Filma

Ex-Machina (2015) – Recensim

Nëse shohim mbrapa në karrierën e Alex Garland në zejen e skenaristit hasim në tituj kryesisht mesatar si ’28 Days Later’, ‘Dredd’, e ‘Sunshine’. Derisa në këtë zeje është paksa më i kalitur, ai debuton si regjisor me filmin ‘Ex Machina’.

E filmi ‘Ex Machina’ është padyshim filmi më i mirë i bërë nga Garland deri më tani. Tema është e veçantë, si zakonisht në produktet e tija. Një programer i çuditshëm dhe i zhvendosur nga bota moderne, i ngujuar në parajsën e tij teknologjike në egërsi është duke punuar në një projekt sekret. Projekti i tij është ndërtimi i një roboti që do të arrij të perceptojë ndjenjat në mënyrë sa më njerëzore. Për të testuar punën e tij, Nathanit (Oscar Isaac) i nevojitet një person i tretë të cilin e gjen në Caleb (Domhnall Gleeson). Ky i fundit ngjan në Nathanin për kah aftësitë profesionale, por megjithatë ndryshimet në pikëpamjet e tyre do të shfaqen me ecurinë e filmit.

Aktrimi është i hatashëm. Të tre aktorët – Oscar Isaac, Domhnall Gleeson, e Alicia Vikander, janë të mrekullueshëm në rolet e tyre me të cilat mishërohen. Më ka pëlqyer në veçanti karakteri i Isaac. Me të jam njohur më së afërmi tek filmi ‘Inside Llewyn Davis’, dhe që nga atëherë karriera e tij sikur ka marrë një përpjete drejt majave të kinematografisë. Ka qenë i shkëlqyeshëm edhe tek ‘A Most Violent Year’. Këtu ka një karakter më të rezervuar, më shumë në rolin e dytë që shërben si katalizator në zhvillimin e ngjarjes kryesore. Vjen si një tip shumë i zoti, por i çuditshëm që shpesh i jep ngjyrë negative karakterit të tij.

Krejt e kundërta është me dy karakteret tjera. Gleeson dhe Vikander shfaqin një harmoni të shkëlqyeshme skenike duke portretizuar me mjeshtri karakteret e tyre të cilët kanë një mori dialogësh. Të gjithë këta dialog vijnë me një skenar të përpiktë, që shpesh herë ngacmon edhe ndjenjat tona ndaj inteligjencës artificiale. Kjo për faktin se ky film sjell AI në një dimension krejt tjetër. Vikander është ai roboti i krijuar për të ndjerë, për të bërë pyetjet në të cilën as një pjesë e konsiderueshme e mendjeve njerëzore nuk do të kërkonin përgjigje. Edhe paraqitja fizike e saj në lëvizje është në nivelin më të lartë, përkundër përdorimit të madh të efekteve vizuale. Ndërkohë Gleeson veçse është i adaptuar në role të këtilla ku është i përfshirë në romanca të çuditshme (hiq më larg se ‘About Time’). Bill Uizlli vjen me një performancë të shkëlqyeshme që është në të njëjtën linjë suksesi me pjesët tjera të filmit.

Përpos aktrimit të shkëlqyeshëm, regjisë dhe skenarit me shumë dialogë të mrekullueshëm, filmi sjell edhe një qasje më ndryshe nga AI. Këtu njerëzimi nuk është i rrezikuar nga inteligjenca artificiale. Përkundrazi është kjo e dyta që vjen në një pozitë inferiore. Filmi provon të sfidoj dominimin njerëzor mbi AI, duke e futur edhe në një luftë me vet humanitetin tonë.

Është një film i përkryer, inovativ, dhe tamam i gjatë. I shkëlqyeshëm. Nota personale: 5/5