Televizioni

Dallas Buyers Club (2013) – Recensim

dallas-buyers-club

Një film shumë i mirë, por, i mbetur në hije falë aktrimit të përkryer të Matthew McConaughey e Jared Leto. Kështu do të përmblidhja me një fjali këtë film.

Të dy aktorët vijnë me aktrimet e karrierës së tyre, dhe që të dy pritet të marrin çmimet më të mëdha kudo që janë nominuar. Kontribut të madh kësaj kauze, si në aktrim përkrah McConaughey e Letos, si me anë të karakterit të saj në temën e filmit jep Jennifer Garner. Edhe pse karakteri i saj nuk ka kushedi sa rol në krahasim me dy karakteret kryesore në film, Garner gjen hapësirë për të dëshmuar aftësitë e saja prej një aktoreje të madhe.

Por, megjithatë gjithçka mbetet tek dyshja. Harmonia e tyre në skenë, përkundër faktit që janë karaktere të ndryshme në film, është e mahnitshme përfshirë skenat fillestare kur kanë mendime krejtësisht të kundërta. Me evoluimin e filmit karakteret e tyre arrijnë një afërsi të konsiderueshme që i jep emocione këtij filmi, edhe pse ato nuk mungojnë në asnjë pjesë të filmit. Karakteret dhe tema e bën shikuesin të ketë një ndjenjë keqardhjeje, dhembshurie ndaj karaktereve, por, jo në atë shkallë sa e bën irritimin dhe urrejtjen ndaj hierarkisë qeverisëse të organeve shëndetësore.

Ron Udruf (McConaughey) është një elektricist me një jetë paksa të shfrenuar në Dallas. Pas diagnostifikimit me AIDS dhe periudhës depresive të refuzimit të këtij fakti ai nis rrugëtimin e tij në zbulimin e kurës. Ngjarja ndodh në vitin 1985, në periudhën e parë të shfaqjes së kësaj sëmundjeje. Ron nuk është i kënaqur me ofrimin e barnave dhe kujdesin shëndetësor ndaj të sëmurëve si ai dhe nis një luftë kundër sistemit shëndetësor dhe industrisë farmaceutike e cila kërkon kohë dhe procedura hierarkike për të siguruar barnat e reja, kohë të cilën as Ron e as të tjerët e prekur nga kjo sëmundje nuk e kanë. Për këtë ai themelon ‘Dallas Buyers Club’ organizatë që shpërndan barna për të gjithë të prekurit nga kjo sëmundje, barna që nuk lejohen me ligj, por të cilat u bëjnë mirë të sëmurëve. Në këtë mision ai ndihmohet nga Rajan (Leto), një transeksual i prekur me AIDS.

Tashti nëse është kjo hera e parë që shihni Leton nuk do ta keni të lehtë të definoni se çfarë gjinie është. Këtë më shumë e vlerësoj si një kompliment për aktrimin e tij, pasi vërtetë e përmbledh në maksimum aktrimin e tij që më parë e kemi vërejtur tek ‘Requiem for a Dream’ e ‘Mr. Nobody’ pa përjashtur role tjera minore. Vet karakteri i tij ndoshta ofron një mundësi më të madhe për të treguar aktrimin e tij të përkryer. Si Leto, ngjashëm edhe McConaughey përshtaten me karakteret e tyre, dhe krijojnë një harmoni jashtëzakonisht origjinale. Të dy i ndihmojnë njëri-tjetrit për të ofruar një film të shkëlqyeshëm, ku përsëris gjithnjë dominon aktrimi mbi temën.

E tema është e shtjelluar me përpikëri. Një skenar nga debutuesi Craig Worten dhe Melisa Wallack. Është një adaptim i mirë i kësaj ngjarjeje që nis dhe përfundon në pozitat më të mira të mundshme. Ka gjëra që ndoshta nuk ka pasur nevojë të jenë aty, por ato veçse ndihmojnë të njohim më mirë karakteret. Si skenari edhe regjia e Jean-Marc Vallee, është mirë e realizuar dhe ju ndihmon kësaj tresheje të krijojnë një emër në mesin e ekuipazhit të vlerësuar pas kamerave.

Sidoqoftë, e tëra kjo është arrit falë aktrimit të përkryer të Matthew McConaughey e Jared Leto. ‘Dallas Buyers Club’ gjithnjë do të mbetet një film i njohur më shumë për aktrimin e këtij çifti.

Nota personale: 8/10