Journal

Depresioni (3)

Shëndeti mendor ka shumë ngjashmëri. Dallimi ndërmjet depresionit edhe ankthit mund të duket i ngushtë, e dikush ndoshta mund t’ua shpjegoj edhe më mirë. Me dy gjëra do i dalloj këto dyja – ankthi sjell brenga, depresioni nuk brengos për gjë; si dhe i pari të mban në këmbë, i dyti të shtrin dhe të vë në gjumë.

Mund të ndihemi keq për diçka – rënie nga provimi, humbja e ekipit, një fjalë e rëndë nga dikush, një lajm i keq. Apo thjesht mund të jetë njëra nga ato ditët. E dimë pse nuk jemi mirë, pse nuk jemi në qejf. I dimë arsyet, dhe pas dy-tri orëve apo ditëve mësohemi të vazhdojmë tutje, të harrojmë atë që na ka prishur qejfi.

Por, problemi kryesor është që nganjëherë nuk e din arsyen pse ndihesh keq. Edhe të mblidhen shumë gjëra. Nuk është diçka që kalon me tri-katër ditë. Zgjatë me javë, me muaj. Sigurisht që nuk vazhdon në çdo moment. Ka ato shkëndija të vogla lumturie, ato minuta, orë, e ndoshta edhe ditë. Janë imtësitë që na ndreqin qejfin për ato pak çaste. Ngulmimi i Rosit që kanë qenë të ndarë me Rejçëllin, qepja e Ponçove nga Shelldoni, apo edhe vargjet e Oneginit. Një bisedë e shkurtër me një mik të dashur, vizita e një familjari. Apo edhe gjashtë orë lojë PES edhe pa folur asnjë fjalë me bashkëlojtarin. Dhe kjo është ajo shoqëri e cila të nevojitet në këso periudhash. Ata miq. Ato sekuenca të serisë tënde të preferuar. Ajo copëz dielli që ndodh me ditë nuk e ke parë.

Nuk është vetëm një ndjenjë e keqe. E përkufizojnë edhe me mosprodhimiin e mjaftueshëm të hormoneve, çrregullime tjera në sistemin nervor, dhe organizmin në tërësi. Nuk është diçka që prek vetëm disponimin dhe trurin. Prek krejt trupin. Krejt rrethinën. Dhe brenga që po shkaktojmë dhimbje edhe në rrethinë, që po dëshpërojmë e zhgënjejmë edhe ata është ajo që na shton simptomën kryesore të depresionit, ajo që na rrëzon – na s’jemi gjë, vetëm bërllog dhe humbje hapësire e kohe.

Kjo s’është e vërtetë, dhe pa marr parasysh sa provoni ti tregoni se sa vlejnë, sa janë të vyeshëm, nuk mund të ndryshoni mendjen. Mjafton edhe ti lëshoni ‘It’s a Wonderful Life’, që është ndoshta edhe antidepresanti më i mirë. Por, kurrë nuk dihet se çka do të bëj mirë. Çka do të ndihmoj.

Nuk është diçka që zgjat gjithmonë. Sidoqoftë, është diçka që mund të mjekohet, si me terapi psikike ashtu edhe me ilaçe. Gjithçka mund të mjekohet, për gjithçka ka zgjidhje. Vetëm duhet durim, dhe mirëkuptim nga të tjerët. Asgjë si një shëtitjen në diell, asgjë sikur një mik i pakusht në ato ditë depresioni nuk shëron. Mirëpo, edhe miku duhet të dijë terapinë që i nevojitet mikut të tij.

Si shumë sëmundje mendore, edhe depresioni ka pothuaj faktorë dhe simptoma të ngjashme. Si shumë prej tyre ka edhe zgjidhje.

Si shumë sëmundje, edhe depresioni nuk zgjedh pacientët në bazë të gjinisë, racës, edukimit, pasurisë. E kap këdo, kurdo, pa paralajmërim. Por, mund të trajtohet për të gjithë.