Kolumna televizive për Zëri

Drejtpërdrejt nga Varshava!

Nuk është hera e parë që televizionet tona dështojnë në transmetimin e ndeshjeve sportive nga vendi i ngjarjes.

Të krenuar që kanë investuar mijëra euro të buxhetit të Kosovës-para të taksapaguesve, në transmetimin e kampionatit evropian në futboll, RTK provoi të shkoj edhe një hap më tutje duke u përpjekur të sjell atmosferën origjinale nga Varshava në televizorët tanë.

Dështoi!

Audioja-zëri i komentuesve vinte shumë më herët se sa videoja. Kjo ka ndodhur edhe më parë në transmetimet e ndeshjeve finale të Ligës së Kampionëve në RTK. Ndoshta problemi mund të qëndroj tek ofruesi i pamjeve pasi ndoshta në një mënyrë mund të jenë të ndara sinjalet dhe burimet që transmetojnë audion nga ato që transmetojnë videon, por bërja e disa testeve para transmetimit të drejtpërdrejtë nuk do të ishte diçka e tepërt. Së paku do të kursente nervat e shikuesve dhe do të shmangte përdorimin e butonit MUTE.

Nuk është vetëm RTK me këso problemesh. Akoma e mbaj mend golin e Patos ndaj Interit qysh në fillim të ndeshjes, kur Shakohoxha na tregonte që kishte gol derisa ne arritëm ta shohim shumë sekonda më pas në SuperSport. Nuk di a kanë sanuar këto probleme, por e di që kanë ekzistuar edhe tek ata.

Derisa Euro 2012 sigurisht është suksesi më i madh i RTK-së viteve të fundit dhe nëse do të ekzistonte ndonjë matës audience do të sillte rekorde shikueshmëri për këtë kanal, ata nuk po harrojnë edhe ta ‘mjelin’ në maksimum këtë. E kuptoj dhe mendoj që është mjaft e qëlluar prania e disa njohësve të futbollit në studio, por mendimet ‘eksperte’ të disa emrave që nuk kanë kurrfarë relacioni me futboll na lënë pa fjalë. Nuk di nëse kanë synuar të ofrojnë një dozë komedie për neve, por s’dyshoj që po keni ndjenja të tilla kur po dëgjoni ato.

Sidoqoftë, Euro 2012 do të mbaroj këtë të diele. RTK nuk ka njoftuar asgjë për Lojërat Olimpike, por ato nuk do të arrijnë një shikueshmëri më të lartë se futbolli. Blerja ekskluzive e të drejtave për Euro 2012 ishte një mesazh i qartë që televizionet kombëtare mund të konkurrojnë me platformat private. Nuk e dimë se sa futboll do të shohim në vjeshtë, por shpresojmë që ai më cilësori të jetë pa pagesë.

E nëse RTK akoma mund të konkurroj me platformat më të pasura televizive, nuk mund të themi të njëjtën gjë për RTV21 dhe KTV. RTV21 kurrë nuk ka ofruar ndonjë alternativë televizive gjatë verës. Kemi pasur aventurat e Lukasit dhe Zhades, Mbretin e Lopëve, Mehmetat dhe tani Sulltanin. Në anën tjetër KTV sillte Wimbledon-in, kampionatet evropiane e botërore në basketboll, e filma e seriale të cilësisë më të lartë.

Derisa ky sezon televiziv ishte më i gjatë se zakonisht – shenja e parë që diçka nuk është në rregull, ishin edhe titujt e filmave të cilët nuk ngjanin në ata që zakonisht shfaqen KTV. Goditja e tretë ishte rikthimi i 3 Gjermanëve të Trashë pas shtatë viteve. Seriali do të zëvendësojë Rubikonin, pra do të shfaqet tri herë në javë, ndoshta nga dy episode në mbrëmje. Janë gjithsej 70 episode që do të duhej të mbulonin tërë verën. Pra, asgjë e re dhe inovative në KTV, pos riciklim i programeve të vjetra. Dëshpërim total nga KTV!

Ah, mos të harroj – do të shfaqin edhe episode të Lales dhe dokumentarë të BBC-së pa ndonjë orar të caktuar.

Derisa në vendet tjera gjatë verës pushojnë edhe serialet turke, tek ne janë në shpejtësinë maksimale. Sulltani, e Lale do të vazhdojnë të na ‘freskojnë’ edhe gjatë kësaj vere, pa prishur ‘rehatinë’ e shikuesve.

Luan Morina

Kritik për TV&Film

Botuar në gazetën Zëri