Filma

Christine (2016) – Recensim

Filmi ‘Network’ është abetare për të gjithë ata që dëshirojnë të dinë më shumë për mediat, për ata që studiojnë gazetarinë, për ata që kanë lidhje me mediat si konsumues të tyre. Me shkurt, është film që duhet ti shihet nga të gjithë.

Ka edhe shumë filma tjerë të shkëlqyeshëm për median dhe gazetarinë. ‘Christine’ është ndër ata me një cilësi mbi-mesatare. Për dallim nga ‘Network’, nga i cili kuptohet që është shumë më poshtë, është film i bazuar në ngjarje të vërtetë.

Ngjarja bazohet tek Christine Chubbuck. Ajo është një gazetare televizioni në vitet e ‘70ta e cila derisa provon të korr sukses dhe të avancojë karrierën e saj, në të njëjtën kohë përballet me depresionin dhe problemet tjera private. Kur nisin betejat për avancime në punë, dhe si zakonisht detyrat e gazetarëve është hulumtimi i temave e formateve të reja, atëherë shfaqen udhëkryqe që testojnë shumë anë tek ajo.

Në rolin e Christine vjen Rebecca Hall të cilën zakonisht e kam parë në ndihmë të karaktereve kryesore, ose ndarje të planit të parë me ndonjë karakter tjetër. Këtu e tërë historia, me devijime të kuptueshme, bazohet tek karakteri i saj. Befasi e mirë ishte të shihja në një film artistik edhe Dexterin – Michael C. Hall. Ai është kolegë i Hall, bashkë me Tracy Letts. Ka edhe karaktere tjera dytësore të cilat vijnë në jetë nga emra jo aq të spikatur ndoshta në botën e filmit. Aktrimi arrin të përputhet me historinë e cila sjell në jetë një periudhë goxha ndryshe në botën e gazetarisë në krahasim me këtë që kemi sot, pothuajse gjysmë shekulli më pas.

Është një këndvështrim interesant, mirë i shtjelluar nga debutuesi në rolin e skenarit, Craig Silowich. Njëjtë sikur ky, edhe Antonio Campos më shumë është marr me zejen e producentit. Për të është filmi i tretë në karrierë, dhe kjo vërehet qartazi. Megjithatë, si projekt është i barabartë në të gjitha linjat. Si rezultat kemi një tregim të bazuar në ngjarje të vërtetë, mirë të konvertuar në film. Nota personale: 4/5