dukej më së miri edhe nga mysafiri Ibrahim Makolli që akoma e dinte që ky emision transmetohet të premten. Tri orë të dielën pasdite nuk mund të thithin aq shikueshmëri sa të premten në mbrëmje. Personalisht nuk mendoj që ka qenë një hap i mirë i RTK duke larguar Oxygenin për dielën, jo që e diela ka qenë më mirë, por ato që kanë zëvëndësuar Oxygen nuk janë më cilësore se Oxygen e edhe ashtu Oxygen meriton një orar më të mirë transmetimi. E diela në mbrëmje do të ishte e përkyer për t’u kundërvënë 2XL dhe Portokalli.

Apartamenti 2XL rifilloi mbrëmë me një mysafire të veçantë, Amarda Toska, në një datë të veçantë, ditëlindjen e saj. Ishte një debutim i përkryer në ekranin e Vizion Plus që shpresoj të vazhdoj me edicionin e ri të Dancing with the Stars, të cilin do ta udhëheqë Ami. Ishte një emisioni i shkëlqyeshëm dhe derisa të adaptohemi në këtë orar do të vazhdoj të na duket edhe më i mirë. Nuk di pse VizionPlus vendos filma jo aq cilësor në këtë termin, njëjtë sikur Top Channel duke larguar shikuesin në kanale tjera për ta rikthyer pas dy muajve. Kanë dy alternativa: të bëjnë pauza dyjavore pas 4-6javë radhazi deri në përfundim të sezonit, shtator-maj, dhe gjatë pauzave të vendosin reprizat e 2XL dhe Portokalli, ose alternativa e dytë për dy muaj radhazi të sjellin ndonjë emision të paskriptuar që do të zëvëndësonte këto programe, në mënyrë që të mbante shikuesit. As Portokalli nuk ishte më poshtë se si zakonisht për ato pak momente që shikova. Nuk arrita të shoh shumë skeqe, e as moderatoren e re, por do të shoh në web-TV sot pasdite. Klan TV shfaqi Histori me zhurmues pas Heroes, dhe nuk mendoj që është ndonjë konkurrent i denjtë për V+ dhe TCh, pos për audiencën më të vjetër, +49. RTV21 transmetoi seriale, ndërsa KTV pati futboll edhe të shtunën edhe të dielën.

Të shtunën nuk kam shikuar shumë televizion prandaj edhe s’do të mund të flisja ndonjë gjë pos të tregoja që Klan TV kishte pasur edhe një natë të shkëlqyeshme me Bujar Qamilin në Këngët e Shekullit.

RTK do të vazhdoj me episodin e ri të Kafeneja Jonë. Siç duket do të ketë edhe dasëm edhe këtë sezonë. Labinoti kishte ndryshuar lookun tash i ngjan më shumë Bekimit, dhe sigurisht ai do të jetë në altar për të cilin Oki nuk ka ike se çfarë është. Më pas në program është Milioneri dhe Subvencion. KTV transmeton koncertin e Christina Aguilera, më pas SinkroCinema, Binbir Gece dhe Asist. Golat e primera divisionit spanjoll mund ti shihni në ora 22:30. RTV21 tërë prime-time orarin sonte do t’ia dedikoj, si zakonisht të hënave, Kabares.

Top Channel transmeton emisionin Shqip dhe pas orës 23:00 është Proçesi sportiv. Klan TV do të ketë kuize, së pari Kutia dhe më pas Milioneri. Në Vizion Plus mund të shihni dokumentarin për Evropën dhe Lindjen e Mesme, ndërsa më pas është telenovela Tereza, Bypass Show, dhe Zonë e ndaluar që sonte si temë kryesore ka një ditë në jetën e presidenti të Kosovës, Behxhet Pacollit.

Në EuroSport drejtpërdrejtë mund të shihni garën çiklistike Paris-Nice. Në ora 17:55 mund të shihni Eurogoals, ndërsa më pas në ora 18:30, në program është emisioni Champions Club që bën një përmbledhje të ngjarjeve futbollistike të fundjavës me analiza speciale nga Arsene Wenger. Ngjarjet më komike sportive mund ti shihni në WATTS që fillon në ora 20:45, ndërsa më pas si zakonisht të hënave do të ketë mundje amerikane, Wrestling.

Nga ora 12:00 në SuperSport1 mund të shihni përmbledhjet e kampionateve kombëtare, ndërsa në mbrëmje në program janë emsionet Zona Gol dhe Zoom.

TV Kolumna Ditore përgatitet nga Luan Morina

E hënë – 07 mars 2011

RTK

20:20 Serial: Kafeneja jonë ep.233

21:00 Milioneri

22:00 Subvencion

23:00 Lajme

23:15 Pa Skenar

KTV

20:15 Koncert: Christina Aguilera

21:00 SinkroCinema

21:15 Serial: Binbir Gece

22:00 Asist

22:30 Koha për gola

23:00 Interaktiv

RTV21

20:05 Kabare

22:00 21 Minuta

22:45 Serial: Wildfire

——————–

TV Klan

20:05 Kutia

21:00 Kush do të bëhet milioner

22:00 Lajme

22:30 Opinion

Top Channel

20:15 Fiks Fare

21:00 Shqip

22:30 Lajme

23:05 Procesi Sportiv

Vizion Plus

19:40 Dokumentar: Europa dhe Lindja e mesme

20:00 Tereza – telenovelë

21:00 Bypass Show

22:00 Zonë e ndaluar

23:00 Lajme

23:30 Film

Televizioni

Nëse do të mund të përdornim teorinë 80/20 në një ambient ku do të futnim popullin tonë dhe filmin, atëherë nuk ka shembull më të mirë se ndarja e shpërblimeve Oscar. Është një shembull jo shumë për t’u lavdëruar, por fatkeqësisht i vërtetë që 80% të filmave Oscar shikohen vetëm nga 20% e kosovarëve, për më tepër ky numër më duket paksa i ekzagjeruar. Sidoqoftë le t’i përvishemi punës.

