Filma

A Dog’s Purpose (2017) – Recensim

Pse duhet të ju dojë një fëmijë juve? A duhet të ketë arsye? Pse e doni një dajë më shumë se tjerët për shembull? A ju ka blerë lodër, akullore, apo ju ka thënë ndonjë fjalë të mençur kur keni qenë të vogël? a duhet të ketë vetëm arsye materiale?

Unë vonë kam arritur të deshifroj ‘arsyet’ pse dikush gjendet në një pozitë të caktuar në ‘listën’ e njerëzve të pranishëm në jetën time. Para shumë njerëzve aty qëndron qeni im lazdran! Po, para krejt fqinjëve! Para disa viteve do ta konsideroja të çmendur këdo që do të thoshte kështu! Tashti me kënaqësi e pranoj këtë çmenduri!

Afër çmendjes është edhe Beilli. Ai është një qen i cili sipas legjendës së njohur ka disa jetë, sikurse macet. Së pari ai është i pranishëm në familjen e Ethanit, me të cilin kalon kohën më të rëndë të jetës së tij – adoleshencës. Gjithçka ndodh në këtë periudhë, edhe si në këtë periudhë, edhe në pjesët tjera të filmit, ka shumë ngjarje që për shumicën janë klishe, të zakonshme për filma, e për dikë edhe të tepruara.

Mirëpo, varet se ku vendoset vëmendja e juaj. Për të kënaqur duke parë këtë film duhet të jeni qen. Edhe nëse ofendoni nga ky mbiemër për ju, atëherë mos e shikoni filmin se nuk është për juve. Është për qenin, për njerëzit që preferojnë qenin dhe kafshët para disa njerëzve. Edhe vet titulli i filmit ju tregon qëllimin e filmit.

Beilli dhe emrat e qenve tjerë nëpër të cilin kalon shpirti i tij janë të zëruar nga Josh Gad. Ai ka një zë goxha të përshtatshëm për këtë rol, dhe na vjen si një narrator fund e krye, duke na sjellët jetët sikur një përrallë të bukur, të përzier kohë pas kohe me dialogë të karaktereve të ndryshme. Nuk do të ju jap detaje për jetët tjera të Beillit. Janë skenarë që sjellin llojet e jetëve që kanë shumica e qenve. Dhe kjo është ndër anët më të mira të filmit. Ju bën të shihni jetën që qeni i juaj apo i huaj është duke e bërë.

E nëse një prind i ofron gjithçka që kërkon fëmija i tij, por nuk arrin ti mëson dashurinë, personalisht mendoj që është i dështuar si prind. Dashuria ndaj krijesave më të dobëta se ne është ajo që na jep kuptim ndoshta si njerëz. Urrejtja ndaj kafshëve, vështrimi i tyre si armik, jo vetëm i qenve, është një nga pjesët më të pështira të një qenie njerëzore.

Është një film familjar që do ti kënaq të dashuruarit në kafshë. Është film për qen. Nëse nuk jeni asnjëra, mos e shikoni. Nota personale: 5/5