Opinione, Televizioni, TV Reviews

Game of Thrones – Recensim i sezonit të tretë

game-of-thrones-season-4

Kritiku James Hibberd i Entertainment Weekly të nesërmen e ka cilësuar si ‘skena më brutale e parë ndonjëherë në histori të televizionit’. I referohet episodit të nëntë të këtij sezoni, ‘Dasma e kuqe’. Pika kthyese që krijoi hallakamë dhe shtyu shumë veta të nisin sezonin e parë, ishte kjo dasmë.

Për të mos ‘prishur’ fundin e sezonit (e keni edhe recensimin ‘me spoilera’), s’do të jap detaje për këtë episod, por do të përqendrohem më shumë në rrjedhën e serialit, më saktë lëvizjen e këtij sezoni.

Fundi i sezonit të dytë ishte i mahnitshëm. Krijesat e veriut u shfaqën si asnjëherë më qartë dhe Semi ishte i vdekur për neve. Megjithatë bastardi (njëri nga të shumtit, disa prej të cilëve u shfaqën sefte këtë sezon), disi mbijetoi dhe u shndërrua në një ‘special’. Për këtë do të mësojmë më shumë në pjesën e parë të këtij sezoni, kur Rojtarët e Natës përfshihen edhe në një luftë, të cilën besoj që shumica e kanë uruar, gjithashtu edhe unë.

Karakteret dytësore si Semi, mendoj që kanë një rol më të rëndësishëm në çmendinën e George Martin.

Ngjashëm si Semi, kemi edhe ndihmësin e Gishtvoglit, i cili del të jetë një karakter nga ’50 Shades of Grey’, dhe torturuesi i Theonit, për të cilin gjejmë më shumë detaje në fund të sezonit, edhe pse jo gjithçka qartësohet.

Këto katër karaktere dytësore, si në hije janë lidhur shumë me ngjarjet e mëdha që ndodhën përgjatë sezonit. S’do të habitesha nëse do të kishin rol dhe hapësirë më të rëndësishme, edhe pse duket pak e mundshme. Një mbret i ri ndoshta jo, por një lider në beteja është diçka reale për këto karaktere. Në fakt, këto na bëjnë më të interesuar për temën e serialit.

Veriu është zhdukur dhe ngjarjet nisin përtej Murit me Xhon Snou të zhvendosur përtej. Pikërisht karakteri i Xhon Snou duket më konfuzi këtë sezon, pa synime, pa plane, pa asgjë. Është si një rrugaç që sorollatet rrugëve, i humbur.

Starkët akoma janë të ndarë dhe gjithnjë në kërkim të hakmarrjes. Nëna Stark, hedh në pah karakterin e një nëne tipike që vepron në bazë të emocioneve, në mungesë të arsyes. Kjo i shpaguhet keq.

Sezoni i tretë mund të konsiderohet edhe si një ‘rrugëtim’ i Xhejmi Llanister. Njëri nga karakteret që ka evoluar më së shumti është, karakteri i tij. Atë do e njohim më thellësisht dhe do të bëhet disi më ‘i dashur’ të mos them, por do të kemi ndoshta një ndjenjë më të zbutur. E Llanisterët si Llanisterët. Xhofri është karakteri më negativ, më i pështirë që kam parë në TV së fundmi. Nuk është negativ në plotë kuptim e fjalës, të bën më shumë ta urresh se sa ta duash si karakter negativ. (ka karaktere negative që janë të dashur!)

Tirioni është i vetmi që mbetet i dashur tek Llanisterët. Për shumë kë është karakteri favorit edhe në serial. Edhe vetëm sa vazhdon e bëhet më i dashur për publikun e gjerë. Janë disa skena, disa fjali që të bëjnë të qeshësh me nënqeshjen e tij në episodet 8 dhe 10. Ka një harmoni ndërmjet tij dhe Sansas. Në fakt vetëm pas kësaj harmoni, afrimit të këtyre dy karaktereve në këtë sezon kam filluar të pëlqej karakterin e Sansas. Gjithnjë ka qenë e vuajtur, duke qarë, e mërzitshme.

Uollder Frej, apo siç e quajmë ne Potterhead-ët, Laraska paraqitet në vetëm dy episode, por ka njërën nga skenat më të mëdha në këtë serial, skena në të cilat shkëlqen. Nëse do të kishte ndonjë rol mysafir/episodik në serialet dramë, Frej do të ishte në Top 5 për Emmy këtë sezon. Nga karakteret me rol jo shumë të madh që më kanë pëlqyer këtë sezon do të veçoja edhe Marxhëri Tarrell dhe gjyshen e saj, tullacin, dorën e parë të Baratheonit. Oh, edhe Hodorrrrrr. Ky i fundit nuk ka rol të madh, në fakt minimal, por më pëlqeu sidomos kah fundi i sezonit, edhe atë pa ndonjë arsye të arsyeshme! Nuk di si do të ndjeheni për torturën ndaj Theonit. Personalisht, pas ngjarjeve në sezonin e dytë nuk kam pasur kurrfarë afiniteti për këtë karakter në serial. Gjithashtu tërë skenat me të nuk më kanë bërë shumë përshtypje, një ftohje dhe injorim ndaj karaktereve televizive, si ndaj Theon nuk kam ndjerë moti kohë, ndoshta edhe kurrë. Zakonisht pëlqen, nuk pëlqen, urren, dashuron një karakter në TV. Asnjë nga këto dhe emocionet tjera nuk më lidhin me të më në këtë serial!

Eh përtej detit po ndodhin mrekulli. Mrekulli që po më pëlqejnë, dhe atë jo vetëm mua, por shumë fansave që njoh. Evoluimi i Khalisit nga një karakter i ofenduar, i nënçmuar në maksimum në sezonin e parë, një karrem i vëllait të saj të madh, nga një person thjesht i shpërdorur nga të gjithë, në atë që është bërë në sezonin e tretë është ajo çfarë e bën këtë serial të mrekullueshëm.

Nuk e di kur do të kalojnë detin, por kurdo që do të kalojnë besoj që na presin skenat më të hatashme të para deri më tani. Fjalimi i saj në gjuhën valiriane për ‘të pacenuarit’, negocimi i marrëveshjeve, dragonjtë, urdhrat që jep, e bëjnë një mbretëreshë dhe ….. si të them, një karakter të përkryer.

Më duket se kam lënë shumëçka të papërmendur, sigurisht edhe ‘spoilerat’! Do të kthehesha të shikoja sezonin e katërt sido që të ishte, por tani mendoj që të nis me pjesën e dytë të librit të tretë. Nuk besoj që do ta bëj këtë, jo pasi ‘Dasmës së kuqe’. Jo si dëshpërim, por preferoj të ndodhin të papritura dhe befasi si ajo aty. Kjo e bën më të dashur këtë serial. Megjithëse nuk besoj se do të ndodhin çmendurina më të mëdha se në këtë sezon. Jemi në një aventurë epike që shpresoj të mos prishet në fund nga presioni për pritjet e mëdha që po krijohen me kalimin e episodeve. “George Martin, you rock and I don’t have a favourite character.” 😀

Luan Morina
Kritik për TV&Film