Personalisht filmat konkurrent për Oscar këtë vit më kanë pëlqyer tej mase. Kemi krijimtari të shkëlqyera nga ustallarë të kinematografisë jo vetëm asaj amerikane. Do të mundohem të veçoj karakteristikat e filmave konkurrentë në disa detaje më sipërfaqësore gjithnjë duke patur parasysh që unë nuk jam një kritik profesional filmash, por vetëm një i apasionuar që shikon filma, paksa më tepër se e zakonshmja, dhe që si kanal të preferuar filmash nuk e kam Film Aksionin! J

Filmi më i mirë – Best Picture

Të nominuar: 127 Hours; Black Swan; The Fighter; Inception; The Kids Are All Right; The King’s Speech; The Social Network; Toy Story 3; True Grit; Winter’s Bone

Që nga viti i kaluar kur Akademia filloi të përfshijë 10 filma në kategorinë e filmave më të mirë, gjithnjë po kemi nga një film të animuar, që këtë vit është filmi Toy Story 3. Është ndoshta seria më e mirë filmash të animuar ndonjëherë, por besoj që do të marrin Oscar vetëm në kategorinë për filmin më të mirë të animuar. Nga filmat e mësipërm Winter’s Bone dhe True Grit janë filma amerikan, me plotë kuptimin e fjalës pasi të dytë bazohen në jetën e thjeshtë amerikane të ditëve moderne, siç është filmi Winter’s Bone, dhe storie nga amerika e pasluftës civile, filmi True Grit. Winter’s Bone tregon storien e një vajzeje adoleshente, e cila është personi kryesorë që do të mirëmbajë familjen pas një babai problematik dhe pijanec i cili tashmë është i humbur shkaku i borxheve, ndërsa e ëma e saj vuan nga një sëmundje. Filmi shfaq rrugëtimin e një vajze në një rreth aspak miqësor e cila për të mbijetuar përballet me sfidat më të pështira të jetës.

Rrugëtimin e një vajze shfaq edhe filmi True Grit. Ndryshimi tek ky film është që vajza është në moshë më të re dhe është në kërkim të vrasësit të babait të saj për hakmarrje. Edhe pse e mitur, ajo është shumë këmbëngulëse dhe e gatshme të përballet edhe me njerëz injorantë të pjekur vetëm që të marrë atë që dëshiron. Edhe pse me një kast aktorësh si Jeff Bridges dhe Matt Damon, nuk besoj që as True Grit e as Winter’s Bone mund të fitoj Oscarin për filmin më të mirë.

Filmi The Fighter ka një kast të mirë aktorësh, prej të cilëve tre janë të nominuar për rolet dytësore. Aspak nuk dyshoj që Mark Wahlberg ka merituar të nominohet për Oscar si aktori më i mirë në rolin kryesor. Aktrimi i tij nuk ka qenë hiç më pak i mirë se Melissa Leo, Amy Adams, dhe Christian Bale. Filmi tregon storien e një boksieri dhe vëllaut të tij ish-boksier që pas përfundimit të karrierës jo të suksesshme të gjithë forcat i vendos në suksesin e vëllaut. Është film mjaft i mirë, një storie mjaft interesante e thurrur në mënyrën më të mirë të mundshme.

Filmi Black Swan ka një regji solide, por ajo çfarë bie në sy më së shumti tek ky film padyshim janë aktoret në dy rolet kryesore. Përderisa në njërën anë Natalie Portmann është kandidate e pakontestueshme për Oscar, është habi për shumë veta si Mila Kunis nuk ka qenë e nominuar për aktoren më të mirë në rolin dytësor. Në rregull, nuk është aq e mirë sa Portmann në këtë film, por si aktore në rol dytësor ishte e mrekullueshme dhe mund të krahasohet lirshëm me kandidatet e tjera në atë kategori. Black Swan nuk është kandidat i ngushtë për filmin më të mirë.

127 Hours është një realizim tepër i mirë nga njeriu që para dy vite triumfoi me Slumdog Millionaire. Jo shumë skena, por gjithë ato që ndodhin në atë lokacion të ngushtë shfaqin në mënyrë të shkëlqyeshme një storie mjaft trishtuese e bazuar në një ngjarje të vërtetë që e bënë edhe më trishtuese. Është film i shkëlqyeshëm, ndoshta jo shumë ngjarje të ndryshme, dikujt mund ti duket edhe i mërzitshëm, por është një vepër e përpunuar në mënyrë mjeshtërore që nga editimi e deri edhe te muzika e filmit.

Njëri nga dy kandidatët kryesorë për Oscar mendoj që do të jetë The Social Network. Storia për Mark Zuckerberg, krijuesin e Facebook, është realizuar në një mënyrë madhështore duke portretizuar një ngjarje që ngjan por nuk është e tërë e vërteta. Këtu mund të gjeni anën pozitive dhe negative të të gjitha ngjarjeve dhe karaktereve, asnjëri nga ata nuk do të jetë antiheroi dhe asnjëri nuk do të jetë heroi. Punë e shkëlqyeshme e David Fincher.

