Filma

The Disaster Artist (2017) – Recensim

James Franco në asnjë film nuk ka qenë më i mirë si aktor se tek ‘The Disaster Artist’. Këtu është vetvetja, fund e krye!

Gjasat janë të vogla të keni parë filmin ‘The Room’. Është një film i vitit 2003 i realizuar nga Tommy Wiseau! As për të nuk keni dëgjuar pasi nuk ka bërë tjetër film. Franco sjell karakterin e tij në realizimin e filmit ‘The Room’.

Filmi në fjalë është një dështim artistik dhe financiar, por është i popullarizuar me gjasë tek ‘maniakët’ e filmave të cilët e shohin ndoshta si një ‘resetim’ në rast se shohin ndonjë film keq të realizuar, pasi që më keq se ‘The Room’ me gjasë s’mund të ketë. Pos ‘Epic Movie’ ndoshta!

Personalisht nuk kam parë ‘The Room’, po pas ‘The Disaster Artist’ uria për të shikuar atë do të shtohet edhe tek ju. Filmi nis kur Tommy takon Greg Sesteron, dhe papritmas vendosin të shkojnë në Hollywood për të provuar karrierën filmike. Kur të dy dështojnë, sidomos Tommy, ky vendos të bëj një film vetvetiu. Skenari, regjia, kostumet, financimi, gjithçka do të bëhet nga Tommy. Nga vijnë financat, sa vjet i ka Tommy, si quhet në të vërtetë askush nuk e di. Askush nuk e di edhe kush i ka thënë atij që di të aktroj pasi aktrimi është tmerr!

Realizimi i filmit dhe jeta para nisjes së aventurës së të dyve për ‘The Disaster Artist’ vjen përgjatë 100 minutave të këtij filmi të realizuar nga James Franco me Dave Francon në rolin e mikut të tij në film. Seth Rogen e Alison Brie vijnë në rolet dytësore, por asgjë nuk del në pah si aktrimi i James Francos. Ndoshta nuk duhet ta veçojmë aq shumë pasi më në fund James Franco e ka gjetur veten. Ka luajtur vetveten, veçse me ndoshta më shumë fat se Tommy Wiseau.

Është një film që ia vlen ta shihni, dhe pastaj do të shihni edhe ‘The Room’. Ndoshta. Por, James Francon nuk e keni parë dhe nuk do ta shihni më mirë se këtu. Nota personale: 4/5