Filma

I, Daniel Blake (2016) – Recensim

Anonimë, si aktorët, si emrat pas kamerave, si vet tregimi mund të jetë anonimë për shumicën. Për këtë arsye ky film do të ju duket më real, më afër me jetën e përditshme, jetën që zhvillohet larg thjerrëzave të kamerave që sjellin pamjet nga bota perëndimore. Është një anë jo medoemos e errët, jo nga getoja. Është përshkrim i një ngjarjeje që prek një sasi të konsiderueshme të botës perëndimore, në këtë rast asaj angleze.

Një zdrukthëtar në moshën e mesme, gjeneratën e artë të atyre të lindur pasluftës, tenton të aplikoj për asistencë sociale pasi që kishte pësuar sulm në zemër. Pasi është i gjeneratës së lartpërmendur, shumica prej të cilës nuk ka shumë njohuri me teknologjinë ‘e mençur’, ai has në probleme për të aplikuar sipas procedurave të cilat tani kërkohen me modernizimin e shërbimeve sociale. Pos që janë procedura të ndërlikuara për këtë gjeneratë, këto janë të mbushura me kërkesa burokratike që të kujtojnë goxha shumë vendin tonë. Është një dallim në fakt – kultura e mospajtimeve, mosmarrëveshjeve tek ne është inekzistente.

Gjatë këtij misioni, Daniel Blake takon një nënë të re, që mund të konsiderohet edhe në moshë të së bijës, e cila gjithashtu është duke kërkuar asistencë sociale për të dhe dy fëmijët e saj. Njëkohësisht ajo duhet të gjej punë, vendbanim, dhe shkollim për të dy. Rrugët e Danielit dhe kësaj familjeje kryqëzohen në misionin në luftë kundër burokracisë.

Aktrimi është i mirë, ngjashëm si shtjellimi i tregimit. Ken Loach bën regjinë e tregimit të Paul Lavertyt. Që të dy duket se kanë një histori të gjatë bashkëpunimi, jo aq të njohur për shumicën, mendoj. Këtu, tek ‘I, Daniel Blake’ ia dalin të jetësojnë një temë goxha të nevojshme për tu trajtuar në film, për tu debatuar në publik. Goxha me sukses edhe atë. Me pak përvojë në televizion, për Dave Johns ky është filmi i parë, ndërkohë për Hayle Squires vetëm i treti. Bazuar në këtë është punë goxha e mirë nga të dy.

Është një atmosferë e zymtë, emocionale, jo e lehtë. Është një film me tema sociale që ia vlen ta shohim të gjithë. Nota personale: 4/5