Dhe në fund është filmi The King’s Speech. Favoriti im kryesor për shumë çmime. Nuk është hera e parë që britanikët po krijojnë filma që zbulojnë historinë e tyre jo pak të pasur. Ka patur filma si The Queen, King Arthur, Elizabeth, deri tek Young Victoria, mirëpo asnjëri nuk futet aq thellë në historinë ndër më të prekshmet të monarkisë britanike. Film i shkëlqyeshëm ku funksionoi gjithçka, që nga skenari, regjia, deri tek aktrimi mjeshtëror i një kasti aktorësh të mëdhenj dhe të njohur anë e mbanë botës kinematografike.

Regjisori më i mirë – Best Director

Të nominuar: Darren Aronofsky – Black Swan; David O. Russell – The Fighter; Tom Hooper – The King’s Speech; David Fincher – The Social Network; Ethan dhe Joel Coen – True Grit

Nuk është hera e parë që vëllëzërit Coen bëjnë një vepër mjeshtërore duke përdorur historinë e pasur amerikane. Filmi True Grit do të ishte kandidat potencial për të fituar si filmi me regji më të mirë, por megjithatë këtë vit ka një konkurrencë të fortë. Përsëri për mendimin tim është filmi The King’s Speech me Tom Hooper si regjisor që nuk ka ndonjë përvojë të madhe pos disa episodeve të serialit Eastenders, dhe favoriti kryesor David Fincher me filmin The Social Network. Tom Hooper arriti të realizoj një tregim shumë prekës për monarkinë britanike në një mënyrë aq të përkryer duke shfaqur të gjitha storiet e ndrydhura në historinë e tyre, por në një mënyrë simpatike që e bën shikuesin e thjeshtë të ndihet mirë gjatë vështrimit të të gjitha ngjarjeve në film. Filmi ka një tempo të njëtrajtshme të ngjarjeve duke mos patur luhatje ekstreme në emocione pothuajse gjatë tërë filmit.

Në anën tjetër David Fincher arriti të mbërthejë storien ndoshta më të madhe në historinë e internetit në një dhomë gjyqi duke mbledhur të gjitha karakteret dhe duke vendosur në dy kampe, heronjë dhe antiheronjë. Megjithatë gjatë tërë filmit ju mund të vëreni që ka nga pak në të dyja anët dhe të gjitha karakteret janë pak heronjë e pak antiheronjë. Veçanërisht karakteri i Mark Zuckerberg është realizuar në një mënyrë perfekte që përshtatet me storien e një njeri që ka krijuar mënyrën më të mirë për të komunikuar ndërsa vet ai nuk është aq i mirë në komunikim.

Aktori më i mirë – Best Actor

Të nominuar: Javier Bardem – Biutiful; Jeff Bridges – True Grit; Jesse Eisenberg – The Social Network; Colin Firth – The King’s Speech; James Franco – 127 Hours

Colin Firth është kandidati kryesor për të fituar këtë vit shpërblimin. Ai ishte i kandiduar edhe vitin e kaluar por nuk arriti të mposht Jeff Bridges. Këtë vit personalisht jam shumë i bindur që është kandidati më serioz për Oscar. Aktrimi i tij në filmin The King’s Speech ishte i përkryer me plotë kuptimin e fjalës. Unë nuk kam parë aktrim më të mirë të ndonjë aktori ndonjëherë, edhe pse nuk kam shikuar mijëra filma. Colin Firth ishte i përsosur.

Performancë të shkëlqyeshme ka patur edhe James Franco në filmin 127 Hours. Edhe pse po thuaj i tëri filmi ka qenë i bazuar vetëm në karakterin e tij ai ka arritur të shpreh në mënyrë të përsosur storien e Aron Ralston. Pas Firth kandidati kryesor për Oscar në këtë kategori.

Jesse Eisenberg arrin të portretizojë Mark Zuckerbergun si një “maniak” kompjuterësh që nuk i beson askujt, nuk ka aftësi komunikimi por ka ide milionëshe. Është lavdëruar edhe aktrimi i Javier Bardemit në filmin Biutiful. Nuk kam parë këtë film të Bardem, por nga ato që kam parë më herët jam i sigurt që ka bërë një punë të paqme. Jeff Bridges si gjithnjë ishte i shkëlqyeshëm në filmin True Grit. Ai është i përsosur për të luajtur ato karakteret nga Amerika e pasluftës civile, megjithatë do të jetë vështirë që ta përsërit suksesin e vitit të kaluar.

Aktorja më e mirë – Best Actress

Të nominuar: Annette Bening – The Kids Are All Right; Nicole Kidman – Rabbit Hole; Jennifer Lawrence – Winter’s Bone; Natalie Portman – Black Swan; Michelle Williams – Blue Valentine

Në kategorinë e aktores më të mirë duket se gjithçka është e ditur moti kohë, që para daljes së nominimeve. Natalie Portman është favorite absolute për Oscar në nominin e saj të dytë. Ajo pati një aktrim të mrekullueshëm në filmin Black Swan ku luan rolin e një balerinë të turbulluar në aspektin psiqik të cilën dashuria e madhe për të fituar rolin në shfaqjen Liqeni i mjellmave i shkakton presion të tepërt duke e detyruar të marrë hapa fatal. Kandidate serioze është konsideruar edhe aktorja Annette Bening për paraqitjen e saj në filmin The Kids Are All Right ku luan rolin e një nëne lezbike që përballet me sfidën për të mbrojtur familjen e saj gjatë shqetësimeve të ndryshme jetësore. Hiç më keq nuk aktron as Julianne Moore, por që nuk ka arritur të nominohet për shpëblimin për aktoren më të mirë.

