Filma

Free State of Jones (2016) – Recensim

Lufta më e madhe nis pas paqes

Ashtu siç mund të jemi mësuar nga realiteti aktual këtu tek ne, lufta në fron të hapur është vetëm hapi i parë i luftës për kauzën për të cilën nis ajo. Kjo pjesërisht ka vlejtur edhe për Newton Knight.

Knight kishte qenë një ushtar konfederate i cili kishte heq dorë nga lufta pas vrasjes së nipit të tij në Luftën Civile Amerikane. Ai zbulon në vetvete që është në kundërshtim me kauzën dhe nis revoltën kundër regjimit aktual pasi dënohet me varje si dezertues lufte.

Ngjarje që akoma është aktuale pjesërisht

Në një pjesë të SHBA-ve, në një ambient jashtëzakonisht konzervativ, dhe fatkeqësisht jo vetëm në atë periudhë, ai nis një revolucion duke mbledhur banorë lokal në kryengritje ndaj pushtetit të pamëshirshëm ndaj popullatës së zakonshme. Ai krijon Shtetin e Lirë të Xhonës. Dhe, kjo nuk është e tëra. Filmi vazhdon të sjell kronikën e bazuar në ngjarje reale duke prekur tema që, e përsëris, fatkeqësisht akoma janë aktuale në atë pjesë dhe në tërë SHBA-të.

Matthew McConaughey vjen në rolin kryesor të Newton Knight. Aftësitë e tija për të bartur në supe një rol të tillë janë dëshmuar më parë, dhe si rrjedhojë shohim një punë të shkëlqyeshme nga McConaughey. Derisa ai udhëheq tërë filmin i cili pothuajse ngjan në njëlloj biografie edhe për vet atë, pjesa e tjetër e kastit jep kontribut më shumë se modest. Gugu Mbatha-Raw, e Mahershala Ali janë dy emrat kryesorë që vijnë në repartin e Knight, dhe të cilët arrijnë të fitojnë njëfarë simpatie tek ne si shikues.

Regjia dhe skenari, ku në të dyjat Gary Ross ka kontribut janë mirë të përpunuara. Nuk janë diçka të veçanta, dhe filmi është paksa i gjatë, por më ka pëlqyer fakti që filmi tejkalon atë që na gatitet në plan të parë kur nisim të shohim filmin. Do të mund të bënte me nja 20-30 minuta më pak, porse në fund e arsyeton deri në një masë kohëzgjatjen.

Katërshe

Pra, Free State of Jones mbetet një film i mirë, inspirues, edhe pse bazohet në ngjarje të vërteta ama jo të konfirmuara. Nota personale: 4/5