Kolumna televizive për Zëri

EURO2012 në haj-definishën e tre-de

Si zakonisht UEFA u jep të drejtat televizive kanaleve kombëtare, në shumicën e rasteve atyre publike, për të transmetuar kampionatin evropian. Arsyeja kryesore për këtë është që shikuesit të mos mbeten pa parë kombëtaren e tyre, apo më saktë të paguajnë për të parë kombëtaren e tyre. Ne nuk kemi fatin të kemi kombëtaren tonë, së paku jo edhe në këtë kampionat.

Megjithatë RTK arrin të ofroj të gjitha të ndeshjet për shikuesit tanë pa pagesë. Në rrjetin tokësor, kabllor, në internet e telefoni mobile, RTK ka të gjitha të drejtat për EURO 2012 dhe asnjë kanal tjetër nuk guxon të transmetoj këto ndeshje në territorin e Kosovës. Por, kjo nuk po respektohet në nivelin e duhur. Kemi dhjetëra reklama nëpër televizionet tona, ndoshta edhe në vet RTK, që reklamojnë se shfaqin ndeshjet në cilësinë e lartë, HD, apo edhe 3D. Herën e fundit që kam shikuar, RTK nuk jep asnjë ndeshje në ndonjërën nga teknologjitë e lartpërmendura. Në fakt, RTK akoma transmeton në formatin 4/3, por më duket se kanë bërë një përparim, ose vet sinjali është ashtu që ngushton formatin 16/9 duke përshtatur atë me shumicën e aparateve televizive në Kosovë.

Ato objekte që transmetojnë HD apo 3D marrin sinjalin nga ndonjë kanal tjetër dhe për një shumë të caktuar ua ofrojnë shikuesve që dëshirojnë të shijojnë teknologjinë e fundit. Me këtë RTK humb disa shikues, e për rrjedhojë edhe vet reklamuesi humb disa blerës potencial. Nuk mjafton vetëm mos transmetimi i ndeshjeve në SuperSport/Ipko, të cilët përsëri duket se provuan të fitojnë nga kosovarët, pa paguar ndonjë taksë për këtë. Është e zakonshme që SuperSport të drejtat për Shqipëri i shfrytëzon edhe për Kosovë, apo më thjesht paguan 1 për 2.

Dy gjëra irritojnë shikuesit kosovar. E para, reklamat e SuperSport se do të transmetonin EURO2012, dhe tani kanë një blackout total në kabllor. Nuk është hera e parë që Digitalb dëshpëron abonentët e saj. Ju kujtohet 2006ta, kur abonentët e Digitalb arritën të shohin vetëm Premier League, duke mbetur pa Bundesliga dhe Ligue 1 kur u bashkuan pronarët e Digitalb dhe Sat+ për të krijuar SuperSport?! Nuk është diçka e re për të cilën reklamohet dhe nuk e merrni. Tashti ndoshta mund të funksiononte ligji për mbrojtjen e konsumatorit, kuptohet nëse ju kanë premtuar se mund të shihni EURO2012!

E dyta është transmetimi jo në nivel i ndeshjeve në RTK. Pos që dikush dëshiron të shoh futboll në ekran të madh me më shumë detaje që RTK nuk e ofron, dikush duhet edhe të përdor “MUTE”-n për të shikuar i qetë ndeshjen. Statistikat mund të jenë gabim, por edhe gabimet kanë kufi. Por, disa komentime që shpesh marrin ngjyrosje banale janë të tepërta. Shpesh kemi komente që nuk kanë lidhje me ndeshjen që zhvillohet e që shpeshherë kalojnë në fjalë jo të mira për ndonjërën skuadër apo lojtar specifik. Pa marrë parasysh gabimet e lojtarëve apo skuadrave nuk është me vend që komentatori i ndeshjes, që zakonisht duhet të mbajt paanësi në këto ngjarje të nënçmoj/ofendoj ndonjërën skuadër apo individ që ka me mijëra tifoz e shikues të cilët në mënyrë indirekte kontribuojnë në pagën e atij komentatori, sidomos në rastin e RTK-së që pagat disafish më të mëdha se mesatarja qytetarit të thjeshtë i merr nga xhepat edhe ashtu të zbrazur të qytetarit. Me një fjalë komentatorët e ndeshjeve nuk po lënë hapësirë për analistët e angazhuar nga RTK për këtë kampionat, disa prej të cilëve vërtetë japin mendime shumë të mira.

Mendoj që RTK duhet të shfrytëzoj këtë mundësi të përkryer për të fituar shikuesin. E dimë që teknologjia mund të jetë diçka e lidhur me kushte eksternale, por komentatorët mund të zgjedhin fjalët që përdorin. Askush nuk i do ofenduesit dhe mendjemëdhenjtë të shesin mend në televizion publik!

Luan Morina

Kritik për TV&Film

Botuar në gazetën Zëri