Edhe Michelle Williams ka luajtur një rol jashtëzakonisht intrigues në filmin Blue Valentine. Ajo paraqet një nënë e cila gjendet në një sfidë në mes të dashurisë dhe fatit të saj jo aq të mbarë gjatë jetës saj. Ndoshta njëri ndër aktrimet më të përsosura nga Michelle Williams.

Jennifer Lawrence ka bërë një punë të shkëlqyeshme në aktrimin e karakterit të saj dhe ka merituar të nominohet për aktoren më të mirë, por nuk është një aktrim që mund të konkurronte kandidatet tjera. Nicole Kidman më herët ka fituar shpërblimin për aktoren më të mirë dhe nuk besoj që këtë vit ka ndonjë mundësi të fitoj për rolin e një nëne që humb fëmijën e saj në filmi Rabbit Hole. Bazohem në shkrimet e ndryshme pasi personalisht nuk kam parë këtë film.

Aktori më i mirë dytësor – Best Supporting Actor

Të nominuar: Christian Bale – The Fighter; John Hawkes – Winter’s Bone; Jeremy Renner – The Town; Mark Ruffalo – The Kids Are All Right; Geoffrey Rush – The King’s Speech

Jemi mësuar të shohim Christian Bale në rolin e Bruce Wayne tek Batman, por ta shohësh në rolin e Dicky Eklund, një karakter hipik nga periudha e viteve të ‘70ta, një boksier i dështuar që ka marrë rrugën e argëtimit që nganjëherë kalon edhe ligjin ishte diçka sa jofamiljare aq edhe interesante. Ngjashëm qëndron edhe Geoffrey Rush. Në filmat Pirates of Caribbean ai luan rolin e Barbarosas, piratit të çmendur, por tek The King’s Speech ai është një karakter serioz që depërton aq thellë në miqësinë mbretërore sa mbretin e thirr në emrin përkdhelës Bertie. John Hawkes luan rolin një xhaxhai problematik tek Winter’s Bone, Jeremy Renner është banditi i një bande nga Boston, ndërsa Mark Ruffalo luan rolin e një donori sperme që takon fëmijët e tij pas disa viteve, por në fund arrin të prish edhe atë rehati që kishin. Këta tre nuk janë aq kandidatë serioz për Oscar, por kanë patur paraqitje të mirë, e veçanërisht Renner për të cilin ky është nominimi i dytë pas vitit të kaluar kur u nominua për The Hurt Locker.

Aktorja më e mirë dytësore – Best Supporting Actress

Të nominuar: Amy Adams – The Fighter; Helena Bonham Carter – The King’s Speech; Melissa Leo – The Fighter; Hailee Steinfeld – True Grit; Jacki Weaver – Animal Kingdom

Për mendimin tim kjo kategori është kategoria më e paqartë sa i përket fitueses. Vetëm Jacki Weaver mund ta largoja nga lista e ngushtë e kandidateve për të fituar Oscar, ndoshta për atë që nuk kam arritur të shoh me kohë filmin. Të filloj me Hailee Steinfeld. Vetëm 14 vjeçare dhe luan një karakter aq të pjekur dhe serioz në filmin True Grit përkrah ikonës së filmit Jeff Bridges, dhe Matt Damonit. Performanca e saj më ka mahnitur dhe pak a shumë më ka kujtuar Ellen Page në filmin Juno. Steinfeld do të ishte njëra ndër kandidatet kryesore për Oscar, por kanë një konkurrencë të madhe sidomos nga dy aktoret nga filmi The Fighter. Amy Adams dhe Melissa Leo luajnë karaktere të ndryshme, e para e dashura, e dyta e ëma dhe menaxherja e karakterit të Mark Wahlberg, por që të dyja kanë qenë të shkëlqyeshme. Leo konsiderohet si më favorite, dhe ndoshta me të drejtë, por s’dua të lë anash as Helena Bonham Carter. Dikujt ndoshta i kujtohet nga mjuzikëlli Sweeney Todd, dikujt nga trilleri Fight Club, e unë e mbaj në mend nga filmat e Harry Potter. Sidoqoftë ta shihje në rolin e princeshës/mbretëreshës s’do të mund ta veçoje nga një mbretëreshë e vërtetë. E meritoi BAFTA-n, e meriton edhe Oscar-in.

Skenari më i mirë origjinal – Best Writing Original Screenplay

Të nominuar: Another Year – Mike Leigh; The Fighter – Scott Silver, Paul Tamasy, Eric Johnson; Inception – Christopher Nolan; The Kids Are All Right – Lisa Cholodenko, Stuart Blumberg; The King’s Speech – David Seidler

Të shkruash skenar për një film që trajton çështjet e mbretërisë s’është aspak lehtë. E lëre më kur trajton një të metë të mbretit të vendit. David Seidler ka arritur ta bëj këtë në një mënyrë të shkëlqyeshme duke nxjerrë në pah të gjitha detajet e vuatjeve të një njeriu në të cilin mbështet i tërë kombi.

