Filma

The Florida Project (2017) – Recensim

Çka kujtoni më shumë nga fëmijëria? Pushimet dimërore apo ato verore në klasën e dytë të shkollës fillore? Edhe dimrat sigurisht kanë qenë më të mirë përkundër reduktimeve të rrymës 3me3 e 2me4, valët e zorshme të numrave të Valës të cilët kushtonin sa një pension minimal tani, dhe tri kanaleve të cilat hapnin programin e rregullt vetëm në ora 4 pasdite!

Nuk janë kujtimet më të mira këto që përmenda, por nuk arrijnë të shkatërrojnë ato pak momente të mira fëmijërie që keni pasur ndoshta asokohe. E për tu bërë fëmijë edhe një herë, pa brenga, pa asgjë për të lodhur kokën, thjesht për të ditur kënaqësinë maksimale të fëmijërisë së çiltër e të panjollosur, do të ju shtyjë Moonie.

Ajo është një vajzë e vockël e cila jeton me të ëmën në një kompleks banimi që mund të quhet edhe motel diku në Florida. Ngjan në një lloj strehe për shtresat e rënduara financiarisht dhe është pranë Disney World. Por, Moonie e miku i saj Dicky nuk kanë nevojë as për teknologji, as për Disney World. Kanë nevojë vetëm për njëri-tjetrin dhe miq të rinj që do të bëjnë gjatë kësaj vere, si Jancey.

Shoqëria me Jancey bëhet duke ofenduar nënën e saj dhe duke pështyrë në veturën e saj. Janë fëmijë të lirë që kanë botën e tyre të cilën e shijojnë në maksimum. Kanë sjellje interesante ndaj të tjerëve të rritur, shumica prej të cilave janë burim të qeshurash.

Është një film i lirë, si skenari ashtu edhe regjia. Të dyja bëhen nga Sean Baker për historinë paraprake të së cilit nuk keni nevojë të dini. Aktrimi është i shkëlqyeshëm nga fëmijët, dhe nga kasti i të rriturve. Bria Vinaite e cila ka bashkëpunuar me Baker edhe më parë vjen në rolin e nënës së Moonie, derisa Willem Dafoe në rolin e mirëmbajtësit të lagjes, kompleksit. Karakteret e të dyve vijnë në pah ngadalë me zhvillimin e filmit.

Por, asgjë nuk do të ju kënaq sa bëmat dhe punët e fëmijëve. Një film i lezetshëm, i këndshëm, që shndërrohet në një zhytje nëpër kujtimet tona, për të ngjallur aromën e nostalgjisë në ne, dhe njëkohësisht idenë për adaptimin e një Benjamin Buttonizmi. Nota personale: 5/5