Filma

Danny Collins (2015) – Recensim

Dan Fogelman shkruan komedi të mira. ‘Tangled’, ‘Cars’, ‘Bolt’ dhe komeditë tjera jo të animuara si ‘Fred Claus’, ‘Last Vegas’, e edhe ‘The Guilt Trip’ janë pjesë e CV-së së tij. Por, asnjëra nuk i afrohet ‘Crazy, Stupid, Love’. As ‘Danny Collins’!

Është një komedi e mirë që ka nuanca të konsiderueshme drame, sidomos në pjesën e dytë të filmit. Al Pacino vjen në rolin e një këngëtari të vjetëruar roku i cili dëshiron të rigjej magjinë e tij pasi zbulon një letër që ia kishte dërguar John Lennoni para dyzet viteve, letër të cilën e kishte pranuar vetëm tashti kur i kishte vdekur agjenti i tij.

Karakteri i Pacinos, Danny Collins ka një jetë luksoze dhe me një të kaluar të mistershme. Mënyra e jetesës së tij është shumë klishe për yje roku – ka vetura, rezidenca, të dashur dyfish më të re, dhe bën riciklim të veprave të tij me kreativitetin të pensionuar tashmë sa kohë. Pasi mëson për letrën që agjenti nuk ia kishe dërguar kurrë për të përfituar materialisht dikur, ai vendos të ngacmoj kreativitetin e tij si për të përmbushur fjalët e Lennonit. Zhvendoset në një hotel duke lënë braktisur të tashmen aktuale. E në hotel nis historia e re, tregimi kryesor i filmit.

Aty shoqërohet me stafin e hotelit që vjen me një kast shumë të lezetshëm si dhe provon të ndreq lidhjen e tij me birin e ‘harruar’ që jeton afër. Annette Bening vjen në rolin e menaxheres së hotelit me të cilën dëshiron të nis një lidhje Danny, derisa Josh Peck dhe ‘supergirl’ Melissa Benoist janë pjesa tjetër e stafit të hotelit, të dy me role dytësore por shumë simpatike. Bobby Cannavale e Jennifer Garner kanë një harmonike skenike të mirë si biri dhe e reja e Dannyt. I gjithë ky kast vepron në dy universe paralele që i lidh vetëm karakteri i Dannyt. Derisa njëri është më i hareshëm, tjetri është pak më i zymtë. Kjo shërben si një balancë për këtë dram-edi. Aktrimi i tyre është i kënaqshëm, veçanërisht Bening e Cannavale.

Skenari është mirë i realizuar. Ka dialogje të mira, tregimi ecën me një ritëm të mirë, pa u vonuar në detaje të panevojshme. Është mirë i shkruar.

Në përgjithësi ‘Danny Collins’ mbetet një film shumë i mirë me një kast e skenar që nuk dëshpron. Ka një moment të përkryer përfundimi, moment për të cilin edhe e merr një notën më lart. Nota personale: 4/5