Filma

Detroit (2017) – Recensim

Dikujt i nevojiten mbi 20 vite për të dëshmuar se nuk është i mirë për një audiencë të gjerë. I nevojiten 20 vite për të dëshmuar që është aktor i mirë kinse brengoset për masën. Ose, një pjese të masës i nevojiten 20 vite për të kuptuar që dikush nuk ia do të mirën atyre, por vetvetes.

Will Poulter-it nuk i nevojiten 20 vite aktrim për të luajtur një karakter antagonist në një ngjarje tjetër të turpshme të historisë moderne amerikane. Poulterin të cilin mund ta njohin fansat e ‘Maze Runner’, në filmin ‘Detroit’ e shohim në rolin e një polici në qytetin me të njëjtin emër si filmi. Ngjarja zhvillohet në verën e nxehtë jo vetëm në temperatura të vitit 1967, kur mbi 150 rebelime anti-raciste ishin shpërfaqur anembanë SHBA-ve.

Karakteri i Poulter, Philip Krauss ka qëlluar një afrikano-amerikan gjatë rebelimit në ‘rrugën e dymbëdhjetë’, dhe në kërkim të arsyetimit të këtij incidenti, ai së bashku me një grup policësh bastisin një motel ku ndodh edhe ngjarja kryesore rreth të cilës zhvillohet filmi, bazuar në ngjarje të vërtetë të quajtur si ‘incidenti në motelin Algiers’.

John Boyega, Algee Smith, Anthony Mackie, Jason Mitchell, Jacob Latimore, e të tjerë vijnë në rolet kryesore të filmit, me një kast që arrin të mishërohet me karakteret e tyre aq me zell sa të çon mallin se je duke parë një dokumentar me incizime të vërteta, dhe jo aktrim. Është një ansambël që kryejnë punën për merak, ngjashëm si dyshja tashmë me përvojë me tema relative me këtë, Mark Boal dhe Kathryn Bigelow.

Regjisorja veç e shpërblyer me Oskar, ia ka marr dorën këtij zhanri me tensione pas ‘The Hurt Locker’ dhe ‘Zero Dark Thirty’. Një nominim tjetër për Oskar s’do të duhej të ishte befasi. Njëkohësisht edhe bashkëpunimi me Mark Boal vetëm sa është perfeksionuar me filmin e tyre të tretë të përbashkët. Janë kthyer në një dyshe të përkryer për filma me tensione, dhe ngjarjet me ngjyrime lufte, në këtë rast rebelim.

Rebelim që nis me vrull, ngadalëson në momente, por gjithnjë mban një tension të ngjarjes dhe karaktereve, që duket goxha real për shikuesit. Nota personale: 5/5