Sport

Censura e Kosovës

Zakonisht boj permbledhje, e analiza pas ndeshjeve, ama jo sonte. Sonte s’do të ketë përmbledhje të asaj që ndoshta ishte ndeshja më e mirë e Kosovës deri tashti në këto dy vite që jemi të pranuar në FIFA dhe UEFA. Sonte, do të jem me atë pjesën dërrmuese të popullsisë e cila për shkak të censurës së FFK-së nuk ka mundur të shoh ndeshjen.

Pse?

Paragrafi i parë i nenit 42 të Kushtetutës së Kosovë ndalon censurimin e mediave. Gjersa ky nen nuk mjafton për problemin në vijim, Kuvendi i Kosovës me përfaqësuesit që i kemi zgjedhur vet ne, përkatësisht Komisioni për administratë publike, qeverisje lokale, dhe media, duhet të merren me hartimin e një Ligji apo Rregullore, që do të detyronte KPM-në të listonte ngjarjet me rëndësi kombëtare për qytetarët e Kosovës të cilat nuk guxojnë të censurohen nga shfaqja në televizion me mbulim kombëtar pa pagesë.

Sot, ishim dëshmitarë që edhe një herë përfaqësuesja e Kosovës në futboll ishte në dispozicion vetëm për një pjesë të caktuar të popullsisë të cilët për të parë Kosovën duhet të bëjnë pagesë mujore/vjetore. Dhe kjo nuk është hera e parë që përfaqësuesja e Kosovës censurohet për pjesën dërrmuese të popullsisë.

Fajtore për këtë është Federata e Futbollit të Kosovës, si menaxhuese e përfaqësueses së Kosovës, e cila drejtpërdrejtë është përgjegjëse për shpërndarjen e të drejtave televizive. Në çdo rast kur të drejtat e transmetimit janë varur nga FFK, ato kanë qenë të kufizuara për vetëm një pjesë të popullsisë, duke përjashtuar shumicën dërrmuese të cilët pësojnë një censurë të vazhdueshme në përcjelljen e përfaqësueses së tyre kombëtare në futboll.

Aktet Transmetuese që rrjedhin nga Politikat Audio-vizuale dhe mediale të Bashkimit Evropian, sugjerojnë vendet anëtare, dhe ato që aspirojnë për anëtarësim të hartojnë listën e ngjarjeve të mëdha televizive që nuk guxojnë të censurohen nga transmetimi në nivel kombëtar pa pagesë shtesë.

Britania e Madhe, Austria, Belgjika, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Irlanda, Italia janë në mesin e vendeve që kanë të publikuara lista të këtilla. Edhe në Rusi që nuk është pjesë e Bashkimit Evropian ka listë që detyron transmetimin kombëtar pa pagesë të ngjarjeve me interes kombëtar.

Në Kosovë, për momentin nuk ka dhe nuk do të ketë interes kombëtar sportiv për t’u parë në televizion nga të gjithë më shumë se përfaqësuesja e Kosovës në futboll. Dhe këtë interes, FFK-ja provon ta kthej në një fryt ekonomik për ta.

Andaj, bazuar në këtë, organet kompetente të lartcekura më lart, duhet të nisin hartimin e një ligji, rregullore, apo çfarëdo akti ligjor që obligon Federatat sportive të regjistruara në Ministrinë e Kulturës, Rinisë, dhe Sportit që garat me interes kombëtar – ndeshjet e përfaqësuese së Kosovës në të gjitha sportet, si dhe finalet e kupës në këto sporte të transmetohen në kanale me frekuencë tokësore të lirë (të pakoduar) kombëtare në territorin e Kosovës.

Federatat Ndërkombëtare Sportive nuk kundërshtojnë diçka që është në funksion në çdo vend tjetër në Evropë. Edhe në Shqipëri ndeshja e sotme është shfaqur në kanal me frekuencë të lirë kombëtare.

Kjo letër u dërgohet anëtarëve të Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media; Zyrës së KPM-së; FFK-së; Avokatit të Popullit; dhe deputetëve të cilëve u kam dhënë personalisht votën në këtë mandat në Kuvendin e Kosovës.

Do të ishte mirë edhe tjerët ta bënin të njëjtën gjë tek deputetët të cilët kanë zgjedhur vet.

p.s. rregulloret e permendura – https://www.ofcom.org.uk/__data/assets/pdf_file/0029/35948/ofcom_code_on_sport.pdf & http://ec.europa.eu/archives/information_society/avpolicy/index_en.htm