Megjithatë Christopher Nolan ka bërë një punë të mrekullueshme. Edhe pse filmat fantastiko-shkencor nuk janë të preferuarit e anëtarëve të Akademisë, të krijosh një ide të tillë si ajo në Inception kërkon goxha punë dhe më së tepërmi imagjinatë. Nolan e ka bërë për mrekulli këtë, por nuk besoj që do të çmohet nga Akademia. Nuk është hera e parë që Nolan bën skenare të papara më parë. Ka qenë Memento më parë, por edhe skenarët gjysmë-real të filmave të Batman ishin të jashtëzakonshëm. Personalisht fituesin e shoh tek këta dy filma.

Megjithatë skenar mjaft interesant ishte edhe ai tek The Kids Are All Right. Lisa Cholodenko në mënyrë të përkryer përshkruan problemet familjare që mund të has një familje lezbikesh. Kemi storien e një familje të lumtur, por me daljen në pah të babait të vërtetë, jo vetëm që ndryshohet jeta e fëmijëve së pari për së mirë e pastaj merr tatëpjetën, ashtu siç është ndodh edhe me jetën bashkëshortore të nënave të familjes.

Skenari më i mirë i adaptuar – Best Writing Adapted Screenplay

Të nominuar: 127 Hours – Danny Boyle, Simon Beaufoy; The Social Network – Aaron Sorkin; Toy Story 3 – Michael Arndt, John Lasseter, Andrew Stanton, Lee Unkrich; True Grit – Ethan dhe Joel Coen; Winter’s Bone – Debra Granik

Favorit kryesor në këtë kategori është Aaron Sorkin me The Social Network. Arsyeja themelore është që Sorkin nuk është bazuar tërësisht në storien e Ben Mezrich në librin e tij The Accidental Billionaires. Edhe pse as storia në libër, e as në film nuk është e tëra e vërtetë, megjithatë Sorkin ka arritur të përfshijë të gjitha karakteret duke shfaqur emocione të ndryshme ndërmjet tyre gjatë tërë filmit. Një punë goxha të madhe ka bërë edhe Danny Boyle me filmin 127 Hours duke adaptuar pothuajse në mënyrë të përkryer storien nga libri Between a Rock and a Hard Place i Aron Ralston. Nuk ka shumë dialogje, nuk ka edhe shumë ngjarje dhe lokacione në film, por megjithatë tregimi është impresionues dhe deri diku shumë prekës. Tre filmat tjerë nuk besoj që janë konkurrentë të nxehtë për të fituar Oscar, por mjafton edhe nominimi i tyre.

Filmi më i mirë i animuar – Best Animated Feature

Të nominuar: How to Train Your Dragon; The Illusionist; Toy Story 3

Në këtë kategori nuk ka fare dyshim për emrin e fituesit. Pa dyshim që do të jetë Toy Story 3 që është nominuar edhe në shumë kategori tjera. Tashti të jem i sinqertë nuk kam parë Toy Story 3 pos ndonjë traileri dhe sekuencave të ndryshme, por ka marrë shumë kritika pozitive. Në anën tjetër kam shikuar How to Train Your Dragon. Është një realizim i shkëlqyeshëm, një storie e bukur, dhe me një kast që përfshin Gerard Butlerin dhe Craig Fergussonin, dy favoritë të mijë nga bota e shoubizit. Megjithatë HTYD nuk besoj që do të fitoj Oscar. As për filmin francez The Illusionist nuk besoj që ka ndonjë gjasë për Oscar. Një karakteristikë e filmit është që ka kushtuar plot 17 milionë euro, derisa ka inkasuar vetëm 3 milionë të varfër.

Përgatiti:

Luan Morina

Bllogues dhe recensues për TV&Film

Twitter: @morinaluan

Formspring: luanmorina

Televizioni

Edhe pse shumica e kanaleve kanë filluar me emisionet e tyre javën e kaluar, megjithatë java e dytë ose e tretë e shtatorit është ajo kur fillojnë ose së paku duhet të fillojnë shumica e programeve televizive për sezonin e ri.

Ky vit nuk do të sjell shumë ndryshime, megjithatë janë disa që vlen të përmenden.

Do të fillojmë në bazë të ditëve të javës të krahasojë skemën programore, e cila akoma nuk është përfundimtare.

Të hënën do të vazhdoj të dominojë RTK me serialin Kafeneja Jonë (20:00) dhe Milioneri (21:00). Dominimi do të jetë edhe më i lehtë kur dihet se programet konkurrente në atë kohë janë inferiore ndaj këtyre dyjave. Kemi Bursën e Kosovës, që është mjaft e suksesshme por që nuk do të ketë sukses në një termin kundër Kafenesë tonë, dhe Kabare të cilën nuk e di a shikon kush a jo.

Në ora 22:00, në RTK do të shkoj Subvencion, një emision mjaft i suksesshëm për ekonomi, kryesisht për shkak të temave dhe debateve mjaft të nxehta. Në KTV, si zakonisht do të vazhdojë Asist me Agon Fehmiun, një emision që thjesht nuk sheh ditë të zymta tashmë shumë vite. TV21, do të vazhdojë me Ditari dhe serial India.

