Filma

Doctor Strange (2016) – Recensim

Pak është faji i Arthur Conan Doyle, e pak është faji i Benedict Cumberbatch, e goxha faj ka edhe Steven Moffat që sot mund të kënaqemi me një mini-seri si ‘Sherlock’. Derisa madhështinë e atij seriali e ndajmë tek të tre, talentin e vërtetë të Benedict Cumberbatch mund ta shohim kohë pas kohe nëpër filma si ‘Doctor Strange’.

Derisa tregimi për doktorin e çuditshëm përkon me filmat tjerë për super-heronj, angazhimi i kastit të duhur e bën këtë film të jetë pak më lart për kah cilësia në krahasim me filmat e zakonshëm të këtij zhanri. Tregimi i shtjelluar nga Scott Derrickson dhe një grup skenaristësh, sjell tek ne neuro-kirurgun Stephen Strange i cili jeton një jetë Iron Man-i, veçse për dallim nga ai, ky në fakt bën diçka të dobishme. Një aksident trafiku i humb aftësitë e kontrollimit të duarve duke i shkatërruar karrierën dhe gjithçka që ka. Si çdo njeri që s’e pranon fatin e as limitet e mjekësisë, edhe Strange nis të kërkoj mjekësinë alternative. Shërimin e gjen në një tempull në Lindjen e Largët. Aty takon karakterin e Tilda Swindon që vjen në rolin e tutorit. Në këtë pjesë të botës është edhe Chiwetel Ejiofor i cili së bashku me krejt kastin nuk dëshpërojnë me aktrim. Mos të harroj të përmendi edhe Rachel McAdams e Mads Mikkelsen të përfshirë në këtë film edhe pse në role krejt të ndryshme. Por, asgjë nuk matet me Cumberbatchin.

Kur jemi tek regjia e Scott Derrickson, i cili karrierën e ka të mbushur me filma horror, atëherë nuk kam çfarë të flas. Filmi nuk është realizim i keq teknik. Ka shumë trajektore vizuale me ‘Inception’ ndoshta, por megjithatë e ka edhe veçantinë e tij.

Mbetet një film mirë i realizuar, me aktrim e tregim të përpunuar për merak. Nota personale: 4/5