Filma

Darkest Hour (2017) – Recensim

Çfarë dini për Winston Churchill?

Ka qenë lider që ka udhëheq Mbretërinë e Bashkuar nëpër Luftën e Dytë Botërore, ama si e ka udhëheq? Çfarë ka bërë? Kush ka qenë? Është një insert nga seria dokumentare ‘The World at War’, ku pas bombardimeve të zakonshme të nazistëve, Churchill del të vizitoj gërmadhat nga ish-shtëpitë tashmë duke u thënë qytetarëve ‘Ne mund të durojmë’! Replika e një qytetareje më së miri tregon Churchillin dhe punën e tij në ‘mposhtjen’ e Hitlerit!

Filmi nis në momentin kur Chamberlain largohet nga pozita e kryeministrit, për të dhënë një kuptim që vetëm Churchill është i aftë për të udhëheq Mbretërinë e Bashkuar nëpër kohërat që po vijnë. Është një lloj vazhdimi i fundit të ‘The King’s Speech’, në aspektin kohor. Para këtij momenti në dhomat vendimmarrëse britanike, kemi Churchillin që dhunon psiqikisht daktilografen e tij të re, në një tentim të skenaristëve për të na dhënë një pasqyrë mbi karakterin e tij.

Karakteri i tij zhvillohet nga një plak gërnjar, i padurueshëm, deri tek e kundërta, si në aspektin politik, edhe në aspektin human. Është një lëvizje e kundërt në peshore me kalimin e kohës, duke provuar ta bëj Churchillin të dashur.

Sa i përket veprës së tij, nuk besoj që kanë mundur të futin më shumë gjëra në skenar. Si film, mbetet pak i zbrazët.

Pjesa më e mirë e krejt filmit është aktrimi i Gary Oldman në rolin kryesor. Ai sjell një Churchill ashtu siç mund ta shohim edhe në filma tjerë, por ndoshta për shkak të moshës për mua mbetet mbrapa John Lithgow tek ‘The Crown’. Megjithatë, aktrimi i Oldman është në nivelin e kryeveprave të tij, dhe jo pa meritë konsiderohet si favorit për Oskar.

Edhe pjesa tjetër e trupës së aktrimit me Kristin Scott Thomas, Lily James, e Ben Mendelsohn janë të mirë në punën e tyre. Është një film i bukur, mbi mesataren, një histori mirë e pasqyruar. Por, për dallim nga ‘Dunkirk’ ku duhet të dini më shumë për historinë e vërtetë për të shijuar filmin, tek ‘Darkest Hour’ duhet të dini sa më pak nga historia e vërtetë. Nota personale: 4/5

p.s. për replikën e qytetares shikojeni ‘The World at War’. Nuk mjaftojnë vetëm librat e historisë për një luftë aq të madhe. As vetëm ai dokumentar!