Vetëm vështrojeni skemën e 21shit nga ora 19:30 deri në ora 23:30. Telenovela (serialet janë më të mira) 2 orë e 30 minuta, lajme 45 minuta, dhe 45 minuta program tjetër informativ. Ky është mëkat për shikuesit. Kjo ndodh për katër ditë të javës pos të hënës, kur kemi edhe një program tjetër fare pak cilësorë, Kabare.

Kalojmë te e marta. RTK do të përqëndrohet në Ligën e Kampionve. Kur të ketë pushim Liga e Kampionve, do të ketë ndonjë film apo dokumentar. KTV, ka Pulsin dhe Animan, dy programe mjaft të qëlluara në lëminë e tyre. Në ora 22:00, do të rikthehet Talenti X, një kopje inferiore e Got Talent. Ndërsa deri atëherë do të jetë Taxi Show solid, dhe seriali i vjetër amerikan jo i suksesshëm, Men Behaving Badly.

Tek skema e RTV21, e vetmja gjë që ndryshon është termini 21:15. Të martën transmetohet Sy me Sy, debat në lidhje me çështjet aktuale në Kosovë nga fusha të ndryshme. Mund të jetë i shikuar në mungesë të Ligës së Kampionve, dhe për shkak se në KTV kemi telenovelë.

Edhe e mërkura është e ngjashme. RTK me Ligën e Kampionve ndërsa KTV me 038 Live dhe Cosmo. Nuk e di se a do të kthehet 038 në terminin e vjetër apo do të qëndrojë aty në ora 17:15. Nuk di se sa impakt ka në këtë terminin e ri nëse transmetohet 250 ditë në vit. Më mirë do të ishte të transmetohej një herë në javë. Top Koha Music do të vazhdojë të transmetohet në ora 22:00, ndërsa në TV21 në ora 21:15, është duke u transmetuar dokumentari për shqiptarët në Turqi. Sigurisht më i shikuar se Bota e yjeve e cila nuk mund të funksionojë në këtë termin.

E enjta do të vazhdojë të jetë ditë përplotë me emisione politike. RTK do t’ia dedikoj tërë terminin prime-time emisionit Jeta në Kosovë, që është mjaft i shikuar. Në KTV, në ora 20:00, do të vazhdojë të transmetohet Rubikon, ndërsa SpitaliKS në ora 22:00, pra edhe një natë mjaft e begatshme e KTV-së. TV21, pas serialeve do të transmetoj emisioni Zoom.

Të premtave RTK siç duket do të vazhdojë të mbaj një debat politik para Oxygen-it mjaft të shikuar. KTV, eventualisht dikur do ta kthej Përallë me tupan, edhe pse sezoni i kaluar për mendimin tim ka qenë ndër më të dobëtit, por me pak mysafirë më cilësorë dhe skeqe më pak “banale” ky emision mund të kthehet në binarë ashtu siç ka qenë. Deri atëherë do të ketë filma mjaft cilësorë, dhe ndoshta më pas do të vendoset emisioni javor i Shpija 2, pasi të shtunave do të duhej të mbetet liga spanjolle në KTV. TV21 do të shfaq për ndryshim nga dy kanalet tjera programin për ekonomi, Standardi ynë të premtave.

Fundjava do të kalojnë me shumë më pak futboll se zakonisht.

TV21 do të transmetoj Unë jam Top Model, RTK debatin Evropa më afër, ndërsa KTV ndeshje të ligës spanjolle. KTV do të jetë më e shikuara sipas të gjitha gjasave, ndërsa një program që dedikohet vetëm të rinjve siç është Unë jam Top Model nuk besoj se do të ketë sukses në prime-time. RTK me Evropa më afër mund të ketë një shikueshmëri serioze, por programe politike gjatë fundjavës është pak “e tepërt”.

Të dielën KTV do të vazhdoj të transmetoj ligën spanjolle. Ndoshta edhe ndonjë film më pas. Nuk di se si qëndrojnë punët me Familjen Moderne dhe Cimerat, por tek e para disa gjëra duhet të ndryshojnë sepse kanë filluar të bëhen të vjetra, pra nevojitet freski. Cimerat personalisht nuk i kam shikuar pasi që nuk duket si një serial që mund të zë vend në skemën time programore të dielave në ora 21:00, që në një farë mënyrë është koha më e mirë për të shikuar TV. Dyshoj se do të kthehen këto dy seriale këtë sezonë, sidomos Familja Moderne që është më e mirë se Cimerat por edhe që ka buxhet shumë më të madh. Megjithatë për Familjen Moderne mendoj se meriton së paku edhe një gjysmë sezone deri në fund të vitit.

Për fund…

nuk kishte me qenë kushedi sa vështirë apo e shtrenjtë që secili kanal të ndante një orë në programacionin e tyre për të njoftuar shikuesit me të rejat (të vjetrat) në skemat e tyre programore.

Luan Morina

* Këto opinione janë të bazuara në supozime për skemën e re programore që pritet të kenë tri kanalet kombëtare në Kosovë. Pra, nuk kemi asnjë informatë zyrtare se cilat emisione do të vendosen në çfarë orari.

Televizioni

Luan Morina numëron

10 programet televizive më të suksesshme në sezonin e kaluar

10. Një kafe me Labin – RTV21

Kështu: Labi ndoshta ju shkon nerva. Mirëpo formati i ri i emisionit është treguar mjaftë i suksesshëm. Ai po sjell përvojën nga vise krejt të ndryshme, nga vise që kurrë nuk do të dilnin në televizion. Tani aty po tregohen histori të ndryshme, mjaft interesante nga njerëz të thjeshtë si ne. Edhe sponzori është zgjedhur me mend. Motoja e e emisionit dhe sponzorit po lidhet për bukuri.

