Filma

Elle (2016) – Recensim

Philippe Djian është njëri nga skenaristët, shkrimtarët francez që përkthehet në filma të mirë. Një ‘përkthim’ i tillë vjen edhe tek filmi ‘Elle’. I bazuar në novelën e tij dhe me regji të Paul Verhoeven – edhe një emër që e njohim për filma ndoshta jo sikur ky, ‘Elle’ sjell tregimin e një gruaje biznesmene e cila dhunohet nga një person i maskuar qysh në fillim të tregimit.

Nga ai moment e tutje kemi një mision, lojë miu me macen siç përshkruhet edhe nga vet filmbërësit, ku karakteri i Isabelle Huppert, Michelle është në kërkim të dorasit të krimit ndaj saj. Të gjithë janë të dyshuar, dhe këtu qëndron edhe problemi më i madh ndoshta. Nisur nga punëtorët e saj të cilët ndoshta edhe pahiri përgatisin një ‘shaka’ të pahijshme ndaj saj, e deri tek partneri që ka, të dyshuarit nuk kanë limit.

Ajo është nënë, biri i të cilës është aq i rritur sa të bëhet baba; derisa ish-bashkëshorti tani ka gjetur fatin tjetër të jetës. Është një ambient shumë ‘francez’ sa i përket familjes. Derisa ky ambient sfidohet nga zhvillimet e jetës moderne, nuk lihet pa u prekur as ambienti biznesor me një grua lidere. Pra, në një mënyrë është një mision feminizmi, që prek të dy anët e tregimit, duke qëndruar neutral ndaj të dyjave.

Aktrimi i Isabelle Huppert mund të jetë i denjë për Oskar. Kjo bazuar nga karakteri që jetëson në këtë film. Edhe ashtu viteve të fundit gjithnjë kemi nga një franceze në mesin e të nominuareve, edhe pse ajo zakonisht është ose Audrey Tautou, ose Marion Cotillard. Nominimi i Huppert vjen ndoshta në zenitin e karrierës së saj.

Kasti tjetër nuk ka diçka të veçantë. Tregimi i filmit dhe aktrimi i Huppert lënë të tjerat në hije. Jo që janë nën-mesatare, porse nuk janë në nivel me këto dyja. Nota personale: 4/5