Filma

Colossal (2016) – Recensim

A e dini ato qytetet që kemi ndërtuar me LEGO klasike ‘jugosllave’ të cilat kanë qenë shumë më të vogla se këto LEGO-t e tashme të cilat duket se bëhen me përtaci! Mund të bëje një shtëpi e një lagje të tërë, dhe të realizoje skenarin tënd nga një imagjinatë fëmije. Ose le të shkojmë tek ‘Power Rangers’ dhe ajo ‘morfentajm’ për të rrëzuar fëmijët armiq nga rruga përballë.

Okej, që ta thjeshtoj më shumë. ‘The Sims’ veçse pak më real dhe pa pasur nevojë për rrymë e cila për çudi atëherë nuk ndalej kaq shumë për ‘punime në trasenë e largpërçuesve’ të cilët bien në frymë më të vogël, derisa Florida me uraganin Irma nuk ka ndërprerje!!

Ti kthehemi filmit. Anne Hathaway është diçka që kemi qenë shumica nga ne si fëmijë. Ajo pahiri është e ndërlidhur me një përbindësh në qytetin e Seulit. Në momentin që ajo shkel në parkun në qytetin e saj të lindjes, në të cilin kthehet pas një aventure të dështuar në qytetin e Nju Jorkut, përbindëshi del nga lumi në Seul dhe bën çdo gjest që bën kjo në parkun në fjalë.

Këtë sekret ajo e ndan me miqtë e saj nga fëmijëria me të cilët duket se ka disa hesape të paqëruara. Dikur edhe ata futen në lojë, dhe atëherë përshkallëzohet situata.

Si ide më ka pëlqyer tej mase. Realizimi sjell atë zymtësinë e tij të mjaftueshme duke mos kapërcyer në ekstreme sidomos kur jemi tek përbindëshi. Është film i thjeshtë, i përshtatshëm për tu parë nga të gjithë.

Pos skenarit edhe aktrimi i Anne Hathaway e Jason Sudeikis është në nivel. Kanë një harmoni bash çfarë ju nevojitet për këtë film. Nuk ka shumëçka për tu përmendur duke lehtësuar edhe punën e një shikuesi që vetëm kërkon pak argëtim. Nuk është diçka i veçantë, ama thashë, i mirë. Nota personale: 3/5