Një sukses i Labit, dhe i vetmi i 21-shit këtë sezon.

9. SpitaliKS – KTV

Sezoni i parë ishte ashtu-kështu. Sezoni i dytë ndryshoi tërësisht për të mirë. Arsyeja kryesore është inkuadrimi i Ard Islamit në përgatitjen e skenarit. Gjithashtu roli i tij dhe i motrave të tij ishte një katalizator i suksesit serialit. Së fundmi ardhja e Ryva Kajtazit në rolin e Evës, (gruaja e Hitlerit) ishte “qershia mbi tortë”. Me këtë tempo SpitaliKS ka shumë sezone tjera të suksesshme përpara.

8. Oxygen – RTK

E premta mbrëma nuk është e lehtë për të zgjedhur cilin kanal të shikoni. Megjithatë, Besim Dina,  ka vazhduar të mbaj Oxygenin në të njëjtin tempo që ka qenë viteve të kaluara. Mysafirët e tij të veçantë këtë sezon, e kanë bërë të identifikohet si një emision shumë më tepër serioz se emisionet tjera të ngjashme.

7. That’s 70s Show – KTV

Allo Allo, ka qenë seriali më i suksesshëm i transmtuar në këtë termin në KTV ndonjëherë. Megjithatë ai nuk ka qenë i caktuar vetëm për adoleshentët. Me Neighbours KTV, ka hasur pak probleme. Është një serial i gjatë që duhet kohë të njihet me shikuesit.

Megithatë That’s 70s Show, ka rikthyer nivelin e shikueshmërisë së Rebelëve, e ndoshta edhe e ka tejkaluar atë. Ndoshta e mira ka qenë, se ke mundur të shohësh 4 episode radhazi.

6. Milioneri – RTK

Ardhja e Fehmi Feratit në Milioner ka ndryshuar gjithçka. Ai ka sjellur atmosferë më të gjallë, duke e larguar zymtësinë dhe seriozitetin që ka pasur ky shou sezonin e kaluar. Këtë vit shou thjesht ka qenë më i gjallëruar, më i hareshëm. Kemi pasur kohë pas kohe ndonjë shaka me vend. Pse nuk ka fituar askush 50.000 euro nuk ka faj askush.

5. Kujdes nga Engjëlli – KTV

Mariqui është personazhi më me ndikim në televizionin dhe jetën e kosovareve këtë vit. Shumë femra , dhe shtëpiake nuk janë zgjuar në ora 8 të mëgjesit. Por, këtë vit gjërat kanë ndryshuar. Përveç se ka marrë një termin mjaft të mirë për të filluar ditën, KTV, ka detyruar RTV21 që të shfaq serialet e mëngjesit më vonë, dhe me shikueshmëri më të vogël se Mariqui.

4. Rubikon – KTV

Adriatik Kelmendi, është gazetari më i mirë që ka Kosova sot. Cilësitë e tij i dijmë të gjithë ne që e përcjellim çdo të enjte. Është një gazetar i përkryer. I mençur, i qetë, i përgatitur, i ditur, etj. Mysafirët e tij vërtetë kanë qenë në siklet shumë herë. Biles duhet të them se shumë herë është vërejtur se Adriatiku i di gjërat më mirë se mysafirët që ishin përballë tij. E kam fjalën për mysafirë që duhet të ishin ekspert në fushën dhe punën e tyre. Thjeshtë është njeri profesionist, me përvojë, ka pasur përballë njerëzit më me ndikim në politikën ndërkombëtare. Është i zoti. I lumtë.

3. Jeta në Kosovë – RTK

Është emisioni më i mirë informativ në Kosovë për vite. Për dallim nga Rubikoni, shpesh kemi mysafirë të shumtë, pra jo vetëm një. Kemi raporte nga terreni, dhe tema që prekin jetën e njeriut të thjeshtë. Për këtë është emision që të gjithë e duan. Thjesht e duan, e përkrahin, e shikojnë, sepse është në anën e shikuesit. Dhe për të qenë i shikuar duhet të jesh në anën e drejtë.

Më parë ishte ndoshta vetëm Jeta Xharra, por tani ajo ka krijuar një skuadër gazetarësh të zot, profesionist, të cilët kanë bërë një përvojë të lakmueshme. Janë një superskuadër, gardian të zërit të popullit.

2. Interaktiv – KTV

Emisioni i ri më i suksesshëm këtë vit. Askush nuk e ka pritur një sukses të tillë, por emisioni i udhëhequr nga Xhemajl Rexha, që është duke u bërë figura kryesore në deskun informativ në KTV, për një kohë të shkurtër, ka shpërthyer këtë vit. Rubrikat si ikoha, dhe mysafiri në studio kanë ndikuar në shikueshmëri edhe më të madhe. Vetë struktura e emisionit është e ndërtuar në atë mënyrë që përmbushë kërkesat e çdo moshe të shikuesve.

KTV mund të krenohet me punën që kanë bërë me Interaktiv.

