Filma

The Founder (2016) – Recensim

Nëse nuk keni dëgjuar kurrë për McDonalds, atëherë jashtëtokësor i dashur, të urojmë mirëseardhje në planetin Tokë. Presidentët që po zgjidhen së fundmi nuk janë më të mirët që kemi pasur deri sot, dhe ju premtojmë që një pjesë e njerëzimit di të bëj zgjedhje ndryshe. Ashtu siç ka bërë për shembull Prishtina në zgjedhjet e kaluara! Apo edhe Kanadaja!

Mirëpo, ju që keni dëgjuar për McDonalds, a e dini historinë e tyre? Sigurisht që duhen të jetë ndonjë me mbiemrin McDonalds, ndoshta ai plaku nga ferma, kafshët e të cilit i bashkohen në kor të hareshëm në oborr. ‘The Founder’ sjell historinë e këtij brendi, me të gjitha detajet e nevojshme.

Kjo histori nis nga një shitës portash i produkteve të ndryshme. Në gjysmën e fundit të jetës së një punëtori, Ray Kroc dëgjon për nja dy vëllezër të cilët kanë krijuar diçka të veçantë në shërbimet e ushqimit. Dick dhe Mac presin Ray-in dhe pasi i japin një shëtitje nëpër restorantin e tyre, ulën për ti treguar në detaje historinë e tyre. Dhe kjo histori vazhdon për disa minuta me pamje që dërgon mbrapa në kohë, duke mos harruar as detajet minimale. Në këtë moment, kisha një ndjenjë se i tëri filmi mund të jetë thjeshtë një rrëfim i Dick dhe Mac. E për çudi, s’do ta leja filmin edhe po të ishte kështu. Por, gjërat vazhdojnë edhe pas rrëfimit. McDonalds nis të zgjerohet dhe me të pasojnë edhe ngjarjet kryesore të historisë së këtij brendi.

Michael Keaton, i rishfaqur pas ‘Birdman’ kaloi edhe një vit të suksesshëm. Ka një paraqitje të shkëlqyeshme. Vet karakteri i tij kalon nëpër raporte të ndryshme si me neve si shikues, si me karakteret tjera të përfshira në tregim. E ky transformim kapet shkëlqyeshëm nga Keaton. Por, dy karakteret e mija të preferuar gjatë gjithë kohës mbeten Dick dhe Mac. Më duhet të pranoj se është ndjenjë e çuditshme të shohim Nick Offermanin pa mustaqe. Ai vjen si Dick, derisa John Carroll Lynch është Mac. Kasti tjetër përfshin Lidna Cardellinin, BJ Novak, e Laura Dern.

Pas kamerave kemi emra me përvojë. Regjisorin John Lee Hancock mund ta kujtoni nga ‘Saving Mr. Banks’, e ‘The Blind Side’ si filmat e tij të fundit. Në fakt kemi shumëçka të ngjashme këtu nga ‘Saving Mr. Banks,’ ndoshta pse të dy filmat shtjellohen në një epokë të ngjashme. E skenaristin Robert Siegel vjen me filmat ‘The Wrestler’ e ‘Turbo’ në portfolio. Të dy bëjnë punë të shkëlqyeshme për mendimin tim.

‘The Founder’ mbetet një tregim shumë i nevojshëm për tu shtjelluar, e për tu parë nga ne. Është realizuar shkëlqyeshëm. Nota personale: 4/5