Filma

Forrest Gump (1994) – Recensim

Çfarë ndjenje është të jesh nënë, gjysma prej neve s’do ta dinë kurrë! Por, shumica nga nesh e dimë çfarë është të kesh nënë! Nuk është ajo që të lind nënë, por edhe ajo që të dashuron pakufi, pa marr parasysh sa herë ju prishni qejfin. ‘Ti se din çka osht nona’ është arsyetimi nëse e teprojnë me kujdes. I mirë i keq, fëmija merr dashuri të pakufizuar, të pamatur nga e ëma.

E ëma është ajo që beson në Forrestin, përkundër asaj se duket një fëmijë më ndryshe se të tjerët. Pa babanë pranë, Forresti mëson gjithçka për jetën nga nëna e tij. Zonja Gump na sjell shumë këshilla amësore në një pjesë të kufizuar të dialogëve që ka me Forrestin në këtë film, sidomos në pjesën fillestare derisa ai është një fëmijë, i trazuar nga të gjithë që e rrethojnë. Pos Xhenit.

“Jeta është si një kuti bonboniere, kurrë nuk e di se cilin çokollatë e merr për ta ngrënë,” është fjalia ndër më të njohurat nga ky film. Është një nga fjalitë e shumta, por edhe më e rëndësishmja. Që nga andej e tutje, jeta e Forrestit merr drejtime të paparashikueshme, që të gjitha të ngjyrosa me skena e ndodhi komike, derisa e bëjnë Forrestin pothuajse qendër të botës së Amerikës së pas-Luftës së Dytë Botërore.

Aktrimi i Tom Hanks është ndër më të mirët në karrierën e tij të deriatëhershme e edhe më pas. Sjell një karakter jo të lehtë për tu aktruar, dhe këtë e bën shkëlqyeshëm. Robin Wright vjen në rolin e Xhenit, me të cilën ka shumë skena komike përgjatë tërë filmit. Forresti takon edhe presidentë, artist, e çmos gjatë kësaj aventure që shpesh është e prerë me pjesë nga jeta reale në atë periudhë. Edhe më këta harmonia është në nivel, por që të gjitha për mua mbeten nën nivelin që ka me të ëmën. Ajo vjen më shumë pjesë e narracionit derisa u rrëfen udhëtarëve të rëndomtë që presin autobusin bashkë me të. Ai ka një bonboniere dhe një palë patika të zhytura. Patika të cilat u lanë sigurisht nëna juaj, pasi shumica nga jush nuk dinë të lëshojnë lavatriqen në temperaturën e duhur, apo edhe ndoshta përtojnë ti pastrojnë dalëngadalë.

Derisa bota ka Forrestin në qendër të gjithçkaje që ndodh gjatë kësaj periudhe të këtij filmi në regji të Robert Zemeckis e skenar të Tim Roth, (që të dy të shpërblyer me Oskar bashkë me aktrimin e Tom Hanks, si dhe çmimin për filmin më të mirë të vitit), për Forrestin gjithçka sillet rreth nënës së tij.

I përkryer. Nota personale: 5/5