Filma

Dunkirk (2017) – Recensim

Nëse bën bashkë Christopher Nolan dhe Hans Zimmer përfiton një vepër madhështore. I tillë është ‘Dunkirk’.

Edhe pse në histori duhet të njihet si një ndër ngjarjet më të turpshme për forcat aleate, njëkohësisht një nga hapat gjenial të nazistëve, ‘Dunkirk’ merr një konotacion tjetër pas këtij filmi të përkryer.

Tema është e ngushtuar në tri ngjarje që nuk ndodhin krejt njëkohësisht, por duhet të përfundojnë në të njëjtën kohë. Nuk na nevojitet fundi për të parë perfeksionin vizual të Nolanit. Vetëm shtatë minuta në film dhe ke përpara një pamje që të lë pafrymë me një kontrast magjepsës të plazhit, radhëve të ushtarëve, detit, dhe qiellit. Ngjashëm vazhdon edhe për rreth 100 minuta tjerë.

Dunkerque ka qenë port evakuimi i forcave aleate pas rrethimit të gjithanshëm tokësor nga nazistët. Një dokumentar që duhet të shihni nëse ju intereson Lufta e Dytë Botërore është ‘The World at War’ nën narracionin e Laurence Olivier. Forcat e Perandorisë së Britanisë dhe Francës përgatiten për evakuim i cili nuk mund të bartë që të gjithë të ngujuarit, përkundër kërkesës së fjalëshumit Winston Churchill!

Evakuimi detar pengohet nga forcat ajrore gjermane, të cilave u kundërvihen dy aeroplan ushtarak britanik. Njëri nga ta pilotohet nga Tom Hardy! A të vazhdoj? Tjetri është Jack Lowden, nëse keni parë ‘War & Peace’ të vitit të kaluar me Paul Dano e Lily James, mund të ju kujtohet. Në det gjithçka komandohet nga Kenneth Branagh, në port. Në ndihmë anijeve transportuese ushtarake u vijnë edhe varka private nga bregdeti anglez. Një nga këto varka është ajo e udhëhequr nga veterani ushtarak, Mark Rylance. Rrugës marrin një të shpëtuar, Cillian Murphy.

Është një ansambël që s’ka si mos të mishërohet me karakteret e tyre. Sidomos nën drejtimin e Christopher Nolan i cili bën edhe skenarin edhe regjinë. Gjithçka është e përkryer. Çdo moment i cili arrin të thith në vete dhe të le pafrymë ngjashëm si shumë karaktere. Është një eksperiencë personale që përjetohet me këtë film. Dhe këtë mund ta bëj më së miri Christopher Nolan. Ndër tre filmat më të mirë të vitit deri më tani. Nota personale: 5/5