Filma

Eye in the Sky (2016) – Recensim

Hans Gruberi, Sherifi i Notingemit, dhe profesor Pitoni nuk do të jetë kurrë ai të cilin ka portretizuar Alan Rickman. Pa marr parasysh sa adaptime tjera bëhen, mjeshtëria e Alan Rickman në jetësimin e këtyre tri roleve është e mahnitshme. Sigurisht që puna e tij artistike shtrihet më gjerë se këto tri role, por për mua, këto tri janë maja, ajka e karrierës së tij, e cila u ndërpre vitin e kaluar.

Filmi i tij i fundit me paraqitje skenike (ka huazuar zërin edhe tek Alice Through the Looking Glass), është një film triler, plotë tension për 102 minuta. Rickman është gjenerali Frank Benson, nga ushtria amerikane. Së bashku me kolonelen Katerinë Pauell nga ushtria britanike, janë duke organizuar një operacion dronësh për të kapur terroristët në Keni. Krejt do të ishte lehtë e realizueshme sikur të mos ndërhynte pahiri një vajzë e vogël.

Kjo vajzë sjell të këqijat e ekstremizmit fetar që përdoret nga kriminelët në Lindjen e Afërt dhe Afrikën Lindore. Është një skenë derisa vajza është duke luajtur me rrethatore, diçka e ndaluar nga komentimi i idealeve dhe besimeve të pushtuesve në këtë rajon. Ajo gjithashtu duhet të mësoj fshehtazi, derisa punon si shitëse e bukëve.

Helen Mirren vjen në rolin e koloneles britanike, derisa në perden e bardhë më në fund kthehet edhe Barkhad Abdi nga ‘Captain Phillips’. Derisa Mirrenin, Rickmanin, edhe Aaron Paulin në një karakter goxha të zorshëm, jemi mësuar ti shohim, paraqitja e Abdit ishte befasi e mirë, dhe goxha e suksesshme.

Skenari vjen nga Guy Hibbert i cili nuk ka shumë përvojë me film, ngjashëm si Gavin Hood me regji. Por, filmi arrin të mbaj tension për pjesën më të madhe të filmit, tension i cili ndërtohet ngadalë dhe në detaje duke mos lënë ndonjë hapësirë të shumtë për dremitje apo mërzi.

‘Eye in the Sky’ është një film i veçantë i luftës, një lufte që zhvillohet nga mijëra kilometra larg, një luftë e cila sfidon moralin, karakterin njerëzor. Nota personale: 4/5