1. Kafeneja Jonë – RTK

Padyshim Kafeneja vazhdon të mbetet emisioni më i shikuar në Kosovë. Me këtë tempo ata do të vazhdojnë të jenë emisioni më i shikuar në televizion. Ilir Bokshi dhe Astrit Kabashi kanë bërë një punë fantastike këtë sezon. Mungesa e Labinotit është mbuluar shumë mirë me futjen e karaktereve epizodike të cilat i kanë dhënë një shtytje serialit. Për të vërejtur se sa ndikim ka ky serial në popullin tonë dy-milionësh dëshmon e famshmja (të cilën e urrej personalisht) “flej, flej”. Gjithashtu kemi parë më shumë nga Muharremi, me ardhjen e Fifit. Ka munguar edhe Saranda, por edhe ajo është mbuluar nga personazhet episodike.

Sidoqoftë, Kafeneja Jonë ka mbetur seriali më i shikuar në televizionet kosovar, dhe është një gjë që nuk mund të fillojmë javën pa të.

Botuar në Shqipmedia dhe Koha

Televizioni

Anglezët ishin të fundit. Tejmase të dëshpruar. Sulmuan mënyrën e votimit. Përsëri. Biles disa shkojnë aq larg sa që propozojnë të ndryshojn emrin prej Euro-Vision, në IshBashkimiSovjetikVision. Kanë të drejtë. Shumë mirë tha moderatori nga Gjeorgjia “8 pikë shkojnë për nënën Rusi”. Megjithatë Rusia as vitin e kaluar, as sivjet nuk fitoi. Nuk është gjithçka tek “miqtë”.

Anglezët, derisa vazhdojnë të çojnë këngëtarë amator dhe të papërvojë në Eurovision, me këngë të “buta”, nuk do të fitojnë. Le të dërgojnë ndonjë këngëtar si Robi Uilliams, Sheril Koll, Leona Luis, apo Uestllajf dhe pastaj le të ankohen se nuk kanë “miq”.

Edhe ne shqiptarët ishim paksa të dëshpruar. Personalisht kam pritur të gjendemi në Top 10. Por, pozita e 16 është pak dëshpruese. Megjithatë paraqitja e Juliana Pashës ishte e mirë.

Në gjysmëfinalen e parë, ajo u rendit e gjashta me 76, ndërsa fituesi ishte përfaqësuesi i Belgjikës, Tom Dajs me 167 pikë.

Sidoqoftë që të fitoj përfaqësuesja e Gjermanisë, Lena Mejer nuk e kanë pritur shumë veta, më mirë të them askush. Pse?

Së pari, gjithnjë ekziston ajo mënyra e votimit “miqësor”. Qipro gjithnjë i jep 12 pikë Greqisë, Greqia ia kthen njëjtë. Ky është një fakt që kurrë nuk ndryshon, dhe nuk do të ndryshoj. Vendet sovjetike i japin njëra tjetrës 8 deri 12 pikë. E edhe Bosnja e Hercegovina, i jep Serbisë 12she, që më së paku e ka merituar këtë vit.

Edhe nëse ndonjë herë, herëdokurdo Kosova do të marr pjesë në Eurovision, sigurisht që do ti jep Shqipërisë 12she. Kjo do të ndodh ndonjë ditë.

Mirëpo pse fitoi Gjermania. Ja pse.

Kënga e Gjermanisë, ka qenë e promovuar më herët në shumicën e vendeve evropiane. Ajo ka qenë në listat e këngëve më të dëgjuara në shumë vende europiane javëve të fundit. Kanë shpenzuar shumë kohë dhe para në marketing. Dhe Lena Mejer dukej e bukur, energjetike, ritmike, edhe pse teksti i këngës nuk ishte kushedi se çka.

Turqia kishte një skenografia të shkëlqyeshme. Më të mirën. Kënga ishte e zhanrit rok, më shumë tërheqëse për rininë dhe adoleshentët, por jo shumë e promovuar.

Rumania, kam pritur që të jetë e treta. Ka qenë një këngë shumë e mirë, e përgatitur mirë, dhe ekzekutuar shumë mirë.

Belgjika ka merituar më shumë. Dëshprime kanë qenë Islanda dhe Irlanda. Të dyja këngë të shkëlqyeshme, të lehta, shumë mirë të përpunuara dhe të performuara. Megjithatë edhe një herë u vërejt se një këngë e lehtë nuk mund të triumfojë në Eurovision. Këtë e vërtetojnë rezultatet e viteve të fundit.

Intersante ka qenë kënga e Ukrainës, e kënduar nga Aljosha, Sweet People. Një këngë e lehtë të cilën e këndoi e vetme me një makiazh që i ngjante personazheve nga filmi Twilight. Megjithatë ishte shumë e bukur edhe Aljosha, e edhe kënga.

Edhe Tom Dajs i Belgjikës përformoi i vetëm me kitarën e tij. Ishte një paraqitje e tij e shkëlqyeshme, sikur vokali dhe teksti.

Për fund, Madcon, me Glow, ishte gjëja më e mirë që ka ndodhur në Eurovision në dekadën e fundit. përgatitje e shkëlqyeshme nga organizatorët. Të dëgjoje këtë këngë dhe të mos vallëzoje ka qenë e pamundur. Kjo ishte gjëja më e mirë e këtij edicioni që do të kujtohet për fitoren e këngës më të mirë ndër këngët mesatare. Nuk ishte anjë që meriton të dallohet nga të tjerat. Sidoqoftë, organizimi i edicionit të ardhshëm do të jetë ndër më të mirët besoj. Kjo sepse do ta bëjnë gjermanët.

Luan Morina

Publikuar në Telekomanda